Tri ditë zi kombëtare për Pelen

Qeveria e Brazilit shpalli tri ditë zi kombëtare pasi futbollisti legjendar brazilian Pele ndërroi jetë në moshën 82-vjeçare.

Në një dekret të publikuar në Gazetën Zyrtare, me nënshkrimin e presidentit Jair Bolsonaro thuhet se “si shenjë treguese e trishtimit për vdekjen e Edson Arantes do Nascimento, Pele, janë shpallur tri ditë zi kombëtare në të gjithë vendin duke filluar që nga publikimi i këtij dekreti”.

Në një postim nga llogaria e tij në Twitter lidhur me vdekjen e Pele-s, Bolsonaro tha se ”Pele e ktheu sportin në art dhe argëtim dhe emrin e Brazilit e transmetoi nëpër botë me futbollin. I uroj durim familjes dhe të dashurve të tij”.

Ceremonia mortore e Peles do të zhvillohet më 3 janar në stadiumin “Santos” ku ai ka kaluar një pjesë të madhe të karrierës së tij./ atsh / KultPlus.com

Legjenda e futbollit brazilian, Pele, ka vdekur në moshën 82-vjeçare

Legjenda e futbollit brazilian Pele ka vdekur pas një beteje të gjatë me kancerin, përcjell KultPlus.

Vajza e tij Kely Nascimento postoi një foto në Instagram si një homazh për babain e saj, shoqëruar me një foto të anëtarëve të familjes që e mbanin për dore teksa ai pushonte në një shtrat spitali. “Gjithçka që ne jemi është falë jush,” shkroi Nascimento. “Të duam pafundësisht. Pusho në paqe”, përfundoi ajo.

Pele ishte shtruar në spital që nga nëntori me sëmundje të shumta.

Pele, i parë nga shumë si futbollisti më i talentuar që ka luajtur ndonjëherë këtë lojë, udhëhoqi Brazilin drejt një treshe të titujve të Kupës së Botës në 1958, 1962 dhe 1970.

Ai mbetet golashënuesi kryesor i Brazilit, me 77 gola në 92 ndeshje. /KultPlus.com

Legjenda Pele në gjendje të rëndë shëndetësore, vajza e tij publikon mesazh prekës

Vajza e Peles, Kely Nascimento, publikoi një foto tronditëse nga spitali ku babai i saj dhe një nga futbollistët më të mirë të të gjitha kohërave po lufton për jetën.

Pele prej kohësh po luftonte me tumorin e zorrës së trashë dhe u shtrua në spital më 29 nëntor.

Së fundmi u raportua se Pele po ndihet më mirë, por informacionet e fundit që vijnë nga Brazili thonë se gjendja e tij shëndetësore është përkeqësuar.

Spitali njoftoi se sëmundja e 82-vjeçarit po përparon dhe se ai ka nevojë për kujdes të mëtejshëm për të shmangur problemet e veshkave dhe zemrës.

Vajza e Pele, Kely postoi një foto prekëse në Instagram ku tregon legjendën e shtrirë në një vizitë në spital.

“Gjithmonë bashkë, duke luftuar dhe duke shpresuar. Ka kaluar një natë tjetër”, ka shkruar Kely në rrjetet sociale teksa përqafon babanë e saj.

Pele ishte lider i një prej skuadrave më të mira braziliane në histori, me të cilin fitoi Kupën e Botës tri herë – në 1958, 1962 dhe 1970. /KultPlus.com