Franca shpërblen me pasaportë franceze punëtorët emigrantë që janë në vijën e parë të frontit me Covid-19

Qindra emigrantë në Francë që punojnë në vijën e parë të frontit në përballje me koronavirusin kanë fituar shtetësinë e Francës si shpërblim për punën e tyre.

Ministria e brendshme i ftoj banorët që kanë ndihmuar kundër Covid-19 për të aplikuar për nënshtetësi përmes një procesi të përshpejtuar.

Më shumë se 700 personave tashmë ju është dhënë nënshtetësia ose janë në fazat e fundit të marrjes së saj.

Ata që kanë marrë këtë të drejtë përfshijnë profesionistë të kujdesit shëndetësor, pastrues dhe punëtorë të dyqaneve.

Punëtorët e vijës së parë të frontit në të gjithë botën kanë qenë të ekspozuar ndaj Covid-19 në një shkallë të lartë.

Franca është në 10 vendet e prekura më keq nga infeksionet e koronavirusit, me më shumë se 2.5 milion raste të konfirmuara dhe afër 62,000 vdekje.

Nisma për shtetësinë e përshpejtuar u njoftua për herë të parë në shtator. Shtatëdhjetë e katër njerëzve tashmë u është dhënë një pasaportë franceze dhe 693 të tjerë janë në fazat e fundit. Gjithsej 2.890 persona kanë aplikuar deri më tani.

“Profesionistët shëndetësorë, zonjat e pastrimit, punëtorët e kujdesit për fëmijët, stafi i arka: Ata të gjithë dëshmuan përkushtimin e tyre ndaj kombit dhe tani është radha e republikës për të bërë një hap drejt tyre”, thonë nga zyra e ministres Marlene Schiappa. / BBC / KultPlus.com

Foto: Getty Images