Në këto ditë karantine, kur virusi Covid-19 është përhapur anembanë botës, qëndrimi brenda shtëpisë është mundësi e mirë për t’u rikthyer te leximi.
Dhe kalimi i kohës duke lexuar libra është gjithmonë zgjedhje e mirë.
KultPlus-i vazhdon me rekomandimet për të gjithë juve që jeni të interesuar t’i rrekeni leximit dhe ta shfrytëzoni këtë kohë për t’i zgjeruar njohuritë tuaja.
Sot, KultPlus e rekomandon njërin nga romanet më të njohura të letërsisë gjermane, autor i të cilit është Patrick Süskind.
Romani mban titullin ‘Parfumi’ dhe është romani i parë i shkrimtarit, roman ky i cili gëzoi një sukses të madh gjatë rrugëtimit të tij në botë.
Në këtë vepër trajtohet historia e Xhovani–Batista Grenuijit, e një vrasësi serial që do të vrasë njëzet e pesë vajza të reja. Por shkaku i këtyre vrasjeve nuk është as shthurja dhe as sadizmi. Në të vërtetë, Grenuiji “nxjerr” parfum nga këto vajza të reja, për të përpunuar pak e nga pak parfumin absolut, atë të cilit nuk do t’i bëjë dot ballë asnjë, por edhe që do ta bëjë mbajtësin e tij zot të të gjithë njerëzve që do t’i afrohen. Grenuiji i urren njerëzit dhe do që t’i ketë të gjithë në dorë. Për këtë i duhet një parfum, që do ta krijojë nga erërat e mbledhura nëpërmjet lyerjes me parfum të vajzave të reja të vrara.
Ky roman eksploron shqisën e të nuhaturit dhe lidhjet e saj me kuptimet emocionale që barten nga aroma.
Ky roman nuk është dosido, nuk është një histori e zakonshme e ndonjë personazhi psikopat, ky roman shpalos një histori komunikimi, identiteti dhe morali të shpirtit njerëzor.
“Një nga zbulimet më magjepsëse të këtyre viteve të fundit. I mrekullueshëm! Një kryevepër”, thuhej në kritikën e San Francisco Chronicle. / KultPlus.com