‘Travel Off Path’: Shqipëria – destinacioni mesdhetar me rritjen më të shpejtë turistike në Evropë

Po mendoni të vizitoni Spanjën për plazhet më të mira në Evropë? Apo Italinë, për të zbuluar kulturën romake? Po sikur t’i gjenit të dyja në ‘perlën e fshehur’ më pak të njohur dhe më të përballueshme? Vizitoni Shqipërinë, shkruan Tor Brierley në një artikull të botuar në “Travel Off Path”.

Shqipëria ka regjistruar një rritje të pabesueshme prej 233,3% të pasagjerëve ajror krahasuar me vitin 2019, duke e bërë atë destinacionin me rritjen më të shpejtë turistike në Evropë. Ja pse duhet të vizitoni Shqipërinë:

Atraksionet historike magjepsëse

Shqipëria e sotme ishte dikur pjesë e Perandorisë Romake, kështu që këtu do të gjeni një sërë atraksionesh të pabesueshme romake. Por, pa turma turistësh që do të gjenit në Romë!

Disa nga rrënojat romake më të rëndësishme në Shqipëri përfshijnë Parkun Arkeologjik të Apolonisë, Butrintin dhe Kalanë e Beratit.

Butrinti nuk është vetëm një vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, ai gjithashtu konsiderohet si vendi më i rëndësishëm arkeologjik në Shqipëri.

Mbetjet e një Amfiteatri Romak janë përfshirë në këtë vend të rëndësishëm, i cili ka qenë i banuar që nga kohërat parahistorike.

Eksploroni Kalanë e Beratit

Ndoshta atraksioni më unik arkeologjik në Shqipëri është Kalaja e Beratit.

Të ecësh nëpër Kala është si të ecësh nëpër historinë e Shqipërisë, pasi ajo është përshtatur dhe përditësuar me secilin nga pushtimet e njëpasnjëshme të vendit.

Kjo është një kështjellë e fortifikuar me mure, por gjithashtu përmban kisha dhe xhami dhe është krejtësisht unike. Nuk do të gjeni askund tjetër në botë si Kalaja e Beratit.

Qyteti i Beratit është gjithashtu historikisht i pasur, magjepsës dhe ia vlen të eksplorohet.

Riviera Shqiptare

Plazhet në Rivierën Shqiptare janë magjepsëse dhe ofrojnë një panoramë që të lë pa frymë.

Riviera Shqiptare konsiderohet destinacioni më i ri i plazhit mesdhetar dhe shtrihet në një sipërfaqe prej 130 kilometra me rërë të bardhë mahnitëse.

Nëse jeni duke kërkuar për plazhet më të mira, atëherë vizitoni Sarandën, e cila është një qytet tipik bregdetar ideal për udhëtarët që pëlqejnë atraksionet dhe akomodimet e rehatshme gjatë pushimeve në plazh.

Këtu mund të shëtisni përgjatë bulevardit Hasan Tahsini, të kënaqeni me ushqimet e shijshme të detit në restorante dhe t’i kaloni mbrëmjet në bare koktejlesh.

Infrastruktura turistike këtu është e pabesueshme.

Ksamili me ujërat e kristalta blu rivalizojnë Maldivet, për të cilin Riviera shqiptare është kaq e njohur.

Ky është plazhi i preferuar i shumë turistëve.

Në brigjet e Ksamilit ndodhen katër ishuj të pabanuar dhe janë një zgjedhje e shkëlqyer për një udhëtim ditor në Shqipëri.

Zona ofron pamjet spektakolare si dhe mundësi të shkëlqyera për not, ski jet ose kajak.

Një destinacion i përballueshëm

Krahasuar me shumë pika të tjera të bukura në Mesdhe, Shqipëria është mjaft e lirë!

Ju do të paguani 2-5 dollarë për një vakt të lirë ose meze të lehtë në një kafene, dhe 10 dollarë për një drekë ose darkë të bollshme në një restorant lokal.

Një litër birrë kushton rreth 2,5 dollarë, ndërsa një kapuçino kushton aktualisht më pak se 2 dollarë.

Shqipëria është një nga destinacionet më të lira në Europë dhe ideale për udhëtarët me buxhet t ë kufizuar.

Eksplorimi i Tiranës

Tirana është kryeqyteti i Shqipërisë dhe pavarësisht sipërfaqes , ajo është një kryeqytet vital dhe i gjallë.

Këtu do të gjeni një kulturë të pasur tradicionale, por edhe një anë rinore dhe bashkëkohore që e bën Tiranën një qytet magjepsës.

Tirana ishte dikur një kryeqytet komunist, por tani ndërtesat e saj me ngjyra të ndezura dhe rrugët e pedonalizuara të qytetit janë një kënaqësi për t’u eksploruar.

Pikat kryesore të qytetit përfshijnë Muzeun Historik Kombëtar dhe Bunk’Art, i cili është një bunker i Luftës së Ftohtë që është shndërruar në një galeri arti moderne magjepsëse.

Nëse udhëtoni në Shqipëri, bëni ndalesën tuaj të parë në Tiranë dhe eksploroni për disa ditë kryeqytetin emocionues përpara se të shkoni në bregdet.

‘Travel off Path’: Shqipëria mes vendeve më të mira në Evropë për nomadët dixhitalë

Evropa ka qenë një magnet për nomadët dixhitalë kohët e fundit, veçanërisht për amerikanët që kërkojnë të udhëtojnë në shumë vende ndërsa punojnë në distancë, shkruan Vinicius Costa në një artikull të botuar në “Travel off Path”.

Një pjesë e vendeve ofrojnë një kosto më të ulët jetese dhe janë të pasura me kulturë, duke i bërë ato destinacione lehtësisht të përballueshme. I vetmi aspekt negativ?

Shumica e vendeve vendosin rregulla të rrepta për viza për qytetarët amerikanë dhe në përgjithësi i lejojnë ata të hyjnë për 90 ditë nga çdo periudhë 180-ditore.

Zona Shengen përfshin deri në 27 (së shpejti, 29) vende evropiane. Në fakt, ju keni shumë pak kohë për të eksploruar Kontinentin e Vjetër, pasi çdo destinacion kryesor që mund të mendoni është nënshkrues i këtij traktati dhe zbaton ‘acquis’-in famëkeq.

Siç rezulton, janë pesë destinacione evropiane ku nomadët amerikanë priten krahëhapur, kontrollet e Shengenit nuk zbatohen dhe më e rëndësishmja, ata nuk kanë nevojë për një vizë nomad dixhitale për të qëndruar më gjatë.

Shqipëria
Destinacioni i parë në listë është Shqipëria, një vend për të cilin mund të keni dëgjuar, bazuar në zhvillimin e saj astronomik dhe një pikë e nxehtë turistike gjatë viteve të fundit.

Vendi mundëson leje hyrjeje 1-vjeçare për amerikanët.

Kjo do të thotë që ju mund të fluturoni për në Shqipëri ose të kaloni një kufi tokësor nga ndonjë nga vendet e shumta fqinje të saj dhe t’ju jepen 365 ditë të tëra për të qëndruar në territorin kombëtar, mbi bazën e të qenit qytetar amerikan.

Ky privilegj nuk u ofrohet as kanadezëve, as evropianëve të tjerë, është vetëm për SHBA-në.

Pse duhet të zgjidhni të transferoheni në Shqipëri, nga të gjitha vendet, mund të pyesni veten.

Ky është një vend që ka të gjitha cilësitë e një destinacioni thelbësor mesdhetar, ka plazhe të pacenuara të përqafuara nga ujërat bruz, kuzhinë të shijshme, mot të shkëlqyer dhe një histori magjepsëse.

Dallimi i vetëm është se ndryshe nga Italia, Greqia, apo ndonjë vend i Evropës Jugore në afërsi, Shqipëria nuk është në Eurozonë dhe çmimet janë shumë më të ulëta se mesatarja.

Kushton vetëm 1,145 dollarë në muaj për të jetuar në Tiranë, kryeqyteti i saj i gjallë dhe bregdeti nuk është shumë i shtrenjtë.

Një fshat i qetë bregdetar përballë Greqisë, me rërë të butë dhe të bardhë, pranë të cilit ndodhet një vend i madh arkeologjik, Ksamili, është destinacioni ‘numër një’ bregdetar në Shqipëri, aktualisht vendpushimi më në trend, i vlerësuar në “Airbnb”, falë tarifave të tij të përballueshme. Akomodimet kanë një kosto duke filluar nga 22 dollarë për natë.

Nomadët kanë vërshuar gjithashtu në Durrës, një port i lashtë i Adriatikut me origjinë greko-romake, në Shkodrën shumëngjyrëshe në veriun malor të Shqipërisë dhe në Gjirokastër, një qytet që daton në shekullin e XII, dhe që mban statusin e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.

Shqipëria vlerësohet për stilin e jetesës, vendasit miqësorë, motin e ngrohtë gjatë gjithë vitit, (mesatarisht 16 gradë celcius në bregdet në dimër) dhe po aq e rëndësishme, për kulturën e kafeneve, më e dukshme në Tiranë dhe perceptimin e lartë të sigurisë./atsh/KultPlus.com