Guri përkujtimor i Pashkë Markut, nënës që dogji veten pas kthimit dhe varrimit të mbetjeve të bijve të saj të vrarë dhe të djegur nga kriminelët serbë,para disa ditësh është larguar me bager nga pronari i tokës, Hasan Zenun Bala, shkruan KultPlus.
Për këtë rast i pari që ka reaguar është profesori universitar dhe shkrimtari Ag Apolloni duke u shprehur se nëna Pashkë është simbol i Kosovës, prandaj heqja e atij guri është një gjest i pamenduar i pronarit.
Ndërsa sot, Apolloni ka reaguar edhe njëherë, pasi guri përkujtimor i Pashkë Markut është hedhur në plehra.
KultPlus ju sjell reagimin e plotë të Apollonit:
Sot Hasan Zenun Bala e hodhi në plehra gurin simbolik të vënë aty në kujtim të nënës Pashkë, që nga dhimbja e papërballueshme për dy djemtë e saj të vrarë nga kriminelët serbë, dogji veten njëzet vjet më parë.
Me siguri Hasani ndihet krenar dhe fitimtar, sepse nuk mundi ta ndalë askush: as Qeveria, as qytetarët.
Mirëpo, nuk duhet të harrojmë se disa fitore janë më të turpshme se humbjet. Kjo e tij është e tillë.
Hasan, ke hedhur në plehra një gur që na e përkujtonte një tragjedi të madhe, një gur që dëshmonte për krimet serbe. Duke e hequr një dëshmi të tillë, ke bërë një gabim të pafalshëm.
Ke thënë se e ke hequr për shkak se aty mund të bëhej një kishë. A mund të jesh aq i padijshëm sa të besosh se mund të ngritet një kishë aty ku një person ka bërë vetëvrasje? Akti i nënë Pashkës është mbifetar, por ti je ultrafetar, dhe me këtë poshtrim që ua bëre shqiptarëve të krishterë, ke nxitur një konflikt ndërfetar. Kam pritur që komuniteti musliman të ndërhyjë të ta shpëtojë fytyrën ty dhe vetes, por mjerisht nuk e bëri. Uroj ta bëjë.
Hasan, do të doja ta shihja fushën tënde përplot me muslimanë që protestojnë kundër teje, dhe e mbrojnë vëllazërinë ndërfetare. Duket që koka jote është më e fortë se guri të cilin e hoqe, dhe vetëm vëllezërit e tu muslimanë mund të të kthejnë në rrugë të Zotit.
Nëse e ke hequr edhe për arsye politike, je treguar edhe më injorant. E kuptuam që me Vetëvendosjen nuk je, dhe kjo është diçka krejt normale (jetojmë në pluralizëm politik). Por nëse je me LDK-në, ke fyer ‘frymën rugoviane’ të saj. Nëse je me krahun e luftës (PDK, AAK etj.), ke kontribuar në zhdukjen e një dëshmie të fortë të krimeve serbe, të një dëshmie që nisi të bëhej vend pelegrinazhi, pra e ke dëmtuar krahun e luftës.
Kur e hedh në plehra historinë e popullit tënd, mos prit medalje! Turp, Hasan!
Të gjithë shqiptarët normalë (muslimanë, të krishterë, jofetarë) janë në anën e asaj historie që ti sot e hodhe në plehra. Na munde të gjithëve. Fitove, Hasan. Për turpin tënd, fitove. / KultPlus.com