Republika Islamike e Afganistaniti – shteti që së fundmi ra nën pushtetin e Talebanëve, ishte i pari që njohu shtetësinë e Kosovës. Kjo njohje erdhi pak orë pas shpalljes së Pavarësisë më 17 shkurt 2008.
Edhe pse në listën e njohjeve, zyrtarisht shteti i parë që njohu Kosovën figuron Kosta Rika, megjithatë në ditën e pavarësisë është raportuar se Qeveria e Kosovës njohjen e parë e mori nga Afganistani.
Ndër të parat shtete që njohën Kosovën pas Afganistanit e Kosta Rikës ishin Shqipëria, Shtetet e Bashkuara Amerikës, Mbretëria e Bashkuar, Turqia, Franca e të tjerë.
Tri ditë më parë, ish-presidenti i Ashraf Ghani u largua nga Afganistani pak kohë para se talebanët të merrnin nën kontroll kryeqytetin Kabul.
Kjo ndodhi vetëm pasi forcat e Shteteteve të Bashkuara të Amerikës filluan të largohen nga Afganistani.
SHBA intervenoi më 2001 në Afganistan, pak pas sulmeve të 11 shtatorit, ku hoqi Talebanët nga pushteti pasi këta të fundit refuzuan të bashkëpunojnë rreth luftës kundër terrorizmit.
Me t’u rrëzuar talebanët u themelua administrata e re demokratike në Afganistan. Administratë kjo që njohu Pavarësinë e Kosovës. / KultPlus.com
Kuvendi i Republikës së Kosovës mbajti seancë solemne për Ditën e Pavarësisë.
Të pranishëm janë
udhëheqësit shtetërorë, përfaqësues të familjes Jashari, familjes Rugova dhe të
ftuar ndërkombëtarë e vendës.
Seanca ka nisur me
intonimin e himnit të shtetit.
E pranishme në këtë
seancë nuk është Lista Serbe.
Kryetarja e Kuvendit
të Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se sot flamuj të vegjël e zemra të mëdha
valëviten në të gjitha komunat e Kosovës.
Ajo ka thënë se sot
Republika e Kosovës ka moshën e fëmijëve të pavarësisë të cilët sot ishin të
pranishëm në seancë.
“Sot Kosova jonë jo
vetëm që frymon e lirë por edhe po krijon imazhin e ri duke i ofruar vlera edhe
botës. Xhudistët e kanë skalitur emrin e Kosovës në qindra piedestale. Ata na
kanë bërë të qajmë nga gëzimi e të qeshim nga lumturia. Artistët janë duke na
bërë të njohur në botë, kanë bërë që shteti i Kosovës të duhet nga të gjithë.
Sukseset e studentëve në botë kanë dhënë shpresën që ky vend të shkëlqejë”, ka
thënë ajo.
Ajo ka kujtuar brezat
që punuan për lirinë e vendit dhe pavarësinë.
Osmani e ka kujtuar
edhe ish-presidentin Ibrahim Rugova derisa e ka quajtur ikonë të shtetit.
“Kujtojmë heronjtë
tanë që sakrifikuan gjithçka, kujtojmë familjen Jashari që u sakrifikua e u bë
dritë për ne dhe gjithë brezat që vijnë. Kujtojmë të gjithë dëshmorët dhe
heronjtë. Mendojmë çdo ditë e çdo natë bashkë me nënat e të pagjeturve.
Kujtojmë të gjithë martirët”, ka thënë ajo.
Osmani thotë se
rrugëtimin deri në pavarësi e bënë bashkë me miqtë ndërkombëtarë.
“Ne sot i lusim ata që
të qëndrojnë bashkë me ne e pranë nesh në jetësimin e vullnetit të qytetarëve,
në zhvillimin ekonomik e integrimin evropian. U jemi mirënjohës SHBA-së me të
cilët ruajmë miqësi të hershme e të përhershme”, ka thënë ajo.
E para e Kuvendit ka
thënë se pavarësia e Kosovës e ka vulosur fatin e vendeve të rajonit.
“Qytetarët sot
ëndërrojnë për zhvillim ekonomik. Së bashku me institucionet e vendit duhet t’i
përmbushim dëshirat e tyre. Sot Kosova është e vendosur më shumë se kurrë që të
integrohet në bashkësinë e popujve evropian. Ne do ta thellojmë përpjekjen për
shtetndërtim, prandaj sot na duhet një patriotizëm institucional. Sot duhet të
zotohemi që ta forcojmë shtetin e Kosovës, të zotohemi që do të mbrojmë çdo
pëllëmbë të Kosovës dhe të dëshmojmë që 17 shkurti është i pakthyeshëm e i
pacenueshëm”, ka thënë ajo.
Pas përfundimit të fjalës së kryeparlamentarës, Kuvendi i Kosovës ka mbyllur punimet. / Koha.net / KultPlus.com
Shpërbërja e ish-Jugosllavisë vlerësohet se filloi në Kosovë dhe mbase me Kosovën edhe po përmbyllet. Vitet 1988-89 shënuan protesta masive të shqiptarëve kundër politikës represive të Serbisë ndaj Kosovës.
Shpallja e pavarësisë së Kosovës dhe njohja e saj ndërkombëtare, në Prishtinë konsiderohen si datat më të rëndësishme të historisë së deritashme të Kosovës. Përpjekjet e kosovarëve dhe popullatës shumicë për liri datojnë për një shekull, përderisa përpjekjet për krijimin e një shteti të pavarur datojnë për një kohë të gjatë, por ato kanë marrë forma më konkrete të organizimit nga fundi i viteve të 80-ta dhe fillimi i viteve të 90-ta. Atëherë, kur edhe filloi shpërbërja e ish-Jugosllavisë.
Madje, edhe vetë shpërbërja e ish-Jugosllavisë vlerësohet se filloi në Kosovë dhe mbase me Kosovën edhe po përmbyllet. Vitet 1988-89 shënuan protesta masive të shqiptarëve kundër politikës represive të Serbisë ndaj Kosovës, që kulmoi me suprimimin e autonomisë, që Kosova gëzonte në ish-Jugosllavi.
Muaji shkurt i vitit 1989 u karakterizua me grevën e minatorëve të kompleksit Trepça, në mbrojtje të pozitës kushtetuese të Kosovës. Greva e minatorëve besohet se lëkundi themelet e ish-Jugosllavisë.
Më 23 mars 1989, në Kuvendin e Kosovës, në kundërshtim me vullnetin e qytetarëve, ndryshohet Kushtetuta e vitit 1974, me çka suprimohet autonomia e Kosovës në Federatën Jugosllave, duke e lënë Kosovën si një pjesë përbërëse të Serbisë. Suprimimi i autonomisë pasoi pushtimin e Kosovës me mijëra policë e ushtarë serbë, duke e vënë popullatën shumicë nën masa represive dhe aparteidi.
Pavarësisht represionit, më 2 korrik të vitit 1990, Kuvendi i Kosovës shpalli deklaratën kushtetuese që e definonte Kosovën Republikë. Nënkryetari i Kuvendit të atëhershëm të Kosovës, Iljaz Ramajli, thotë se deklarata e pavarësisë u pasua edhe me nxjerrjen e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, më 7 shtator të vitit 1990 në Kaçanik.
“Ne ishim të vetëdijshëm se do të ketë një kundër-reaksion të Serbisë, pasi që ajo nuk zgjedhte mjete për t’i realizuar qëllimet e veta. Shumë shpejt, më 5 korrik, Kuvendi i Serbisë, me një ligj anti-kushtetues dhe pa të drejtë, pa bazë kushtetuese, suspendoi Kuvendin dhe e ndali punën e Qeverisë së Kosovës”, tha Ramajli.
Me fillimin e shpërbërjes së Jugosllavisë, Kosova organizoi edhe referendumin për pavarësi e sovranitet, të mbajtur në shtatorin e vitit 1991. Nga ky moment, në Kosovë instalohet sistemi i organizimit paralel, që pasoi zgjedhjet e mbajtura jashtë sistemit juridik serb, në të cilat Rugova zgjidhet president i Republikës së Kosovës dhe formon qeverinë në ekzil, të udhëhequr nga kryeministri Bujar Bukoshi. Por, kjo Republikë dhe kjo qeveri nuk gëzuan njohje ndërkombëtare, sado që në Kosovë kishin një përkrahje masive.
Rugova udhëhoqi rezistencën paqësore të shqiptarëve të Kosovës kundër regjimit serb dhe punuan në sensibilizimin e opinionit botëror dhe qeverive më me ndikim në botë për problemin e Kosovës. Atë kohë, Rugova kishte konceptuar politikën e tij të rezistencës pasive e me mjete paqësore.
“Ne jemi parti politike dhe njëherë më shumë punojmë me fjalë, sepse ende nuk kemi pushtet. E natyrisht, po të ishim në pushtet, këto çështje do t’i zgjidhnim në mënyrën më pozitive, më të mirë, do të kishim mundësi edhe fizikisht t’i ndalim forcat e tjera, edhe presionin që bëhet këtu në Kosovë”, tha Ibrahim Rugova, në fillimvitet e 90-ta.
Politika paqësore e Rugovës dhe LDK-së filloi të kritikohet nga vitet 1995 e tutje. Sidomos, pas Konferencës së Dejtonit, në vitin 1995, kur u arrit marrëveshja për ndërprerjen e luftës në Bosnje dhe Hercegovinë dhe Kosova u la anash, në Kosovë filluan të formohen grupe ushtarake guerile, që në vitin 1997 do të rezultojnë me paraqitjen publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Që nga themelimi i UÇK-së, kemi pasur si objektivë kryesore çlirimin e vendit dhe në kuadër të kësaj, përpos angazhimeve tona operative, mbi të gjitha ka qenë që ne të shënojmë një triumf politik, diplomatik dhe ushtarak ndaj Serbisë”, thotë kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, atëherë shef i Drejtorisë Politike të UÇK-së.
Ndonëse në raste, politika pacifiste e Rugovës dhe ajo militare e UÇK-së nuk kishin pika të përbashkëta bashkëpunimi, synimi ishte i njëjtë – çlirimi i Kosovës nga Serbia dhe ndërtimi i Kosovës – shtet të pavarur e sovran. Me intensifikimin e luftimeve në Kosovë, shtohet edhe numri i vrasjeve e masakrave, që forcat ushtarake dhe paraushtarake të Serbisë kryeninin mbi popullatën civile shqiptare.
Më 1 tetor të vitit 1997, Lëvizja Studentore organizon një protestë masive, e cila i dha një dimension të ri politik zhvillimeve në Kosovë.
Më 5 mars të vitit 1998, forcat serbe sulmojnë fshatin Prekaz i Ulët, ku vrasin Adem Jasharin, figurën që për shqiptarët nënkupton komandantin legjendar të UÇK-së.
Vrasjet dhe masakrat e shumta kulmojnë më 15 janar të vitit 1999, kur forcat serbe ekzekutojnë 45 civilë shqiptarë në Reçak. Ish-shefi i Misionit Mbikëqyrës të OSBE-së në Kosovë, Villiam Volker, doli botërisht dhe e tha se ajo ishte një masakër. Nga ky moment, Uashingtoni kërkoi nga NATO-ja dhe evropianët të përgatiten për organizimin e një konference paqësore për Kosovën. Dhe ajo ndodhi, në Rambuje, afër Parisit.
Për herë të parë, LDK dhe Rugova në njërën anë dhe UÇK-ja dhe udhëheqësit e saj në anën tjetër, bashkohen në një delegacion kosovar. Më 6 shkurt fillon Konferenca e Rambujesë dhe ajo mbaron më 23 shkurt pa rezultate përfundimtare. Kështu që thirret vazhdimi i saj për datën 15 mars në Paris. Ndërkohë, delegacioni politik e ushtarak i Kosovës nënshkruan Marrëveshjen e Rambujesë, pala serbe refuzon ta nënshkruajë. Me këtë veprim, hapet rruga për ndërhyrjen ushtarake të NATO-s në Kosovë.
Hashim Thaçi e vlerëson si kthesë Konferencën e Rambujesë.
“Ishte një konferencë shumë e rëndësishme, shumë vështirë për ata që morën pjesë në të dhe ata që zhvilluan kontakte me diplomatë gjatë kësaj konference”, rikujton Thaçi.
Nga 24 marsi deri më 10, përkatësisht 12 qershor të vitit 1999, fillon historia e re e Kosovës. NATO vihet në luftë duke bombarduar caqet ushtarake serbe deri në çlirimin e Kosovës. Por, gjatë kësaj kohe, popullata shqiptare përjetoi një prej etapave më të vështira, duke u përballur me një dhunë brutale të forcave serbe.
Sidoqoftë, më 10 qershor të vitit 1999, Millosheviqi nënshkruan kapitullimin dhe NATO fund në Kosovë. Ndërkohë që Këshilli i Sigurimit, në bazë të një kompromisi ndërmjet perëndimit e Rusisë, miraton Rezolutën 1244, me të cilën vendoset Misioni administrues i Kombeve të Bashkuara në Kosovë. Nga kjo periudhë, në Kosovë fillon të ndërtohet gjithçka nga fillimi.
Nën administrimin ndërkombëtar, në Kosovë mbahen tri palë zgjedhje në të dyja nivelet. Pas zgjedhjeve të 17 nëntorit të vitit 2001, më 4 mars të vitit 2002, Kosova formon qeverinë e parë dhe zgjedh presidentin dhe kryeministrin. Por, ndonëse shumë kush ka pritur që Kosova për 3 vjet të UNMIK-ut do të pavarësohet, kjo nuk ndodhi. Kosovës iu deshën afër nëntë vjet për të marrë mbështetjen e plotë ndërkombëtare, duke përjashtuar këtu Rusinë, që të kthehet dhe të formojë një shtet të pavarur, por të mbikëqyrur ndërkombëtarisht.
Më 28 shtator të vitit 2005, me kërkesën e ndërkombëtarëve dhe me miratimin e presidentit Rugova, Kuvendi i Kosovës formoi Ekipin Negociator për statusin. Ishte presidenti Rugova, ai i cili në vazhdimësi kërkonte që Kosova të njihet si shtet i pavarur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet tjera evropiane, duke besuar se Kosova dhe Serbia nuk mund të gjejnë kurrë marrëveshje mes vete.
Gjithsesi, një dëshirë që sa më shpejt Kosova të jetë një vend i pavarur dhe sa më shpejt të integrohet në Bashkimin Evropian dhe në strukturat euro-atlantike. Pra, sa më shpejt të bëhet njohja formale e pavarësisë së Kosovës”, ishte fraza aq shumë e përsëritur nga presidenti Rugova.
Pas një sëmundjeje të rëndë, presidenti Rugova ndërron jetë më 21 janar të vitit 2006.
Pasardhës i tij në këtë post, vjen Fatmir Sejdiu, po nga LDK-ja. Negociatat Prishtinë – Beograd, nën ndërmjetësimin e bashkësisë ndërkombëtare vazhdojnë, por ato nuk sjellin marrëveshje.
I dërguari i posaçëm i Kombeve të Bashkuara në bisedime, presidenti Martti Ahtisaari, propozon një plan gjithëpërfshirës për statusin e Kosovës, duke rekomanduar pavarësinë e mbikëqyrur për Kosovën, me prani civile e ushtarake ndërkombëtare. Prishtina e pranoi, ndërkaq Beogradi e refuzoi këtë plan. Si konsensus ndërkombëtar, procesi negociues fitoi edhe katër muaj kohë për një zgjidhje kompromisi, nën ndërmjetësimin e Treshes, SHBA-të, BE-ja dhe Rusia. Por, as kësaj radhe nuk u arrit marrëveshja.
Kosova kërkon pavarësi, kurse Serbia ofron autonomi. Përpjekjet ndërkombëtare nuk rezultojnë as me zëvendësimin e Rezolutës 1244 për t’i hapur rrugën pavarësisë së Kosovës përmes Kombeve të Bashkuara, për shkak se Rusia kërcënoi me veto në Këshillin e Sigurimit. Por, pas një interpretimi nga ekspertët evropianë, doli se Rezoluta 1244 ka bazë juridike për shpalljen e pavarësisë dhe largimin e misionit të Kombeve të Bashkuara dhe vendosjen e një misioni civil të Bashkimit Evropian.
I gjithë procesi u dakordua me Prishtinën dhe u miratua shpallja e koordinuar e pavarësisë ndërmjet Uashingtonit, Brukselit dhe Prishtinës, sipas planit të Ahtisaarit. Kështu, Bashkimi Evropian miraton dërgimin e misionit civil në Kosovë për të mbikëqyrur zbatimin e pakos së Ahtisaarit dhe për të siguruar sundimin e ligjit në shtetin më të ri të familjes evropiane.
Pas këtij hapi, Kosova shpall pavarësinë më 17 shkurt të vitit 2008. / KultPlus.com
Nën moton “Rrënjët nuk humben, ato kultivohen” Universiteti Popullor Shqiptar në Gjenevë kremtoi me një pritje festive 11-vjetorin e pavarësisë së Kosovës.
E veçanta e kësaj pritje ishte prania e grupit “Vëllezërit arbëreshë”, të ftuar enkas nga UPSH, në shenjë falënderimi për ruajtjen e gjuhës e kulturës arbërore në diasporë.
Publiku i shumtë në sallë, me banim në Zvicër, shihte te përfaqësuesit arbëreshë vetveten, me problemet e largimit nga atdheu, të përpjekjeve të vazhdueshme për ruajtjen e gjuhës dhe trashëgimisë kulturore, me dekadat e largimit, me brezat që lindin e rriten në diasporë, me dilemën e kthimit, me pakënaqësitë për mirënjohje për kontributin e dhënë, me zhgënjimet e vazhdueshme dhe me paradoksin e dashurisë së pamasë për vendin me brenga.
Arbëreshët fillimisht vizituan misionin e Shqipërisë në Gjenevë, ku u pritën nga ambasadorja shqiptare në OKB, Ravesa Leshi, për të vazhduar më pas me pritjen e qindra mërgimtarëve në sallën “Gandi” në qendër të Gjenevës dhe në mbyllje me një vizitë në Konsullatën e Kosovës në Gjenevë, ku u pritën nga konsulli i saj i përgjithshëm, Ramadan Avdiu.
Të pranishëm ishin po ashtu edhe personalitet të larta të botës shqiptare e zvicerane, nga fusha e artit, shkencës e politikës.
Deputeti i Parlamentit të Zvicrës, Carlo Sommaruga, theksoi në fjalën e tij se në këtë përvjetor vlen të përkujtojmë rolin e Zvicrës në pavarësinë e Kosovës.
Ai u shpreh se ndihet i nderuar kur në arenën politike zvicerane ka gjithnjë e më shumë të zgjedhur me origjinë shqiptare.
Ambasadori Ilir Gjoni, në fjalën e tij tha se “Kosova e fitoi betejën e luftës, tani i mbetet të fitojë betejën e paqes”. Ai vlerësoi lart rolin e mërgatës duke vendosur paralele simbolike midis arbëreshëve dhe diasporës së sotme.
Kënga qytetare e interpretuar me mjeshtëri nga Mimoza Nazarko dhe trio e muzikantëve, tingujt dhe këngët e bukura të rapsodëve të Gjenevës, sollën një muze etnografik në miniaturë që i paraprinë fuqisë dhe haresë së këngës arbëreshe./k.s/KultPlus.com
Qeveria e Kosovës në mbledhjen e radhës ka ndarë 500 mijë euro për shënimin e 11-vjetorit të Pavarësisë.
Kryeministri Ramush Haradinaj tha se këto mjete do të ndahen
nga kategoria e shpenzimeve rezervë, raporton Ekonomia Online.
“Propozoi që të ndahen mjete 500 mijë euro nga kategoria e
shpenzimeve rezerve dhe të transferohen në MKRS”.
Kryeministri gjithashtu ka njoftuar lidhur me aktivitetet
për ditën e Pavarësisë.
“Ju ftoj në një takim të dielën, dita e pavarësisë fillon
këtu. Pastaj dalim në një homazh, të gjitha institucionet kanë bërë një agjendë
shtetërore”.
“Ju lus që me 17 shkurt në ora 08:00 do të takohemi në këtë
sallë, nuk do të mbaj ndonjë fjalim të gjatë”.
Për shënimin e kësaj dite me 16 dhe 17 shkurt janë
parashikuar nj varg aktivitetesh.
Të shtunën bëhet nisja e Deklaratës së Pavarësisë nga
Objekti i Qeverisë për në 7 qendrat kryesore të Republikës së Kosovës:
Prishtinë, Mitrovicë, Pejë, Prizren, Gjilan, Gjakovë dhe Ferizaj.
Gjithashtu bëhet vendosja e punimeve artistike “Simbolet e
Pavarësisë” në sheshin “Skënderbeu”.
Kurse në sheshin “Adem Jashari” bëhet hapja e Panairit të
produkteve vendëse.
Në të gjitha rrethet kryesore te kryeqytetit do të vendoset
flamuri shtetëror.
Kurse më 17 shkurt në ora 08:00 do të mbahet mbledhja
festive e Qeverisë. Kurse në ora 08:30 bëhet ngritja solemne e Flamurit të Republikës
së Kosovës.
Në ora 08:45 vendosjen kurora lulesh te shtatorja e ish
Presidentit, Dr. Ibrahim Rugova.
Në ora 09:45 vendosen kurora nga Presidenti, Kryetari i
Kuvendit, Kryeministri dhe Gjenerallejtënant Rrahman Rama në kompleksin
memorial “Adem Jashari”.
Për në ora 10:45 është planifikuar mbajtja e seancë solemne
për nder të 11-vjetorit të pavarësisë.
Për në ora 12:20 është paralajmëruar parakalimi i Trupave të
Forcës së Sigurisë së Kosovë, raporton EO.
Një koncert për paralajmëruar për në orën 19:30. /KultPlus.com
Në kuadër të 10-të vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, Ambasada e Francës në Kosovë dhe Ambasada e Kosovës në Francë po bashkëpunojnë për të promovuar një program të përbashkët të ngjarjeve kulturore që tregojnë lidhjen dhe miqësinë mes dy vende, shkruan KultPlus.
Ky program përfshinë komplet vitin 2018-të, ku janë të përfshira ngjarjet të cilat Ambasada e Francës në Kosovë i përkrah. Ndërsa në Francë në shumicën e muajve të vitit 2018-të, do të ketë nga një ngjarje nga Kosova.
Po shpalosim këtu ngjarjet që nga Kosova shkojnë në Francë:
Kësisoj më 17 shkurt në Paris të Francës të ketë një “Teleportim-Prishtina në Paris” ku do të instalohen dy ekrane të mëdha publike. Në mars do të prezantohet ekspozita e Jakup Ferrit dhe do të mbahet “Pranvera e Poetëve”. Në maj do të prezantohet Trupa e Baletit Kombëtar të Kosovës me një shfaqje ndërsa Kosova do të jetë edhe në Festivalin e Kanës. Në Qershor në Annecy do të mbahet Festivali i Filmit të Animuar. Shtatori në Paris do ta dërgoj Mini-Dokufest-in, ku do të shfaqen filma të përzgjedhur të metrazhit të shkurtër. Tetori nga Kosova në Francë do të dërgoj festivalin e shijes ndërsa krejt në fund muaji nëntor do të ketë një koncert nga Blerta Kosova, BiCalko dhe Tandem.
Programi i përbashkët vjetor i Ambasadave është gjithashtu një mundësi për të promovuar, për publikun e të dy vendeve, aktivitete të cilësisë të lartë, të hapura për të gjithë dhe të theksohen pikat e kontaktit mes qarqeve kulturore dhe qytetarëve të të dy vendeve./ KultPlus.com