Ndahet nga jeta mjeshtri i kamerës Pëllumb Kallfa, “Artist i Merituar”

Qendra Kombëtare e Kinematografisë (QKK) njoftoi ndarjen nga jeta të operatorit të mirënjohur të kinemasë shqiptare, Artistit të Merituar Pëllumb Kallfa.

QKK i shprehu ngushëllime të përzemërta familjes, miqve dhe kolegëve të të ndjerit duke thënë se, “ruan mirënjohje të thellë për punën artistike dhe kontributin e tij në kinematografinë e Shqipërisë”.

Pëllumb Kallfa ishte operator i filmave kronikalë, dokumentarë dhe artistikë, me titullin Artist i Merituar. Lindi në Tiranë më 1945. Ishte djali i fotografit të njohur dhe një nga kronistët e parë të kinematografisë shqiptare, Mehmet Kallfa. Mbaroi studimet e larta në Universitetin e Tiranës. Në kinematografi filloi si asistent dhe më vonë u mor me xhirimin e kinoditarëve dhe filmave kronikalë. Filmin e parë dokumentar e realizoi më 1971.

Gjithsej xhiroi rreth 25 filma kronikalë dhe dokumentarë. Kamera e tij u dallua sidomos me filmat: “Basketbollistja nr. 10”, “Shqipëria turistike 1972”, “Pranë hapave të para”, “Duke përdorur rrezatimet bërthamore” në 1974, etj. Filmi i tij i parë me elemente të interpretimit ishte A.B.C…..Zzh me regjisore Xh. Keko, 1971. Bashkë me regjisorin Dhimitër Anagnosti xhiruan filmin “Cuca e maleve”, 1974.

Gjithsej xhiroi 22 filma artistikë, kryesisht me regjisorë të njohur. Për punën e tij u nderua me titullin e nderit “Artist i Merituar”.

Filma të tjera përfshijnë: “Lulëkuqet mbi mure”, “Gjeneral gramafoni”, “Dollia e dasmës sime”, “Një vonesë e vogël”, “Vendimi”, “Përrallë nga e kaluara”, “Pranvera s’erdhi vetëm”, “Vitet e pritjes” e të tjerë./atsh/KultPlus.com