Inaugurohet Pavijoni i Kosovës në Bienalen e Venedikut për vitin 2021

Sot u bë inaugurimi solemn i Pavionit të Republikës së Kosovës në Ekspozitën e 17 Ndërkombëtare të Arkitekturës në Bienalen e Venedikut.

Në këtë edicion Republika e Kosovës përfaqësohet nga artisti dhe arkitekti i mirënjohur Maksut Vezgishi, me projektin “Conteinporary”, ideuar dhe kuruar bazuar në temën e përgjithshme të Bienales “How will we live together”. Sipas autorit të veprës ‘CONTAINER’ është një ‘objekt’ i madh i hapur, i destinuar për ngarkimin e ‘PËRMBAJTJEVE’ të ndryshme.

Ka formë, funksion dhe dizajn të jashtëzakonshëm. Ndodhet në çdo komunë. Rreth këtij kontejneri mbetet i hapur peizazhi i ndërtesave të ndërtuara për të qenë të përjetshme.

Specifikat që ofrojnë ‘MUNDËSITË E REJA’ të përdorimit, hapësirat për eksperimentimin, socializimin, reflektimin, aktivizmin, shpresën, idetë e reja, fantazitë dhe qëllimet…

Kuratori dhe autori i ekspozitës, Maksut Vezgishi vë theksin në emërtimin e instalacionit të titulluar “Containporary”, duke e ndarë në togfjalshin “container” dhe “contemporary” me aludimin në të përditshmen bashkëkohore.

Në ceremoninë e inagurimit ishin prezent Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Ceku, i shoqëruar nga Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, z. Liburn Aliu, si dhe Ambasadorja e Republikës së Kosovës në Romë, znj. Lendita Haxhitasim.

Ata vlerësuan lartë përfaqësimin dinjitoz të Kosovës në skenën kulturore ndërkombëtare dhe theksuan se Institucionet e Republikes së Kosovës mbeten të përkushtuara në përkrahjen e punës së artistëve në promovimin e kulturës dhe artit kosovar në rrafshin global.

Pavijoni i Kosovës për publikun do të qëndrojë i hapur nga 22 maj 2021 deri më 21 Nëntor 2021.

Më poshtë gjeni linkun e Pavijonit të Republikës së Kosovës. / KultPlus.com

https://kosovopavilion17th.com/?fbclid=IwAR2Pcn0n8IO2aXlM6PszA7OwbbB8BBI9FHAE922QMfOE9J7v3ATXeRkOdwA