Më 9 nëntor 1917, u ekzekutua atdhetari Themistokli Gërmenji.
Gërmenji lindi në Korçë në janar 1871. Më 1892 mërgoi së bashku me të vëllain, Telemakun, në drejtim të Rumanisë, ku punoi si çirak dhe u mor me tregti. Atje u lidh me shoqëritë patriotike “Drita” e “Dituria” dhe u përfshi në veprimtarinë e tyre atdhetare.
Pas Revolucionit xhonturk të korrikut 1908, hoteli “Liria” në Manastir që bashkëndante si pronë me Telemakun, u bë vatër e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare.
Në vitin 1911 Gërmenji u lidh me rrethet arbëreshe të Italisë, për t’u angazhuar më pas në radhët e një qendre patriotike shqiptare në Korfuz, ku u aktivizua.
Në vitin vendimtar 1912, u vu në krye të një çete luftëtarësh të armatosur që vepronte në krahinën e Korçës. Bashkëpunoi me qeverinë e Ismail Qemalit dhe në vjetët 1913-1914 kreu detyra të rëndësishme në administratën e shtetit të pavarur shqiptar.
Në vitet 1916-1917 luajti rol kryesor për nënshkrimin e protokollit shqiptaro-francez të 10 dhjetorit 1916, përmes të cilit u shpall Krahina Autonome e Korçës.
“Mos m’i lidhni sytë. Të më pushkatoni me gjoksin para dhe jo në shpinë. Skuadrës së pushkatimit ia jap vet urdhrin për zjarr”, citohet të ketë thënë patrioti Gërmenji para togës së pushkatimit, të urdhëruar prej gjyqit ushtarak francez.Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave ndau në këtë përvjetor foton e Gërmenjit me Nikolla Ivanajn, njoftimi për përurimin e bustit të Gërmenjit në 10-vjetorin e ngritjes së flamurit në Korçë, propozimi i Presidiumit të Kuvendit Popullor dhe motivacioni për dekorimin e Gërmenjit me titullin “Hero i Popullit”. / atsh / KultPlus.com
Sot janë bërë 90 vite nga vrasja e politikanit dhe patriotit të madh shqiptar, Hasan Prishtinës, shkruan KultPlus.
Hasan beg Prishtina ishte ideolog dhe veprimtar i shquar i Rilindjes Kombëtare Shqiptare; përfaqësues i lëvizjes për një shtet demokratik në Shqipëri dhe një nga frymëzuesit kryesorë të idesë për çlirimin e Kosovës dhe bashkimin e saj me shtetin shqiptar.
Ky ideolog i shquar dhe udhëheqës i palodhur i kryengritjes së përgjithshme për pavarësinë e tokave shqiptare, tërë pasurin e dha për çështjen kombëtare shqiptare. U lind në Vushtrri, më 27 prill 1873, i njohur si Hasan Berisha, Polaci. Pinjoll i bejlerëve të Vuçiternit, dera e tyre ka qenë një familje e nderuar spahinjsh vendas.
Hasan Prishtina ka qenë i përkushtuar vazhdimisht në çështjen kombëtare dhe si deputet, ai në parlament ka diskutuar kryesisht tema të karakterit ekonomik e social. Në fillimin e vitit 1912, Hasan Prishtina, vazhdoj me rritjen e vendosmërisë revolucionare për të siguruar liritë kombëtare shqiptare, duke organizuar një revolucion kombëtar e demokratik në bashkëpunim me popujt tjerë, kundër pushtimit otoman. Mori pjesë në përgatitjen dhe organizimin e Kongresit të Lushnjës (1920) dhe në prill 1921 u zgjodh deputet i Dibrës në parlamentin shqiptar.
Ai u shqua si luftëtar për mbrojtjen e “zonës neutrale” të Junikut nga forcat serbe dhe ato zogiste, si udhëheqës i Lëvizjes nacional-çlirimtare të Kosovës kundër sundimit serb. Më 7 dhjetor 1921 u zgjodh nga Kuvendi Popullor Shqiptar, Kryeministër dhe Ministër i jashtëm por, më 10 dhjetor 1921 ai jep dorëheqjen mbas kundërshtimeve të disa deputetëve që i kryesonte Ahmet Zogu. Kështu, për të shmangur gjakderdhjen midis shqiptarëve, Hasan Prishtina vendos të mbetet vetëm deputet i atij Kuvendi. Përpos ndikimit dhe aktivizmit në politikë, Hasan Prishtina ka pasur kontribuuim të madh edhe në arsim. Duke kundërshtuar qeverinë turke, ndau 5% e të ardhurave të tij, poashtu përmes një artikulli në gazetë, ai kërkoj nga patriotët e tjerë shqiptarë të ndanin edhe ata një pjesë të të ardhurave në ndihmë të shkollave shqipe. Me këto mjete financiare ai ishte në gjendje të siguronte mirëmbajtjen e dhjetë shkollave shqipe në Kosovë.
Hasan Prishtina njihet si një veprimtar me vlera të larta morale e mbi të gjitha, si një atdhetarë i flaktë. Ai u vra më 13 gusht, 1933 në Selanik të Greqisë.
Në vitin 1977 eshtrat e tij u sollën nga Selaniku në Shqipëri. / KultPlus.com
Kol Rodhe (stërgjyshi) u lind në vitin 1883, në një familje të thjeshtë samarpunuesish në Korçë. Që në moshë të re u ndoq nga xhonturqit për idetë e pavarësisë. Në vitin 1902, xhonturqit e arrestojnë dhe e mbyllin në burgun e Himarës. Del dhe mbërrin në Odesë e shkon deri në Siberi ku mbledh ndihma për familjen e Papa Kristo Negovanit të therur nga shovinistët greke. Në vitin 1908 ndodhej ne ShBA, ku ngriti shoqërinë ‘Besa-Besë’ si kryetar i saj dhe punoi për ngritjen e degëve në të gjithë ShBA-në. Në shoqatën ‘Vatra’ ishte kryetar i Pleqësisë.
Ai ishte një ndër organizatorët dhe pjesëmarrësit në meshën e parë në gjuhën shqipe që mbajti Fan Noli në Kishën Shqiptare të Shën Gjergjit në Boston.
Në vitin 1910, kthehet në atdhe bashkë me një grup të shqiptarëve të Amerikës si vullnetarë të Komitetit Shqiptar ‘Liri a Vdekje’.
Së bashku me patriotë të shquar organizojnë punën dhe luftën për fitoren e pavarësisë pas pesë shekujsh robëri. Ka marrë pjesë në çlirimin e shumë krahinave të Shqipërisë nga Xhonturqit, duke u burgosur dhe plagosur. Në vitin 1914, emërohet shef i xhandarmërisë në Korçë. Shok armësh me Spiro Ballkamenin, Themistokli Gërmenjin, Sali Butkën etj..
Kol Rodhe zgjidhet deputet i Parlamentit të parë shqiptar në 21 prill 1921. Kol Rodhën populli i Korçës e zgjodhi disa herë deputet gjatë qeverisjes mbretërore ku ai u emërua në poste të rëndësishme si prefekt në Shkodër, Berat, Gjirokastër dhe Fier. Pas përfundimit të luftës, Kol Rodhe, i moshuar, i lodhur nga luftërat për pavarësi dhe liri, nga burgjet, nga përpjekjet e përkushtimi për çështjen mbarëkombëtare shqiptare, arrestohet me motivacionin e marrjes pjese në ‘Grupin e Rezistencës’ dhe detyrohet që në seancën e pestë të pseudogjyqeve të popullit të japë llogari si ‘Armik i Popullit’. Kur kryetari i gjyqit e pyet, ai i përgjigjet burrërisht pa pranuar asnjë akuzë.
Kryetari: I pranon akuzat?
Kola: Asnjë.
Kryetari: S’ke pasur lidhje me tradhtarët?
Kola: Jo.
Prokurori: Asnjë faj s’ke bërë?
Kola: Asnjë. Prokurori:
Prokurori: Atëherë të paskan sjellë kot këtu (qesh). Gënjen Kol Rodhe. Ti thua që rinia nuk duhet të merret me politikë. Ti ke qenë Inspektor i Ministrisë së Brendshme… Nuk ke përkrahur lidhjet tona me Jugosllavinë. Kërkoje Autonominë e Kosovës. Po, o Ujk plak, po Kol Rodhe…Ti deshe Regjencën e Mehdi Frashërit, deshe ndërhyrje të jashtme, se gjendja qenka e errët…Deshe shpërndarjen e ushtrisë, mbrojtjen e atdheut… deshe qeveri koalicioni me shumë partira, deshe të prishësh unitetin politik e popullit shqiptar…
Ishte koha kur diktatori Enver Hoxha dekorohej me ‘Urdhrin e heroit të popujve të Jugosllavisë’ kurse patrioti Kol Rodhe, i mbështjellë me flamurin shqiptar arrestohet, burgoset, fyhet dhe dënohet me 30 vjet burg politik ku edhe ndërroi jetë nga torturat dhe uria në ferrin e Burrelit, në qelinë nr. 6, në vitin 1949.
Historia nuk harron, dosjet e krimit i gjen dhe në shtypin e shkruar nga retrospektiva e deri sot. Ai la pas familjen e tij, bashkëshorten Ollgën dhe pesë fëmijë: Sofikan, Dafinan, Bardhylin, Elenicën dhe Romeon të cilët u përndoqën në vitet e diktaturës, por mbetën njerëz që transmetonin vlera fisnike, qytetarie dhe atdhedashurie.
Sot jetojnë nipërit dhe mbesat e tij të cilët kaluan në kalvarin e persekutimeve, ka nëntë nipër dhe mbesa, 15 stërnipër dhe stërmbesa. Emrin e Koli Rodhes do e ndeshni kudo ku flitet për çështje shqiptare, ku luftohet për Liri, Komb e Mevetësi. Koli Rodhe ka qenë një patriot sikurse e citonte shkrimtari Andon Frashëri në veprën me të njëjtin titull. Ai ka qenë mëmëdhetari që jetoi në tri epoka: Rilindje, Pavarësi dhe Gjenocid komunist. Kol Rodhe do të mbetet i paharrueshëm në altarin e atdhetarizmit.
Fakt tjetër: poeti i pushkatuar i Librazhdid, Genc Leka, ka qenë dhëndri i Koli Rodhes, bashkëshorti i vajzës së tij, Elenica, e cila ka ndier mbi supet e saj kalvarin e persekutimit edhe të babait, edhe të bashkëshortit. Respekte për këta kolosë të mendimit të lirë! /Materiali është nga libri “Udhëve të historisë, të pathëna për shqiptarë te famshëm”, vëllimi 1, i autores Klara Çela (Mitrushi) /KultPlus.com
Në vigjilje të 100-vjetorit të vrasjes së Themistokli Gërmenjit, Muzeu Historik Kombëtar, organizoi një veprimtari nën logon e njohur tashmë “Një pasdite në muze” me temë: “100-vjetori i vrasjes së Themistokli Gërmenjit”.
Një patriot shqiptar si Themistokli Gërmenji, i cili në kohët e errëta të Luftës së Parë Botërore kërkonte veç lirinë e vendit të tij, ishte aq i sigurt para togës së pushkatarëve sa t’u bënte këtë kërkesë: “Mos m’i lidhni sytë. Të më pushkatoni me gjoksin para dhe jo në shpinë. Skuadrës së pushkatimit ia dha vet urdhrin për zjarr.”
Ky ishte dhe fundi i atij luftëtari, i cili inicioi krijimin e krahinës autonome të Korçës.
Ky takim shkencor i mbajtur ditën e enjte u organizua nga Sektori i Menaxhimit të Koleksioneve në bashkëpunim me sektorë të tjerë ,ku referuan Dr.Dorian Koçi, Dr. Paulin Marku dhe specialisti pranë muzeut Stefan Tetollari. Në takim kishte dhe shumë të ftuar mes të cilëve dhe shumë nxënës të shkollës së mesme “Sami Frashëri” në Tiranë.
Në fjalën e tij në këtë takim drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dorian Koçi tha se“republika e Korçës dhe aktet administrative të ngritjes së flamurit shqiptar, hapjes së shkollave shqip dhe pjesëmarrjes së shqiptarëve të dy besimeve fetare në administratën franceze-shqiptare ishin veprime politike që kishin shbërë gjithë politikën ekspansioniste greke të më së 30 vjetëve në rajon”.
Ai gjithashtu shtoi se ”reduktimi i statusit të Krahinës Autonome të Korçës menjëherë pas vrasjes së Themistokli Gërmenjit dhe hyrjes së Greqisë në Luftën e Parë Botërore përkrah Antantës dëshmon se interesat greke dhe franceze përputheshin në rajon”.
Ndërsa Dr. Paulin Marku kërkues shkencor në Departamentin e Pavarësisë dhe Konsolidimit të Shtetit Shqiptar në Institutn e Historisë, pranë Qendrës së Studimeve Albanologjike, mbajti kumtesën: “Kontributi politik i Themistokli Gërmenjit në vitet 1915-1917”.
Dr Marku do të citonte se,“Themistokli Germenji ishte për bashkimin e të gjithë trojeve shqiptare pa dallim feje e krahine. Atij nuk i interesonte se kush do ta fitonte Luftën ndër palët ndërluftuese, por ishte i interesuar që të ruhej tërësia tokësore e Shqipërisë vendosur në Konferencën e Ambasadorëve në Londër. Themistokli Germenji shprehej se duhej luftuar për rivendosjen e pavarësisë së Shqipërisë dhe për këtë nuk mjaftonte vetëm lufta diplomatike por duhej ndjekur edhe rruga ushtarake me kryengritje të armatosur”, tha Dr. Paulin Marku.
Ndërsa Stefan Tetollari, specialist pranë Muzeut Historik Kombëtar, në fjalën e tij do të shtonte se, “diplomacia franceze nuk ishte dakord me nënshkrimin nga ana e ushtarakëve të tyre të një protokolli ku i jepej autonomi Korçës së pushtuar prej Armatës së Lindjes, pasi kjo binte ndesh me orientimet progreke të qeverisë së Parisit. Franca do t’i përkrahte më shumë pretendimet greke ndaj me kërkesën e qeverisë së Venizellosit ata filluan të ndiqnin dhe arrestonin patriotët kryesorë korçarë. Me akuza të sajuara u arrestua dhe udhëheqësi kryesor i lëvizjes atdhetare të Korçës Themistokli Germenji, i cili u dënua me vdekje nga gjyqi ushtarak i Armatës së Lindjes në Selanik në 9 nëntor 1917”.
Fjalimet e tre historianëve që referuan në këtë aktivitet përkujtimor u pritën me duartrokitje nga të pranishmit, nga të cilët nuk munguan as pyetje për të marrë më shumë informacion mbi këtë ngjarje, shkruan atsh./ KultPlus.com