Balerini dhe koreografi i njohur shqiptar Eno Peçi është figura e edicionit të shtatë të mbrëmjes artistike “Ta zbardhi ftyrën”, mbrëmje kjo që organizohet nga gazeta online për art dhe kulturë “KultPlus”, e që do të mbahet sonte në Teatrin Oda, duke filluar nga ora 20:00.
Biletat mund t’i gjeni në linkun më poshtë:
https://ticketing.festtix.co.uk/events/ta-zbardhi-ftyren-edicion-i-shtate-eno-peci
“Ta zbardhi ftyrën” këtë vit do të shënojë edicionin e shtatë, dhe ky edicion do të ketë emocione skenike me balerinin shqiptar Eno Peçin, balerin që shkëlqen nëpër shumë skena të mëdha të teatrove prestigjioze, duke u prezantuar edhe si balerin por edhe si koreograf shumë i suksesshëm.
Mbrëmja e veçantë e “Ta Zbardhi Ftyrën” që ka për qëllim prurjen e artistëve shqiptarë nga vende të ndryshme të botës, përpos bashkëbisedimit audienca do të ketë rast që për së afërmi të përjetojë edhe magjinë skenike të këtyre artistëve, e që këtë vit do të kenë rastin të dëgjojnë rrëfimin e balerinit Eno Peçit, por që të shijojnë edhe performancën e tij të jashtëzakonshme.
Ardianë Pajaziti, drejtoreshë e KultPlus dhe organizatore e kësaj mbrëmje të madhe artistike është shprehur të jetë e lumtur që për gjithë këto vite janë prezantuar emra kaq të mëdhenj nga skena të mëdha botërore, e që nëpër vite, protagonistë të këtyre mbrëmjeve kanë qenë: Sislej Xhafa, Imer Kutllovci, Flaka Goranci, Erza Muqolli, Gjon’s Tears, Gëzim Myshketa dhe Elbenita Kajtazi.
“Eno Peçi vetëm sa po e vulos edhe më tutje rëndësinë e kësaj mbrëmje artistike, e që nëpër vite ka pas figura dhe profile shumë të rëndësishme, që janë inspirim për shumë artistë të rinj, që nëpërmjet kësaj mbrëmje mund të marrin edhe shkëndijat skenike”, ka thënë Pajaziti.
Ajo është shprehë tejet e vlerësuar që bashkë me ekipin e KultPlus po sjellin artistë të këtij kalibri, gjithnjë duke pas parasysh agjendat e tyre të stërmbushura.
Eno Peçi është balerin në Operën Shtetërore të Vjenës dhe është balerini i parë shqiptar që ka performuar në koncertin e përvitshëm të Filharmonisë së Vjenës që prezantohet më 1 janar. Është i dekoruar me Dekoratat: “Kalorës i urdhrit të Skënderbeut“, dekoratë që i është dhënë nga presidenca e Shqipërisë dhe “Kurora e Nderit të Austrisë për Shkencë dhe Art”, titull që i është ndarë në vitin 2019.
Edicioni i sivjetmë i “Ta Zbardhi Ftyrën” mbështetet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Radio Telvizioni Publik i Kosovës dhe Ujë Rugove./ KultPlus.com