Duajeni i muzikës së vjetër qytetare, Ismet Peja

Ismet Peja ishte këngëtar i këngëve të vjetra qytetare. Ai u lind më  27 Prill 1937.

Me muzikë filloi të merrej qysh në fëmijëri, prej moshës 13-14 vjeçare duke vazhduar ta pasurojë melosin shqiptar deri në vitet e fundit të jetës së tij.

Shoqëria muzikore e asaj kohe “Hajdar Dushi” ishte institucion i cili i hapi dyert e sukseseve të mëvonshme, duke pasur prezantime të shumta në TVP dhe Radio Prishtinë.

Albumi i tij i parë doli në vitin 1986 me orkestrën e “Hajdar Dushit”. Ismet Peja ka të publikuara një numër të madh të albumeve muzikore dhe 4 videokaseta. Përderisa në vitin 2005 nxori një album me djalin e tij, këngëtarin Visar Peja.

Disa këngë me të cilat interpretoi përgjatë viteve janë: Errësinë e pyllit, Sarajeva shehër i bukur, Gazel, Në muzeun historik, Dal e dal po vjen behari, 30 ditë në Ramazan, Fustani me pika, Un e qeli deren hej un e msheli derën, Këngë për Anton Çettën, Dy dele – 300 pare, M`kanë thanë shoqet mramë, M`ka shkue djali në Gjermani, Po të lutem shoku im, Seç po punojshin tre vllazën, Mori Shkodër -Shkodra jonë etj.

Ai vdiç më 23 Nëntor 2020, në moshën 83 vjeçare./KultPlus.com

‘Sillu, sillu botë e vjetër’ (VIDEO)

Ismet Peja është këngëtar shqiptar i këngëve të vjetra qytetare, dhe konsiderohet si kultivues i melosit shqiptar. Ai ka lindur në Gjakovë dhe me muzikë  ka filluar të merret prej moshës 13 vjeqare, ku sukseset më të mëdha të tij i arriti me shoqërinë muzikore ‘Hajdar Dushi’, me të cilën pati prezantime të shumta në TVP dhe Radio Prishtinë.

KultPlus ju sjell interpretimin e këngës ‘Sillu sillu botë e vjetër’:

Sillu, sillu botë e vjetër
Ty t’ka beku’ Perëndija.
I: Zoti asht nji, s’bohet tjetër
E beson gjithë njerëzia. :I
Ka motmot e disa muej
Kemi pasë dashni të randë
Tash do t’i kallxoj gjithkuej
Vet je ikë e më ke lanë!
Tridhet ditë të Ramazanit
As s’kam hongër, as s’kom pi
Kur t’vjen dita e Bajramit
Bashkë me lalën do t’shkojmë n’xhami.
Moj raki, raki e rrushit
Ti qi m’piqesh n’kazan t’prushit.
Moj raki moj bukuroshe,
E çon lalën qoshe m’qoshe.
Mora vesh se t’kanë fejue
Nji gjysëm ore larg shtëpisë.
Të lutem mos me i harrue
Kujtimet e beqarnisë./KultPlus.com

Me ‘besa-besë’ para 125 viteve filloi Lidhja e Pejës

Në fund të shekullit 19-të tokat e banuara me shqiptarë u vunë përsëri në rrezik kur fqinjët ballkanikë të shqiptarëve filluan aktivisht të ndeshen për të marrë pjesë nga territori i Maqedonisë, kontest që do të shpinte drejt Luftërave Ballkanike. Territori i Kontestueshëm përfshinte edhe katër vilajetet shqiptare. Patriotët shqiptar filluan përgatitjet për krijimin e një organizate të re për t’iu bërë ballë këtyre rreziqeve në vjeshtën e vitit 1896.

Takimi i parë u mbajt në mars 1897 në Gjakovë kur u krijua Besëlidhja Shqiptare. Në nëntor u mbajt edhe një takim tjetër në Pejë ku morën pjesë 500 veta pas së cilës Stambolli intervenoi dhe shpërndau Besëlidhjen. Në këto rrethana të ndërlikuara rifilluan përpjekjet e atdhetarëve shqiptarë për bashkimin e gjithë popullit dhe për krijimin e një lidhjeje të re, e cila, sipas shembullit të Lidhjes së Prizrenit, do t’i udhëhiqte shqiptarët në luftën për mbrojtjen e tërësisë tokësore të Shqipërisë dhe për çlirimin e saj.

Vatër e përpjekjeve të tilla për formimin e një lidhjeje të re, ashtu si në vitet e Lidhjes së Prizrenit (1878-1881) edhe tani, më 1899, u bënë përsëri qytetet e vilajetit të Kosovës dhe sanxhaku i Dibrës, të cilat kërcënoheshin drejtpërdrejt nga qarqet shoviniste të Serbisë, të Bullgarisë e të Malit të Zi. Lidhja e re shqiptare u krijua pas një pune të madhe përgatitore, organizative e politike, që atdhetarët shqiptarë brenda vendit, të udhëhequr nga Haxhi Zeka dhe shoqëritë patriotike jashtë atdheut, sidomos ato të Bukureshtit dhe Komiteti Shqiptar i Stambollit bënë në fundin e vitit 1898 dhe në janar të vitit 1899.

Gjatë kësaj kohe u mbajtën mbledhje të gjera të përfaqësuesve të popullsisë së qyteteve e të rrethinave, si në Pejë, në Mitrovicë, në Prishtinë, në Vuçiternë, në Drenicë e në qendra të tjera të vilajetit të Kosovës, ku shqiptarët dhanë besën dhe shprehën gatishmërinë për të formuar lidhjen. Këto mbledhje të njëpasnjëshme të popullsisë shqiptare, si edhe letërkëmbimi i dendur i Haxhi Zekës me qendrat e ndryshme të vilajetit të Kosovës, të Shkodrës, të Manastirit e të Janinës, tregojnë se organizatorët e Lidhjes kishin ndërmend të thërrisnin një kuvend të përgjithshëm shqiptar, ku të merrnin pjesë delegatë nga të gjitha krahinat e Shqipërisë dhe të të gjitha besimeve, myslimanë, katolikë e ortodoksë. Edhe përfaqësuesit e popullsisë së Shkodrës, të Dibrës, të Prishtinës, të Pazarit të Ri, si edhe të Shqipërisë së Jugut , kërkonin që të thirrej sa më shpejt kuvendi që po përgatitej pë r organizimin e shqiptarëve në një lidhje të përgjithshme, transmeton kosovapress.

Në këtë periudhë përgatitore udhëheqësit e lëvizjes shqiptare përcaktuan edhe programin e këtij kuvendi, i cili, i përpunuar tanimë që në kohën e Lidhjes së Prizrenit (1878-1881) dhe në memorandumet shqiptare të viteve 1896-1898 përmbante dy çështje themelore: ruajtjen e tërësisë territoriale të vendit dhe formimin e një Shqipërie autonome, ku të përfshiheshin të katër vilajetet shqiptare.

Fryt i këtyre përpjekjeve ishte thirrja e Kuvendit Kombëtar Shqiptar, i cili i zhvilloi punimet e tij në Pejë më 23-29 janar të vitit 1899, ku morën pjesë përfaqësues të parisë dhe të popullsisë së vilajetit të Kosovës, si dhe përfaqësues të veçantë të vilajeteve të Manastirit e të Janinës. Këtu u shpall formimi i lidhjes së re shqiptare që, sipas shembullit të Lidhjes të Prizrenit të vitit 1878, u quajt Lidhja e Pejës. Kryetar i Kuvendit dhe i Komitetit drejtues të Lidhjes u zgjodh Haxhi Zeka.

Kuvendi i zhvilloi punimet e tij në formën e mbledhjeve të ngushta, ku merrnin pjesë një numër i vogël delegatësh, ose duke organizuar tubime të gjera, me 450-500 pjesëmarrës, përfaqësues të shtresave të ndryshme të popullsisë së vilajetit të Kosovës dhe të vilajeteve të tjera shqiptare. Ndërsa 36 delegatët, që gëzonin të drejtën e votës, vinin nga qytetet e vilajetit të Kosovës dhe ishin përfaqësues të shtresave të mesme qytetare e fshatare, mësues të shkollave gjysmë të mesme dhe të medreseve turke, nëpunës të administratës lokale, çifligarë të mëdhenj, nëpunës të lartë, klerikë etj.

Midis tyre ishin Haxhi Zeka, Halil Hasan pashë Begolli, Myderiz Ismaili, Myderiz Abdullahu, Myfti Salihu, Bajram Curri, Myderiz Mehmet Hamdiu, Mehmet Aqifi, Zenel Beu, Ali pashë Draga nga Rozhaja, Ismail Haki pashë Tetova, Abdyl Halimi, Mehmet Sherifi, Myderiz Abdyli, Naxhi Mehmet Sulejmani, Mehmet Aqifi, Mehmet Tahiri, Mehmet Murati nga Senica etj.Përveç 36 delegatëve të vilajetit të Kosovës, që kanë vënë nënshkrimet e tyre në vendimet e Kuvendit të Pejës, në këtë tubim morën pjesë edhe përfaqësues të veçantë të vilajeteve të tjera shqiptare, të Shkodrës, të Manastirit e të Janinës. Sanxhaku i Dibrës i vilajetit të Manastirit u përfaqësua nga Selim Rusi, intelektual dhe atdhetar i shquar i kësaj treve.

Mjaft delegatë nga qytetet e vilajetit të Shkodrës, të Manastirit e të Janinës, që nuk mundën të shkonin në Kuvendin e Pejës për shkak të pengesave që u nxorën autoritetet osmane, i kumtuan Kuvendit se i miratojnë vendimet e tij dhe se ruajnë të drejtën për të marrë pjesë në Lidhjen Shqiptare. Kuvendi i janarit të vitit 1899 u quajt nga organizatorët e tij si një tubim i parë, paraprak, i cili do të pasohej nga një kuvend ose kongres më i përgjithshëm shqiptar.

Kuvendi i Pejës mori vendime të rëndësishme për zhvillimin e mëtejshëm të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, siç ishin Rezoluta (Kararnameja) prej 11 pikash dhe Akti i Besës prej 12 pikash, që u miratuan në mbledhjen me dyer të mbyllura të Kuvendit më 28 janar dhe u shpallën publikisht më 29 janar 1899.Në vendimet e Kuvendit u shpall formimi i Lidhjes ose, sikurse quhej në Rezolutë, i Ittifakut dhe u vendos Besa ndërmjet shqiptarëve.

Lidhja shihej si një organizatë e përgjithshme dhe unike kombëtare, që do të bashkonte në gjirin e saj gjithë shqiptarët, gegë e toskë, myslimanë e të krishterë. Për të arritur këtë bashkim u vendos që të ndaloheshin gjakmarrjet, armiqësitë e grindjet dhe parashikoheshin dënime të rrepta si për këto, ashtu edhe për veprimet e tjera që cenonin rendin publik.

Lidhja përcaktoi si detyrë kryesore e të dorës së parë mbrojtjen e tërësisë territoriale të Shqipërisë kundër çdo orvatjeje që Serbia, Bullgaria, Mali i Zi dhe Greqia do të ndërmerrnin për copëtimin e trojeve shqiptare. Kuvendi e vuri theksin sidomos te rreziku i aneksimit të vilajeteve shqiptare të Kosovës e të Manastirit dhe shprehu gatishmërinë për të mobilizuar gjithë shqiptarët në rast se atdheu sulmohej nga cilado anë qoftë dhe veçanërisht në rast se sulmoheshin këto vilajete, që shtetet fqinje dhe Fuqitë e Mëdha i përfshinin në të ashtuquajturën Maqedoni.

Në rast lufte ishte vendosur të bëhej një ndarje e tillë e forcave shqiptare, që do të mbronin atdheun: ato të sanxhakut të Prishtinës, të Pazarit të Ri e të Dibrës do të ruanin kufijtë verilindorë kundër Serbisë, forcat e Pejës, të Plavës dhe të Shkodrës kufirin me Malin e Zi dhe ato të vilajetit të Janinës (të Shqipërisë së Jugut) do t’i kundërviheshin Greqisë.

Por në luftën për mbrojtjen e tërësisë territoriale të Shqipërisë ishte e interesuar edhe Porta e Lartë, që përpiqej të ruante paprekshmërinë e Perandorisë Osmane. Atdhetarët shqiptarë përfituan nga ky interesim i Stambollit, për ta organizuar, nëpërmjet një veprimtarie legale, popullin dhe për ta bashkuar në një lidhje të re, e cila mori përsipër mbrojtjen e tërësisë së territoreve shqiptare. Prandaj me frazat “për besnikërinë ndaj sulltanit”, “për gatishmërinë për të jetuar në suazat e pushtetit të tij”, që përfshiheshin në hyrjen e Rezolutës së Kuvendit të Pejës, drejtuesit e Lidhjes nuk kishin aspak ndërmend të përjetësonin sundimin osman në Shqipëri, por të shprehnin synimet e tyre për të mbrojtur paprekshmërinë territoriale të Shqipërisë, për të mos lejuar që ajo të kalonte nga sundimi osman, i cili ishte në kalbëzim e sipër dhe po shkonte dita-ditës drejt fundit, nën një robëri të re edhe më të rrezikshme të shteteve ballkanike ose të ndonjë prej fuqive evropiane.

Në Rezolutën e Kuvendit të Pejës bëhej një dallim i përcaktuar qartë ndërmjet Perandorisë Osmane, “shtetit osman” dhe “atdheut të shqiptarëve”, Shqipërisë. Forcat vullnetare të Lidhjes, siç thuhej në këtë dokument, do të përdoreshin pikërisht për mbrojtjen e “atdheut të shqiptarëve”, “në rast të një sulmi mbi Maqedoninë (ku shtetet ballkanike përfshinin edhe vilajetet shqiptare të Kosovës e të Manastirit) dhe mbi atdheun tonë”.

Shprehja e besnikërisë së Kuvendit ndaj fesë islame, që përfshihej gjithashtu në Rezolutë, ishte padyshim rrjedhojë e ndikimit te popullsia myslimane shqiptare e fesë islame. Nuk mund të mohohet ndikimi negativ që një deklaratë e tillë ushtronte në përpjekjet për bashkimin e shqiptarëve pa dallim feje, aq më shumë kur edhe qeveria e sulltanit nxiste fanatizmin mysliman për t’i përçarë shqiptarët. Megjithatë, këto shprehje nuk cenonin përmbajtjen themelore të Rezolutës, që mishëronte synimin e atdhetarëve për të bashkuar, nën drejtimin e Lidhjes, gjithë shqiptarët, myslimanë e të krishterë.

Prandaj edhe shtypi shqiptar i kohës e sidomos revista “Albania” e Faik Konicës, duke kundërshtuar pikëpamjet e atyre që synonin ta paraqitnin Kuvendin e Pejës si një “kongres fetar mysliman”, e quajti atë “një asamble kombëtare, që u mbajt në Shqipëri, ku u diskutua në gjuhën shqipe rreth mjeteve për mbrojtjen e truallit shqiptar, që kishte një karakter me të vërtetë kombëtar dhe do të sillte si rrjedhojë forcimin e idesë së atdheut shqiptar”. Në Kuvendin e Pejës, sidomos në mbledhjet e tij të fshehta, ashtu siç ishte parashikuar, u diskutua edhe çështja e autonomisë së Shqipërisë. U arrit në përfundimin që Lidhja të kërkonte autonominë dhe, si masë e parë drejt saj, do të ishte emërimi i Haxhi Zekës si guvernator i pavarur i Shqipërisë, që të vendosej një administratë e veçantë kombëtare dhe të formohej një ushtri shqiptare nën sovranitetin e sulltanit.

Por, nga njëra anë rreziku i jashtëm, që kërcënonte tërësinë e Shqipërisë dhe, nga ana tjetër prania në Kuvendin e Pejës, krahas ithtarëve të autonomisë të grupuar rreth Haxhi Zekës, edhe e përfaqësuesve të forcave konservatore, prosulltaniste, siç ishin Halil pashë Begolli, Zejnel Efendiu, Zajmët e Pejës, Ismail Haki pasha etj., që kundërshtonin çdo ndryshim në marrëdhëniet e shqiptarëve me Stambollin, bënë që kërkesa e autonomisë të mos formulohej haptazi e të mos përfshihej në Rezolutën e atij Kuvendi.

Megjithatë, Rezoluta e Kuvendit të Pejës e janarit të vitit 1899 shprehte synimin e shqiptarëve për të vetëqeverisur vendin e tyre, parashikonte zbatimin e masave të tilla, të cilat do të çonin gradualisht në vendosjen e një statusi autonom për katër vilajetet shqiptare.

Në Rezolutë parashikohej që Lidhja ta shtrinte veprimtarinë e vet në vilajetet shqiptare të Kosovës, të Shkodrës, të Manastirit e të Janinës, ku do të formoheshin komitetet e saj. Organizimi i Lidhjes si një institucion shqiptar, me komitetet e pajtimit dhe të sigurimit që u ngritën në qytete të ndryshme të Shqipërisë, shprehte synimet e shqiptarëve për një administrim autonom, veçanërisht për të arritur vetë bashkimin kombëtar dhe për të organizuar mbrojtjen e atdheut. Rëndësi të veçantë kishte krijimi nga ana e Lidhjes i ushtrisë shqiptare, në radhët e së cilës menjëherë pas Kuvendit hynë më shumë se 15 mijë vullnetarë. Njësi të tilla vullnetare ushtarake, të përbëra nga mijëra veta, u vendos të formoheshin edhe në kuvendet e tubimet, që u mbajtën në vilajetet e në sanxhakët e tjerë shqiptarë. U vendos që komandantët e të gjitha trupave ushtarake në Shqipëri dhe në krahinat kufitare të ishin shqiptar ë.

Në Rezolutën e Kuvendit u kërkua gjithashtu që të përqendroheshin në duart e komiteteve të Lidhjes kompetenca të tilla të organeve lokale qeveritare, si lufta kundër hakmarrjes, pajtimi i gjaqeve, ndalimi i keqbërjeve, sigurimi i qetësisë publike, dënimi i atyre që do të kryenin veprime dhune mbi qytetarët, duke përfshirë edhe nëpunësit turq që do të shtypnin popullin e do të bënin padrejtësi. Komitetet e Lidhjes do të merrnin përsipër të mbronin të drejtat e gjithë banorëve të Shqipërisë, pa dallim feje dhe krahine. Në këto kërkesa të Rezolutës shprehej haptazi synimi i Lidhjes për të përqendruar pushtetin shtetëror në duart e komiteteve të saj.

Konsulli austriak në Shkodër, Ippen, duke parë në vendimet e Kuvendit të Pejës aspiratat autonomiste të shqiptarëve, vetëm katër ditë pas përfundimit të punimeve të tij i shkruante Vjenës se ato janë të ngjashme me kërkesat e Lidhjes së Prizrenit (1878-1881) dhe se mbështeten në të njëjtin program.

Rezoluta e miratuar në Kuvendin e Pejës nuk përbën aktin e vetëm të saj. Po më 29 janar 1899, në ditën kur ky Kuvend mbylli punimet dhe shpalli vendimet e tij, një Komitet Ekzekutiv Shqiptar me qendër në Bukuresht, që ishte në dijeni të punimeve të Kuvendit të Pejës e bashkëpunonte me organizatorët e tij, botoi në gjuhën turke thirrjen “Rruga e shpëtimit është në Besa-Besën!”. Thirrja ishte hartuar nga Dervish Hima. Titulli i thirrjes, koha kur u publikua dhe përmbajtja e saj dëshmojnë se ajo ishte hartuar posaçërisht për Kuvendin e Pejës dhe përbënte në vetvete një dokument programatik të Lidhjes së re.

Ideja qendrore që zotëron në këtë dokument është ajo e bashkimit të të gjithë shqiptarëve, gegë e toskë, myslimanë e të krishterë, nën drejtimin e Lidhjes ose të Besa-Besës. “Ajo që do ta shpëtojë kombin dhe atdheun tonë, – thuhet në thirrje, – është bashkimi, një Besëlidhje e përgjithshme, një Besa-Besë”. Shtrohej si kërkesë kryesore shtrirja e Lidhjes në vilajetet e Shkodrës, të Kosovës, të Manastirit e të Janinës, “të cilët formojnë vendin që quhet Shqipëri”, kërkohej bashkimi i tyre nën drejtimin e Lidhjes, thirrja e një Kuvendi të Përgjithshëm ose e një Pleqësie, që do të miratonte një statut (rregullore) a një kushtetute të veçantë për administrimin e vilajeteve të bashkuara. Zbatimi i këtyre kërkesave do të çonte në formimin e një njësie të vetme territoriale-administrative shqiptare, të qeverisur nga vetë shqiptarët, ndërsa Lidhja do të kthehej në një organizatë të përgjiths hme, e veshur me atribute shtetërore. Ndër masat më të para dhe më të domosdoshme për kombin, që duhej të përmbushte Lidhja Shqiptare, ishte edhe hapja e shkollave shqipe dhe mbyllja e shkollave të huaja, “që qenë shndërruar në fole intrigash”, formimi i ushtrisë shqiptare ose i një garde kombëtare, pajtimi i gjaqeve, zhvillimi i bujqësisë, i transportit etj.

Zbatimi nga Lidhja i kërkesave të tilla do të çonte dora-dorës në përmbushjen e programit themelor të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, në ruajtjen e tërësisë së territoreve shqiptare dhe në bashkimin e tyre në një shtet autonom.

Megjithëse Kuvendi i Pejës i kaloi caqet e “lejuara” (shfaqi synimet e shqiptarëve për vetëqeverisjen e vendit), Porta e Lartë në ditët e para pas formimit të Lidhjes nuk guxoi të dilte haptazi kundër saj dhe nuk mori masa të menjëhershme ushtarake për shtypjen e saj. Ky qëndrim diktohej, padyshim, nga interesimi i Stambollit për mobilizimin e forcave ushtarake shqiptare në luftën kundër rrezikut të një sulmi nga jashtë mbi Turqinë Evropiane. Porta ishte e detyruar të vepronte përkohësisht kështu edhe për shkak se nuk ishte në gjendje ta shtypte menjëherë Lidhjen që mbështetej te shqiptarët e armatosur.

Por pak ditë pas mbledhjes së Pejës, me shtrirjen e komiteteve të saj në qytete të tjera dhe me zgjerimin e me thellimin e veprimtarisë së tyre kombëtare, kontradiktat e Portës së Lartë me shqiptarët u acaruan dhe ajo ndryshoi qëndrimin ndaj Lidhjes. Duke qenë edhe nën trysninë e Rusisë e të Austro-Hungarisë, që shikonin te lëvizja shqiptare një rrezik për prishjen e status quo-së në Ballkan, qeveria e sulltanit nxori një varg urdhëresash për t’i çarmatosur shqiptarët dhe për të asgjësuar Lidhjen. Qysh në shkurt të vitit 1899, sulltani urdhëroi valinjtë e Shkodrës e të Kosovës, që të mos lejonin në të ardhmen asnjë mbledhje të shqiptarëve dhe të ndalonin çdo orvatje të Lidhjes për të organizuar kuvendet e saj.

Në fazën e parë sulltani, për të paralizuar Lidhjen, në vend të forcës ushtarake përdori politikën e përçarjes, duke nxitur kundër saj disa nga përfaqësuesit e parisë konservatore me prirje turkomane. Porta u mbështet sidomos te Riza bej Kryeziu, i cili që në fillim i ishte kundërvënë Lidhjes. Por qëndresa e shqiptarëve bëri që të dështonin këto orvatje të para të Portës së Lartë.

Në vjeshtën e vitit 1899 lëvizja kombëtare, e udhëhequr nga Lidhja Shqiptare e Pejës, hyri në një fazë të re, filloi lufta kundër administratës osmane në tërësi për të vendosur një administratë shqiptare. Kjo luftë u gërshetua me qëndresën e armatosur të masave kundër përpjekjeve të Portës së Lartë për të shpërndarë komitetet e Lidhjes dhe për të rivendosur autoritetin e organeve shtetërore osmane në viset ku qeveriste Lidhja. Sado që kjo qëndresë nuk u shtri në mbarë Shqipërinë, ajo ishte një përpjekje për të përmbushur programin e Lidhjes dhe të lëvizjes kombëtare në tërësi, për formimin e një Shqipërie autonome.

Vatër kryesore e kësaj lëvizjeje u bë sanxhaku i Dibrës. Në shtator të vitit 1899 Porta e Lartë ndërmori këtu një varg masash, siç ishte rivendosja e gjykatave osmane, të suprimuara nga Lidhja etj., që kishin për qëllim të zhvishnin Komitetin e Dibrës nga kompetencat shtetërore dhe ta asgjësonin atë përfundimisht. Këto masa shtypëse të qeverisë u bënë shkak për shpërthimin e kryengritjes popullore, të udhëhequr nga Komiteti i Lidhjes për Dibrën. Më 17 tetor mijëra malësorë zbritën nga fshatrat dhe u bashkuan me popullsinë qytetare të Dibrës e të qendrave të tjera të këtij sanxhaku. Kryengritësit dëbuan nëpunësit osmanë, izoluan mytesarifin dhe shtinë në dorë postë-telegrafën. Përveç Selim Rusit, Nurçe Pustinës dhe drejtuesve të tjerë të Komitetit, me organizimin e qëndresës së armatosur në këtë sanxhak merrej edhe Hamdi Ohri, i cili sapo ishte liruar nga internimi pas kërkesës këmbëngulëse të Lidhje s. Për katër muaj me radhë, nga fundi i tetorit 1899 e deri në janar 1900, pushteti faktik në sanxhakun e Dibrës u përqendrua në duart e shqiptarëve, të udhëhequr nga Komiteti i Lidhjes, ndërsa qeverisë dhe autoriteteve lokale nuk u mbeti asnjë fuqi.

Më 6 nëntor, në emër të Komitetit Arsimor Shqiptar të Dibrës, që vepronte si organ i Lidhjes Shqiptare, iu dërgua sulltanit një promemorje, në të cilën kërkohej të themeloheshin shkolla shqipe në këtë sanxhak. Promemorja qe nënshkruar nga Shyqri Çoku (nipi i Iljaz pashë Dibrës), Hamdi Ohri dhe nga atdhetarë të tjerë, gjithsej 31 veta.

Meqë edhe kjo kërkesë nuk u miratua nga qeveria, më 8 dhjetor kryengritësit rifilluan veprimet e tyre, sulmuan selitë e administratës lokale, dëbuan ushtritë osmane nga qyteti ose e izoluan atë në kazerma. Në Dibër u përqendruan edhe 1 500 shqiptarë të armatosur, që zbritën nga Malësia e Dibrës së Poshtme, nga Mati, nga Luma e nga Selishta.

Duke marrë zemër nga lëvizja kryengritëse në Kosovë, që po në këtë kohë përfshiu Prishtinën, Pejën, Gjakovën e Drenicën, popullsia e Dibrës i zgjeroi veprimet e saj. Në javën e parë të dhjetorit këtu qenë grumbulluar 3 000-3 500 kryengritës, që shtinë në dorë thuajse të gjitha lagjet e qytetit. Sulltani u detyrua t’u bënte lëshime kryengritësve dibranë, të tërhiqte nëpunësit e gjykatave osmane dhe të njihte pushtetin gjyqësor të vendosur nga Lidhja, ndërsa në shkurt pushoi edhe mytesarifin e sanxhakut të Dibrës.

Në një kohë me qëndresën kundërosmane atdhetarët dibranë Selim Rusi, Hamdi Ohri, Halit Bërzeshta etj., në bashkëpunim me Haxhi Zekën, vijuan përpjekjet për të zgjatur afatin e Lidhjes, për të forcuar pushtetin e saj në këtë sanxhak dhe për të thirrur një Kuvend të Përgjithshëm. Por, për shkak të ndjekjeve të autoriteteve osmane, përpjekjet që u bënë në nëntor të vitit 1899 për të mbajtur një mbledhje të përgjithshme të Lidhjes në sanxhakun e Dibrës nuk dhanë rezultat.

Më 16 shkurt, pa marrë ende fund kryengritja e Dibrës, atdhetarët kosovarë, të drejtuar nga Idriz Gjakova, një nga atdhetarët më me ndikim në këtë trevë, organizuan një manifestim të fuqishëm në Shkup, që u kthye në një kryengritje të armatosur. Kryengritësit kërkuan pushimin e valiut të Kosovës, Mehmet Hafiz pashës, të kryetarit të bashkisë dhe të funksionarëve të tjerë të administratës osmane në Shkup. Atdhetarët shqiptarë synonin ta kthenin Shkupin, kryeqendrën e vilajetit të Kosovës, në vatër të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare në tërësi dhe nëpërmjet kryengritjes që organizuan në këtë qytet të përmbushnin kërkesat autonomiste të saj. Për këtë qëllim u formua edhe Komiteti i Shkupit, që doli nga gjiri i kryengritjes dhe që merrej me udhëheqjen e saj. Kryengritësit e Shkupit, si edhe të viseve të tjera të Shqipërisë, shtruan si kërkesë themelore autonominë e Shqipërisë nën sovranitetin e sulltanit .

Në fillim të marsit në Shkup u mblodhën 2 000 shqiptarë të armatosur, që iu kundërvunë ushtrive osmane, të cilat mbronin selitë e administratës lokale. Me kryengritësit shqiptarë u bashkua edhe popullsia sllavo-maqedonase e Shkupit. Pushimi nga sulltani më 13 mars të vitit 1900 i valiut të Kosovës, Mehmet Hafiz pashës, ndonëse përbënte një fitore të kryengritësve kosovarë, nuk mund të sillte përmbushjen e programit kombëtar të lëvizjes shqiptare.

Porta e Lartë, megjithëse kishte shpallur amnistinë, arrestoi më 18 mars udhëheqësit e kryengritjes së Shkupit, Idriz Gjakovën, Haxhi Raufin e të tjerë, që u dërguan në Bitlis. Këto masa u bënë shkak për një manifestim tjetër, që u organizua më 20 mars, në të cilin morën pjesë 3 000 veta; ata kërkuan lirimin e menjëhershëm të Idriz Gjakovës dhe udhëheqësve të tjerë të kryengritjes. Manifestimet që shpërthyen në Shkup në mars të vitit 1900, vijuan pa ndërprerje deri në vjeshtën e atij viti.

Në ditët e fundit të shkurtit dhe në fillim të marsit qëndresa kundër administratës osmane u shtri në Mitrovicë e në krahinën e Drenicës. Në krye të kësaj lëvizjeje ishte vënë Komiteti i pajtimit, i Lidhjes Shqiptare për Mitrovicën e për Drenicën. Po në fundin e shkurtit dhe në fillim të marsit ndodhën përleshje të armatosura në rrethet e Prishtinës, ku qindra kryengritës, që kishin zbritur nga Çiçavica, u përleshën në hyrje të qytetit me trupat osmane. Populli kërkonte largimin e mytesarifit dhe të funksionarëve të tjerë osmanë nga Prishtina.

Lëvizja përfshiu edhe sanxhakun e Prizrenit, ku popullsia myslimane e katolike ngriti krye duke kërkuar gjithashtu largimin e mytesarifit e të nëpunësve të tjerë. Në Prizren u rimëkëmb Besa dhe u vendos të mbahej një tubim i përgjithshëm për të konsoliduar Lidhjen Shqiptare.

Masat shtypëse të Portës së Lartë dhe futja e një shtese të re të taksave u bënë shkak që të shpërthente (në mars të vitit 1900) lëvizja kundërosmane në Mitrovicë, në Senicë dhe në Pazarin e Ri, e cila vijoi deri në verën e atij viti, kur mori formën e një kryengritjeje të armatosur. Në korrik-gusht shpërtheu kryengritja në Pejë e në Gjakovë, që e detyroi qeverinë të pushonte mytesarifin e sanxhakut të Pejës.

Në qershor Porta e Lartë hodhi ushtri të shumta, të komanduara nga Shemsi Pasha, të cilat kaluan përmes Shkupit në Mitrovicë dhe prej andej në Pazar të Ri e në Senicë. Vetëm në pjesën veriore të vilajetit të Kosovës u përqendruan 14 batalione ushtarësh, 8 000 kalorës e 36 topa, që shtypën me egërsi kryengritjen në Senicë e në Pazarin e Ri. U arrestuan, u burgosën dhe u internuan 573 udhëheqës e veprimtarë të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare në këtë trevë. Masat shtypëse të Shemsi Pashës shkaktuan zgjerimin e lëvizjes së armatosur në Pazarin e Ri. Në peticionin që iu dërgua sulltanit, në fundin e gushtit të vitit 1900, me nënshkrimet e 2 000 kryengritësve të Pazarit të Ri, kërkohej lirimi i të burgosurve politikë dhe largimi i funksionarëve të administratës osmane.

Në verën e këtij viti shpërthyen konfliktet e armatosura në kazanë e Gjilanit, në jug të Prishtinës; u forcua qëndresa kundërosmane në Shkup, në Ferizaj, në Mitrovicë, në Mat, në Dibër e në vende të tjera të vilajeteve të Kosovës e të Manastirit.

Në këto rrethana, sulltani u detyrua të largonte nga vilajeti i Kosovës Shemsi Pashën, të pushonte mytesarifin e Pazarit të Ri dhe të hiqte shtesën e taksës në të gjithë sanxhakët e Kosovës. Megjithatë, konfliktet e shqiptarëve me autoritetet osmane në vilajetin e Kosovës vazhduan deri në shtatorin e vitit 1900.Në pranverën e vitit 1900, duke përfituar nga gjendja e krijuar pas shpërthimit të kryengritjeve në Dibër e në Kosovë, Haxhi Zeka bëri një përpjekje të re për të mbledhur një kuvend tjetër shqiptar, ku të kërkohej autonomia e Shqipërisë. Për këtë, qysh në mars të vitit 1900, ai shkoi në Dibër, ku idetë e Lidhjes ishin ende të fuqishme. Në bisedimet që u zhvilluan në Dibër u arrit në përfundimin që Besa të vendosej për një kohë të gjatë, të paktën për një periudhë pesëvjeçare. Në fundin e prillit Haxhi Zeka arriti të mbajë në Fushë-Kosovë, afër Prishtinës mbledhjen e përfaqësuesve të popullsisë së Prishtinës, të Pejës, të Mitrovicës, të Shkupit, të Tetovës, të Gjilanit, të Rozhajës, të Shkodrës, të Hasit, të Gjakovës, të Dibrës, të Senicës e të Pazarit të Ri. Këtu u diskutuan çështjet që kishin të bënin me Lëvizjen Kombëtare Shqiptare dhe u vendos të thirrej Kuvendi i ri i Përgjithshëm, që do të mbahej në Prizren ose në ndonjë qytet tjetër.

Por edhe këtë herë atdhetarët shqiptarë nuk mundën të mblidhnin Kuvendin e Përgjithshëm, për shkak të pengesave që nxori valiu i Kosovës, Reshat Pasha. Edhe sulltani, kur mësoi se Kuvendi do të parashtronte kërkesa kombëtare, urdhëroi valinjtë e Shqipërisë që të mos e lejonin mbajtjen e tij. Po kështu dështuan edhe përpjekjet, që atdhetarët dibranë bënë, në muajt prill-qershor të vitit 1900, për të përforcuar dhe për të zgjeruar Lidhjen Shqiptare.

Qeveria e sulltanit, e nxitur edhe nga Fuqitë e Mëdha, të cilat qenë çliruar nga lëvizja maqedone, që tanimë kishte rënë, kundërshtoi çdo kërkesë të shqiptarëve dhe kaloi në sulm të hapur kundër lëvizjes kombëtare në Shqipëri. Në shtator të vitit 1900 Porta e Lartë vetëm kundër vilajetit të Kosovës hodhi 40 mijë ushtarë. Goditjen kryesore Stambolli e drejtoi kundër qëndresës popullore në Shkup, Tetovë, Dibër, Prishtinë, Gjakovë, Mitrovicë e në qendra të tjera. Për shtypjen e kryengritjes në Shkup u ngarkua komandanti i sapoemëruar i xhandarmërisë së kryeqendrës së vilajetit, Mehmet Pasha.

Pas përleshjeve që u bënë në Shkup më 15 shtator, komanda e ushtrisë osmane arrestoi edhe 30 veprimtarë të tjerë të lëvizjes shqiptare. Në nëntor u arrestua një nga udhëheqësit e kryengritjes së Shkupit, Haxhi Raufi, me 22 pasues të tij. Terrori dhe arrestimet në Shkup vazhduan deri në fundin e vitit 1900.Nga Shkupi Mehmet pasha u drejtua për në Tetovë dhe prej andej në Dibër, ku mori gjithashtu masa të ashpra për shtypjen e qëndresës popullore dhe për shpërndarjen e komiteteve të Lidhjes. Për të shtypur kryengritjen në qytetet e Kosovës, sulltani dërgoi përsëri Shemsi Pashën, i cili në krye të ushtrive të shumta osmane, gjatë muajve nëntor-dhjetor të vitit 1900, goditi në fillim kryengritësit e Prizrenit dhe shpërndau Komitetin e Lidhjes së këtij sanxhaku.

Prej këtej Shemsi Pasha u hodh në Prishtinë, në Pejë, në Gjakovë, në Mitrovicë e në qendra të tjera. Për të vendosur “rendin dhe qetësinë” ai shtypi lëvizjen shqiptare kudo ku shkeli. Këto masa, krahas disa lëshimeve të pjesshme që iu bënë kryengritësve dhe krahas dhuratave e posteve që iu dhanë krerëve konservatorë e turkomanë, përmirësuan përkohësisht pozitat e Perandorisë Osmane në vilajetet e Kosovës e të Manastirit.

Në këto kushte Lidhja e Lëvizja Kombëtare Shqiptare në tërësi pësuan humbje të rënda, që çuan në rënien e tyre dhe të luftës për autonominë e Shqipërisë.

Në fundin e vitit 1900 Lidhja e Pejës u shtyp pa arritur të përmbushte detyrat e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Megjithatë, ajo la mbresa të thella në ndërgjegjen e popullit dhe ushtroi një ndikim të fuqishëm në organizimin e mëtejshëm të luftës së armatosur kundër sunduesve osmanë. / KultPlus.com

“The Guardian” rendit Pejën në mesin e qyteteve të Evropës që duhet vizituar

Lexuesit e gazetës prestigjioze “The Guardian” kanë renditur disa qytete në Evropë që janë të pareklamuara dhe që duhet vizituar.

Peja nga ta është cilësuar si një vend i përkryer për një pushim fundjave, duke përfshirë kështu edhe udhëtimet në disa fshatra përreth.

Në këtë shkrim thuhet se duhet vizituar qyteti për të parë arkitekturën e bukur. Më pas duhet vizituar edhe ujëvara e Drinit të Bardhë, pastaj bjeshkët e Pejës, Radavci dhe Gryka e Rugovës.

Ata nuk harruan ta përmendin edhe gjallërinë e qytetit që krijohet si dhe kafenetë ku mund të shijoni ndonjë pije.

Përveç Pejës, qytete të tjera që duhet vizituar në Evropë është renditur edhe qyteti Leiden në Holandë, pastaj Bremen në Gjermani, La Spezia në Itali, Grazi në Austri, Lille në Francë, Bergen në Norvegji, Kordoba në Spanjë dhe Zagrebi në Kroaci. / KultPlus.com

‘Sillu, sillu botë e vjetër’ (VIDEO)

Ismet Peja është këngëtar shqiptar i këngëve të vjetra qytetare, dhe konsiderohet si kultivues i melosit shqiptar. Ai ka lindur në Gjakovë dhe me muzikë  ka filluar të merret prej moshës 13 vjeqare, ku sukseset më të mëdha të tij i arriti me shoqërinë muzikore ‘Hajdar Dushi’, me të cilën pati prezantime të shumta në TVP dhe Radio Prishtinë.

KultPlus ju sjell interpretimin e këngës ‘Sillu sillu botë e vjetër’:

Sillu, sillu botë e vjetër
Ty t’ka beku’ Perëndija.
I: Zoti asht nji, s’bohet tjetër
E beson gjithë njerëzia. :I
Ka motmot e disa muej
Kemi pasë dashni të randë
Tash do t’i kallxoj gjithkuej
Vet je ikë e më ke lanë!
Tridhet ditë të Ramazanit
As s’kam hongër, as s’kom pi
Kur t’vjen dita e Bajramit
Bashkë me lalën do t’shkojmë n’xhami.
Moj raki, raki e rrushit
Ti qi m’piqesh n’kazan t’prushit.
Moj raki moj bukuroshe,
E çon lalën qoshe m’qoshe.
Mora vesh se t’kanë fejue
Nji gjysëm ore larg shtëpisë.
Të lutem mos me i harrue
Kujtimet e beqarnisë./KultPlus.com

E jashtëzakonshme, turistja amerikane Reineck dhe rugovasja Gjevukaj takohen pas 30 vjetëve

“Janet Reineck pati vizituar Pejën dhe Rugovën mes viteve 80 e 90, për të mësuar më shumë rreth traditave, zakoneve dhe jetës që bëhej në Rugovë atë kohë. Një vajzë e re nga fshati Kuqishtë i Rugovës, që studionte për infiermeri, me emrin Dushe Gjevukaj, u pati bërë guida personale e Janetit, ndërsa edhe sot pas rikthimit të Janetit në këto bjeshkë, të dyja u takuan përsëri në Bjeshkët e Rugovës, thuhet në njoftimin e faqes zyrtare “Ku me shku n’Pejë””.

“Si pjesë e një Etno-Tour me 10 amerikanë të tjerë, e në shoqërimin e guidës Arlinda Shatri, Janet bashkë me grupin vizituan disa pjesë të Rugovës, të cilat i paraqiti edhe përmes fotografive, nga to po i ndajmë disa edhe me ju.

Përgatitja e pites dhe flisë tradicionale, vizita në Liqenin e Kuqishtës, fjetja në shtëpinë e Dushe Gjevukajt në Kuqishtë, e disa aktivitete të tjera janë përmbledhur nga Janet në këtë vizitë shumë të bukur e nostalgjike në Rugovë.

Faleminderit Janet Reineck! 🙏”, thuhet në fund nga kjo faqe./ KultPlus.com

‘Robi plaket kur don vetë’, tinguj të mrekullueshëm të muzikës qytetare nga Ismet Peja (VIDEO)

Ismet Peja ishte këngëtar i këngëve të vjetra qytetare. Ai u lind më  27 Prill 1937.

Me muzikë filloi të merrej qysh në fëmijëri, prej moshës 13-14 vjeçare duke vazhduar ta pasurojë melosin shqiptar deri në vitet e fundit të jetës së tij.

Shoqëria muzikore e asaj kohe “Hajdar Dushi” ishte institucion i cili i hapi dyert e sukseseve të mëvonshme, duke pasur prezantime të shumta në TVP dhe Radio Prishtinë.

Albumi i tij i parë doli në vitin 1986 me orkestrën e “Hajdar Dushit”. Ismet Peja ka të publikuara një numër të madh të albumeve muzikore dhe 4 videokaseta. Përderisa në vitin 2005 nxori një album me djalin e tij, këngëtarin Visar Peja.

Disa këngë me të cilat interpretoi përgjatë viteve janë: Errësinë e pyllit, Sarajeva shehër i bukur, Gazel, Në muzeun historik, Dal e dal po vjen behari, 30 ditë në Ramazan, Fustani me pika, Un e qeli deren hej un e msheli derën, Këngë për Anton Çettën, Dy dele – 300 pare, M`kanë thanë shoqet mramë, M`ka shkue djali në Gjermani, Po të lutem shoku im, Seç po punojshin tre vllazën Mori Shkodër -Shkodra jonë etj.

Vdiç më 23 Nëntor 2020, në moshën 83 vjeçare.

KultPlus ju sjell këngën “Robi plaket kur don vetë”

Moshë e bukur kjo rinia
gjo ma t’mir bota se ka
mirëpo ja që vjen pleqria – 2X
dhe ke borxhe për me la – 2X

Lule m’lule tuj fluturue
tuj bo qef tuj bo dashni
robi kurr se ka mendue – 2X
se vjen mbrapa ni pleqni – 2X

Namuzlie o sarëhosha
veq ni gjo more osht e vërtetë
Robi s’plaket kur vjen mosha – 2X
robi plaket kur don vet – 2X

Ni nga ni vitet kalojnë
shkon ni vit vjen viti i ri
se sa vite do jetojmë – 2X
nuk e din e asnjeri – 2X

O njeriu njeriu i shkret
mos e lodh veten tuj mendu
për me le e për me vdek – 2X
Zoti diten ta ka shkru – 2X

Namuzlie o sarëhosha
veq ni gjo more osht e vertet
Robi s’plaket kur vjen mosha – 2X
robi plaket kur don vet – 2X

23 vjet nga masakra e Lybeniqit

Gjenocidi i kryer në Lybeniq të Pejës ndaj popullsisë se pafajshme shqiptare më 25 maj 1998 dhe më 1 e 7 prill 1999, është njëri nga krimet me të mëdha që kanë kryer forcat policore-ushtarake dhe para-ushtarake serbe në Kosovë.

Gjenocidi i kryer në këtë vendbanim ndaj popullsisë se pafajshme shqiptare më 25 maj 1998 dhe më 1 e 7 prill 1999, është njëri nga krimet me të mëdha që kanë kryer forcat policore, ushtarake e para ushtarake serbe në Kosovë.

Më 1 prill 1999 në Lubeniq të Pejës, njësitë paramilitare serbe në drejtimin e grupit “Çakejt”, rrethuan dhe me pas hynë në brendësi të fshatit. 

Pasi i tubuan banorët në qendër të fshatit, ata i ndanë burrat nga gratë dhe me pas i ekzekutuan në mënyrat më çnjerëzore. / KultPlus.com

Lorik Pylla fiton bursë nga ‘EuroStrings’ për Festivalin Ndërkombëtar të Kitarës në Pejë

Lorik Pylla është shpallur fitues i bursës “EuroString” për Festivalin Ndërkombëtar të Kitarës në Pejë, shkruan KultPlus.

Lajmin e ka bërë të ditur “EuroString”, ku edhe kanë dhënë detaje mbi biografinë e fituesit, të cilat KultPlus ua sjellë më poshtë.

Lorik Pylla ka lindur në vitin 1998. Ka filluar të merret me muzikë që në moshën 6-vjeçare në korin e fëmijëve. Kur ishte nëntë vjeç, u regjistrua në shkollën e muzikës ku filluam të luanim kitarë dhe flaut. Mori diplomën 5-vjeçare në shkollën fillore për flaut dhe më pas vazhdoi edukimin muzikor duke u fokusuar në kitarë. Loriku ka fituar shumë çmime të para në garat evropiane si gara Naissus Guitar Festival, Tremolo International Guitar Festival Skopje, Ars Kosova Competition. Aktualisht është në vitin e katërt të studimeve bachelor në Akademinë e Muzikës në Darmstadt, Gjermani. Ai studion në klasën e virtuozit dhe profesorit shumë të shquar të kitarës Tilman Hoppstock. Si përvojë profesionale mund të shtojmë koncertet në Turqi (në Stamboll dhe në Bursa), një turne solo recital nëpër Evropë dhe në qytetet më të mëdha të Kosovës, duke luajtur në sallën e Filarmonisë së Kosovës. Ai ndoqi masterklasa me kitaristë të famshëm si Marcin Dylla, Lukasz Kuropaczewski, Rovshan Mamedkuliev, Aniello Desiderio, Goran Krivokapic, Lorenzo Micheli, Petrit Ceku, Carlo Marchione, Paolo Pegoraro, Dale Kavanaugh, David Russell, Music Academy (E Angelo Gilarandi), etj. /KultPlus.com

Dy poetët e mëdhenj kosovarë në një fotografi (FOTO)

Azem Shkreli nga Peja dhe Ali Podrimja nga Gjakova janë përfaqësuesit më të mirë kosovarë sa i përket artit poetik, shkruan KultPlus.

Këta dy poetë shënuan kthesën e parë drejt hapjes dhe modernizimit të poezisë shqipe. Arti i tyre i veçantë poetik, tashmë ka depërtuar edhe në nivel ndërkombëtar, pasi që poezitë e tyre janë përkthyer edhe në shumë gjuhë të huaja.

KultPlus ju sjellë një fotografi të përbashkët të këtyre dy poetëve. / KultPlus.com

Kori i fëmijëve ‘Siparantum’ shënon javën e muzikës, Kelmendi: Brenda këtij viti lansohet një CD me vepra që promovojnë kulturën

Era Berisha

Me rastin e javës së muzikës të titulluar ‘Atmospheres’, Ambasada e Francës në Kosovë në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës, kanë organizuar koncertin me korin e fëmijëve ‘Siparantum’ nga Peja, të cilët sollën një koncert me një repertor të larmishëm duke dëshmuar talentin e tyre vokal jo vetëm në interpretim por edhe nëpërmjet elementeve atraktive në skenën e Ateliesë së Pallatit të Rinisë dhe Sportit, shkruan KultPlus. 

‘Fête de la Musique’, ngjarje kjo që festohet në tërë botën qysh nga viti 1981 nga muzikantë amatorë dhe profesionistë të të gjitha niveleve, kurse në Kosovë organizohet që nga fillimi i viteve 2000 dhe tani është shndërruar në një ngjarje mjaft të pritur dhe të çmuar nga publiku kosovar i cili sot mbushi sallën për të dëgjuar nga afër fëmijët e korit ‘Siparantum’ ku secili nga ta solli një veçanti unike që frymonte në të njëjtën vijë melodike vokale. 

Një numër mesatar i fëmijëve nga gjenerata të ndryshme ishin vendosur në një skenë e cila ishte rrethuar komplet me një sfond në ngjyrë të zezë dhe dritat e kuqe të cilat vinin në pah edhe ngjyrën e veshjeve të këtij kori, ku dominonte ajo e kaltër. Fëmijët rrethonin në njërën anë edhe pianon e vendosur në mes e që tërë kohës lëshonte tinguj që vinin nga duart e dirigjentit dhe kompozitorit Memli Kelmendi.  

Repertori i larmishëm i tyre përfshiu vepra të cilat u kënduan jo vetëm në gjuhën shqipe dhe angleze por edhe në atë franceze duke interpretuar kështu gjithsej njëmbëdhjetë këngë, me ç’rast secila nga to erdhi me një fuqi dhe talent që mbase edhe një ditë do të pushtoj skenat më të mëdha botërore. 

Ndërsa, literatura muzikore ishte një gërshetim tejet i bukur duke filluar nga veprat shqiptare si: ”Topi”, ”Kënga e Bylbylit”, ”Nënës” dhe ”Ty flamur të duam shumë”, për të vazhduar me këngët e njohura botërore si: ”Bella Dona”, ”Joshua fit the battle of jericho”, ”Round the mountains” dhe ”Have you seen the ghost of John”.  

Ndërkohë pjesë e këtij koncerti ishin edhe këngët si: ”Samba de Brasil”, ”En ten tenera” dhe ”Derniere Danse”, të cilat papritmas befasuan publikun duke i futur të pranishmit në një frymë krejtësisht ndryshe ku vokali i tyre merrte nota të larta e të ulëta ku zëri i tyre kaploi atmosferën me një hijeshi tingujsh dhe melodi të cilat rrjedhnin jashtëzakonisht bukur. E kjo dëshmohej edhe në fytyrat e prindërve që tërë kohës po i shikonin fëmijët me një krenari që reflektohej në sytë e tyre. 

Po ashtu, përveç zërit që po jehonte tërë kohën, instrumentet diversive ishin shoqëruesit e ngushtë të tyre ku me inkuadrimin e pianos, kitarës dhe fyellit, koncerti u gjallërua ende më shumë duke i dhënë audiencës ngjyra të larmishme melodie dhe tinguj të gërshetuara në një emocion të vetëm që po dhurohej lehtësisht nga fëmijët që posedonin një talent e dhunti që aspak nuk duhet anashkaluar.

Kështu krejt në fund, nuk munguan as elementet e vogla por tërësisht të pa planifikuara nga ana e fëmijëve që dukeshin se ishin në botën e tyre dhe lumturia e gëzimi që shndriste në fytyrat e tyre ishte njëlloj si ajo e prindërve të cilët iu bashkëngjitën koncertit me shuplaka të domosdoshme për një vepër specifike. Ndërsa, duartrokitjet e shumta nuk munguan për asnjë çast nga ana e publikut dhe dashuria e tyre që dallohej në buzëqeshje dhe brohoritjet ishte e pranishme tërë kohës deri në fundin e këtij koncerti.  

Ndërsa, për të treguar më shumë rreth realizmit të këtij koncerti për KultPlus, foli dirigjenti dhe kompozitori, Memli Kelmendi.

“Ne kemi marrë ftesë nga Ambasada e Francës në Kosovë, konkretisht nga Valon Ibraj, të cilën e falënderoj shumë. Ndonëse në rrethane pandemie, nuk jemi shkëputur nga provat me fëmijët duke arritur që ta realizojmë këtë program, me të cilët kemi zgjedhur një repertor ndryshe nga herët e tjera”, thotë Kelmendi. 

Sipas tij, programi afron publikun afër skenës dhe fëmijët po ashtu kanë nevojë për një atmosferë të tillë por mendoj që sonte ishte një shpalosje e punës tonë disamujore për të rikthyer një atmosferë e cila na ka munguar gjatë. 

“Jam shumë i lumtur sepse ky është viti i tretë që punojmë me korin e fëmijëve dhe e konsideroj që ky është kori më i mirë në aspektin vokal që ekziston momentalisht. Prandaj, po e bëj publike dhe premierë për herë të parë ku tani ka filluar incizimi i një audio-CD, një CD me vepra që promovojnë kulturën dhe ndikojnë në zhvillimin e gjeneratave të reja dhe mendohet të lansohet brenda këtij viti”, thotë Kelmendi. 

Për Kelmendin, fëmijët e korit përpos që relaksohen, ata japin një kontribut të jashtëzakonshëm për promovimin dhe zhvillimin e muzikës tonë e cila do të ndikoj drejtpërdrejt në të ardhmen. 

“Është hera e parë që vij me një koncert të tillë me korin e fëmijëve dhe jam shumë i kënaqur me organizimin, ndonëse nuk ishte fare i lehtë duke pasur parasysh numrin e madh të fëmijëve. Andaj, konsideroj që ne dhe publiku kemi pasur nevojë për një atmosferë të tillë ku fëmijët e bënë një punë të mirë dhe i janë përshtatur kërkesave të mia në aspektin e udhëheqësit”, përfundon Kelmendi për KultPlus. / KultPlus.com 

Ftohen poetët për pjesëmarrje në Takimet Ndërkombëtare Letrare ‘Azem Shkreli 2021’

Takimet Ndërkombëtare Letrare “Azem Shkreli 2021” kanë hapur konkursin për pranim të poezive, shkruan KultPlus.

Edicioni i 19-të i manifestimit letrar në Pejë pritet të organizohet në datat tradicionale, 23 e 24 maj, teksa ato do të vlerësohen nga juria e Këshillit Organizativ.

Poezit të cilat dërgohen në këtë organizim letrar duhet të jenë të pabotuara dhe jo më të gjata se dy faqe kompjuterike.

Konkursi do të jetë i hapur për poetët deri më 31 mars 2021, teksa poezitë duhet të dërgohen në adresën elektronike: [email protected] . / KultPlus.com

Çarshia e gjatë e qytetit të Pejës

Peja njihet si qytet i lashtë që nga koha Ilire. Për shkak të luftërave të shumta në këtë rajon, që nga pushtimi Otoman e deri te kjo e fundit me Serbinë, nuk është mundur të ruhet e gjithë karakteristika ilire.

Çarshia e vjetër në Pejë daton që nga shekulli i XV dhe paraqet një lloj qendre tregtare të qytetit. Rruga e gjatë në çarshi , me shitore të shumta nga të dy anët i mashtron vështrimet e vizitorëve dhe ua zgjon frymën konsumuese. Dyqanet janë tipike orientale, ndërsa shitësit janë të gatshëm të merren vesh për çmimin me blerësit e interesuar. Këtu , mjeshtrit do t’ju ofrojnë kapela cilësore për çdo rast , pelerina, stoli, etj.

 “Rivitalizimi i Çarshisë së vjetër dhe Artizanatet e Kosovës perëndimore”, BE-ja ka investuar rreth 500 mijë euro. Projekti ka përmirësuar shumë infrastrukturën e Çarshisë në qytet. Qendra për zhvillimin artizanal është ndërtuar në Pejë ku 12 zanatlinjë dhe 27 nxënës, që duan të zotërojnë aftësi për vepra artizanale të veçanta, janë bërë pjesë e kësaj qendre.

Çarshia e Vjetër e Pejës – Çarshia e Vjetër paraqet një zonë me trashëgimi kulturore. Çarshia e Vjetër është e njohur për rëndësinë e zhvillimit ekonomik që ka ndikuar në qytetin e Pejës dhe në regjion, prandaj ka një vlerë të trashëgimisë e cila identifikon zhvillimin në Pejë. Kjo zonë është ndërtuar gjatë kohës së Perandorisë Osmane në shk.XIV dhe ka qenë e përbërë nga 4 pjesë ( Çarshia e madhe, Çarshia e Gatë, Okoli dhe Çarshia e Shatërvanit). Kanë qenë 960 dyqane të cilat kanë ushtruar zeje të ndryshme. Edhe tani në Çarshi gjinden disa nga këto dyqane në të cilat i ushtrojnë zejet e tyre.

Çarshia e gjatë në Pejë, paraqet një lloj qendre tregtare të qytetit. Dyqanet që ajo ka, janë tipike orientale.

Hamdi Dobroshi i cili është njëri ndër më të vjetërit argjendar në Pejë tregon se pse e veçon qarshin e vjetër në Pejë.

“Çarshinë e vjetër në Pejë, e veçon tradita zakonet dhe si një vend ku tregtia dhe të gjitha bizneset janë zhvilluar në çarshi dhe ende vazhdojnë të punojnë. Fluksi në çarshinë e Pejës është i njëjti si çdo vit që ka qenë, por më shumë ka njerëz kur bashkatdhetarët kthehen në qytet. Çarshia ka qenë shumë e bukur, por çdo send i pa mirëmbajtur duhet të ketë ndryshim”.

Peja paraqet një burim të begatshëm të trashëgimisë materiale dhe shpirtërore të periudhave të ndryshme, të cilat veçohen për nga vlerat, cilësitë, karakteristikat, rëndësia historike etj.

Kontributin më të madh për zhvillimin e hershëm të turizmit e ka bërë çarshia e vjetër në Pejë, në çarshi ishin 550 dyqane nga druri ku ushtroheshin mbi 56 zeje, një pjesë e madhe prej tyre janë shuar por jorgangjiu,rrobaqepesi punonjësit e drurit dhe metalit të cilët punojnë ende.

Bujar Lleshi është një prej zejtarëve në çarshinë e Pejës, i cili thotë se në krahasim me periudhat e mëhershme, çarshia është rregulluar shumë.

“Çarshia tash është rregulluar shumë, është shumë më e bukur siç ka qenë, traditën e gjyshit dhe babit tim e kam vazhdu unë, kohërat kanë ndryshuar shumë edhe kërkesat janë më ndryshe, fluks të njerëzve ka vetëm në sezonë e pastaj nuk është se ka shumë njerëz”

Çarshia e ndërtuar gjatë kohës së Perandorisë Osmane ka qenë e përbërë nga katër pjesë, Çarshia e madhe, Çarshia e Gjatë, Okoli dhe Çarshia e Shatërvanit. Aty ndodhet edhe Çarshia Xhamia, e ndërtuar që në vitin 1471, në oborrin e së cilës është i varrosur Haxhi Zeka. Madje ndodhet edhe Kulla e tij, apo si njihet Kulla e Pashës.

Peja ka një traditë të gjatë të zejeve, por për fat të keq ato janë në shuarje e sipër. Është vizioni i komunës së Pejës që trashëgimia të ruhet, mbështetet dhe promovohet. Kjo do të bëhet përmes ndihmës së drejtpërdrejt financiare për bizneset ekzistuese në këtë lëmi dhe promovimit të turizmit kulturorë që do të rriste aspektin e kërkesës për këto produkte.

Zejtaria në Pejë arriti kulmin e zhvillimit sidomos në shekujt XVIII dhe XIX. Prodhimi me vlerë artistike në këtë kohë kanë dhënë veçanërisht: argjendarët, saraçët, terzinjtë, qeleshepunuesit dhe zeje tjera.

Në vitin 2015 Komuna e Pejës së bashku me Bashkësinë Evropiane dhe organizatën “Promotion of Heritage Management PHM West “, kanë filluar realizimin e projektit për rivitalizimin e çarshisë së vjetër të Pejës. Rivitalizimi ka përmirësuar infrastrukturën e çarshisë dhe ka ruajtur elementet karakteristike të saj që datojnë nga periudhat e hershme. Së bashku me rivitalizimin e çarshisë është krijuar edhe qendra e zhvillimit artizanal. Kjo qendër ofron mësime për mbi 12 zanate.

Ndryshe nga Lleshi mendon Blerim Krasniqi qytetar nga Peja, i cili thotë se çarshia ka qenë më e bukur më përpara sesa tash .

“Çarshia e Pejës, është vendi më i vjetër dhe me shumë dyqane, unë shkoj shumë shpesh në çarshia për të pirë kafe, ka shumë njerëz të cilën vijnë në çarshia është vend mjaft i frekuentuar, nëse kisha ndryshuar diçka në çarshinë e Pejës, është se do e ktheja në kalldërma se siç kishte qene dhe pse jo të ishte me dyqanet e vjetra në atë lloj forme.”

Sipas KosovaGreenzone, 5 vendet që duhet të vizitohen në Pejë janë muzeu i qytetit, çarshia e vjetër e Pejës, mulliri i Haxhi Zekës, etj. Diona Krasniqi / KultPlus.com

‘Gjëra t’bukra e gjëra t’reja, mi mësoi o vetëm Peja’

Një prej këngëve më të dashura për Pejën është ajo e kënduar nga Ramadan Krasniqi.

Pejës që asnjë këngë nuk ia tregon asnjëherë bukurinë përrallore, Ramadan Krasniqi i ka kënduar me disa këngë, e prej tyre më e veçanta është kjo që po e sjellim sonte.

“Peja ime” është këngë e mirëfilltë shqipe që tregon dashurinë për Pejën, kënduar nga kush tjetër pos Danit.

Pejës i kanë kënduar plot këngëtarë dhe sonte po e kujtojmë, si një ndër qytetet më të bukura në tokën shqiptare. / KultPlus.com

Skulptori Mal Myrtaj me ekspozitë personale në Prizren

Skulptori nga Peja, Mal Myrtaj, i cili jetoi, punoi dhe krijoi në Zvicër dhe Gjermani tani është kthyer në vendlindje duke organizuar ekspozitë  personale, shkruan KultPlus.com

Hapja e ekspozitës bëhet me datë 20 shtator, në ora:18:00 në Hamamin e Gazi Mehmed Pashës-Prizren.

Kjo ekspozitë do të jetë e hapur për vizitorët dhjetë ditë. / KultPlus.com



Sot fillon festivali Anibar

Festivali Anibar Animation sivjet mban edicionin jubilar prej 15 deri më 21 korrik në Pejë, me temë “Frika dhe Shpresa”.

Rreth 300 filma të animuar, me një llojllojshmëri te pasur artistike me temë kryesore shpresën dhe frikën, do të shfaqen në kuadër të festivalit.

Drejtori i Festivalit, Vullnet Sanaja, ka bërë të ditur më herët se në këtë vit jubilar të këtij festivali, do të kenë një përfshirje të aktiviteteve të ndryshme që do të shfaqen në 5 kinema të Pejës.

Në edicionin e 10-të të festivalit do të ketë edhe 15 programe speciale, 4 workshope për të ri, 3 master-klasa dhe mysafirë specialë.

Nga Peja në Gjermani, gruaja që eksporton flija dhe prodhime vendore

Flija është një ndër ushqimet tradicionale shqiptare më të shijshme. Si e tillë, ajo konsumohet shumë nga shqiptarët kudo që ndodhen. Por, bashkatdhetarët tanë të cilët ndodhen jashtë Kosovës, nuk kanë mundësi ta shijojnë shumë shpesh këtë ushqim, pasi siç e dimë, mënyra e përgatitjes së flisë është pak e komplikuar pasi nuk lejohet të ndezet zjarr në shumë vende. Por, një familje nga Qyshku i Pejës, po e bën të mundur që flijat t’i dërgojnë nga Kosova në Gjermani.

Nëna 66 vjeçare e familjes Kelmendi nga Qyshku i Pejës, është vetëm njëra ndër gratë e familjes e cila me shumë përpikmëri dhe mjeshtri, gatuan fli, të cilat pastaj përveç bashkatdhetarëve tanë në Gjermani, i shijojnë madje edhe shtetasit gjermanë, të cilët këtë ushqim tradicional shqiptar, e quajnë tejet të shijshëm dhe interesant.

Ardian Kelmendi, anëtar i kësaj familje, ka thënë për Gazetën Express, se edhe pse e moshuar, nëna e tij këtë punë e bën me shumë kënaqësi, sepse siç e quan ajo, “flija është traditë e jona, e traditat tona nuk bon me i harru”.

Tutje, Kelmendi ka thënë se dërgimin e flijave në Gjermani, ata e bëjnë dy herë gjatë javës, duke i dërguar kështu të paktën nga 6 flija që piqen në saç dhe oxhak.

“Dy herë në javë, së paku nga 6 flija i dërgojmë në Gjermani. Kemi kërkesë të madhe të dërgojmë edhe më shpesh, por për shkak se flija është ushqim i ndishëm, dhe rruga është e gjatë, momentalisht po i dërgojmë vetëm dy herë gjatë javës”, ka thënë Kelmendi.

Familja Kelmendi po kontribuon edhe në punësimin e grave, sepse përveç tri grave të familjes që përgatisin flija, gjithashtu ata punësojnë edhe gra të tjera, gjatë gjithë kohës, sepse kërkesat për eksport janë të mëdha.

Një tjetër veçanti e përgatitjes së këtyre flijave, është se familja Kelmendi i përgatisin me produkte të qumështit të cilat i përfitojnë nga bagëtitë e veta.

“Krejt janë tonat, kemi lopë, prej të cilave marrim qumësht e mazë, e këto flija i përgatisim me to”, ka thënë Kelmendi.

Ai thotë se kanë kërkesa që të fillojnë me dërgimin e flijave edhe në Austri dhe Zvicër, por për shkak të ndjeshmërisë së këtij ushqimi, momentalisht ata i dërgojnë vetëm në Gjermani.

Ai gjithashtu ka thënë se janë në proces të sigurimit të një mënyre më të lehtë dhe më të përshtatshme të transportimit të flijave, dhe pas kësaj ata do të shohin mundësitë që të zgjerohen edhe në tregun Austriak dhe Zviceran.

“Kërkesat janë shumë të mëdha, për Austri dhe Zvicër, por jemi duke u mundu që të sigurojmë një transportim të tillë që flijat të shkojnë të nxehta në këto vende, e mos t’i humbin vetitë dhe shijën deri sa të dërgohen atje, për shkak se është një rrugë shumë e gjatë”, ka thënë Kelmendi për Gazetën Express.

“Azem Shkreli” e shndërron Pejën në pikëtakim letrarësh

Nën qiellin e hapur në parkun e qytetit “Ibrahim Rugova”, të mërkurën, ka nisur edicioni i 16-të i takimeve ndërkombëtare letrare “Azem Shkreli”, që ka bërë bashkë autorë nga vende të ndryshme të rajonit e të botës.

Ky manifestim letrar dyditor, që në këtë edicion i kushtohet heroit kombëtar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, është organizuar nga Ministria e Kulturës, Komuna e Pejës dhe nën mbikëqyrjen e kryetarit të kësaj komune, Gazmend Muhaxheri, por i cili nuk ishte i pranishëm në hapjen e këtyre takimeve. Hapjen e bëri drejtori për Kulturë, Rini dhe Sport, Engelbert Zefaj, që uroi pjesëmarrësit nga vendet e ndryshme të botës, si nga Shqiperia, ShBA-ja, Gjermania, Ukraina, Azerbajxhani, Turqia, Hungaria, Kroacia… që kanë ardhur për herë të parë në këtë qytet.

Në ceremoninë e hapjes së këtyre takimeve, në të cilat poezitë e veta i lexuan 15 poetë vendorë e të huaj, e në mesin e tyre edhe poet të rinj, u bë edhe ndarja e çmimit “Bulëzat”, që u jepet krijuesve të rinj. Këtë çmim e fitoi pejania 11-vjeçare Leonisa Ahmeti, nxënëse e shkollës fillore “Smajl Hajdaraj” në Pejë. Në orët e pasdites janë organizuare dhe dy tribuna letrare. Njëra me tematikën “Kulti i fjalës në poezinë e Azem Shkrelit”, që u ligjërua nga Dabahajdin Cena. Kurse në tribunën tjetër me tematikën “Roli i poetëve dhe shkrimtarëve në shtetndërtim”, që e mbajti studiuesi Ndue Ukaj, me poezitë e veta janë prezantuar 15 poetë, në mesin e të cilëve Nikollë Lokaj, Fatmire Duraku, Qazim Muska, Zhaneta Barzhaj, Erina Coku, Labinot Berisha, Marigonë Kelmendi… derisa jashtë konkurrencës për çmime në këto takime u paraqitën Esat Loshaj, Rrustem Gërguri dhe Shaqir Foniqi.

Në ditën e dytë të takimeve, ku përveç manifestimit qendror në të cilin do të ndahet çmimi kryesor i këtyre takimeve, “Azem Shkreli”, do të mbahet edhe takimi poetik me poezi dedikuar Skënderbeut. Meqenëse ky edicion i takimeve letrare “Azem Shkreli” i kushtohet Skënderbeut, në Galerinë e Arteve në Pejë në ditën e dytë të takimeve do të hapet edhe ekspozita me motive nga historia e Skënderbeut, në të cilën do të lexohet edhe një kumtesë nga Mira Tuci. Përveç çmimit kryesor, në këto takime do të ndahet edhe çmimi ndërkombëtar “Lirika e Azem Shkrelit”, çmimi për poezi më të mirë. Kurse vetëm për këtë edicion do të ndahen edhe çmimet “Skënderbeu’’ dhe “Pavarësia’’.

Dy kore të njohura nga Kroacia, sonte me prezantim në qytetin e Pejës

Qyteti i Pejës sonte do t’i presë dy kore që vijnë për herë të parë në Kosovë, është kori HPD “Slavulj” (kori më i vjetër në Kroaci) nga Petrinja, dhe Kori Akademik i Burrave të Fakultetit Elektroteknik dhe Kompjuterik – FER, të Univerzitetit të Zagrebit, të cilat udhëheqën nga kompozitori dhe dirigjenti i njohur kroat Josip Degl’ Ivellio.

Në këtë koncert do të paraqiten edhe kori “Siparantum” dhe kori i shkollës së mesme të muzikës “Halit Kaspolli” – Pejë, të cilat udhëheqën nga dirigjenti Memli Kelmendi. Ky koncert mbahet në Kino “Jusuf Gërvalla”-Pejë.

Ndërsa, me datën 7 prill kori HPD “Slavulj” dhe “FER” do të mbajnë koncert në famullinë “Zoja e këshillit të mirë” në qytetin e Klinës, për të vazhduar të dielen me 8 prill në kishën katolike “Shën Ndou” në Prishtinë, që mbahet në kuadër të festivalit internacional të muzikës “DAM”. Dirigjenti Josip Degl’ Ivellio paraqitet për herë të dytë në festivalin DAM, vitin e kaluar ka dirigjuar me korin “Siparantum”, që njëherit ishte debutimi i parë i këtij kori.Të gjitha koncertet fillojnë në ora 20:00h.

Organizator i këtyre koncerteve është kori “Siparantum Choir” nga qyteti i Pejës, kjo si rrjedhojë e bashkëpunimit në mes të dirigjentit Memli Kelmendi dhe dirigjentit Josip Degl’ Ivellio nga Kroacia.
Kori “Slavulj” nga Petrinja është themeluar në vitin 1864 dhe është kori më i vjetër që ka ekzistuar gjatë 154 viteve në Republikën e Kroacisë. Është një nga iniciatorët bashkë-organizatorët dhe organizatori i pesë festivaleve të para të koreve kroate, të cilat u mbajtën në Petrinje nga viti 1968 deri në vitin 1972. Është gjithashtu bashkë-organizator i festivaleve të vogla vokale kroate, të cilat u mbajtën në Petrinje në vitin 2008, 2012 dhe 2014.

Kori përformon në Petrinje, Sisak, Moslavina dhe në vende, qytete të tjera në Republikën e Kroacisë dhe jashtë saj. Repertori është i gjërë dhe i ndryshëm dhe përfshin vepra shpirtërore, mesha, literature klasike për kore, pjesë operash, mjuzikëll, këndim polifonik modern, vepra të kompozitorëve kroatë, evropianë dhe botërorë. Maestro Josip Degl’ Ivellio është dirigjent i korit i cili përfshin korin e përzier, ansamblin vocal mashkullor “Petrinjski Slavulji” (që ekzistonte gjatë luftës 1991-1995 në mërgim), kori i fëmijëve të qytetit (i organizuar nga Vesna Brebrić) dhe ansambli vokal i grave “Petrus” (drejtuar nga Jasmina Augustić). “Slavulj” regjistroi dymbëdhjetë CD nën dirigjimin e maestro Josip Degl’ Ivellio-së. Kori është fitues i shumë çmimeve ndërkombëtare.

Kori Akademik i Burrave të Fakultetit Elektroteknik dhe Kompjuterik të Univerzitetit të Zagrebit u themelua më 11 janar 2016 me iniciativën e maestro Josip Degl’ Ivellio dhe dekanit prof. dr. sc. Mislav Grgić. Në repertorin e tij, kori thekson literaturën klasike korale, kryesisht nga kompozitorët kroatë. Për më tepër, repertori I korit përfshin edhe kompozime të repertorit klasik nga renesanca në muzikën bashkëkohore, si dhe kompozimet dhe kompozime klapa të polifonisë bashkëkohore popullore. Si anëtarë të korit janë të pranishëm edhe ish-studentë, dhe pjesë e stafit të fakultetit, si dhe miq të tjerë të interesuar dhe mbështetës të ansamblit. Përgjegjësi i korit është Josip Degl’ Ivellio, dirigjent, udhëheqës i korit dhe kompozitor nga Zagrebi, dhe prefekti i korit është prof. dr. sc. Mislav Grgić, professor i rregullt në Departamentin e Komunikimeve “Wireless” në FER, i cili është anëtar nderi i HPD “Slavulj” që nga dhjetori i vitit 2016. Gjatë vitit të pare të themelimit (2016), kori kishte 17 përformanca, që është dëshmi e një kori me cilësi shumë të lartë, një gjë e rallë në Kroaci sot. Në konkursin e 8-të ndërkombëtar të këndimit koral “The Golden Lime Tuhelj” më 3 qershor 2017, kori fitoi “Pllakën e Artë” dhe konkurroi për çmimin e madh të konkursit./KultPlus.com

Peja nikoqire e kolonisë së artistëve ‘Bjeshkët e Bardha’

Në organizim të galerisë së Arteve në Pejë, u organizua kolonia e artistëve “Bjeshkët e Bardha 2017”.

Në një intervistë për gazetën lokale të Pejës “Zarfi Info”, drejtori i galerisë së arteve në Pejë Zymer Mulliqi, pasi e veçoi lartë punën dhe përkushtimin e pjesëmarrësve në koloninë “Bjeshkët e Bardha 2017 ”, tha se aktivitetet e tilla janë të mirëseardhura për artistët figurativ, sepse sipas tij, Peja gjithmonë ka pasur piktor dhe talent të shkëlqyeshëm.

“Po, aktivitetet e ngjashme gjithmonë janë të mirëseardhura për komunitetin artistik. Aktiviteti i kolonisë po ecën ashtu sikurse e kemi planifikuar në ditën e parë. Peja gjithmonë ka pasur talent dhe piktor të shkëlqyeshëm. Besoj dhe shpresoj shumë, se në një të ardhme të afërt, numri i artistëve figurativ të rritet dhe ta kenë përkrahjen e duhur institucionale”, tha drejtori Mulliqi, duke treguar se dyert e galerisë së arteve të Pejës, gjithmonë janë të hapura për promovimin e punës së artistëve figurativ të komunës së Pejës.

Në anën tjetër, drejtori i dikasterit për Kulturë, Rini dhe Sport në komunës së Pejës Engelbert Zefaj, tha se përkrahja e vazhdueshme që u është dhënë artistëve figurativ të Pejës, asnjëherë nuk është keqpërdorur,sepse siç tha ai, sukseset e tyre nuk kanë munguar asnjëherë.

“E vlerësoj shumë punën e artistëve, sepse ata janë vlerë e shtuar e Pejës. S’ka dyshim se artistët e Pejës dhe galeria e arteve i japin gjallëri qytetit tonë. Ne i kemi mbështetur vazhdimisht dhe ata nuk ka kanë zhgënjyer asnjëherë, por gjithmonë na kanë shpërblyer me suksese dhe me punën e tyre profesionale”, tha drejtori Zefaj, i cili shton se përkrahja institucionale asnjëherë nuk do t’ju mungoi artistëve të Pejës.

Mes tjerash, vlen të theksohet se e pranishme në koloninë e artistëve ishte edhe piktorja e merituar pejane Liridona Gjuka –profesoreshë e pikturës në shkollën e mesme të arteve “Odhise Paskali”. Sipas kësaj të fundit, kjo koloni është një mundësi e mirë komunikimi artistik për artistët figurativ dhe se aktivitetet e tilla janë tejet frytdhënëse.

Për fund, duhet shtuar se pjesëmarrës në koloninë e artistëve “Bjeshkët e Bardha 2017”, ishin piktorët nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia dhe Mali i Zi. Autor: Mangji Gashi./ KultPlus.com