Mario Benedetti
Madridi është zbrazur krejt
veç neve të paktët kemi mbetur
e për këtë pikërisht
prandaj arrijmë ta ndiejmë sërish
praninë e lulishteve dhe shatërvanëve
të parqeve dhe rrethrrotullimeve
në stinën e verës, si përherë
Madridi befas shndërrohet
në diç të paqtë, të njëzëshme
mirënjohës sakaq për praninë tonë
si kundërpeshë ndaj shumicës
është një gusht harlisje vetjake
pa tregtarë apo ombrella
pa shpura njerëzish, as mitingje
në asnjë muaj tjetër të vitit
të gjatë pafund
nuk krijohet dot kjo lidhje
kaq ndijore
mes këtij metropoli madhështor
dhe ne mëkatarëve fatmirësisht
pemët gjithaq janë bërë përsëri
protagoniste të ajrit të çlirët
si dikur
atëherë kur ekologjistët
akoma nuk ishin të pazëvendësueshëm
edhe zogjtë po harbojnë
rrahin flatrat mbi një qytet
që befasisht është shndërruar
në diç të jetueshme, të fluturueshme
madrilenët ia kanë mbathur tutje
nëpër male dhe në Marbella
në Ciudadela dhe Benidorm
në Formentor dhe Tenerife
duke na lënë në dorëzim pavetëdijshëm
ne të tjerëve që tashmë
më në fund ndihemi vetvetja
një Madrid kaq marramendës
thuajse të lirë, pastërtisht
të çliruar nga tymnajat, fort mikpritës
ku bredhim pareshtur si zotërit e tij
të ngazëlluarit e Botës së Tretë
shkelim shëtitoret e dëlira
plot solidaritet
të djersitur në afsh
shtatë palë këmishë
vera nuk është kohë zhurmimesh
veç paqe gjelbërimesh
të nginjur nga mëritë e pagjuma
ndihemi si asnjëherë
të gatshëm për pajtim
ndër çastet verore
vetë historia ndalet
e të gjithë zbulojmë një jetë të mpirë
por kur mbarojnë pushimet
përsëri do të kumbojnë
bori makinash, klithma, sirena
vdeksh në vend, rrofsh e qofsh
bombat e shpërthimet
dhe tingujt e kambanave të ëmbla metodike
përgjatë tre stinëve pjellore
e askujt nuk do t’i bjerë mendja më
për zogjtë apo pemët
Përktheu nga spanjishtja:
Elvi Sidheri. / KultPlus.com