Për nder të 17 shkurtit – Ditës së Pavarësisë së Kosovës, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), ka vendosur që në të gjitha shkollat fillore dhe të mesme sot (18 shkurt 2020), ora e parë e mësimit t’i kushtohet historikut të pavarësisë.
Në këtë orë është folur për sakrificën e popullit shqiptar dhe kontributin e bashkësisë ndërkombëtare për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Kujtojmë se MAShTI ua ka uruar festën nxënësve, mësimdhënësve, prindërve dhe të gjithë qytetarëve të Kosovës. / KultPlus.com
Në këtë ditë mjaft të rëndësishme për Kosovë, sigurisht se duhet kujtuar edhe sakrificat e së kaluarës, e përmes artit të tilla sakrifica ndonjëherë kujtohen më së miri.
Këngëtarët si Ilir Shaqiri, shembull, kanë sjellë në jetë këngë të
cilat tregojnë për guximin e luftëtarëve kosovarë, si në UÇK e poashtu edhe më
vonë.
Kënga “Pavarësia” e Ilir Shaqirit është një himn për lirinë e vendit, prandaj edhe sot duhet ta kujtojmë e dëgjojmë këtë këngë që zgjon ndjenja patriotizmi, por edhe krenarie. / KultPlus.com
Kosova sot shënoi 12 vjetorin e pavarësisë, KultPlus ishte në sheshin e Prishtinës për të parë nga afër dhe për të intervistuar qytetarët të cilët të lumtur festonin këtë 12 vjetor.
“Ma me rëndësi se Kosova për
popullin tonë nuk ka, Kosova është jeta jonë”, ishin fjalët e bacës Abdyl,
i cili me lotë në sy e me një qese në dorë, ishte nisur nga Ribari i Madh,
Goleshi, për të mbërritur në kohë e për ta festuar përvjetorin e pavarësisë së
Kosovës, shkruan KultPlus.
Ai kishte ndërruar disa taksi, e kombi
për të arritur në Prishtinë dhe për ta përjetuar edhe njëherë lumturinë që e
kishte përjetuar edhe para 12 viteve.
“Po vetëm një shtet e kemi! Ju nuk e dini se çfarë kemi hequr ne nga serbët, edhe fëmijët m’i kanë marrë, e si të mos e festojmë këtë ditë të madhe”, ishte shprehur Abdyl Rama.
Ai edhe vitin e kaluar kishte ardhur nga
Sarajeva për ta festuar, por tashmë ky vit ishte më ndryshe për të, me qeverinë
e re ai shpreson për më të mirën e këtij vendi.
“Do të bëhet mirë për juve, rininë e
Kosovës, ju jeni ardhmëria jonë”, u shpreh ai.
E me fytyrë të ngallëzyer, niset për në
sheshet e Prishtinës, për të festuar deri në mbrëmje 12-vjetorin e Kosovës.
Nderkaq, në sheshet e Prishtinës mbretëronte
atmosferë e madhe festive. Dielli i
fortë rrezonte mbi fytyrat e lumtura të qytetarëve të
Kosovës, zhurma e daulleve
degjohej anë e kënd, e flamujt valviteshin mbi qiellin e kaltër, ndërsa vallja
kosovare nuk mungonte në asnjë cep.
KultPlus kishte ndalur edhe një
qytetar tjetër, Hajdin Hysenin. Me entuziazëm e me një flamur të
vogël në dorë , ai shihej duke u nisur drejt atmosferës në sheshin “Zahir Pajaziti”. Hajdini u shpreh se ky vit e ka gjetur më të
lumtur Kosovën.
“Qeveria e re do të ndryshojë Kosovën sepse së pari i kanë vendos më shumë flamujt e Kosovës! Tash jemi të gëzushëm, jemi shumë mirë dhe do të bëhet edhe më mirë ” – thotë qytetari Hyseni.
E ky 12 vjetor i pavarësisë së Kosovës, si duket po ua mbush shpirtërat me gëzim të gjithëve që luftuan ta shohin në këtë ditë Kosovën e tyre. / KultPlus.com
Urimet për 12 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës po vijnë nga shumë personalitete, institucione e vende të ndryshme të botës. Ambasada Britanike në Kosovë në urimin e saj ka potencuar se kosovarët janë mikpritës të mrekullueshëm dhe këtë e kanë dëshmuar gjatë lojës së parë të futbollit në mes Kosovës dhe Anglisë që u mbajt në Prishtinë, shkruan KultPlus.
Ndër të tjera ata edhe njëherë kanë treguar që Mbretëria
e Bashkuar do të jetë parter i Kosovës në rrugëtimin e saj.
KultPlus ju sjell urimin e plotë të Ambasadës Britanike
në Kosovë:
Gëzuar ditëlindjen e 12-të Kosovë. Gjatë vitit të kaluar edhe një herë ti i ke treguar botës mikpritjen tënde të mrekullueshme, gjatë lojës së parë të futbollit në mes Kosovës dhe Anglisë, në Prishtinë. Dhe përsëri ke treguar zemrën tënde të madhe, kur pas tërmeteve në Shqipëri shkove me shpejtësi në ndihmë të atyre që ishin në nevojë të madhe. Marrëdhëniet tona janë ndërtuar përmes historisë dhe vazhdojnë të rriten. Mbretëria e Bashkuar do të jetë partneri yt, përderisa zhvillohesh dhe përparon për të mirën e të gjithë qytetarëve të Kosovës, dhe për stabilitetin e rajonit. / KultPlus.com
Kryeministri shqiptar, Edi Rama, në orët e para të mëngjesit ka uruar për 12-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.
“Urime ditën e bekuar të pavarësisë së Kosovës të gjithë shqiptarëve kudo që ndodhen dhe i përjetshëm qoftë kujtimi i atyre që dhanë jetën për këtë ditë”, shkroi Rama.
Në urimin e tij postuar në rrjete sociale, ai ka shtuar edhe një video me himnin e Kosovës. / KultPlus.com
Me rastin e shënimit të 12 – vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, në mbledhjen e dytë të Qeverisë, Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka formuar Grupin punues, i cili do të udhëhiqet nga zëvendëskryeministri Haki Abazi’, në kuadër të të cilit do të jetë edhe Ministrja e MKRS-së, Vlora Dumoshi, Ministri i Mbrojtjes, Anton Çuni dhe ministrja e MAPL-së, Emilija Rexhepi.
“Siç e dini
të hënën do ta shënojmë 12 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës dhe me këtë rast
është e nevojshme të kemi një grup punues që do të bëjë finalizimin e
përgatitjeve tashmë të zakonshme e tradicionale në shtetin tonë. Me këtë rast
propozoj ta kemi një grup punues ku ai do të udhëhiqet nga zëvendëskryeministri
Haki Abazi dhe në kuadër të këtij grupi të jetë ministrja e MKRS-së, Vlora
Dumoshi, Ministri i Mbrojtjes, Anton Çuni dhe ministrja e MAPL-së, Emilija
Rexhepi”, tha Kurti.
Propozimi i Kryeministrit Kurti, për formimin e grupit punues, me shumicë votash , u miratua nga kabineti qeveritar./KultPlus
Këshilli Koordinues në përkrahje të Ministrisë së Diasporës së Republikës së Kosovës dhe Europahaus organizojnë koncert në Vjenë për nder të pavarësisë së Kosovës me një nga grupet më të njohura dhe unike në Shqiptari, shkruan KultPlus.
Grupi ‘Don’t Listen to Your Neighbors’ do të performojnë muzikën tonë të vjetër në stilin e tyre ‘jazz’, ka njoftuar Ermal Vejsa për KultPlus.
Koncerti mbahet më datë 7 shkurt, prej orës 20:00 në Tunnel Vienna Live, Florianigasse 39, 1080 Wien. / KultPlus.com
Në Uster të Zvicrës, Shoqata Kulturore Shqiptare organizon një manifestim kulturor me rastin e Pavarësisë së Kosovës, pjesë e të cilit do të jetë edhe Ansambli Folklorik Autokton Rugova, i njohur për interpretimin mbresëlënës të valleve tradicionale.
Me një program të larmishëm artistik dhe në bashkëpunim me Ansambli Folklorik Autokton Rugova, pretendohet t’u ofrohet publikut atmosferë me rastin e festës së Pavarsisë së Kosovës.
Në kuadër të Festës së Pavarësisë së Kosovës më 15 shkurt (e shtunë) 2020, nga ora 18:00, do të zhvillohet mbrëmja solemne e organizuar nga kjo shoqatë me anëtarët e saj me një program të larmishëm.
Vlen të theksohet se hyrja do të jetë falas. /Albinfo.ch. / KultPlus.com
Ambasadori amerikan në Kosovë, Philip S. Kosnett, ka uruar 11 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.
“Kam nderin dhe privilegjin që shërbej si ambasador i SHBA-së gjatë kësaj kohe emocionuese. Jam kthyer në Kosovë pas 15 viteve dhe e shoh që populli i Kosovës ka arritur përparim të jashtëzakonshëm në rindërtimin e vendit dhe është përgatitur për sukses në skenën botërore. Gjithmonë mahnitem nga të rinjtë e Kosovës: të rinj të zgjuar, energjikë, kreativë, që kërkojnë mundësi për ta ndërtuar të ardhmen e tyre këtu në Kosovë”, ka thënë Kosnett.
Kosnett, tutje ka thënë se të dy vendet kanë përfituar nga partneriteti i ngushtë ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kosovës dhe, siç thotë Kosnetti, “nuk kam asnjë dyshim që partneriteti ynë do të vazhdojë në të ardhmen e largët”.
“ Por, mos u gaboni. Kosova tani është në dhjetëvjeçarin e dytë të pavarësisë dhe demokracisë. Iu takon kosovarëve që të marrin përgjegjësi dhe t’iu kërkojnë llogari udhëheqësve për të marrë hapat e nevojshëm për përparim”, ka thënë tutje, përcjell Koha.net.
“Sa herë që udhëtoj nëpër vend dëgjoj që qytetarët kosovarë i duan tri gjëra për familjet dhe vendin e tyre: paqe, drejtësi, mbarësi. Unë besoj se një vend nuk mund të presë të arrijë sukses në njërën nga këto fusha pa pasur sukses edhe në fushat tjera. Arritja e paqes do të kërkojë marrëveshje gjithëpërfshirëse me Serbinë, që në thelb e ka njohjen e ndërsjellë. Arritja e drejtësisë nënkupton veprime konkrete për të ndërtuar sundimin e ligjit dhe luftimin e korrupsionit në të gjitha nivelet. E ndërtimi i mbarësisë nënkupton përpjekje më të mëdha që do të nxisin investimet ndërkombëtare dhe zhvillim ekonomik”, ka thënë ambasadori amerikan.
Kosnett, tutje thotë se sigurimi i kësaj të ardhmeje do të kërkojë udhëheqje të matur politike, qytetari të angazhuar, si dhe përkushtim për të ofruar mundësi të barabarta për të gjithë qytetarët pa dallim gjinie, feje e etnie.
“Jam i bindur se populli i Kosovës është i aftë të përballet me sfidat që i ka përpara. Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të jenë përkrah jush. Urime Dita e Pavarësisë, Kosovë!”, ka përfunduar urimin me mesazhe Kosnetti. /KultPlus.com
Momenti i shpalljes së Pavarësisë së Kosovës mbetet historik.
Ky moment do të shënonte edhe një hap të madh e deri diku të ‘rrezikshëm’ për politikanët e Kosovës, të cilët kishin vendosur ta çonin një hap më përpara vendin.
Me 17 shkurt 2008, në një mbledhje të Parlamentit, i takoi Hashim Thaçit ta shpallte vendin “shtet të pavarur dhe demokratik”.
Më 22 korrik 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë konfirmoi përmes vendimit këshillëdhënës se Pavarësia e Kosovës nuk ka shkelur asnjë nen të Ligjit Ndërkombëtar. / KultPlus.com
Kushdo që i drejtohet Zyres së Kuvendit apo Zyres së Presidentit të Kosovës, tashmë që në hyrje mund t’i kthej kujtimet e datës së 17 Shkurtit, të vitit 2008, shkruan KultPlus.
Kjo ekspozitë, ka mbledhur disa nga fotografitë më domethenëse të kësaj date, nga fotoreporterë të ndryshëm. Momente festive, e përplot emocion vërehen mes perqafimeve e duarve drejt qiellit. Këto fotografi reflektojnë emocionet në sytë e fëmijeve që në duar mbajnë flamurin kuq e zi dhe në sytë e rrudhosur të pleqve që në kokë mbajnë plisin.
Në ballkone, kafene, e mes turmave, emocionet e kësaj date janë të shenuara në historinë e shtetit të ri të Kosovës, qe mbajnë si datë historike 17 Shkurtin, para plot një dekade.KultPlus ju sjellë disa nga fotografitë e kësaj ekspozite që është hapur sot në këto dy instutucione. /KultPlus.com
Komuna e Prishtinës ka filluar që të rregulloj sheshet në qendër të Prishtinës për të shënuar 10-të vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, shkruan KultPlus.
Në shesh veç po vërehen ngjyrat kaltër, e verdhë dhe ajo e bardha, sikurse që shihet numri dhjetë, që shënon edhe dhjetëvjetorin e Pavarësisë.
Po ashtu në shesh është duke u punuar edhe në vendosjen e dy skenave të cilat do të shfrytëzohen për realizimin e aktiviteteve të ndryshme të cilat janë paraparë që të mbahen për këtë ditë. Disa nga aktivitetet e organizuara nga Qeveria e Kosovës dhe Komuna e Prishtinës tashme janë bërë të ditur gjersa pritet që të publikohet edhe kalendari i plotë kulturor për këtë 10-të vjetorë të Pavarësisë së Kosovës./KultPlus.com
Në kuadër të aktiviteteve festive, mbi qiellin e Prishtinës do të fluturojnë parashutistë kosovarë me flamuj të Kosovës.
Federata Aeronautike e Kosovës, me parashutistët e saj, sot do të performojë mbi qiellin e Prishtinës për dhjetëvjetorin e Pavarësisë. Ky fluturim i tyre mësohet se po bëhet me kërkesë të Këshillit Organizativ për Shënimin e Dhjetëvjetorit të Pavarësisë.
Fluturimin e nesërm të tyre e ka konfirmuar edhe Adil Behramaj nga Këshilli Organizativ.
“Po, nesër nga ora 12:00 – 13:00, parashutistët e Federatës Aeronautike pritet të fluturojnë mbi Prishtinë, konkretisht mbi zonën e gjerë të qendrës së kryeqytetit. Lejen nga KFOR-i e kanë siguruar dhe parashikimi i motit për nesër është i pranueshëm, prandaj besojmë që edhe fluturimi i tyre do të realizohet”, ka thënë Behramaj për Gazetën Express.
Gjithashtu, Behramaj ka thënë se nesër do të vazhdojnë edhe dekorimet e mbetura, derisa Komiteti Olimpik i Kosovës, në sheshin “Edit Durham” – amfiteatrin e hapur te hoteli “Grand”, do ta bëjë edhe hapjen e Festivalit Olimpik PyongChang 2018, ku do të hapet edhe fusha sintetike për patinazh, hokej dhe karlling, të cilat janë sporte të reja në Kosovë. /KultPlus.com
Pavarësia Sopa është vajza e cila ka lindur dy minuta pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, dhe pikërisht kjo vajzë para disa muajve i kishte dërguar një mesazh ish presidentit të SHBA-ve, George Bush, shkruan KultPlus.
Dhe Ambasada e Kosovës në Washington DC, ka bërë të ditur se tashmë vetë George Bush i ka kthyer mesazhin kësaj vogëlusheje kosovare.
“Dje vizituam vajzën më simpatike, Pavarësia Sopa, të cilës i dërguam një mesazh të veçantë nga një mik shumë i madh i pavarësisë së Kosovës. Muaj më parë, Pavarësia i dërgoi një kartolinë Presidentit Bush, dhe ai i ktheu mesazhin. Pavarësia na tregoi që do të bëhet aktore në Hollywood kur të rritet, dhe me aq sa pamë, do të jetë e shkëlqyer. Gjithashtu tha që emrin nuk do t’a ndërroj kurrë, siç bëjnë shumë aktorë në Hollywood, në mënyrë që t’i tregoj gjithë botës historinë e Kosovës”, kanë bërë të ditur nga Ambasada e Kosovës në Washington DC./KultPlus.com