Kruja një destinacion turistik i mirënjohur tashmë për vizitorët, jo vetëm vendas por edhe të huaj, vijon të ngjallë interes për shkak të mjaft vendeve interesante për t’u vizituar. Një prej tyre është pazari karakteristik i Krujës që shtrihet në të dy anët e rrugës së shtruar me kalldrëm që të çon drejt kalasë. Nga vendasit njihet ndryshe me emrin Pazari i Derexhikut.
Ky pazar ka funksionuar që prej kohës së Skënderbeut në shek XV, kur dyqanet e tij arrinin deri në hyrje të kalasë. Pazari i ka rezistuar sundimit 500 – vjeçar turk dhe është restauruar në kuadër të 500 vjetorit të lindjes së Skënderbeut.
“Shqipëria është plot me vende magjike, e destinacione të reja për tu vizituar”, thekson Agjencia Kombëtare e Turizmit, duke publikuar fakte për këtë Pazar dhe Krujën si qytet, emri dhe rëndësia e të cilit lidhen ngushtësisht me 25 vitet e aktivitetit të heroit tonë kombëtar, Skënderbeut.
Skënderbeu e bëri Krujën në shekullin e pesëmbëdhjetë një bastion të rezistencës kundër osmanëve. Muzeu i Gjergj Kastriot Skënderbeut ndodhet brenda mureve të kështjellës, që datojnë në shekujt e pestë dhe të gjashtë.
Vetë muzeu është inauguruar në vitin 1981. Brenda mureve të kështjellës ndodhet po ashtu edhe Muzeu Etnografik. /atsh / KultPlus.com