‘Ëndrra ime, Rina’, komedia nga Pëllumb Kulla jep premierën të premten

Komedia “Ëndrra ime, rina”, produksioni më i fundit i Teatrit Kombëtar, do të vijë premierë duke filluar prej të premtes në skenën “ArTurbina”.

Një komedi nga Pëllumb Kulla, me regji nga Spiro Duni, i cili rikthehet besnik çdo vit në skenë me një shfaqe të re.

Një komedi që ka në qendër divorcin, por më shumë di të thotë për dashurinë. Dashuria e madhe, ajo e vërteta nuk ka të mbaruar. Regjisori ka zgjedhur në rolet kryesore Neritan Liçajn dhe Ema Andrea. Dhe në role të tjera interpretojnë Xhulia Musagalliu, Albano Pordani, Erjona Kakeli, Donald Shehu dhe Niada Saliasi.

Me skenografinë e Genc Shkodranit, zgjedhim të shohim një teatër në një skenë modern, ndërsa koncepti i regjisorit premton shumë dhe surprizat i zbulon në premierë.

Spiro Duni është regjisor në Teatrin Kombëtar që prej vitit 2014. Gjatë karrierës së tij është edhe si aktor në më shumë se 11 filma në kinematografinë shqiptare./Top Channel/ KultPlus.com

‘Avni mor vëlla i Xhafos, ç’forcë të madhe na ke futur në gjak vëllau im’ (VIDEO)

‘’Dy krisma në Paris’’ është një dramë nga Sheri Mita dhe Pëllumb Kulla. Tema që trajtohet është ajo e vrasjes së Esat Pashë Toptanit në Paris dhe poashtu gjyqin e bërë ndaj Avni Rrustemit, shkruan KultPlus.

Avni Rrustemi ka qenë nja atdhetar demokrat revolucionar i shquar, udhëheqës i shoqërisë demokratike ‘’Bashkimi’’, pjesëtar i opozitës demokratike në Asamblenë Kombëtare në prag të Revolucionit të Qershorit.

Filmi ‘’Dy krisma në Paris’’, vazhdon të shikohet edhe sot nga një pjesë e madhe pasiqë tema që trajtohet është mjaft delikate. Në një pjesë të dramës, personazhi i Avni Rrustemit thotë: “Keni për të parë edhe ju, se ky do të jetë gjyqi i Esat Pashë Toptanit”, kështu edhe del të jetë deri në fund.

Në film preken tema si tradhëtia, besa, lufta e sakrifica e popullit të Shqipërsië, nën interpretimin e trupës teatrale të Fierit, me aktorët Fatos Sela, Vladimir Muzha, Andrea Pepi etj.

KultPlus ju sjell skenën më të ndjeshme të kësaj drame, atë të ardhjes së Xhafo Idrizit në tavolinën e dëshmitarit. / KultPlus.com

Sot feston ditëlindjen regjisori Pëllumb Kulla

Sot është dita e lindjes e shkrimtarit, përkthyesit, dramaturgut, regjisorit, diplomatit dhe publicistit Pëllumb Kulla, i cili mbushi 83 vjeç.

“Krahas kontributeve të shumta në disa fusha në rrafsh kombëtar, në Fier veçanërisht, ai ka meritën e veçantë, se e ngriti Estradën dhe Teatrin Bylis në majat më të larta, duke krijuar personazhe që janë skalitur në kujtesën e publikut në mbarë Shqipërinë”, shkruan në urimin e tij, kryetari i Bashkisë Fier, Armando Subashi, duke i uruar artistit jetë të gjatë.

Pëllumb Kulla punoi për 18 vjet si regjisor i Estradës dhe Teatrit të Fierit.

Nën drejtimin e Kullës, Estrada e Fierit arriti majat e suksesit. Gjatë kësaj kohe shkroi rreth 300 skeçe dhe komedi me një akt, 40 kuplete dhe 23 monologë, shumica e të cilëve u shfaqën në TV.

Nga 1977 deri më 1990, Kulla ishte bashkëpunëtor i përhershëm i TVSH-së për spektaklin e Vitit të Ri. Paralelisht me punën në Estradë, realizoi dhjetë produksione dramatike, të gjitha drama ose komedi të shkruara prej tij.

Në vitet ’80, humori i Kullës kaloi edhe në kinema. Me skenar të tij u xhiruan kinokomeditë “Telat për violinë” dhe “Stolat në park”.

Më 1990 u largua nga Fieri, për të nisur punën si pedagog, e më pas dekan i Fakultetit të Artit Skenik, në Tiranë. Karriera e tij pedagogjike nuk zgjat shumë pasi në 1992 u emërua Sekretar për Kulturën dhe Shtypin në Ambasadën e Shqipërisë në Bonn dhe një vit më pas ambasador në misionin shqiptar pranë OKB, në Nju Jork (1993-1997).

Është vlerësuar me titullin “Nderi i Qarkut” Fier (2005) dhe me dekret të Presidentit Alfred Moisiu i është akorduar titulli “Mjeshtër i Madh” (3 dhjetor 2003)./KultPlus.com

Pëllumb Kulla sjell “Rrëfenjat e Amerikës” në audiobook

Pëllumb Kulla ka vendosur të sjell në versionin audiobook, librin e tij të njohur “Rrëfenjat e Amerikës”. Një nismë kjo e ndërmarrë nga vajza e tij, Era, e cila ka menduar më në detaje për këtë projekt.

“Miq, kolegë dhe të afërm më bindën dhe më shtynë që librit tim, atij që është bërë në njëfarë mase popullor, “Rrëfenjave të Amerikës”, që t’u vesh një kostum zanor dhe t’i lexoj unë vetë, në mënyrë që njerëzit ta marrin, jo si një libër që lexohet, por si libër që dëgjohet.

Ua plotësova dëshirën atyre dhe këtu veçoj time bijë, Erën, që e pat dëshirën më të zjarrtë. Dhe nga kjo fitova një përvojë interesante.

Era ju jep një link që t’ju shpjerë në një podcast të sajin, ku çdo javë ajo do të zgjasë “tabakanë” me nga një rrëfenjë në të. Kjo do t’ju njohë ju, miq të dashur, të fejsbukut, me këtë aventurën time të re. Linku është:

Episode 1: https://matedo.podbean.com/e/episode-1-prezantim-dhe-rrefenja-e-pare/ ”, shkruan autori Kulla në rrjetet e tij sociale.

Në këto materiale, të cilat ai i ka quajtur “Rrëfenja”, (botimi i parë 2003) Pëllumb Kulla jep një panoramë të qartë të psikologjisë së popullit tonë dhe mënyrës së përshtatjes së tij, në vendet e mëdha.

Autori nuk na rrëfen krejt Amerikën. Atij i kanë interesuar vetëm ato copëra Amerikë, ajri i të cilave rrethon kolonët shqiptarë të atjeshëm, personazhe të vërtetë që i ka zili çdo letërsi, të cilët si miu kungullin, kanë tërhequr e ndryrë nëpër kontinentin e largët të djeshmen e përbashkët me mëhallat e fshatrat e tyre ballkanomesdhetarë, kulinarinë, heronjtë variabël, parullat e socializmit, të folmet e veta me erëza pikante e beharna të vjetra orientale, përfytyrimet e tyre italo-televizive mbi të sotmen.

Aty sillen veç amerikanëve joshqiptarë, edhe shqiptarët dhe qeveritë në mërgim të shqiptarëve, mimetizmi i tyre kulturor e fetar, raportet e tyre me SIDA-n, demokracinë, racizmin. Ervin Hatibi, “Shekulli” Rrembi i suksesshëm gjuhësor, diellor, juglindor, që i jep tharm gazit më të thekshëm shqiptar në rrëfimtarinë e Kutelit të sagave të fshatit, e Nolit të Don Kishotit, e Nonda Bulkës herë-herë, e Dritëroit të intervistave…

Dhe Pëllumb Kulla nis ripopullon Amerikën me “Filadelfiotë, Vaterburas, Njuxhersjotë, Bostonianë, Detroitjotë, Çikagas”, riemërton “kodrat rreth Nju Jorkut”, “Qafë Kuinsin”, “korrijet e Stejtën Ajlandit”, “meratë e Bronksit”, “stanet e Nju Xhërsit”, “pllajat e Bruklinit” Kujt nuk i ka lexuar vetë rrëfenjat, këto ndërhyrjet çshenjtëruese tip “Qafë Kuins”, mund t’i ngjajnë një llaf goje, një truk i radhës i një autori të njohur të humorit.

“Rrëfenjat më ngjasin me një varg reportazhesh nga Nju Jorku, sa zbavitës aq edhe të dhimbshëm, sa të përmallshëm aq edhe informativë, sa tradicionalë aq edhe modernë, sa të lidhur me shqiptarët e Amerikës, aq edhe pranë atyre të viseve shqiptare në Ballkan, sa të shtruar aq edhe ritmikë…” do të shkruante regjisori i njohur shqiptar Pirro Mani pas publikimit të vëllimit të dytë (2013). / KultPlus.com