Cilin libër nga Ismail Kadare e pëlqeni më shumë?

Krijimtari që shtrihet në vite e vite shkrim të thellë, është ajo e Kadaresë.

Një prej shkrimtarëve më të njohur shqiptarë, dhe mund të tingëllojë klishe por ndoshta më përfaqësuesi i kësaj pjese të botës për pjesën tjetër të saj, Ismail Kadare mbetet një narrator i shkëlqyer dhe një shkrimtar i cili është me patjetër për tu lexuar nga të gjithë shqiptarët.

Se sa bota e lexon Kadarenë, këtë e kanë treguar përkthimet e tij në disa gjuhë. Së shpejti, gjuha spanjolle do të pasurohet me disa vepra të Kadaresë, përkthyer nga shqipja, ndërsa gjuhë të tjera tanimë kanë në bagazhin e tyre dhe në gjuhën e tyre shprehjen e bukur kadareiane.

Cili është libri të cilin ju e lexoni më me ëndje kur vjen puna tek Kadareja?

Mund të jetë “Nëntori i një kryeqyteti” – një libër kontrovers që sjellë Tiranën dhe çlirimin e saj para shumë vitesh, spiunët e Radio Tiranës, qytetin që nuk bën zhurmë, qytetin e heshtur të disa viteve, qytetin memec. Një libër i botuar në vitet 70-të i cili duket se është shkruar me një shqipe e cila edhe është harruar sot. Por, ky është Kadare, njeriu që zbulon fjalë, krijon fjalë, përdorë fjalë dhe i lidhë ato për të sjellë freskinë e leximit.

Gjenerali i ushtrisë së vdekur” është, si thonë anglisht, a must-read, një lexim i domosdoshëm. Romani zhvillohet rreth një gjenerali italian, i cili është dërguar në Shqipëri për të gjetur eshtrat e ushtarëve të rënë italian gjatë kohës të pushtimit të Shqipërisë. Detyra kryesore e gjeneralit është kërkimi dhe gjetja e eshtrave të një koloneli, i cili u zhduk pa gjurmë në një fshat të vogël shqiptar. Rrethanat e zhdukjes të kolonelit e ndërlikojnë shumë situatën. Pas shumë mundimeve të kota, eshtrat a kolonelit nuk u gjetën. Ky është zgjedhur në mesin e 100 librave të shekullit të kaluar nga prestigjiozja franceze Le Monde.

Në vitin 1986, Kadareja madhështor i letrave shqipe botoi romanin “Krushqit janë të ngrirë” që flet për dhunën dhe terrorin që përdornin serbët kundër shqiptarëve në Kosovë. Romani ishte frymëzuar nga demonstratat e shqiptarëve të Kosovës më 1981 dhe kishte filluar ta shkruante po atë vit mirëpo autoritetet komuniste në Shqipëri nuk lejuan botimin e tij për disa vite për të mos zemëruar Jugosllavinë.

E pse jo, ndoshta libri më i mirë i Kadaresë për dikë prej jush mund të jetë “Pasardhësi”. I botuar në vitin 2003. “Pasardhësi” është pjesa e dytë e diptikut i cili lidhet me romanin e parë “Vajza e Agamemnonit” nëpërmjet personazhit kryesor. Romani fillon me shpalljen e vdekjes së Pasardhësit që në fjalinë e parë.

Në vitin 1996 Kadare u bë anëtar për jetë i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike në Francë.

Ismail Kadare është dekoruar nga institucioni i Presidentit të Republikës së Shqipërisë me Urdhrin “Nderi i Kombit” dhe nga shteti francez me urdhrat “Kryqi i Legjionit të Nderit” e “Oficer i Legjionit të Nderit”. / KultPlus.com