Ministri Çeku: Krenari pa fund të shohim punën e artistit Jakup Ferri dhe paraqitjen dinjitoze të Kosovës

Kosova ka hapur zyrtarisht Pavijonin në Bienalen Ndërkombëtare të Artit në Venecie.

Me instalacionin “Monumentaliteti i Përditshmërisë” të artistit Jakup Ferri, Kosova prezantohet sivjet në ngjarjen më të madhe në botë të artit bashkëkohor.

Në edicionin e sivjetmë, të 59-in me radhë, Kosova merr pjesë për herë të pestë në Bienalen Ndërkombëtare të Artit. Pavijoni i shtetit më të ri të Evropës është krahas atij të Ukrainës që paraqitet me ngjyra të zymta.

Me këtë rast, i pranishëm në hapjen e Pavijonit të Kosovës ishte edhe ministri Hajrulla Çeku i cili nëpërmjet një postimi në rrjetet soicale ka përgëzuar artistin Ferri për punën e tij.

Më poshtë gjeni postimin e plotë të tij:

Në një mjedis plot energji pozitive dhe shumë pjesëmarrës, sot hapëm për vizitorë nga mbarë bota pavijonin e Kosovës në Bienalen e Venecias.

Krenari pa fund të shohim punën e artistit Jakup Ferri dhe paraqitjen dinjitoze të vendit tonë në një prej ngjarjeve më të mëdha ndërkombëtare të artit. Hapësira plot jetë e pavijonit ku gjithçka brenda tij është e punuar dhe kuruar deri në detajin e fundit po tërheq vëmendjen e shumë vizitorëve dhe ky fakt na gëzon shumë.

Përgëzime artistit Jakup Ferri, kuratores Inke Arns, komisioneres Alisa Gojani Berisha dhe gjithë ekipit për punën që kanë bërë në prezantimin e vlerave të krijimtarisë sonë artistike. / KultPlus.com