Nesër shënohet 15 vjetori i pavarësisë së Kosovës dhe KultPlus ju sjell disa fakte rreth ditës historike të 17 shkurtit të vitit 2008.
-Pavarësia e Kosovës është shpallur me datën 17 shkurt 2008, në orën 15:39 minuta
-Dizajnues i flamurit dhe i stemës së Kosovës: Muhamer Ibrahimi
-Të parët që nënshkruan deklaratën e pavarësisë së Kosovës, ishin: presidenti Fatmir Sejdiu, kryetari i kuvendit, Jakup Krasniqi, si dhe kryeministri i vendit, Hashim Thaçi.
-Shtetet e para që njohën Kosovën si shtet pas shpalljes së pavarësisë ishin: Kosta Rika, SHBA, Franca, Afganistani, Shqipëria, Turqia, Britania e Madhe etj.
-Pergamena e vjetër 200 vjeçare në të cilën është nënshkruar deklarata e pavarësisë së Kosovës, gjendet në zyrën e kryetarit të Kuvendit.
-Përveç pergamenës, aty gjenden edhe lapsi me të cilin vënë nënshkrimet, listat e nënshkrimeve të deputetëve pjesmarrës ë seancë, si dhe flamuri i vendosur në seancën e shpalljes së pavarësisë.
-Muzeu i Londrës ishte ai që ia fali Kosovës pergamenën për shpalljen e pavarësisë
-Flamujt e parë të Republikës së Kosovës ishin shtypur në Turqi.
-Himni i Kosovës, i kompozuar nga kompozitori Mendi Mengjiqi, për herë të parë ishte intonuar në seancën e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
-Yjet e bardhë në flamurin e Kosovës simbolizojnë komunitetet e ndryshme që jetojnë në Kosovë, harta e verdhë simbolizon pasurinë e Kosovës, ndërsa ngjyyra e kaltër simbolizon Evropën.
-Prezente gjatë seancës së shpalljes së pavarësisë të Kosovës, me transmetime direkte, kishin qenë edhe mediat më të njohura botërore si: CNN, BBC etj. /KultPlus.com
Shpërbërja e ish-Jugosllavisë vlerësohet se filloi në Kosovë dhe mbase me Kosovën edhe po përmbyllet. Vitet 1988-89 shënuan protesta masive të shqiptarëve kundër politikës represive të Serbisë ndaj Kosovës.
Shpallja e pavarësisë së Kosovës dhe njohja e saj ndërkombëtare, në Prishtinë konsiderohen si datat më të rëndësishme të historisë së deritashme të Kosovës. Përpjekjet e kosovarëve dhe popullatës shumicë për liri datojnë për një shekull, përderisa përpjekjet për krijimin e një shteti të pavarur datojnë për një kohë të gjatë, por ato kanë marrë forma më konkrete të organizimit nga fundi i viteve të 80-ta dhe fillimi i viteve të 90-ta. Atëherë, kur edhe filloi shpërbërja e ish-Jugosllavisë.
Madje, edhe vetë shpërbërja e ish-Jugosllavisë vlerësohet se filloi në Kosovë dhe mbase me Kosovën edhe po përmbyllet. Vitet 1988-89 shënuan protesta masive të shqiptarëve kundër politikës represive të Serbisë ndaj Kosovës, që kulmoi me suprimimin e autonomisë, që Kosova gëzonte në ish-Jugosllavi.
Muaji shkurt i vitit 1989 u karakterizua me grevën e minatorëve të kompleksit Trepça, në mbrojtje të pozitës kushtetuese të Kosovës. Greva e minatorëve besohet se lëkundi themelet e ish-Jugosllavisë.
Më 23 mars 1989, në Kuvendin e Kosovës, në kundërshtim me vullnetin e qytetarëve, ndryshohet Kushtetuta e vitit 1974, me çka suprimohet autonomia e Kosovës në Federatën Jugosllave, duke e lënë Kosovën si një pjesë përbërëse të Serbisë. Suprimimi i autonomisë pasoi pushtimin e Kosovës me mijëra policë e ushtarë serbë, duke e vënë popullatën shumicë nën masa represive dhe aparteidi.
Pavarësisht represionit, më 2 korrik të vitit 1990, Kuvendi i Kosovës shpalli deklaratën kushtetuese që e definonte Kosovën Republikë. Nënkryetari i Kuvendit të atëhershëm të Kosovës, Iljaz Ramajli, thotë se deklarata e pavarësisë u pasua edhe me nxjerrjen e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, më 7 shtator të vitit 1990 në Kaçanik.
“Ne ishim të vetëdijshëm se do të ketë një kundër-reaksion të Serbisë, pasi që ajo nuk zgjedhte mjete për t’i realizuar qëllimet e veta. Shumë shpejt, më 5 korrik, Kuvendi i Serbisë, me një ligj anti-kushtetues dhe pa të drejtë, pa bazë kushtetuese, suspendoi Kuvendin dhe e ndali punën e Qeverisë së Kosovës”, tha Ramajli.
Me fillimin e shpërbërjes së Jugosllavisë, Kosova organizoi edhe referendumin për pavarësi e sovranitet, të mbajtur në shtatorin e vitit 1991. Nga ky moment, në Kosovë instalohet sistemi i organizimit paralel, që pasoi zgjedhjet e mbajtura jashtë sistemit juridik serb, në të cilat Rugova zgjidhet president i Republikës së Kosovës dhe formon qeverinë në ekzil, të udhëhequr nga kryeministri Bujar Bukoshi. Por, kjo Republikë dhe kjo qeveri nuk gëzuan njohje ndërkombëtare, sado që në Kosovë kishin një përkrahje masive.
Rugova udhëhoqi rezistencën paqësore të shqiptarëve të Kosovës kundër regjimit serb dhe punuan në sensibilizimin e opinionit botëror dhe qeverive më me ndikim në botë për problemin e Kosovës. Atë kohë, Rugova kishte konceptuar politikën e tij të rezistencës pasive e me mjete paqësore.
“Ne jemi parti politike dhe njëherë më shumë punojmë me fjalë, sepse ende nuk kemi pushtet. E natyrisht, po të ishim në pushtet, këto çështje do t’i zgjidhnim në mënyrën më pozitive, më të mirë, do të kishim mundësi edhe fizikisht t’i ndalim forcat e tjera, edhe presionin që bëhet këtu në Kosovë”, tha Ibrahim Rugova, në fillimvitet e 90-ta.
Politika paqësore e Rugovës dhe LDK-së filloi të kritikohet nga vitet 1995 e tutje. Sidomos, pas Konferencës së Dejtonit, në vitin 1995, kur u arrit marrëveshja për ndërprerjen e luftës në Bosnje dhe Hercegovinë dhe Kosova u la anash, në Kosovë filluan të formohen grupe ushtarake guerile, që në vitin 1997 do të rezultojnë me paraqitjen publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Që nga themelimi i UÇK-së, kemi pasur si objektivë kryesore çlirimin e vendit dhe në kuadër të kësaj, përpos angazhimeve tona operative, mbi të gjitha ka qenë që ne të shënojmë një triumf politik, diplomatik dhe ushtarak ndaj Serbisë”, thotë kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, atëherë shef i Drejtorisë Politike të UÇK-së.
Ndonëse në raste, politika pacifiste e Rugovës dhe ajo militare e UÇK-së nuk kishin pika të përbashkëta bashkëpunimi, synimi ishte i njëjtë – çlirimi i Kosovës nga Serbia dhe ndërtimi i Kosovës – shtet të pavarur e sovran. Me intensifikimin e luftimeve në Kosovë, shtohet edhe numri i vrasjeve e masakrave, që forcat ushtarake dhe paraushtarake të Serbisë kryeninin mbi popullatën civile shqiptare.
Më 1 tetor të vitit 1997, Lëvizja Studentore organizon një protestë masive, e cila i dha një dimension të ri politik zhvillimeve në Kosovë.
Më 5 mars të vitit 1998, forcat serbe sulmojnë fshatin Prekaz i Ulët, ku vrasin Adem Jasharin, figurën që për shqiptarët nënkupton komandantin legjendar të UÇK-së.
Vrasjet dhe masakrat e shumta kulmojnë më 15 janar të vitit 1999, kur forcat serbe ekzekutojnë 45 civilë shqiptarë në Reçak. Ish-shefi i Misionit Mbikëqyrës të OSBE-së në Kosovë, Villiam Volker, doli botërisht dhe e tha se ajo ishte një masakër. Nga ky moment, Uashingtoni kërkoi nga NATO-ja dhe evropianët të përgatiten për organizimin e një konference paqësore për Kosovën. Dhe ajo ndodhi, në Rambuje, afër Parisit.
Për herë të parë, LDK dhe Rugova në njërën anë dhe UÇK-ja dhe udhëheqësit e saj në anën tjetër, bashkohen në një delegacion kosovar. Më 6 shkurt fillon Konferenca e Rambujesë dhe ajo mbaron më 23 shkurt pa rezultate përfundimtare. Kështu që thirret vazhdimi i saj për datën 15 mars në Paris. Ndërkohë, delegacioni politik e ushtarak i Kosovës nënshkruan Marrëveshjen e Rambujesë, pala serbe refuzon ta nënshkruajë. Me këtë veprim, hapet rruga për ndërhyrjen ushtarake të NATO-s në Kosovë.
Hashim Thaçi e vlerëson si kthesë Konferencën e Rambujesë.
“Ishte një konferencë shumë e rëndësishme, shumë vështirë për ata që morën pjesë në të dhe ata që zhvilluan kontakte me diplomatë gjatë kësaj konference”, rikujton Thaçi.
Nga 24 marsi deri më 10, përkatësisht 12 qershor të vitit 1999, fillon historia e re e Kosovës. NATO vihet në luftë duke bombarduar caqet ushtarake serbe deri në çlirimin e Kosovës. Por, gjatë kësaj kohe, popullata shqiptare përjetoi një prej etapave më të vështira, duke u përballur me një dhunë brutale të forcave serbe.
Sidoqoftë, më 10 qershor të vitit 1999, Millosheviqi nënshkruan kapitullimin dhe NATO fund në Kosovë. Ndërkohë që Këshilli i Sigurimit, në bazë të një kompromisi ndërmjet perëndimit e Rusisë, miraton Rezolutën 1244, me të cilën vendoset Misioni administrues i Kombeve të Bashkuara në Kosovë. Nga kjo periudhë, në Kosovë fillon të ndërtohet gjithçka nga fillimi.
Nën administrimin ndërkombëtar, në Kosovë mbahen tri palë zgjedhje në të dyja nivelet. Pas zgjedhjeve të 17 nëntorit të vitit 2001, më 4 mars të vitit 2002, Kosova formon qeverinë e parë dhe zgjedh presidentin dhe kryeministrin. Por, ndonëse shumë kush ka pritur që Kosova për 3 vjet të UNMIK-ut do të pavarësohet, kjo nuk ndodhi. Kosovës iu deshën afër nëntë vjet për të marrë mbështetjen e plotë ndërkombëtare, duke përjashtuar këtu Rusinë, që të kthehet dhe të formojë një shtet të pavarur, por të mbikëqyrur ndërkombëtarisht.
Më 28 shtator të vitit 2005, me kërkesën e ndërkombëtarëve dhe me miratimin e presidentit Rugova, Kuvendi i Kosovës formoi Ekipin Negociator për statusin. Ishte presidenti Rugova, ai i cili në vazhdimësi kërkonte që Kosova të njihet si shtet i pavarur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet tjera evropiane, duke besuar se Kosova dhe Serbia nuk mund të gjejnë kurrë marrëveshje mes vete.
Gjithsesi, një dëshirë që sa më shpejt Kosova të jetë një vend i pavarur dhe sa më shpejt të integrohet në Bashkimin Evropian dhe në strukturat euro-atlantike. Pra, sa më shpejt të bëhet njohja formale e pavarësisë së Kosovës”, ishte fraza aq shumë e përsëritur nga presidenti Rugova.
Pas një sëmundjeje të rëndë, presidenti Rugova ndërron jetë më 21 janar të vitit 2006.
Pasardhës i tij në këtë post, vjen Fatmir Sejdiu, po nga LDK-ja. Negociatat Prishtinë – Beograd, nën ndërmjetësimin e bashkësisë ndërkombëtare vazhdojnë, por ato nuk sjellin marrëveshje.
I dërguari i posaçëm i Kombeve të Bashkuara në bisedime, presidenti Martti Ahtisaari, propozon një plan gjithëpërfshirës për statusin e Kosovës, duke rekomanduar pavarësinë e mbikëqyrur për Kosovën, me prani civile e ushtarake ndërkombëtare. Prishtina e pranoi, ndërkaq Beogradi e refuzoi këtë plan. Si konsensus ndërkombëtar, procesi negociues fitoi edhe katër muaj kohë për një zgjidhje kompromisi, nën ndërmjetësimin e Treshes, SHBA-të, BE-ja dhe Rusia. Por, as kësaj radhe nuk u arrit marrëveshja.
Kosova kërkon pavarësi, kurse Serbia ofron autonomi. Përpjekjet ndërkombëtare nuk rezultojnë as me zëvendësimin e Rezolutës 1244 për t’i hapur rrugën pavarësisë së Kosovës përmes Kombeve të Bashkuara, për shkak se Rusia kërcënoi me veto në Këshillin e Sigurimit. Por, pas një interpretimi nga ekspertët evropianë, doli se Rezoluta 1244 ka bazë juridike për shpalljen e pavarësisë dhe largimin e misionit të Kombeve të Bashkuara dhe vendosjen e një misioni civil të Bashkimit Evropian.
I gjithë procesi u dakordua me Prishtinën dhe u miratua shpallja e koordinuar e pavarësisë ndërmjet Uashingtonit, Brukselit dhe Prishtinës, sipas planit të Ahtisaarit. Kështu, Bashkimi Evropian miraton dërgimin e misionit civil në Kosovë për të mbikëqyrur zbatimin e pakos së Ahtisaarit dhe për të siguruar sundimin e ligjit në shtetin më të ri të familjes evropiane.
Pas këtij hapi, Kosova shpall pavarësinë më 17 shkurt të vitit 2008. / KultPlus.com
Kosova sot feston 15 vjetorin e pavarësisë e cila u shpall më 17 shkurt 2008.
Presidentja Vjosa Osmani ka publikuar mëngjesin e sotëm një fotografi nga ceremonia e ngritjes solemne të flamurit të Republikës së Kosovës për 15 vjetorin e pavarësisë.
Sipër fotografisë, Osmani ka shkruar “Republika e Kosovës është e përjetshme”.
Në këtë ceremoni, përveç krerëve shtetëror, mori pjesë edhe Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj. / KultPlus.com
Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi së bashku me ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, mbajnë konferencë për media.
Konferenca mbahet me rastin e prezantimit të Agjendës Shtetërore për shënimin e 15- vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës dhe Manifestimit të 25- vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Konferenca fillon nga ora 14:00 te ndërtesa e Qeverisë. / KultPlus.com
Kryeqyteti me kënaqësi njofton për koncertin e Morcheeba Band, me rastin e 15 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, përcjell KultPlus.
Sipas Komunës së Prishtinës, koncerti do të mbahet në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve, duke filluar nga ora 20:00.
“Bëhuni gati për të vallëzuar nën ritmin e shkrirjes unike të trip-hop, down-tempo dhe muzikës botërore të Morcheeba, derisa ata performojnë hitet e tyre ikonike.
Para performancës së Morcheeba në skenë, warm-up artistët La Fazani dhe Shpat Deda do të na zbukurojnë natën me performancat e tyre elektrizuese, të shoqëruar nga grupet e tyre të talentuara. Këta artistë do të na argëtojnë dhe do të sigurohen që publiku të jetë në frymën e duhur për të shijuar plotësisht performancën kryesore.
Pasi Morcheeba të ketë mbaruar performancën, festa do të vazhdojë me DJ ADRIAN, i cili do t’na sjellë hitet më të fundit. Ky koncert premton të jetë një eksperiencë e paharrueshme që nuk do të donit ta humbisnit”, thuhet në njoftim.
Një koncert tejet i veçantë i muzikës jazz do të festojë 15 vjetorin e Pavarësisë së vendit tonë.
Për të shënuar këtë rast të rëndësishëm, Music Export Kosovo në bashkëpunim me RAVE Production dhe AMC Corporation do të prezantojnë koncertin special më 17 Shkurt me të talentuarit si: Elina Duni dhe Rob Luft, në AMC Hall, mbështetur nga banka më e madhe në vend, ProCredit Bank.
Duke qenë ndër muzikantët më të mirë të jazz-it në vend, Elina Duni dhe Rob Luft kanë bashkuar forcat për të sjell para jush një sërë stilesh xhaz, nga tradicionale në bashkëkohore, dhe jemi të sigurt se do të kënaqeni çdo minutë të performancës.
Mbrëmja do të zgjerohet më tej me një performancë speciale pas koncertit me Soulmate nga Kasheme.
Ndërsa do të dëgjoni muzikën e kësaj mbrëmje dhe festoni pavarësinë tonë, do të keni rast të kujtoni edhe sakrificat dhe kontributet e atyre që erdhën para nesh dhe atyre që vazhdojnë të formësojnë historinë e kombit tonë.
Le të bashkohemi në frymën e unitetit më datë 17 Shkurt, nga ora 20:30 në AMC Hall. / KultPlus.com
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka bërë të ditur se gjatë ditës së djeshme në kuadër të programit të festimeve të Ditës së Pavarësisë së Kosovës në Sallën e Kuqe në Prishtinë u mbajt koncerti solemn “14 vjet pavarësi” nga Filharmonia e Kosovës.
Me një program me vepra që dëshmojnë histori në kohë por edhe që i flasin lirisë dhe rezistencës, nën dirigjimin e Baki Jasharit dhe Hajrullah Sylës u interpretuan veprat nga autorët shqiptar: uverturë nga opera “Goca e Kaçanikut” nga Rauf Dhomi, “Valsi i pavarësisë” nga Korab Shaqiri, fragmente nga suita simfonike “Skënderbeu”nga Çesk Zadeja, “Baresha” nga Rexho Mulliqi dhe “Qëndresa” nga Valton Beqiri.
Ndërsa në nderim e kujtim të të rënëve për lirinë e Kosovës, u interpretua vepra “Më mirë është paqja” nga Karl Jenkins, punuar në vitin 1999, dedikuar viktima të luftës në Kosovë, si dhe “Dies Irae” nga Giussepe Verdi, vepër kushtuar atyre që nuk janë më në mesin tonë.
Kurse në Teatrin Kombëtar të Kosovës u mbajt koncerti “Festë të madhe ka sot Kosova”.
Ky koncert festiv bëri bashkë Ansamblin Kombëtar të Këngëve dhe Valleve “Shota” dhe Ansamblin Popullor të Këngëve dhe Valleve të Shqipërisë, të cilët para publikut sollën emocion dhe intepretime shumë të veçanta.
Në kuadër të programit u intepretuan këngë dhe valle të ndryshme shqiptare përfshirë këtu “Mora Fjalë”, “Këngë për Ismaj Qemailin”, “Valle Labe”, “Festa e Bashkimit” e shumë të tjera.
Udhëheqës artistikë të programit ishin Ylber Asllanaj dhe Sokol Marsi ndërsa udhëheqës orkestre Fitim Bytyqi dhe Vlladimir Hasimi.
Në këto aktivitete ishte i pranishëm edhe Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku. / KultPlus.com
Profesori universitar në Francë, Nezir Kraki nëpërmjet rrjeteve sociale ka komentuar se si Ambasada e Kosovës në Paris nuk e ka ftuar në festën e Pavarësisë së Kosovës, përcjell KultPlus.
Ai për herë të parë në këtë 14 vjetor, nuk mori pjesë në festën e Pavarësisë së Kosovës. Ndërkaq, ai thotë se arsyet dhe rrethanat për këtë ndryshim do i tregojë një ditë tjetër.
Më poshtë gjeni postimin e tij të plotë:
Per herë të parë në 14 vite shtet, nuk jam ftu në festen e pavarësisë së Kosovës nga ambasada jonë n’Paris.
Jo që jam unë i domosdoshëm në raste të tilla por po behem merak si qenkam kaq anonim n’Parisin e zhurmshem si i vetmi shqiptar ligjerues ne nje Universitet publik ne zemer të Francës, dhe atë në fushen e politikës dhe diplomacisë?!
Ndoshta edhe ky është një dimension i ri i ndryshimt të madh për të cilin jam mobilizu keto vite.
Sa mirë…
Nejse, veç thash ta ndaj me juve këtë habi se me juve flas shlire.
P.s. Arsyet dhe rrethanat e ketij ndryshimi jua tregoj nje dite tjeter. / KultPlus.com
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në një intervistë për televizionin indian “WION” i ka bërë thirrje Indisë që ta njohë pavarësinë e Republikës së Kosovës, shkruan Wionews.
Osmani ka thënë se fillimisht India duhet të njohë vuajtjet e kosovarëve nga regjimi gjenocidal i Sllobodan Millosheviqit dhe pastaj të njohë pavarësinë e Kosovës, realitet ky për të cilin presidentja thotë se nuk ka për të ndryshuar.
“Ne i bëjmë edhe një herë thirrje qeverisë së Indisë që para së gjithash të njohë vuajtjen e popullit të Kosovës nga regjimi gjenocidal e Millosheviqit dhe së dyti, ta njohë realitetin e pandryshueshëm në terren”, ka thënë presidentja Osmani në këtë intervistë për redaktoren e WION, Palki Sharma.
Presidentja ka potencuar se është vetëm çështje kohe kur India do t’i bashkohet vendeve demokratike që kanë njohur pavarësinë dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës.
Linku i intervistës është shpërndarë nga këshilltari i presidentes, Artan Murati. / KultPlus.com
Në 30-vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, deklarata e presidentit Bush për pavarësinë e Kosovës është përkujtuar përmes një instalacioni në kryeqytet.
“Enough is Enough” është një vepër arti publik e artistit Alban Muja, e cila lind prej deklaratës së bërë prej presidentit George W. Bush gjatë vizitës së tij në Tiranë në vitin 2007: “Ka ardhur koha, madje sa më shpejt, që të themi “Mjaft më!” (Enough is enough!), Kosova është e pavarur!”, duke i dhënë një mesazh të qartë të gjithë politikës ndërkombëtare, por edhe duke rikujtuar edhe një herë fatet e lidhur të Kosovës e Shqipërisë.
E para e këtij lloji për artistin bashkëkohor Alban Muja, kjo vepër është një skulpturë në hekur e cila, si një urë, lidh dy brigjet e lumit të Lanës, në një prej zonave më urbane të kryeqytetit. Vepra, që më shumë se një instalacion është mirëfilli një skulpturë, e përbërë prej gërmave formuese të togfjalëshit “Enough is Enough”, është rreth 17.5 metra e gjatë dhe secila gërmë 1,8 metra e lartë. Pavarësisht kësaj, ajo mbart një monumentalitet diskret, pasi nuk është e dukshme prej rrugëve në të dy anët e lumit që lidh, por mund të shihet veçse prej kalimtarëve në urat që ka pranë, ose prej atyre që kërkojnë ta shohin mes bimësisë që e rrethon. Kjo vendosje është sigurisht e qëllimtë: bashkimi i dy brigjeve është një gjest retorik, por një paralelizëm që i përgjigjet të vërtetës së dy vendeve të lidhur prej gjithnjë e përgjithmonë; nga ana tjetër, vendosja thuajse e fshehur e një monumenti me përmasa kaq të mëdha, thërret sërish një tjetër të vërtetë të madhe: atë të mikpritjes shqiptare të eksodit të Kosovës gjatë luftës, e madhe por pa zhurmë.
Temat e kujtesës, luftës së Kosovës dhe përfaqësimit material të dhimbjes janë tema të vazhdueshme të hulumtimit artistik të Alban Mujës. “Enough is Enough” është një vazhdimësi e diskursit që ngre Muja në punën e tij, duke e vendosur publikun përballë çështjeve të mëdha të luftës, emigrimit e ndarjes, por edhe rëndësisë së vlerave humaniste, si ndihmesa kolektive, gjendja e njeriut për njeriun.
Vendlindja është pikënisja e sigurtë e punës së Mujës, sikurse është dhe lufta, si një e vërtetë e jetuar e tij, por “Enough is Enough” nuk është vetëm një monument i lidhjes së Kosovës me Shqipërinë, por edhe një eko e situatës së çdo refugjati sot në botë. Në këtë kondvështrim, “Enough is Enough” është edhe një akt politik universal që tejkalon territorin ku lind, një kundërvënie ndaj modeleve të sotme socio-politike që vendosin kufirin (territorial) përpara jetës së njeriut dhe të drejtës së tij për siguri dhe stabilitet. Synimi i veprës nuk është rikujtesa e luftës, por përqasja me pasojat e saj tek popujt e prekur dhe problematizimi i pushtetit si qëllim.
“Enough is Enough” vjen si kujtesë historike pas dy dekadash, e si e tillë mund të duket e vonuar, por ajo është pikërisht dëshmi e një bote që ndryshon pak, një thuajse artefakt i krizës së madhe refugjate që përjetoi Ballkani e që me sa duket pati pak impakt mbi sjelljen politike ndërkombëtare, duke qenë se bota sheh vazhdimisht lindjen dhe zgjerimin e zonave akute të krizave humanitare. Në këtë kontekst, “Enough is Enough” nuk vjen vetëm si përgjigjja që presidenti amerikan i dha statusit të pavarësisë së Kosovës, por edhe si vënie në pyetje e marrëdhënies afatgjatë mes pushtetit dhe lirisë së njeriut.
Më 15 Mars 1991 Shqipëria rivendosi marrëdhëniet diplomatike me SHBA. 100 ditë më pas Sekretari Amerikan i Shtetit James Baker vizitoi Tiranën ku ju rezervua një pritje e shprehjes kuptimplotë të respektit dhe aleancës me SHBA, të cilën Sekretari Baker e përkufizoi: “Ne jemi me ju, ju jeni me ne”. /atsh/ KultPlus.com
Ujëvara shumë e njohur dhe e veçantë në mbarë botën, “Niagara Falls” në Kanada, mbrëmë u ndriqua me ngjyrat e Flamurit të Kosovës për nder të 17-të Shkurtit, Ditës së Pavarësisë së Kosovës.
“Kosova është tejet mirënjohëse për mbështetjen dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm me autoritetet Kanadeze. Kjo dëshmohet edhe sonte me këtë veprim dhe simbolike mbështetëse”, shprehet ambasadori i Kosovës në Kanada Adriatik Kryeziu.
Përmes një ekspozite të rrallë dokumentare dhe fotografike, është shënuar në Tiranë 13- vjetori i Pavarësisë së Kosovës.
Një ngjarje me rëndësi për Kosovën si shtet i pavarur e që Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave të Shqipërisë dhe Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës, zgjodhën ta kujtojë në Kalanë e Tiranës, këtë ditë historike për shtetin e dytë shqiptar në Europë.
Bedri Zyberaj, kryeshef i Arkivave të Kosovës theksoi rëndësinë e një tubimi të tillë, i cili një vit më parë u mbajt në Prishtinë.
“Kjo është data më e rëndësishme e historisë së re të shqiptarëve. Arkivat janë institucionet që kujdesen dhe ruajnë kujtesën dhe trashëgiminë e çdo kombi. Dhe për fat të mirë edhe arkivat tona janë kujdesur dhe ruajnë përmes instrumenteve bashkëkohore. E përpiqen që përmes këtyre ekspozitave, t’i sjellin ato tek shqiptarët”.
Ambasadori i Kosovës në Tiranë, Nait Hasani tha se “dokumentet e kësaj ekspozite tregojnë rëndësinë dhe pranië e Kosovës prej vitit 1912 e më pas në Shqipëri dhe ndjehem mirë që ato ekspozohen në këtë 13 – vjetor të pavarësisë”.
Elsa Saka, Drejtore e Komunikimit në DPA, tha se “ne synojmë që kjo ekspozitë të jetë shëtitëse dhe çdo 17 shkurt të çelet në një qytet tjetër të Shqipërisë pas Prishtinës dhe Tiranës”.
Klodiana Toptani, administratore e Kalasë tha se “për ne, Dita e Pavarësisë së Kosovës ka rëndësi të madhe ndaj edhe e festojmë sot në Kala, ku valvitet edhe flamuri i shtetit të Kosovës”.
Materialet që janë paraqitur në ekspozitë janë nga periudha e vitit 1912, në të janë shfaqur edhe dokumente të pjesëmarrësve nga Kuvendi i Vlorës, të dhëna të personaliteteve të ndryshme shqiptare dhe të dhëna për Komunitetin Kombëtar për mbrojtjen e Kosovës.
Këto janë vetëm një pjesë e vogël e mijëra dokumenteve që ruhen në dy arkivat shqiptare, Shqipëri dhe Kosovë. /atsh/ KultPlus.com
Mbrëmë, në nder të 13 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, Salla e Kuqe në Prishtinë mirëpriti Filharmoninë e Kosovës për një koncert madhështor dedikuar historisë e rrugëtimit të popullit të Kosovës ndër vite, shkruan KultPlus.
Para një publiku modest, për herë të parë u interpretua një nga veprat më të mëdha të kompozitorit Valton Beqiri bashkë me atë të Vinçenc Gjinit, “Simfonia in K: Kosova vatra atërore’, një kompozim ky që ngërtheu brenda vetes ‘Rrugëtimin’ gjashtë shekullor të historisë së shqiptarëve.
‘Rrugëtimi’ i Valton Beqirit erdhi para publikut në gjashtë etapa: Nga Kastrioti, Rilindja, Qëndresa, Malli, Liria e deri tek Jeta. Etapa këto që në secilin instrument kishin zënë vend e shpaloseshin me brishtësi përmes tingujve duke depërtuar kështu në secilën skutë e tek secili person që ishte i pranishëm. Secila etapë pasonte me duartrokitje e brohoritje të shumta që veçse i dëshmonin emocionet e mëdha që kishin kapluar publikun.
Filharmonia e Kosovës dikur tubonte mbi 2000 artdashës në Sheshin e Prishtinës, ndërkaq mbrëmë si pasojë e gjendjes pandemike, në Sallën e Kuqe u shfrytëzua vetëm 40% e hapësirës. E gjithë trupa e Filharmonisë ishte në distancën e caktuar dhe me maska të vendosura.
Për Baki Jasharin, e gjithë kjo situatë është tejet e dhimbshme. Në një prononcim për KultPlus, ai flet me nostalgji e emocione të mëdha tek kujton koncertin e 26 qershorit, i organizuar për nder të figurës së Skënderbeut.
“Filharmonia kishte mbledhur diku rreth 2500 persona dhe ka qenë e mahnitshme qetësia absolute që ka mbretëruar gjatë atij koncerti”, ka theksuar Jashari.
Ai, ndër të tjera, ka deklaruar për KultPlus, se agjenda e Filharmonisë për këtë vit është shumë më modeste se viteve të tjera. Ndërkaq në anën tjetër ishte ndarë shumë i kënaqur me performancën e cila kishte ardhur me një presion tepër të madh pasi pandemia Covid19 kishte ndryshuar e vështirësuar pothuajse secilin proces të këtij institucioni.
“Ne kemi pasur obligim nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit sikurse edhe institucionet tjera kulturore të organizojmë koncert për përvjetorin e pavarësisë duke respektuar masat anticovid. Nuk kemi mundur t’i zhvillojmë provat e kompletuara me këtë staf pasi hapësira është shumë e vogël dhe ne duhej t’i respektonim vazhdimisht masat anticovid, kam kontaktuar gjatë gjithë kohës me IKSHPK-në për t’u koordinuar. Dhe është akoma e dhimbshme që ne nuk kemi Sallë koncertale, jemi mjerisht në këtë Sallë të Kuqe me hapësirë kaq të vogël”, ka deklaruar tutje Jashari për KultPlus.
E gjithë ky organizim kishte një domethënie të madhe për kompozitorin Valton Beqiri, për të cilin lavdatat e duartrokitjet nuk kishin të ndalur. Ai për KultPlus tha se shpreson që ky koncert të jetë prapë pjesë e repertorit dhe pse jo të shfaqet edhe në vende tjera.
“Realisht koncertet e tilla që përkojnë me një ansambël kaq të madh, është mëkat që realizohen me një numër të limituar të shikuesve, por megjithatë veprat vazhdojnë e përçojnë mesazhin e tyre”, ka potencuar Beqiri për KultPlus.
Një koncert ky që emocionoi të gjithë, përfundoi me brohoritje e duartrokitje të pafundme, për pothuajse një orë bëri që e gjithë kjo situate e tmerrshme që ka kapluar botën të harrohej e publiku të lundronte qetazi në secilën notë. / KultPlus.com
Sot Kosova shënon 13-vjetorin e Pavarësisë, e për të nderuar këtë ditë të madhe për popullin tonë, mbrëmë në skenën e Teatrit Kombëtar, Ansambli i Këngëve dhe i Valleve ‘Shota’ erdhi me një koncert festiv, duke rikujtuar kështu edhe njëherë sakrificën e madhe të popullit të Kosovës, shkruan KultPlus.
Koncerti nuk kishte si të fillonte ndryshe përveçse me Himnin e Kosovës, ky qysh në fillim publiku u emocionua e festa u ndez në brendësi të tyre.
Vallja instrumentale për çifteli dhe orkestër nën ekzekutimin dhe autorësinë e Gent Hoxhës ishte pika tjetër që po mbante ritmin e koncertit e publiku vetëm sa entuziazmohej më shumë.
Krejt kjo, i la vend Ansamblit ‘Shota’ që erdhi me këngë e valle shqiptare, të cilat ngjallën ndjenja krenarie e patriotike tek të gjithë ata që ishin të pranishëm e të cilët nuk i kursyen duartrokitjet pas secilës performancë. Vallja e parë ishte ajo e Tiranës, për të vazhduar kështu me këngë të interpretuara nga Majlinda Cakiqi, Sokol Latifi, Myrvete Bajrami, Ismet Bugujevci, Riza Bytyqi e Violetë Kuaj, këngë këto që i këndoheshin Shqipërisë, Kosovës, vëllezërve Gërvalla, familjes së Jasharëve e mbarë historisë së popullit shqiptar.
Fyelli, tupani, defi e çiftelia kumbuan në secilën skutë të Teatrit Kombëtar, të shoqëruar nga arti skenik i jashtëzakonshëm i trupës së Ansamblit ‘Shota’, të cilët më shumë se publikut, dukej sikur i vallëzonin historisë sonë të lavdishme.
Pas një viti tejet të vështirë, ‘Shota’ kishte filluar me përgatitje për këtë koncert, pasi pandemia, si në shumë fusha tjera të artit edhe tek ansambli pati ndikimin e vet jo të mirë. Duke i vështirësuar e shpesh edhe pamundësuar përgatitjet e përbashkëta të kësaj trupe.
“Këtë vit e kemi filluar me kapacitet të plotë, por prapë kemi pasur pengesa gjatë rrugëtimi pikërisht për shkak të pandemisë. Ndërkaq, për këtë koncert që u organizua për nder të ditës së Pavarësisë së Kosovës, me gjithë vështirësitë, trupa është munduar të bëjë maksimumin”, ka theksuar drejtori i këtij Ansambli, Shefqet Gjocaj për KultPlus.
Ndër performancat më emocionuese ishte ajo e Majlinda Cakiqit, e cila para publikut erdhi me këngën ‘Mora fjalë’. Një performancë kjo për të cilën Cakiqi ka treguar se është përgatitur shumë moti.
“Jam përgatitur qysh moti, ndërkaq dy javët e fundit kemi pasur prova intensive. Kur këndon live është gjithmonë një emocion i veçantë. Kam kaluar jashtëzakonisht mirë”, është shprehur Cakiqi për KultPlus.
Koncerti përfundoi, por për të pranishmit do të mbetet gjatë në mendje. Emocionet dhe ndjenjat patriotike që u ngjallën mbrëmë nuk harrohen lehtë, kjo padyshim vërehej në fytyrat e gjithsecilit.
Krejt për fund, drejtori i Ansamblit “Shota”, Shefet Gjocaj kishte edhe një ankesë kundrejt Ministrisë së Kulturës. Sipas tij, në fund të vitit të kaluar, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, bëri të ditur se ‘Shota’ do të bëhet institucion në vete, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur akoma. Për këtë gjë, Gjocaj konsideron se si një hap i parë drejt pavarësimit të institucioneve qendrore të kulturës siç është kodi buxhetor i cili edhe pse është miratuar, ‘Shota’ vazhdon ende të jetë varur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në mënyrë ekstreme.
“Fakti që ne kemi mungesa në trupë dhe nuk mund të hapim konkurse, nuk kemi mundësi të planifikojmë asgjë pa miratimin e MKRS. Për pavarësi të institucionit as që bëhet fjalë, është punë e mirë ajo që ka nisur Dumoshi sepse kodi buxhetor është tejet i rëndësishëm, mirëpo kjo nuk do të thotë pavarësi e institucionit, pasi kjo pavarësi vie kur ‘Shota’ ka njësinë e burimeve njerëzore, zyrën e financave, kur ne e planifikojmë buxhetin etj”, ka deklaruar Gjocaj. / KultPlus.com
Këngëtarja shqiptare që ka shkelur majat botërore, Dua Lipa, sot në 13-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës nuk ka harruar që përmes një mesazhi emocionues ta uroj popullin e saj për këtë ditë të madhe, shkruan KultPlus.
Përmes një fotografie të punuar me flamurin e Kosovës, Dua përcjellë urimet e saj në rrjetin e saj social Instagram.
“Gëzuar Ditën e Pavarësisë Kosovë!!! XKXKXKXK 13 VJET!! Nuk do ta harrojë kurrë momentin kur e shikoja këtë ngjarje në TV, derisa isha duke jetuar në Prishtinë. Shumë emocione nga energjia e qytetit tim. Kujtim i paharruar… Jam krenare ta shoh sa larg kemi arritur dhe sa larg do të shkojmë në të ardhmen”, ka shkruar Dua në urimin e saj. / KultPlus.com
Në 13-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë shprehur se marrëdhëniet mes dy shteteve mbesin të palëkundshme.
Përmes një postimi në Facebook, Ambasada amerikane ka thënë se mbështet popullin e Kosovës në krijimin e një vendi paqësor e më të zhvilluar për qytetarët e saj.
“Teksa festojmë Ditën e Pavarësisë së Kosovës, partneriteti SHBA-Kosovë mbetet i palëkundshëm. Ne qëndrojmë në krah të popullit të Kosovës teksa ju ndërtoni një shtëpi të drejtë, paqësore e prosperuese për të gjithë qytetarët e Kosovës”, thuhet në urimin e SHBA-së. / KultPlus.com
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, kanë bërë homazhe te varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova në 13-vjetorin e pavarësisë së shtetit të Kosovës.
Të dy janë shprehur se në këtë ditë nderojnë figurat historike të shtetit të Kosovës.
“E nderuam arkitektin e pavarësisë së Kosovës. Njeriun që sublimoi dhe unifikoi kërkesat e qytetarëve të Kosovës për liri, pavarësi e sovranitet. Njeriun i cili hapi dyert e botës në mënyrë që zëri ynë të dëgjohet e kumbojë kudo”, ka thënë me këtë rast Osmani.
Në anën tjetër, Kurti, që në zgjedhjet e 14 shkurtit fitoi bindshëm, ka thënë se shpreson e beson që viti i ardhshëm të gjejë Kosovën me drejtësi, demokratizim e zhvillim.
“Sot kujtojmë personalitetet politike kombëtare, historike, që kontribuan në faza e mënyra të ndryshme. Vendosëm lule të freskëta te presidenti i parë i Republikës së parë të Kosovës, Ibrahim Rugova që ishte edhe presidenti i parë i Kosovës së çliruar. Në veçanti falënderojmë të gjithë qytetarët që kanë kontribuar për këtë ditë kaq të rëndësishme”, ka thënë ai. / Koha.net / KultPlus.com
Nesër Kosova feston Ditën e Pavarësisë, teksa kryeqyteti është stolisur me flamuj.
Në pamjet që ka siguruar Indeksonline, shihet se flamujt e Kosovës janë të vendosur nëpër sheshe.
Kujtojmë se dje, Qeveria në largim ka bërë publike agjendën për Ditën e Pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt.
Në agjendën e aktiviteteve përmendet që të gjitha komunat e Republikës së Kosovës, janë udhëzuar që t’i stolisin rrugët dhe sheshet kryesore të qyteteve me flamurin e Kosovës. / KultPlus.com
Presidenti italian ka uruar u.d. Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmanin për 13 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.
“Qëndrueshmëria e marrëdhënieve mes vendeve tona dëshmohet nga intensiteti i lartë i dialogut politik dhe bashkëpunimit dypalësh, i cili ka shënuar rritje të ndjeshme gjatë vitit të fundit edhe në kontekstin e sfidave të përbashkëta të paraqitura nga pandemia”, thuhet në letrën e dërguar Osmanit.
Presidenti italian ka thënë se Italia qëndron përkrah Kosovës në rrugën e reformave dhe konsolidimit institucional dhe se integrimin e Prishtinës në institucionet europiane e konsiderojnë si një hap me rëndësi primare.
Letra e plotë:
Me rastin e festës kombëtare ju përcjell Juve dhe popullit mik kosovar urimet më të mira nga Republika italiane.
Qëndrueshmëria e marrëdhënieve mes vendeve tona dëshmohet nga intensiteti i lartë i dialogut politik dhe bashkëpunimit dypalësh, i cili ka shënuar rritje të ndjeshme gjatë vitit të fundit edhe në kontekstin e sfidave të përbashkëta të paraqitura nga pandemia.
Italia qëndron përkrah Kosovës në rrugën e reformave dhe konsolidimit institucional. Integrimin e Prishtinës në institucionet europiane e konsiderojmë si një hap me rëndësi primare në kompletimin e ndërtimit të shtëpisë së përbashkët europiane dhe me të njëjtën bindje vazhdojmë të mbështesim dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit, të lehtësuar nga Bashkimi Europian.
Duke rikonfirmuar angazhimin e vendosur italian në drejtim të stabilitetit rajonal përmes pjesëmarrjes në misionin e KFOR-it, edhe njëherë ju përcjell urimet e mia më të përzemërta për mirëqenie dhe prosperitet për Republikën e Kosovës.
Artistë të dëshmuar të skenës muzikore nga Diaspora kanë vendosur që Pavarësinë e Kosovës ta kremtojnë përmes artit, shkruan KultPlus.
“Vendi im” mban emrin koncerti online, i cila organizohet për nder të Pavarësisë së Kosovës dhe transmetohet më 19 shkurt.
Me një kast artistësh profesional si Mira Konçi dhe Lori Miho si vokalistë, Ergin Oda në bariton, Joana Kaimi në violinë, Gjilberta Lucaj në celo, Faton Macula me kitarë, Yasuhiko Fukoka në piano, Klajdi Ceriku në akorde, Akreoma Salihu me interpretimin si balerinë, Shpend Xani si mikpritës i ngarjes, do të bëjnë që ky përvjetor të jetë ndryshe.
Koncerti “Vendi im” do të drejtohet nga Ergin Oda, teksa linku për ndjekje të ngjarjes do të shpërndahet nga organizatorët së shpejti. / KultPlus.com
Këngëtarja me prejardhje shqiptare, Rita Ora, pak më parë publikoi një pjesë të shkurtër të klipit të saj të ri të quajtur, “Bang”, ku shihej e veshur me veshje kombëtare. Këto veshje janë bërë me porosi për festimin e ditës së pavarësisë së Kosovës, duke treguar kështu që Rita nuk e harron anjëherë vendin e saj, shkruan KultPlus.
Kjo është bërë e ditur nga motra e Rita Orës, Elena e cila në Instgram ka postuar një pjesë të videoklipit të këngës së motrës së saj dhe ka falënderuar stilistin shqiptar, Vladrin Sahiti për dizajnimin e veshjeve në nderë të pavarësisë së Kosovës.
“Kjo ishte shumë argëtuese !!! Faleminderit të gjithëve për këtë !! Sidomos gjeniu @valdrinsahitiofficial për këtë dizajn me porosi në festimin e Ditës së Pavarësisë për Kosovën … Unë kurrë nuk do ta harroj këtë moment !!! Shijojeni të gjithë”, ka shkruar ajo.
Vetë Vladrin Sahiti pak ma parë kishte shkruar e ka krijuar këtë kryevepër për t’iu përshtatur asaj që këngëtarja ka bërë për vendin tonë.
Kënga e re e Orës do të publikohet më 12 shkurt dhe është bashkëpunim me David Guetta, Gunna dhe Khea./ KultPlus.com
Qeveria në detyrë e Kosovës do ta organizojë shënimin e 13-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
Për 17 Shkurtin, Qeveria në detyrë ka marrë vendim që t’i ndajë 70 mijë euro.
“Për punën e Këshillit Organizativ për shënimin e trembëdhjetë vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës ndahen mjete financiare në vlerë prej 70. 000 (shtatëdhjetëmijë) euro”, thuhet në komunikatën e ekzekutivit.
Shënimi i përvjetorit të 13 të shpalljes së pavarësisë do të shënohet tri ditë pas mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare. /Express/ KultPlus.com