Poezi nga Dritëro Agolli
Pelegrini i vonuar
Unë jam prej kohësh pelegrin,
Udhëtar në vendin e shpresës së thyer,
Jam ndarë pa dashur nga karvani im
Mes shtigjeve nga vapa e shirat gërryer.
Kërkoj karvanin tim në rërë e në shpat,
Karvanin që e ka ndërruar drejtimin me kohë,
Ndaj në udhë jam krejt i humbur,
jam fillikat me shami të grisur lidhur në kokë.
Për ujë buza ime u dogj, u bë zhur
Dhe sytë më shpojnë nga shterrja e lotit;
Më duhet të arrij karvanin e tretur qëkur
Çapitur mes vapës, mes shiut e të ftohtit.
Unë jam prej kohësh pelegrin,
Shtegtar i karvanit të humbur
Dhe bart në kurriz një premtim
Të dhënë në hirin e gjyshërve të mundur /KultPlus.com