Mulliri i Cal Malushit në Kotradiq të Pejës drejt funksionalizimit

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka njoftuar se mulliri i Cal Malushit në Kotradiq të Pejës është drejt funksionalizimit, përcjell KultPlus.

“Janë në përfundim punimet restauruese në këtë mulli, ndërsa është punuar duke i kushtuar rëndësi çdo detaji që ti ruhet origjinaliteti”, njoftojnë nga MKRS.

Ky aset është ndërtuar në fund të shek. XIX, ndërsa do të ruhet si i tillë edhe për brezat e ardhshëm. / KultPlus.com

‘Aktori dhe Poeti’ hapet edicioni i parë i festivalit kulturor për letërsi dhe teatër

Mbrëmë, në Pejë është hapur edicioni i parë i festvalit kulturor për letërsi dhe teatër “Aktori dhe Poeti”, në të cilin po marrin pjesë shkrimtarë, regjisorë, aktorë, dramaturgë dhe poetë nga të gjitha trevat shqiptare.

Po ashtu, si pjesëmarrës në këtë festival janë ftuar edhe poetë nga Rajoni dhe Evropa.

Ky festival synon të krijojë ura bashkëpunimi mes artit, letërsisë dhe poezisë në veçanti.

Panelet e diskutimit, orët letrare, promovimet e librave, kostumet kombëtare dhe ndërkombëtare, do t’u  mundësojnë pjesëmarrësve të ftuar që të njihen me kulturën, traditën dhe historinë e Kosovës.

Festivali është hapur më datën 18 shator dhe do të mbahet deri më 21 shtator./KultPlus.com

Gratë e Orkestrës së Mandolinave në Pejë, viti 1952 (FOTO)

KultPlus ju sjellë një fotografi të vjetër ku shihet Orkestra e Mandolinave, me anëtare femra, e formuar dhe udhëhequr nga Franjo Vacolini, Pejë, 1952.

Disa nga anëtaret e kësaj orkestre në këtë fotografi janë Gjejlon Bukleta, Gita Ciflaku, Nexhmije Krasniqi, Drita Rugova, Hasibe Syka, motrat Nagjije Luta dhe Samka Luta, Vilma Gashi, Zekije Budima, Sabernaz Bojku, Sytkije Turjaka, Saide Gashi, Qamile Sahatciu, Jezofina (mbiemri i pa njohur), Feride Gashi, Gjemile Kyqykrama, Atifet Malushaga, Vilma Antoni, Atije Dranqolli, Resmije Begolli dhe Bukurie Taraku.

Dirigjenti Franjo Vaculini kishte ardhur nga Çekosllovakia e atëhershme. Ai kishte filluar mësimin e teorisë së muzikës dhe fillimin e shkollës së parë muzikore me mësimin e instrumenteve frymore dhe të tjerave dhe luajtjen me nota, që në atë kohë ishte një risi.

Franjo Vaculini kishte qenë dirigjent i Orkestrës Shtetërore të Mbretit Zog kurse në Kosovë kisha ardhur si pasojë e internimit. Ai jo vetëm që formoi këtë orkestër por edhe Orkestrën Frymore të Meshkujve. Pas Franjo Vaculinit, orkestrën e ka udhëhequr Muhamet Belegu dhe më vonë Halit Kasapolli.

Peja në atë kohë, në vitet 1950 -1960 ka pasur disa lloje të orkestrave, si Orkestra frymore , Orkestra harkore, Xhaz orkestra, Orkestra e mandolinave dhe Orkestra popullore amatore. Këto të gjitha ishin në kuadër të shoqërisë kulturore “Përparimi”. / KultPlus.com

Shteti mbyll qendrën “Orenda” në Pejë

Minsitria e Financave ka njoftuar se ka hequr licencen për qendrën “Orenda” në Pejë ku edhe ka ndodhur rasti i dhunës fizike ndaj një banore të moshuar që qëndronte aty.

Vendimi thuhet se ka ardhur pas inspektimit dhe pas dorëzimit të raportit tek Komisioni Licencues. Pas takimit urgjent është marrë vendim për heqjen e licences dhe janë dhënë 24 orë afat për t’i njoftuar familjarët.

Derisa deri më 7 nëntor ditë e hënë ka afat për mbylljen e aktivitetit.

Njoftimi i plotë:

 Revokohet licenca e subjekit “Orenda”

Pas publikimit të pamjeve të sulmit fizik ndaj të moshuarës në subjektin “Orenda” në Pejë, Njësia e Inspektimit të Shërbimeve Sociale ka bërë inspektimin e menjëherëshëm të vendit të ngjarjes, si dhe intervistimin e stafit të qendrës dhe dëshmitarëve të rastit.

Me përmbylljen e raportit të inspektimit, i njëjti i është dorëzuar sot Komisionit Licencues, i cili ka mbajtur një takim urgjent ku është marrë vendim që subjektit “Orenda” t’i revokohet licenca për ofrimin e shërbimeve sociale.

Sipas vendimit të Komisionit, subjekti në fjalë është i obliguar që brenda një afati 24 orësh t’i njoftojë familjarët e rezidentëve lidhur me vendimin, kurse deri më datë 7 nëntor (e hënë) obligohet të dorëzojë licencën dhe të mbyll aktivitetin e ofrimit të shërbimeve sociale. / KultPlus.com

Nesër në Gjakovë protestohet pas rastit në Shtëpinë e të Moshuarve

Nesër do të organizohet një protestë në Gjakovë, pas rastit ku një e moshuar nga kjo komunë u keqtrajtua nga infermieret në Shtëpinë e të Moshuarve në Pejë.

Protesta është thirrur në Gjakovë, ndërsa thuhet se do të mbahet në mbrojtje të së moshuarës, e cila është nëna e dëshmorit Taulant Nura.

“Krejt bashkë të premten në ora 12:00 tek lapidari Shokët e Lirisë. Të parandalojmë torturat në shtëpitë e pleqve, ti gjendemi në krah nënës Minire, nënës së Taulant Nura, i cili humbi jetën në Betejën e Çabratit më 7 Maj 1999. Nënat e dëshmorëve janë nënat tona”, thuhet në njoftim.

Kujtojmë se për rastin tashmë janë arrestuar tri infermiere. / KultPlus.com

Kori Siparantum dhe Gospelchor am Münster nga Bazeli vijnë me koncert në Pejë

Kori Siparantum kësaj radhe në Pejë vjen me koncertin e radhës duke sjellur në Kosovë Korin e suksesshëm Gospelchor am Münster nga Bazeli me dirigjentin e njohur Oliver Rudin, fitues i shumë shpërblimeve në festivale të ndryshme botërore përfshi dhe suksesin e tyre të fundit në World Choir Games (2021).

“Jemi të lumtur që këtë sezonë po e fillojmë me koncertin e parë në bashkëpunim me korin Gospelchor am Münster nga Bazeli. Programi do të jetë interesant dhe tejet atraktiv për audiencen. Pas suksesit që kishim në World Choir Games, tani po takohemi përsëri, kësaj radhe në një skenë të përbashkët. Tashmë jemi rikthyer me prova dhe energjinë pozitive që gjendet mes nesh, mezi po e presim koncertin e së hënës”, Memli Kelmendi, dirigjent i Korit Siparantum

Koncerti i Gospelchor am Münster (Zvicër) me dirigjent Oliver Rudin dhe Siparantum Choir (Kosovë) me dirigjent Memli Kelmendi,  mbahet të hënën me 29 Gusht në ora 20:00 në Kinema “Jusuf Gërvalla” në Pejë. Koncerti është mbështetur nga Komuna e Pejës dhe Kinema “Jusuf Gërvalla”. / KultPlus.com

Festivali Ndërkombëtar i Animacionit ‘Anibar’ hapi dyert mbrëmë për të 13-tin vit në Pejë

Këtë të mërkurë festivali ndërkombëtarë i animacionit filloi edicionin e 13-të të tij. Ceremonia e hapjes së këtij festivali u mbajt në Kino “Liqeni” ku të pranishëm ishin shumë dashamirës të filmit të animuar, personalitete të njohura vendore si dhe ndërkombëtare.

Anibar gjithashtu pati nderin të shpalos programin e kuruar nga LINOLEUM Festival, një festival i animacionit i bazuar në Kiev të Ukrainës. Të pranishmit patën nderin të ndjekin një program 40 minutësh të përgatitur nga Anastasiya Verlinska, drejtoreshë e festivalit LINOLEUM. Këtë vit, edhe pse jo të premten, edicioni i 13-të i Anibar fillon nga data 13 deri më 19 korrik. Një numër që përfaqëson fatkeqësinë dhe fatin e keq që përballet edhe me frikën, aq sa ka një fobi që mban emrin e saj. Pavarësisht nëse besoni në besëtytni apo jo, mos e humbisni rastin të jeni pjesë e kësaj jave të shenjtë “supersticioze”.

Ky edicion është një ftesë për të gjithë me qëllim të zhvillimit të industrisë së animacionit dhe hapave drejt së ardhmes së tij. Aktivitetet kanë të bëjnë më rritjen dhe edukimin e komunitetit të animatorëve për shkak të potencialit të jashtëzakonshëm.

Festivali Ndërkombëtarë i Filmit të Animuar vjen me një program mjaft të pasur prej 224 filmash, prej tyre 1400 të dërguar nga e gjithë bota. Filmat ndahen në tetë kategori, shtatë prej të cilave janë garuese: Gara Ndërkombëtare, Gara Studentore, Gara Ballkanike, Gara e Videomuzikës së Animuar, Gara e Filmit të Metrazhit të Gjatë, Kategoria e të Drejtave të Njeriut, Filmat e Audiencës së të rinjëve dhe një kategori tjetër jokonkurruese: Panorama Jashtë Garës.

Përveç shfaqjes së filmave të animuar, si çdo edicion tjetër edhe këtë vit do të ketë programe tjera, ku përfshihen tre prezantime, katër punëtori, tri panele dhe katër programe speciale. Si në vitet e mëparshme, të ftuar special do të bashkohen për të ofruar njohurinë e tyre rreth industrisë së animacionit. Ndryshe nga edicionet e kaluara ky edicion do të ketë një program të veçantë të kuruar të realitetit virtual VR. Ky do të kurohet me partnerët të AniFilm Festival, të cilët kanë njohuri dhe ekspertizë të gjerë me filma VR dhe video interaktive. Programi VR do të jetë i pari që do të shfaqet në kuadër të festivalit Anibar si dhe në rajonin e Pejës. Vetë programi do të përbëhet nga shtatë filma të animuar të paraqitur para audiencës së festivalit në një mënyrë interaktive duke u fokusuar në një ndërfaqe eksperimentale dhe jo në vëzhgim për ta përjetuar shikuesin. Ky program do të ofrojë mundësinë për të parë filma në një mënyrë jo tradicionale duke stimuluar se si industritë kreative mund të shprehin histori.

Anibar këtë vit sjellë edhe programin muzikor, ku do të performonjë shumë artistë si: Gent Gorani, Connecting Dots, Florent V, Sahati, Eptan, Blla Blla Blla…, Neither Famous Nor Rich (NFNR), Jolle, BimBimma, Dj Pamon, Grey Lenses, Elektorati Intelektual, Shlem, Vëllezërit Mllefi, Telikput, Gipsy Groove, Lilac, Don’t Listen to Your Neighbours, Artil, dhe Currski. Ky edicion i festivalit përfundon më 19 Korrik. Besoni apo jo në bestytni, Anibar mirëpret ardhjen tuaj në qytetin e Pejës. / KultPlus.com

“Bestytndejat”, Anibar 13 shpalos programin për mbrëmjet muzikore

Festivali i filmit të animuar ‘Anibar’ ka nderin të shpalos programin (lineup) për mbrëmjet muzikore, përcjell KultPlus.

Me gjithsej 21 performues nga dhe jashtë vendit, ‘Anibar’ ju mirëpret të bashkëngjiteni tek parku Karagaq (Kino Liqeni) për “Bestytndejat” e tyre nga 13 deri më 19 korrik.

Më poshtë gjeni të bashkëngjitur fotografinë me emrat e performuesve. / KultPlus.com

Shtëpia e vjetër e Qehajve në Pejë drejt shpëtimit, përfundojnë ndërhyrjet e para

Në shtëpinë e vjetër të Qehajve në qytetin e Pejës përfunduan ndërhyrjet e para, masat preventive me karakter shpëtimi.

Kjo shtëpi me vlera të larta arkitekturore për trashëgiminë kulturore i takon shekullit të XIX-të, ndërsa përmban karakteristika të veçanta për arkitekturën tipike të shtëpive qytetare në Pejë.
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit po vazhdon me restaurimin dhe konservimin e shtëpisë. / KultPlus.com

Kulla e Sheremetit në qytetin e Pejës shpëton nga rrënimi dhe degradimi i tërësishëm

Kulla e Sheremetit në qytetin e Pejës shpëton nga rrënimi dhe degradimi i tërësishëm.

Në këtë aset të trashëgimisë sonë kulturore që ngërthen në vete plot histori, po vazhdojnë ndërhyrjet restauruese dhe konservuese, ndërsa punimet kanë kaluar në fazën e dytë.

Kompleksi si ndërtim i takon gjysmës së dytë të shek. XIX-të.

“Çdo ditë punë të mira në mbrojtje të trashëgimisë kulturore”, ka shkruar ministri Hajrulla Çeku në rrjetet sociale. / KultPlus.com

Profesori u mbylli njësha 83 nxënësve, e humbin testin e maturës

83 nxënës të klasës së 12’të të shkollës “Ali Hadri” në Pejë, nuk do të mund të hyjnë në Testin e Maturës, si pasojë e 1-shave të lënë nga një profesor i vetëm.

Nxënësit që në gjithë gjeneratën ishin 131 ankohen se vlerësimi nuk ka qenë i duhur, derisa kërkojnë të merren masa për ta ndryshuar këtë gjendje.

Në lidhje me këtë veprim, drejtori i shkollës thotë se i ka tërhequr vërejtjen mësimdhënësit, për të cilin thotë se është punëtorë, por që rezultati i tij është vazhdimisht i dobët.

Me këtë rast po merren edhe në Drejtorinë e Arsimit në Pejë, por deri pasditen e së premtës nuk është marrë ndonjë vendim, në lidhje me profesorin që në vazhdimësi ka këso rezultati.

Deri në fundjavë ankesë zyrtare nuk shkoi as në Inspektoratin e Arsimit, ku të rinjtë thonë se e kanë dërguar një kërkesë për tu hetuar ky zhvillim./klankosova./ KultPlus.com

Në Kosovë, gratë ukrainase mësohen në çaktivizimin e municioneve të pashpërthyera

Një grup i grave ukrainase janë duke mësuar në çaktivizimin e minave dhe municioneve të tjera të pashpërthyera, shkruan KultPlus.

Ky mision është duke u realizuar në Pejë, dhe në këtë grup ku janë të përfshirë gra ukrainase, janë të përfshirë edhe civilë e ushtarak.

“Së bashku për një të ardhme të ndritur”, është shkruar gjatë këtij trajnimi./ KultPlus.com

Drejtoria Komunale e Arsimit pas rastit në Festën e Abetares: Mendojmë për kallëzim penal ndaj gazetares

Drejtoria Komunale e Arsimit në Pejë ka reaguar lidhur me rastin e prezantuar dje në Pejë, ku pretendohet që dhjetë nxënës të pakicave u lanë anash gjatë Festës së Abetares, shkruan KultPlus.

​Nga drejtoria thonë që lajmi është tendencioz dhe nuk përkon me realiteti. Të njëjtit kanë deklaruar që janë duke menduar për kallëzim penal ndaj gazetares që e ka realizuar këtë storie.

Ky është reagimi i plotë nga Drejtoria Komunale e Arsimit në Pejë:

Lajm i skajshëm tendencioz, që nuk përkon me realitetin.

​Mësuesja në fjalë, pas aktiviteteve në parkun e qytetit me nxënës ka ardhur në palestrën “Karagaqi” në Pejë, ku mbahej festa e Abetares, rreth orës:13:00.

Është ulur në pjesën, që i ka konvenuar. Kanë qenë në nivel dhe të hareshëm.

​Ata sigurisht se kanë patur dëshirë ndoshta të jenë në pjesën e podiumit, por nuk ka të bëjë me realitetin.

Në pjesën e podiumit kanë qenë të vendosur vetëm nxënësit, klasat e parapara për prezantim dhe zyrtarët nga MASHT-i dhe Komuna e Pejës. Nga Komuna e Pejës ishte një paralele e Sh.F. ,,Asdreni’’, ndërsa të tjerët ishin në pjesën e spektatorëve: nxënësit, prindërit dhe qytetarë të tjerë.

​Prezantimi i Klan Kosovës është tendencioz, sepse ul dinjitetin e mësuesit.

Është prerë deklarata e mësueses. Sigurisht se jemi duke menduar për kallëzim penal ndaj gazetares.

​Nxënësit janë të barabartë dhe si të tillë do të trajtohen pa dallim race, gjinie, apo besimi. Çdo shkelje ndaj tyre, do të trajtohet me përkushtim.

​Dëshpërues fakti, pse këto tendenca pikërisht në festën e Abetares?! / KultPlus.com

​​

Kori ‘Haxhi Zeka’ nesër mban koncertin premierë që përkon me përvjetorin jubilar të Universitetit

Koncerti i radhës së Korit të Fakultetit të Arteve, mbahet nesër me rastin e 10 vjetorit të themelimit të Universitetit “Haxhi Zeka”, përcjell KultPlus.

Pas koncertit premierë të korit rishtazi, programi i tyre shfaqet edhe për publikun e Pejës, pikërisht në datën që përkon me përvjetorin jubilar të Universitetit.

Koncerti fillon nga ora 19:00 dhe mbahet në kishën katolike “Shën Katarina” në Pejë.

Përvjetorët jubilarë janë momente të rëndësishme në jetën e një institucioni e shteti, janë momente që na mundësojnë të shohim rrugën që kemi bërë në të kaluarën por edhe momente vizioni për të ardhmen të cilën duam ta ndërtojmë.

Andaj, do jetë nder që këtë ditë ta shënojmë së bashku me një program të pasur artistik të përpiluar me vepra botërore dhe kombëtare”, ka shkruar dirigjenti Hysen Nimani në rrjetin social Facebook. / KultPlus.com


Nesër organizohet ceremonia përuruese e Qendrës Nacionale të Xhudos në Pejë

Nesër duke filluar prej orës 11:00, do të organizohet ceremonia përuruese e Qendrës Nacionale të Xhudos në Pejë.

Në përurimin e Qendrës Nacionale do të marrin pjesë Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, kryeministri Albin Kurti, kryetari Federatës Ndërkombëtare të Xhudos, Marius Vizer, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, përfaqësuesit e Komitetit Olimpik të Kosovës dhe Federatës së Xhudos së Kosovës dhe shumë personalitete e mysafirë tjerë vendorë e ndërkombëtarë.

Lokacioni i Qendrës Nacionale të Xhudos: Lagjja Tabjet, Pejë

Agjenda e ceremonisë përururese:

Moderatore: Donika Hyseni

11:00 – 11:05 Hapja e ngjarjes nga Moderatorja
11:05 – 11:10 Fjalimi i Presidentes
11:10 – 11:15 Dekorimi i Sportisteve nga Presidentja
11:15 – 11:23 Fjalimi i Kryeministrit
11:23 – 11:30 Fjalimi i Kryetarit të FNXH-së, Marius Vizeri
11:30 – 11:35 Fjalimi i Kryetarit te Komunës së Pejës
11:35 -11:40 Fjalimi i Agron Kuka
11:40 – 11:43 Përmbyllje nga Moderatorja
11:43 – 11:50 Prerja e shiritit
11:50 – 12:00 Performancë nga Sportistet e Xhudos brenda Qendrës Nacionale / KultPlus.com

Gratë e Orkestrës së Mandolinave në Pejë, në vitin 1952

KultPlus ju sjell një fotografi të vjetër ku shihet Orkestra e Mandolinave, me anëtare femra, e formuar dhe udhëhequr nga Franjo Vacolini, Pejë, 1952.

Disa nga anëtaret e kësaj orkestre në këtë fotografi janë Gjejlon Bukleta, Gita Ciflaku, Nexhmije Krasniqi, Drita Rugova, Hasibe Syka, motrat Nagjije Luta dhe Samka Luta, Vilma Gashi, Zekije Budima, Sabernaz Bojku, Sytkije Turjaka, Saide Gashi, Qamile Sahatciu, Jezofina (mbiemri i pa njohur), Feride Gashi, Gjemile Kyqykrama, Atifet Malushaga, Vilma Antoni, Atije Dranqolli, Resmije Begolli dhe Bukurie Taraku.

Dirigjenti Franjo Vaculini kishte ardhur nga Çekosllovakia e atëhershme. Ai kishte filluar mësimin e teorisë së muzikës dhe fillimin e shkollës së parë muzikore me mësimin e instrumenteve frymore dhe të tjerave dhe luajtjen me nota, që në atë kohë ishte një risi.

Franjo Vaculini kishte qenë dirigjent i Orkestrës Shtetërore të Mbretit Zog kurse në Kosovë kisha ardhur si pasojë e internimit. Ai jo vetëm që formoi këtë orkestër por edhe Orkestrën Frymore të Meshkujve. Pas Franjo Vaculinit, orkestrën e ka udhëhequr Muhamet Belegu dhe më vonë Halit Kasapolli.

Peja në atë kohë, në vitet 1950 -1960 ka pasur disa lloje të orkestrave, si Orkestra frymore , Orkestra harkore, Xhaz orkestra, Orkestra e mandolinave dhe Orkestra popullore amatore. Këto të gjitha ishin në kuadër të shoqërisë kulturore “Përparimi”. / KultPlus.com

Nesër në Pejë protestohet kundër dhunës seksuale ndaj grave

Të hënën, duke filluar nga ora 12:00 në korzonë e qytetit të Pejës, do të mbahet një protestë kundër dhunës seksuale ndaj vajzave dhe grave, si dhe kundër heshtjes institucionale ndaj kësaj dukurie negative.

Organizatorët e protestës “Aktivistët e Pejës” në Facebook kanë bërë të ditur se vetëm gjatë javës së kaluar 18 vajza e gra raportuan se kanë përjetuar ndonjë formë të dhunës seksuale e ngacmimeve në Kosovë.

“Ne e dimë shumë mirë që ngacmimi seksual, sulmet seksuale e përdhunimet janë duke iu ndodhur vajzave e grave çdo kund, qoftë në shkolla, institucione publike e private. Andaj dhe do të ngrihemi në protestë, për t’i bërë ballë këtij fenomeni shqetësues dhe për të kërkuar përgjegjësi institucionale e siguri për vajzat dhe gratë. Të protestojmë dhe të rezistojmë derisa drejtësia për vajzat dhe gratë të vihet në vend dhe ato të jetojnë pa frikë”, thuhet në postim./ KultPlus.com

Në Pejë hapet ekspozita e parë e akademikut Zuvdija Hoxhiqit – Berisha

Dhjetëra piktura që sjellin po aq dimensione, forma e ngjyra jete nëpër qytete të ndryshme të Kosovës , përbëjnë ekspozitën “Gjurmë Kosovë”, të akademikut Zuvdija Hoxhiq Berisha, në Galerinë e Arteve në Pejë, me të cilën Shoqata Rajonale e Shkrimtarëve “Teuta” hapi manifestimin e përvitshëm letrar trekufitar “Muzat e Alpeve 2020”.

Shatrolli: “Ekspozita e Hoxhiqit prek gjenezën e kulturës shqiptare”

Filozofia e burimit ideor dhe artistik e kësaj ekspozite sendërtohet mbi njollat e mbetura të lapsit arkitektonik të një qytetarie të vjetër, e cila në kuptimin e peshës trashëgimore, do të matej me ngjyrat e tokës, para së gjithash, me kutin e letërsisë, tha me rastin e hapjes kuratori i ekspozitës Naser Shatrolli. ”Objektet me te cilat është paraqitur autori ,vetëm sa e përfytyrojnë mënyrën e të jetuarit të paraardhësve tanë, por jo vetëm, gjersa prek në gjenezën e kulturës shqiptare. Ndërsa kultura e minaresë dhe e subjekteve të tjera në këtë formulim artistik, në kontekstin filozofik janë vlera që ngacmojnë nervin e komunikimit me rrethin dhe rrethanat, transmetojnë ide, pikëpamje, harmoni, mesazhe bashkërenduese në bashkësi dhe përtej.”

Drejtoresha Syka Kelmendi: “Peja mbështet bashkëpunimin ndërkufitar”

Drejtoresha Xhenet Syka –Kelmendi, e cila paraprakisht priti në zyrën e saj përfaqësuesit të “Teutës” e tha se: ”Ekspozita e parë e akademikut Hoxhiq në Kosovë është e para edhe në periudhën e pandemisë, e cila anuloi kalendarin e aktiviteteve te planifikuara në komunën tonë. Por, së bashku me kolegët e respektuar kemi bërë të pamundurën që edicionin e 8-të të manifestimit trekufitar “Muzat e Alpeve” ta fillojmë nga Peja. Se, politikat tona lokale më së tepërmi janë të përqendruara në bashkëpunimet ndërkufiare dhe rajonale dhe vetëm kështu mund të integrohemi dhe të prezantojmë diversitetin tonë në të gjitha sferat e jetës, e në veçanti në atë të kulturës”.

Limani: “Peja dhe “Teuta”, shembull se si duhet prezantuar kultura”

“Forma instiucionale të cilën ka krijuar komuna e Pejës për të prezantuar veprat e artit është ajo që duhet krijuar për t’u shijuar ato, çfarë është edhe misioni I artit. Ndërsa “TEUTA” ka vizion dhe po ashtu ka një mision për të lënë gjurmë në kohë. Sepse, detyra e krijuesve është që ta shënojnë kohën në të cilën jetojnë, që të mos mbeten figurantë anonimë e vetëm numra nëpër institucione të ndryshme. Ndërsa, ky artikulim konkret i shënimit kulturor është një sprovë e sfidë dhe po aq duhet të jetë provokim që të vazhdojnë në këtë formë, që të nderojmë veten, kulturën, kombin dhe kuptimin e jetës”- tha me këtë rast Xhevat Limani, shkrimtar dhe themelues i “Teatrit Shqiptar në Amerikë”.

Hoxhiq: “Pejën e dua dhe e përjetoj si atdhe”

“Kur zhduket shtëpia, është njësoj si kur digjet biblioteka. Ndërsa unë, duke i vizatuar ato pothuajse me naivitet fëmijëror, besoj se i kam ruajtur sa për veten time po aq dhe për ata për të cilët kanë domethënien e njëjtë. Sepse, këto piktura më lidhin me rrënjët me të cilat degëzohem, me Berishët e mi nga Kodralia e Deçanit, me Kosovën, e veçanërisht me Pejën, ku kalova disa prej viteve më të bukura të jetës; fëmijërinë time. Prandaj, unë Pejën e përjetoj dhe e dua si atdhe dhe çdo rikthim atje është sikur të mos kisha ikur kurrë . Ndaj, me keqardhje të sinqertë pse edhe sot nuk jam në qytetin tim të dashur dhe me ju- ju kujtoj me dashuri”- shkruan mes tjerash në letrën falënderuese enkas për këtë rast, akademiku Zuvdija Hoxhiq Berisha, të cilit rritja e papritur e numrit të të prekurve nga pandemia në Kosovë ia pamundësoi pjesëmarrjen.

“Teuta” ua dhuron pikturat institucioneve mbështetëse

Ekspozita, e cila do të qëndroj e hapur për dy javë në Galerinë e Arteve në Pejë, është e para e akademikut Zuvdija Hoxhiq Berisha në Kosovë, si dhe e dyta e “Teutës” pas ekspozitës fotografike “Motive nga Kruja e Skenderbeut”, me 2018. Karvani i shkrimtarëve “Muzat e Alpeve”, vazhdoi aktivitetin e saj te përvitshëm kulturor dhe letrar në Klinë dhe në Petnjicë. Ndërsa, shkrimtarja dhe gazetarja Ajetë Beqiraj kryetare e Shoqatës Rajonale të Shkrimtarëve “Teuta”, e cila me këtë ekspozitë filloi edicionin e 8-të të Manifestimit Letrar Trekufitar “Muzat e Alpeve 2020”, falenderoi Ministrinë për Kulturë, Rini dhe Sport të Rebulikës së Kosovës dhe Komunën e Pejës për mbështetjen e vazhdueshme ndër vite, për të shtuar se dëshirë e “Teutës” por edhe e akademikut Hoxhiq është që këto piktura të mbesin tek këto dy institucione si shenjë mirënjohjeje e “Teutës” dhe gjurmë e çmueshme e aktivitetit shumëkulturor “Muzat e Alpeve”. / KultPlus.com

Pleqnari nga Peja që përveç zgjidhjes së ngatërresave, merret edhe me zeje

Pleqnari Haxhi Lajçi nga Peja përveç zgjidhjes së ngatërresave merret edhe me punëtorinë e tij të vogël. Ai thotë se me këtë zeje dikur mbanin familjen.

Brenda punëtorisë së tij të vogël, Lajçi thotë se e largon lodhjen dhe stresin që i akumulohet nga zgjidhja e ngatërresave.

Këtë zeje thotë se e ka trashëguar nga gjyshi i tij.

Përveç zanatit ka trashëguar edhe mjetet e punës qindravjeçare nga të parët e tij.

Për Lajçin kjo nuk është vetëm mjeshtri, por edhe art.

Shumicën e punimeve të cilat i realizon me mund e djersë, Rrahman Lajçi, i dhuron për organizata joqeveritare por edhe bashkëatëdhetarët të cilët shumicën e rasteve edhe ia shpërblejnë mundin./rtk/ KultPlus.com

Në Pejë vihet gurthemeli i Qendrës nacionale të xhudos

Pas shumë vitesh pritje, sot në Pejë është hedhur gurthemeli i Qendrës nacionale të xhudos.

Në ceremoninë e organizuar në lagjen “Asllan Çeshme”, të pranishëm ishin ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, kreu i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani, kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri, zyrtarë të Federatës së Xhudos së Kosovës dhe xhudistë të shumtë.

Qendra do të ndërtohet nga Federata e Xhudos e Kosovës në bashkëpunim me Federatën Ndërkombëtare.

“Për mua është privilegj dhe kënaqësi të jem pjesë e kësaj ngjarje, e ndërtimit të kësaj qendre nacionale të xhudos, duke e ditur që këtu do të ushtrojnë kampionët e tashëm, por edhe kampionët e ardhshëm të xhudos kosovare. Uroj që punët të na ecin mbarë me shpresë që vitin e ardhshëm, tash një vit ekipi ynë olimpik, nisjen ta bëjë nga kjo qendër e përfunduar”, deklaroi kryetari i Federatës së Xhudos, Agron Kuka, përcjell KP-ja.

Ministrja Dumoshi e quajti këtë një ditë të madhe për sportin, ndërkohë kreu i KOK-ut, Hasani, tha se xhudistët do të kenë infrastrukturën e nevojshme për stërvitje.

Tash e sa kohë, Peja është kryeqendër e xhudos, por i ka munguar infrastruktura. Një qendër shumë më e madhe ishte premtuar edhe nga MKRS-ja.

Nga klubi “Ippon” i trajnerit Driton Kuka kanë dalë kampionë olimpik, botëror e evropian.

Përurohet shtatorja e Majlinda Kelmendit

Shtatorja e kampiones Olimpike kosovare, Majlinda Kelmendi u përurua sot në vendlindjen e saj, në Pejë.

Përurimin e shtatores e bëri presidenti i Federatës Ndërkombëtare të Xhudos, Marius Vizer, i cili ishte i pranishëm edhe në ceremoninë e Laureatëve 2019, të organizuar nga Komiteti Olimpik i Kosovës të enjten.

Majlinda është sportistja e vetme e Kosovës me medalje Olimpike. Ajo fitoi të artën në kategorinë -52 kg të xhudos në Lojërat Olimpike RIO 2016.

Trajneri i saj, Driton Kuka, e kishte konfirmuar në korrik të vitit të kaluar, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, se Federata Botërore e Xhudos ka vendosur t’i ndërtojë statujë Majlinda Kelmendit.

Kuka kishte thënë se “artistët më të njohur në botë janë ftuar për ta punuar statujën e bronztë për Kampionen tonë Olimpike!”.

Përkundër që kjo statujë u ndërtua nga Federata Botërore e Xhudos, Kuka bëri të ditur se ajo do të vendoset në Kosovë dhe kërkoi sugjerime për lokacionin e saktë.

Pikërisht lokacioni ishte bërë problemi kryesor në këtë çështje, pasi që Driton Kuka thoshte se Komuna e Prishtinës s’i ka kthyer atij përgjigje qysh nga vera për lokacionin e statujës së Majlinda Kelmendit. Më vonë u vendos që ajo shtatore të ngrihet në Pejë. / KultPlus.com

Kori “Siparantum” për tre vjet ngërthen rreth vetes performanca dhe shpërblime në shumë vende të botës

Kori “Siparantum” nga Peja edhe pse ka më pak se tre vite që nga themelimi, po tregon suksese të vazhdueshme brenda dhe jashtë vendit, shkruan KultPlus.

Ky kor së fundmi është shpërblyer në garën ndërkombëtare të koreve evropiane, në edicionin e 15-të të “International Choir Contest Flanders”.

Kjo ishte hera e parë që një kor nga Kosova pranohet në festivalin ndërkombëtar në IKV International Choir Contest Flanders, Belgjikë, i selektuar në mesin e shumë shteteve evropiane si; Republika Çeke, Sllovenia, Hungaria, Belgjika etj.

“Të jesh i selektuar në një festival të nivelit të tillë, konsideroj që është një sukses shumë i madh, jo vetëm për mua, por përgjithësisht për kulturën tonë. Vet selektimi i korit Siparantum, konsideroj që është sukses në vete, duke e marrë parasysh konkurrencën e madhe që sot është në botë”, ka thënë dirigjenti Memli Kelmendi për KultPlus.

Dita e parë e korit dha emocione të papërshkrueshme, ishte ndjenjë e përfaqësimit të shtetit tonë të ri, pranë shteteve të cilët kanë traditë me qindra, mijëra vjeçare. Në ditën e parë kori u paraqit me vepra të kompozitorëve John Bennett, Josef Rheinberger, Josquin Des Prez, Rafet Rudi dhe ajo që ishte pothuajse më kryesore, vepra në kategorinë Compulsory Ëork e kompozitorit të njohur botëror Jan Van Der Roost, Amor io fallo në kategorinë e koreve miks. I pranishëm ishte vet kompozitori i cili pas përformancës vlerësoj lartë interpretimin, paraqitjen dhe koreografinë e korit duke thënë se këtë nuk e prisja, ishte një paraqitje fantastike.

Në mbrëmjen e datës 5 tetor, në sallën koncertale C-Mine të Genk, kori Siparantum u paraqit me një program koncertal me vepra të kompozitorëve të njohur botëror.  Korit i parapriu Hobo & Fagot-enseble en Sax-ensemble e akademisë së muzikës të Genk më pas Balletschool Veronique Lenaers Genk. Programi u vlerësua lartë nga kritikë të muzikës nga mbarë bota që ishin prezent.

Dita e dytë, korin e gjeti me një performancë të karakterit tjetër, interpretimi i veprave të gërshetuara me koreografi, lëvizje dhe interpretim të veprave kontemporane; Gerar Guevara, Kreshnik Aliçkaj dhe Folke Rabe.

“Edhe pse nuk arritëm të jemi në mesin e tre të parëve, kori u klasifikua në top pesëshe që poashtu u kurorëzua me Honorable Mention të festivalit IKV International Choir Contest Flanders. Padyshim që ky është sukses për ne. E rëndësishme është që ne kemi krijuar kontakte të shumta ku padyshim që do të jenë në dobi të korit tonë. Performancat tona janë pëlqyer, kjo ne na ka mësuar shumë, ishte përvojë e re, do të mbesin kujtimet më të bukura për ne”, ka thënë Memli Kelmendi për KultPlus.

Në natën përmbyllëse të festivalit, në ceremoninë e ndarjes së çmimeve kori Siparantum u paraqit me veprën e kompozitorit të njohur shqiptar “Xhike-Loke” e cila është pëlqyer shumë qoftë nga publiku dhe juria profesionale.

Udhëtimi tjetër e gjen korin Siparantum në njërën prej kishave më të përshtatshme për koncerte të muzikës klasike në Bruksel, Eglise De L’Abbaye Notre Dame De La Cambre e cila u organizua me insistimin e familjes Berisha nga Peja në bashkëpunim me Les Grandes Heures De La Cambre.

“Konsideroj që ky ka qenë njëri prej koncerteve tona më të bukura. Ishte një organizim i përkryer të cilën nuk jemi mësuar të kemi deri më tash. Në Evropë është vështirë të mbushet një sallë me publik duke e marrë parasysh koncertet e shumta që organizohen brenda një dite, brenda një qyteti. Për neve ishte një emocion i papërshkruar meqë në koncert kishin ardhur shumë bashkatdhetarë por kishte edhe shumë të huaj, menaxherë të muzikës, muzicientë të huaj nga vende të ndryshme që kishin ardhur të ndjekin koncertin tonë në Bruksel. Ishte një koncert të cilin unë do të mbaj në mend gjatë gjithë jetës, është e pa përsëritshme“.

Në këtë koncert, kori u paraqit me vepra të kompozitorëve të njohur shqiptar dhe botërorë të cilët u pritën jashtëzakonisht mirë nga publiku, në repertor u realizuan vepra të përgatitura enkas për këtë program në përcjellje të Agron Shujakut, pianist dhe Luan Sapunxhiut, kitarë.

E veçanta e këtij koncerti ishte bashkëpunimi me kuartetin fantastik të harqeve nga Akademia e Muzikës së Brukselit, Sarah Bayens, Chen Lim, Maxime De Petter, Joachi Jamaer me të cilin kori realizoi dy vepra të kompozitorëve Gjeilo dhe Jenkins. Padyshim që kjo erdhi si rrjedhojë e bashkëpunimit me Guy Danel, professor në Conservatoire Royal de Bruxelles, i cili pas përfundimit të koncertit vlerësoi lartë paraqitjen dhe repertorin kolosal të korit Siparantum.

Vet Marguerite Ray, organizatore e koncertit në Bruksel në fund të koncertit të pranishmëve ju drejtua me një fjalë “ka kohë që në këtë kishë nuk është dëgjuar muzikë kaq e bukur“.

“Tashmë kemi siguruar më shumë se tre ftesa për vitin 2020/2021. Uroj që organet kompetente të kenë qasje më delikate në realizimin e objektivave tona të përbashkëta artistike”, ka thënë tutje Memli.

Sot kori Siparantum ka korin e fëmijëve, korin e femrave, korin e meshkujve dhe korin miks. Përpos paraqitjeve të shumta në vend, ka qenë pjesëmarrës në festivalin Internacional të Koreve “Nancy Voix Du Monde” Francë, me ç ‘rast Kosova është paraqitur për herë të parë në këtë festival, duke koncertuar në vendet më të njohua të vendit si: Le Temple Protestant De Nancy, Héré, Grands Salons de Ville, Lunéville, Cathédrale Notre-Dame-de-l’Annonciation Saint-Sigisbert, për të vazhduar me koncertet në Hrvatski Glazbeni Zavod, Mimara, Crkva Pavla, Zagreb, Kroaci. Në muajin mars kori ka mbajtur dy koncerte të rëndësishme në Romë dhe Vatikan, Chiesa di San Salvatore, Lauro, Rome, dhe Basilica San Antonio – Pontificia Universitá Antonianum, Roma për të vazhduar me turneun e koncerteve në Shkodër dhe në  festivalin ‘Skena e Muzikës Serioze Shqiptare’ Tetovë, Maqedonia Veriore.

Gjatë muajve në vijim kori do të shpalos ftesat për festivalet e tjera të radhës në Evropë. / KultPlus.com

“Të jesh nënë” e regjisores Sevdije Ajeti së shpejti në Teatrin “Istref Begolli”

Mbas çmimit si regjisore e vitit nga Ministria për Kulturë, Rini dhe Sporte, Sevdije Ajeti, e ftuar nga Teatri i Pejës “Istref Begolli”, ka filluar punën për të vënë në skenë shfaqjen “Të jesh nënë” të autorit Roberto Bracco, shkruan KultPlus.

Regjisorja Sevdije Ajeti së bashku me trupën e aktorëve të teatrit “Istref Begolli” i janë përveshur punës për të sjellë para publikut shfaqjen “Të jesh nënë” premiera e të cilës pritet të jetë gjatë këtij muaji.

Shfaqja “Të jesh nënë” e regjisores Sevdije Ajeti, është një dramë e shkruar e autorit Italian Roberto Bracco i cili njihet si letrar i madh në fillim të shekullit njëzet. Drama trajton aspektin e lirisë së individit në raport me kërkesat e shoqërisë. Personazhi kryesor është një grua e moshës së mesme, Klaudia e cila është e martuar me Alfredin i cili është i zhytur në borxhe. Ai gjithashtu nuk ka qenë i sinqertë ndaj bashkëshortes së tij.

Klaudia krejt çka ka ëndërruar gjatë jetës së saj ishte të bëhej nënë. Prandaj ai me të marrë vesh lajmin se Klaudia është shtatzënë kërkon të riparoj marrëdhëniet me Klaudian dhe të ndryshojë mënyrën e tij të jetesës duke mos vazhduar me marrjen e borxheve, për arsye sepse xhaxhai i tij i cili nuk kishte trashëgimtar, tani pasurinë do të ja kaloi fëmiut të tyre. Klaudia e cila kishte ëndërruar të bëhej nënë dhe e cila kishte kërkuar një jetë të sajën duke mos qenë subjekt i trajtimit zakonor, por edhe në kërkim të lirisë së saj si grua dhe si nënë, ndërmerr një hap që krijon raporte të tensionuara brenda familjes, fillimisht duke ju hakmarrë Alfredit për të shkuarën e tij por edhe të familjes, xhaxhait të tij për cenimin e të drejtës së saj si nënë. Teksti dramatik mes të tjerash është i mbushur me tension që krijojnë personazhet mes tyre. Personazhet ndërthuren mes tyre duke krijuar situata komike por edhe tragjike në fund. Kjo atmosferë e tensionit të dramës dhe komikes është zhvendosur në skenë fillimisht mes lojës komike të shërbëtorit Diego dhe zotërisë së tij, Muricio që paraqitet gabimisht si i dashuri I Klaudias. Në këtë lojë komike ngatërrohet pastaj Alfredi dhe detektivi i tij që i raporton për sjelljet e Klaudisë. Por, ngjarja merr zhvillimin e vet të papritur dhe ndërtohet mbi fragmente pikëlluese dhe tejet dramatike, më tutje.

“Këtë atmosferë e kemi bartur në skenë edhe përmes skenografisë dhe kostumeve duke treguar luhatjen e personazheve mes komikes dhe dramatikes. Skenografia është shumë piktoreske dhe vizive deri në përmasa të kubizmit. Në këtë mënyrë personazhet shfaqen reflektues”, ka treguar regjisorja Ajrti për KultPlus.

Ajo tutje ka treguar se mesazhi i shfaqjes është dilema e gruas midis të drejtës për të qenë nënë dhe për të qenë një grua e pavarur. Ky konflikt brenda gruas së sotme e krijon një shfaqje dramatike si kjo e Brakos.

“Provat për shfaqjen veç kanë filluar. Jam shumë e kënaqur me procesin e punës është një ekip shumë i mirë i aktorëve , tani jemi në finalizim të provave, të skenografisë dhe kostumografisë. Kasta e aktorëve është nga teatri ‘Istref Begolli’ dhe premiera pritet të dalë gjatë këtij muaji”, ka treguar krejt për fund regjisorja Ajeti.

Në këtë shfaqje luajnë akotrët: Aida Alidemi, Flormend Shabaj, Agon Bala, Faik Zekaj, Shpresa Salihaj, Fitore Zekaj, Herodita Ramshaj, Luan Daci./ KulPlus.com/KultPlus.com

Përurohet Qendra e Rinisë në Pejë

Qyteti më perëndimor i Kosovës, Peja, sot u bë me Qendrën e Rinisë.

Të rinjtë e kësaj treve tani e tutje do të kenë shtëpinë e tyre të re. Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, bashkë me kryetarin e kësaj komune, Gazmend Muhaxheri, zyrtarë të Ministrisë e Komunës dhe përfaqësues të strukturave rinore bënë përurimin e këtij objekti, investim i tërësishëm i MKRS-së, në vlerë prej mbi 220 mijë euro. Projekti, deri në finalizimin e tij ka zgjatur dy vite.

Në takimin që zhvilluan ministri Gashi e kryetari Muhaxheri, e vlerësuan se ky projekt kapital është i rëndësishëm për të rinjtë pejanë dhe tani ata kanë hapësirën e mjaftueshme dhe moderne se ku t’i realizojnë aktivitetet dhe grumbullimet e tyre. Po ashtu, Gashi e Muhaxheri kanë biseduar edhe për projekte dhe mundësi tjera të bashkëpunimit e bashkëinvestimit në të mirë të qytetarëve të Komunës së Pejës. Konkretisht, diskutuan edhe për zgjidhjen e çështjes së Qendrës Nacionale të Xhudos, e cila shumë shpejt do të fillojë të ndërtohet.

Ministri Gashi, ka shprehur kënaqësinë për realizimin e këtij projekti, duke e konsideruar se të rinjtë e Pejës tani kanë vendin e tyre, adresën ku mund të takohen, planifikojnë dhe jetësojnë aktivitetet në interesin e tyre. Ministri Gashi çmoi punën që është bërë dhe porositi që objekti të ruhet e të menaxhohet sa më mirë ashtu që të përcillet tek gjeneratat që do të vijnë pas.

Ministri Gashi tha se ministria që ai udhëheq mbetet maksimalisht e interesuar dhe e angazhuar që të punojë në mbështetje të të rinjve dhe interesave të tyre, përmes edukimit joformal dhe fuqizimin e tyre duke i nxitur për angazhim më të madh në vendimmarrje.

“Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka qenë investuese e këtij projekti dhe jemi duke planifikuar edhe disa investime ne komuna të tjera. E kemi përfunduar projektin në Vushtrri, jemi duke investuar në komunën e Ferizajt dhe shumë shpejt do fillojmë me tri qendra të tjera rinore në qytete të ndryshme, në mënyrë që të rinjve të Kosovës t`i kushte, mundësi dhe hapësira të reja në shërbim të aktiviteteve rinore, sepse siç dihet pjesa më vitale e shoqërisë janë të rinjtë”, është shprehur mes tjerash ministri Gashi.

Ministri Gashi foli edhe për planet në të ardhmen: “Ne si ministri e kemi në plan të veçantë investimin në fushat e rinisë, edhe te pjesa e investimeve kapitale, infrastrukturore dhe pjesa e programeve rinore dhe besoj se kështu fuqishëm do vazhdojmë edhe gjatë vitit 2019”.

Ndërsa kryetari i komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, falënderoi ministri Gashi për mbështetjen dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm që MKRS-ja ka me Komunën në projekte që janë në interes të Komunës. Ai e vlerësoi se ky projekt do të krijojë kushte më të mira për të rinjtë e Pejës.

“Është një qendër rinore e cila është e punuar mjaft mirë. Besoj që do t’i shërbejë edhe lagjes Dardania por edhe të gjithë komunitetit rinor që merren me aktivitete sportive”, ka thënë kryetari.

Ministri Gashi e kryetari Muhaxheri vizituan edhe stadiumin “Shahin Haxhiislami” për të parë nga afër punimet që po zhvillohen në këtë stadium./ KultPlus.com