147 vite nga lindja e Lef Nosit, firmëtarit të pavarësisë që u pushkatua nga diktatura

Ditën e sotme është përkujtuar firmëtari i pavarësisë, filatelisti, poligloti, arkivisti, etnografi dhe politikani shqiptar Lef Nosi që lindi më 9 prill 1877 dhe ka vdekur më 15 shkur 1946.

Lef Nosi ka lindur në qytetin e Elbasanit, në një familje ortodokse. Studimet e larta i ka kryer në Athinë, në drejtimin “Farmaci”.

Pa përfunduar studimet, ai u kthye në Shqipëri, dhe u angazhua thellësisht në drejtim të çështjeve rreth historisë dhe kulturës kombëtare.

Derisa ishte ende i ri, Nosi kishte në zotim bibliotekën e dytë më të madhe në Shqipëri. Ai themeloi gazetën “Tomorri” në Elbasan, dhe artikujt e botuar në të kishin frymë kombëtare që nxitën reagimin e autoriteteve xhonturke, që e arrestuan dhe e dënuan me vdekje.

Mirëpo, për shkak të protestave të patriotëve shqiptarë, dënimi me vdekje iu kthye në internim. Më 28 nëntor 1912, ishte një prej delegatëve të Elbasanit në Kuvendin e Vlorës dhe një nga nënshkruesit e Deklaratës së Pavarësisë. Shumë i rëndësishëm konsiderohet fakti se Lef Nosi ishte botuesi i parë i Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë.

Gjatë qeverisjes së Fan Nolit në vitin 1924, ai u caktua kryetar bashkie i Elbasanit, mirëpo me largimin e Nolit, ai u tërhoq nga politika dhe iu përkushtua botimit të dokumenteve me vlerë historike, studimeve gjuhësore, mbledhjes së objekteve arkeologjike, folklorike, numizmatike dhe filatelike.

Me pushtimin italian, u internua në Itali dhe u kthye në Shqipëri në vitin 1942, ku filloi të angazhohet në rradhët e Ballit Kombëtar. Me pushtimin nazist të Shqipërisë, u zgjodh anëtar i Regjencës. Gjatë kësaj kohe, ai ndihmoi në shpëtimin e hebrenjve të cilët përndiqeshin nga autoritetet naziste.

Me ardhjen e komunistëve në pushtet, Lef Nosi u arrestua në veri të Shqipërisë nën akuzën për bashkëpunim me pushtuesit. Gjyqi u zhvillua në sallën e kinema “Kosova”, i cilësuar si “gjyq ushtarak i Tiranës”, ndonëse i akuzuari nuk kishte qenë ndonjëherë ushtarak. Gjatë gjyqit do të deklaronte që: “Regjenca nuk ka patur lidhje me gjermanët”. U dënua me pushkatim më 15 shkurt të vitit 1946. Përgjatë viteve të demokracisë u nderua me titujt “Qytetar Nderi i Elbasanit” në vitin 2004 dhe me urdhrin “Gjergj Kastrioti” në vitin 2007./KultPlus.com

Kush, si raportoi për pavarësinë e Kosovës?

Dita e shpalljes së pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008 ishte një moment historik për popullin shqiptar. Kosova u bë Republikë, duke shkaktuar festime të mëdha në të gjithë vendin. Mediumet ndërkombëtare raportuan drejtpërdrejt ngjarjen, duke e prezantuar si një hap të rëndësishëm në historinë e Ballkanit.

Njohja e pavarësisë nga shumë vende dhe reagimi i Serbisë dhe aleatëve të saj solli debat global. Kjo deklaratë e pavarësisë u përshkrua si një epokë e re për rajonin, duke sjellë shpresë për stabilitet dhe zhvillim.

Ishte dita më e rëndësishme për mbarë popullin shqiptar. 17 shkurti i 2008-s do të mbetet ngjarja dhe lajmi më i madh në histori.

Shpallja e Pavarësisë së Kosovës ndodhi. Kosova u bë Republikë. Festa ishte e madhe e gëzimi që aq gjatë njerëzit e kishin pritur, ishte i jashtëzakonshëm.

Gjithçka ndodhi në këtë ditë, u pasqyrua drejtpërdrejt në çdo moment në Radiotelevizionin e Kosovës. Nga komunat e vendit, jashtë tij e deri në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përmes Televizionit Publik u pasqyrua në kohë reale Dita e Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.

Lajmi i Kosovës shtet i pavarur dhe sovran zuri vend në televizionet dhe ballinat e mediumeve më të mëdha ndërkombëtare.

Në raportimin e tij, medium anglez BBC, shkruante se Kosova shpalli zyrtarisht pavarësinë e saj nga Serbia në shkurt të vitit 2008. Ajo kishte qenë nën kontrollin e OKB-së që nga viti 1999, kur NATO-ja dëboi milicinë serbe. Fuqitë e mëdha evropiane dhe Shtetet e Bashkuara e njohën pavarësinë e Kosovës, por deklarata hasi në një përgjigje armiqësore nga Serbia dhe aleati i saj Rusia, thuhej ndër të tjera në këtë medium.

Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia, ishte titulli i prestigjiozes amerikane The New York Times, në shkrimin e publikuar një ditë pas shpalljes së Kosovës shtet të pavarur dhe sovran. Në të shkruhej se përpjekja e Kosovës për t’u njohur si vendi më i ri i Evropës, pas një lufte civile që vrau 10,000 persona një dekadë më parë dhe më pas viteve të harresës nën sundimin e Kombeve të Bashkuara, ishte episodi i fundit në shpërbërjen e ish-Jugosllavisë, 17 vjet pas fillimit të shpërbërjes së saj.

NBC NEWS për këtë ditë shkroi se në Prishtinë, humori ishte plot gëzim. Mijëra shqiptarë etnikë u përballën me temperaturat e ulëta për të hipur në çatitë e makinave të tyre, duke kënduar këngë

patriotike dhe duke brohoritur akronimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ata valëvitën flamuj amerikanë krahas flamurit të kuq shqiptar me një shqiponjë të zezë dykrenare.

Në këtë ditë, The Guardian, ballinën e saj e kishte mbuluar me flamurin kombëtar. Në të shkruhej se Kosova shapll pavarësinë. Përmes fotografive të ndryshme të festimit e gëzimit të qytetarëve, ajo e ka përshkruar shpalljen e Kosovës Republikë.

Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia të dielën, ishte shkrimi i radhës i të përditshmes Reuters. Në këtë shkrim ajo renditi pikat kyçe të deklaratës së pavarësisë së Kosovës, në të cilin veçohet pika ku thuhet se kjo deklaratë pasqyron vullnetin e popullit tonë dhe është në përputhje të plotë me rekomandimet e të dërguarit të posaçëm të OKB-së, Martti Ahtisaari dhe propozimin e tij gjithëpërfshirës për zgjidhjen e statusit të Kosovës.

Kosova bën shpalljen historike të pavarësisë nga Serbia, ishte shkrimi i të përditshmes britanike Independente. Në mes tjerash, në këtë shkrim thuhej se deklarata e së dielës ishte orkestruar me kujdes me SHBA-në dhe fuqitë kryesore evropiane, dhe se Kosova po llogariste në njohjen e shpejtë ndërkombëtare që mund të vinin që të hënën, kur ministrat e Jashtëm të BE-së të takoheshin në Bruksel.

“Një seancë speciale e parlamentit të Kosovës ka votuar për ta shpallur pavarësinë nga Serbia, me mijëra shqiptarë etnikë që bllokuan rrugët e Prishtinës, qytetit kryesor, për momentin historik”, pasqyrohet dita e shpalljes së pavarësisë në shkrimin e mediumit AL Jazeera.

Edhe mediumi gjerman DW e pasqyroi këtë ditë duke cituar se dhjetë vjet pasi Beogradi shtypi një rebelim në Kosovë, parlamentarët shpallën Republikën e Kosovës dhe shtetin sovran. Më tej thuhej se Parlamenti i Kosovës votoi pro pavarësisë nga Serbia, duke ulur perden e një kapitulli të gjatë të shpërbërjes së dhunshme të Jugosllavisë.rtk/KultPlus.com

Festë në sheshin “Xhorxh Bush”, ftohen qytetarët për pjesëmarrje

Qytetarët e Prishtinës dhe gjithë Kosovës janë të ftuar që të festojnë 16 Vjetorin e Pavarësisë së Kosovës në sheshin “Xhorsh Bush”, shkruan KultPlus.

Përmes një njoftimi në “Facebook”, është bërë e ditur se në këtë festë do të interpretohen këngë nga Dren Abazi dhe grupi i njohur “Asgjë sikur Dielli”

“Sonte duke filluar nga ora 18:00 ejani të festojmë së bashku 16 Vjetorin e Pavarësisë së Kosovës në sheshin “Xhorxh Bush”, shkruhet në njoftimin e Komunës së Prishtinës. /KultPlus.com

‘O ku ka si ti o moj Kosova ime, moj shqiponja përmbi gur’ (VIDEO)

“Rrjedhë në këngë e ligjërime” mbetet një ndër veprat kryesore të krijimtarisë artistike shqiptare, shkruan KultPlus.

E kënduar në origjinal nga Vaçe Zela, kjo këngë është një himn për Shqipërinë.

E sjellur në shumë versione, interpretimi i tenorit, Ramë Lahaj mbetet i veçantë.

KultPlus ua sjell videoklipin dhe tekstin e kësaj kënge:

Eh i fortë po shndrit ai diell
dhe burimi këngë, lugjeve i përcjell

Eh i fortë po ngroh ky diell
edhe trimat nëpër mend mi sjell,
mi përkëdhel.

Nga ky zë i tokës sime
flasin shekujt me gjëmime,
edhe besa e shqiptarit shkon
brez më brez.

2x
O ku ka si ti, o Shqipëria ime,
Moj fisnikja përmbi gur.
Rrjedh në këngë e ligjërime,
ballëlartë je me flamur!

Eh i fortë po bien ai tel
e lahuta tingujt mi çon larg,
m’i përcjell.

Eh i forte po bjen ai terr
çlirimtarët nëpër mend mi sjell,
du ti perkdhel.

Nga ky diell i kohës sime
shndrisin shekujt ne agime,
edhe shpata e Kastriotit zjarr
flakeron.

2x
O ku ka si ti, o moj Kosova ime,
Moj shqiponja përmbi gur.
Rrjedh në këngë e ligjërime,
ballëlartë je me flamur!

2x
O ku ka si ti, o moj Kosova ime,
Moj fisnikja përmbi gur.
Rrjedh në këngë e ligjërime,
ballëlartë je me flamur! / KultPlus.com

14 vjet shtet, publikohet agjenda shtetërore për shënimin e Ditës së Pavarësisë

Më 17 shkurt, Kosova do të festojë 14 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë, e tani veçse kanë filluar edhe përgatitjet për të shënuar këtë festë, shkruan KultPlus.

Si çdo vit, edhe kësaj radhe janë paraparë disa aktivitete shtetërore, e madje është publikuar edhe agjenda shtetërore.

Zyra e Kryeministrit njofton se aktivitetet për 14 vjetorin e Pavarësisë do të fillojnë nga ora 08:00 me ngritjen e flamurit në oborrin e Qeverisë së Kosovës.

Me kurora lulesh do të viziohet kompleksi “Adem Jashari” në Prekaz, derisa i njejti aktivitet do të ndodhë edhe te varri i presidentit Ibrahim Rugova dhe veprimtarit Adem Demaçi, konkretisht nga ora 09:10-09:30.

Kurse në orën 11:00 do të nis seanca solemne e Kuvendit të Kosovës. Për shënimin e këtij përvjetori do të parakalojë edhe FSK-ja dhe Policia e Kosovës nga ora 12:00 deri në ora 13:00.

Aktivitetet për shënimin e 14 vjetorit të pavarësisë do të mbyllen në orën 20:00 me një koncert që do të mbahen të Kino Armata në Prishtinë.

Që nga data e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, pra, si shtet i pavarur dhe sovran, deri tani 117 shtete kanë njohur vendin më të ri në kontinentin e vjetër. /KultPlus.com

178 vite nga lindja e veprimtarit të çështjes atdhetare, Ismail Qemalit

Sot shënohen 178 vite që nga lindja e Ismail Qemalit më 16 janar të vitit 1844 në Vlorë.

Pasi kreu shkollën fillore në vendlindje, vijoi studimet në shkollën plotore turke në Selanik, ku ishte internuar familja e tij dhe më pas kreu gjimnazin “Zosimea” në Janinë.

Në vitin 1860 punoi si përkthyes pranë zyrës së përkthimit të Portës së Lartë. Nga vitet 1862-1864 shërbeu në administratën vendore në Janinë e më pas u transferua në Tërhallë (Thesali) e përsëri në Stamboll.

Ai mori pjesë, së bashku me Jani Vreton, Hoxhë Tahsinin, Kostandin Kristoforidhin, Pashko Vasën e Sami Frashërin, në mbjedhjen e parë për caktimin e alfabetit të shqipes dhe për formimin e një shoqërie kulturore shqiptare.

Ismail Qemali pati në vijim një varg detyrash të larta në administratën turke si: kryesekretar i Ministrisë së Punëve të Jashtme në Stamboll, mytesarif i Varnës (Bullgari), guvernator i Danubit të Poshtëm (Tulxhë-Bullgari) etj.

Më 1877 Porta e Lartë e akuzoi si kundërshtar të politikës së Sulltan Abdyl Hamitit II dhe përkrahës të pikëpamjeve liberale të Mithat Pashës (funskionar i lartë i Perandorisë, reformator, opozitar).

Me këto akuza Porta e Lartë e dënoi me 7 vjet internim në qytetet Kytahja, Eskishehir dhe Bursa në Anadoll. U lirua më 1884 dhe u emërua si mytesarif i sanxhakut të Galiopolit dhe guvernator i Vilajejtit të Tripolit Libi.

Më 1900 për t’u shpëtuar ndjekjeve të sulltanit, u arratis nga Turqia dhe i dorëzoi dorëheqjen sulltanit, duke e motivuar largimin e tij nga Stambolli, se në këtë mënyrë do t’i shprehte më mire idetë e tij dhe do t’i kushtonte kujdesin e duhur çështjes shqiptare.

Ismail Qemali qëndroi në vende të ndryshme të Europës ku vendosi lidhje dhe bashkëpunoi me rrethet politike të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. U aktivizua në lëvizjen patriotike shqiptare, mori pjesë në përpjekjet për caktimin e një alfabeti të përbashkët të gjuhës shqipe dhe për formimin e një shoqërie kulturore shqiptare.

Qemali zhvilloi gjithashtu veprimtari të ngjeshur politike në Europë për njohjen e kombit dhe të të drejtave të tij. Ai shpejt do të shpallte në shtypin e kohës, vendas dhe të huaj, platformën e tij politike për autonominë e plotë të Shqipërisë ndaj Perandorisë.

Së bashku me Luigj Gurakuqin e patriotë të tjerë hartoi Memorandiumin e Greçës të qershorit 1911 dhe në fund të atij viti mori nismën për organizimin e Kryengritjes së Përgjithshme të vitit 1912. Më 19 nëntor 1912 njoftoi bashkëatdhetarët se do të mblidhej në Shqipëri një Kuvend Kombëtar.

Në këtë kuvend, që u mblodh nën kryesinë e tij më 28 nëntor 1912 lexoi deklaratën e shpalljes së Pavarësisë të Shqipërisë dhe ngriti flamurin kombëtar. Pas kësaj u caktua kryetar i Qeverisë së Përkohshme dhe minister i Punëve të Jashtme.

Në politikën e tij të jashtme Ismail Qemali u bë i papajtueshëm ndaj çdo cënimi të pavarësisë e të sovranitetit kombëtar. Pavarësisht kushteve të vështira të brendshme e të jashtme, qeveria e kryesuar nga Ismail Qemali mori një varg masash për organizimin dhe ndërtimin e shtetit të pavarur. Në të gjitha këto veprimtari Ismail Qemali u tregua burrë shteti dhe diplomat largpamës, mbrojti me vendosmëri shtetin e pavarur shqiptar. / KultPlus.com

Mes sfidave të shumta dhe procesve jetike, Kuvendi i Kosovës ka mbushur 20 vite

Kuvendi i Kosovës u themelua më 10 dhjetor si institucioni më i lartë ligjvënës dhe përfaqësues i vendit, shkruan KultPlus.

Përmes një postimi në llogarinë e tij zyrtare, Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka njoftuar se gjatë këtyre dy dekadave institucioni ligjvënës ka kaluar nëpër sfida të shumta, por edhe ka marrë vendime jetike.

“Duke e vënë transparencën ndër prioritetet kryesore në veprimtarinë ditore të tij, Kuvendi ka konsoliduar raporte të ngushta partneriteti me shoqërinë civile dhe u ka dhënë mediave gjithë hapësirën e nevojshme, bazuar në standardet ndërkombëtare për hapje dhe transparencë”, shkruan mes tjerash Konjufca.

Kosova ka arritur që përmes këtij Kuvendi ta jetësoi aspiratën e popullit të Kosovës dhe më 17 shkurt 2008 të miratojë simbolet shtetërore dhe të shpallë pavarësinë e saj. /KultPlus.com