Prezantuesi dhe komediani Paul O’Grady ka vdekur në moshën 67-vjeçare. Ai vdiq të martën në mbrëmje, sipas një deklarate të bashkëshortes së tij Andre Portasio, shkruan BBC.
O’Grady u bë i famshëm në vitet 1990 me personazhin e tij të “Drag queen” Lily Savage, duke vazhduar të prezantojë shfaqjen e BBC One Blankety Blank dhe programe të tjera argëtuese.
Gjatë karrierës së tij, ai vazhdoi të drejtonte një sërë shfaqjesh të tjera, ndërsa nuk mungoi të tregonte dashurinë e madhe që kishte për kafshët në emisionet e tij.
“Me pikëllim të madh ju informoj se Paul ka ndërruar jetë papritur, por paqësisht mbrëmjen e djeshme”, tha Portasio.
“Ai do t’i mungojë shumë të dashurve, miqve, familjarëve, kafshëve dhe të gjithë atyre që e shijuan humorin, zgjuarsinë dhe dhembshurinë e tij.
“Unë e di se ai do të donte që unë t’ju falënderoja për gjithë dashurinë që i keni dhuruar gjatë viteve,” theksoi ajo. /abcnews.al/ KultPlus.com