Austri: Qytetarëve kosovarë u lejohet të vozisin me patentë shoferë të Kosovës

Nga 1 shtatori qytetarët kosovarë kanë të drejtë të kalojnë nëpër Austri me patentë shoferë të Kosovës.

Në njoftimin e fundit nga Ambasada e Republikës së Kosovës në Austri thuhet se nga data 1 shtator 2023, pas ndryshimit të Ligjit Federal të Austrisë dhe aktit respektiv normativ, lejohet kalimi nëpër Austri me patentë shofer të Republikës së Kosovës, përcjell albinfo.at.

Nga ky lehtësim përfitojnë qytetarët e Kosovës që në Austri ndodhen si vizitorë, qytetarët e Kosovës që nëpër Austri kalojnë transit si dhe qytetarët e Kosovës që kanë qëndrim të përkohshëm në Austri.

Ambasada njofton se ky lehtësim nuk vlen ende për të gjithë ata qytetarë të Kosovës, të cilët në Austri kanë qëndrimin e tyre të rregullt me leje qëndrimi.

Lexoni të plotë njoftimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës:

Ambasada e Republikës së Kosovës në Austri njofton se që nga data 1 shtator 2023, pas  ndryshimit të Ligjit Federal të Austrisë dhe aktit respektiv normativ lejohet kalimi nëpër Austri me patentë shofer të Republikës së Kosovës.

Nga ky lehtësim përfitojnë këto kategori:

Qytetarët e Kosovës që në Austri ndodhen si vizitorë,

Qytetarët e Kosovës që nëpër Austri kalojnë transit,

Qytetarët e Kosovës që kanë qëndrim të përkohshëm në Austri.

Ky lehtësim NUK vlen ende për të gjithë ata qytetarë të Kosovës, të cilët në Austri kanë qëndrimin e tyre të rregullt.

Ambasada e Republikës së Kosovës në Austri dhe institucionet e Republikës së Kosovës do të vazhdojnë angazhimin e tyre intensiv për njohjen e plotë të patentë shoferëve, e cila do të lehtësojë konvertimin dhe zëvendësimin e plotë të lejes së patentave për qytetarët e Republikës së Kosovës me leje qëndrimi afatgjatë në Austri./albinfo.ch/ KultPlus.com

Kryeministri Rama: S’kam për të marrë kurrë patentë, nuk e ngas dot makinën sepse kam këmbët e gjata

Kryeministri Edi Rama prezantoi sot në Elbasan platformën e Bashkëqeverisjes “Shqipëria që duam”, duke nisur kështu fushatën sensibilizuese.

Në një takim publik me qytetarë, ndër të tjera Rama nuk hezitoi të shkëmbente edhe batuta. Teksa argumentonte se si do të hiqen sportelet nga viti 2022 për të shmangur korrupsionin në administratë, Rama përmendi sërish faktin se nuk ka patentë.

“Nuk kam për të marrë patentën se nuk jam i zoti që të ngasë makinë, plus kam dhe këmbët shumë të gjata”, tha Rama. / KultPlus.com

Kriteret për të marrë patentën shqiptare në 1925: Duhej të ishe 21 vjeç dhe të mos ishe gjaknxehtë

Në vitin 1925 Shqipëria miratoi një rregullore të detajuar  për mënyrën sesi duhej të jepeshin patentat, si merrej leja e qarkullimit të automjeteve, tarifat që duheshin paguar dhe penalitetet me të cilat përballeshin ata që shkelnin rregullat e qarkullimit.

Referuar rregullorës, të gjitha qerret me fuqi motorri që punojnë në rrugë në vende publike duhet të ishin nën kontroll të autoriteteve kompetente te qeverisë. Çdokush që dëshironte të mbante e përdorte qerre me fuqi motori duhet të kishte leje nga qeveria. Leja merrej pasi kërkuesi të paraqitej te autoritetet kompetente të shtetit e të jepte provimin e zotësisë, shkruan Scan, transmeton KultPlus.

“Çdo qerre me fuqi motori që vepron mbi rrugë ose vende botnore (publike) duhet të ketë një leje veprimi. Çdo përdorues i këso lloj qerresh duhet të ketë leje përdorimi që quhet “Leje Chaufferi”” shkruhej në rregullore.

Rregullorja ishte aq e detajuar sa parashikonte edhe elementet e sigurisë që duhej të përmbante automjeti, përcjell albinfo.ch.

“Çdo qerre motorike duhet të ketë një aparat sinjali me za. Çdo qerre me fuqi motori do të ketë përpara dy llampa e përmbrapa nji për ndriçim” përcaktohej më tej në rregullore.

Referuar rregullore, ‘përbrenda qyteteve ‘Chauffeuri” nuk do të kalojë 10 kilometra shpejtësi në orë. Përjashta qyteteve jo më tepër se 40 kilometra në orë’.  Shpejtësia nuk duhej të kapërcente më shumë se 6 kilometra në orë kur moti ishte me mjegull ose kur makina kalonte në kryqëzime.

Çmimi i çertifikatës së pronësisë ishte 50 franga ari.

Ai që dëshironte të merrte patentën për drejtimin e automjetit duhej të bënte një kërkesë para autoriteteve kompetente. Dokumentacioni që duhej dorëzuar ishte çertifikata e lindjes. Kushti i parë ishte që kandidati të kishte mbushur moshën 21 vjeç. Po ashtu, kandidati duhej të mos kishte kryer krime e për këtë kërkohej edhe dorëzimi i “dëftesës penale” apo dëshmisë së penalitetit jo me të vonshme se 2 muaj.

Po ashtu, në listën e dokumenteve ishte edhe certifikata mjekësore në të cilën vërtetohej nga mjeku i qeverisë ose i bashkisë se kandidati nuk kishte të meta fizike apo shëndetësore që mund të pengojnë drejtimin e automjetit.

Provimi për patent përbëhej nga dy faza, sikurse në ditët e sotme; testimi teorik dhe praktik. Provimi teorik përbëhej nga pyetje të ndryshme verbale. Ndërkohë, testimi i praktikës zhvillohej duke e çuar kandidatin që të ngasë automjetin në rrugë ku kishte më shumë vështirësi qarkullimi.

“Në provim praktik konsiderohet vetëm aj qi tregon dijeni të plotë dhe nuk ka gjaknxetësie” përcaktohej në rregullore.

“Çertifikata e Chauffeurit” kushtonte 20 franga. Kjo rregullore hyri në fuqi me datën 1 shtator 1925./ scan/ KultPlus.com