PEN Kosova ngushëllon për vdekjen e Bajram Sefajt

Me rastin e vdekjes së shkrimtarit e gazetarit Bajram Sefaj, PEN Qendra e Kosovës ka ngushëlluar familjen e të ndjerit si dhe komunitetin e shkrimtarëve dhe të gazetarëve të Kosovës.

Bajram Sefaj la pas vetes një numër veprash në prozë dhe një seri udhëpërshkrimesh nga vendi e bota. 

Para viteve të 7o-ta, Sefaj kishte filluar punën gazetar në “Rilindje” e pastaj kishte vazhduar në RTP ku la gjurmë në shumë emisione kryesisht për kulturën. Në vitet e 90-ta të shekullit të shkuar migroi në Francë.

Në, Francë, deri pak para vdekjes së sotme në moshën 83 vjeçare, vazhdoi aktivitetin e vet letraro-publicistik./KultPlus.com

PEN Qendra e Kosovës mban dy ligjërata në Fakultetin Filozofik 

Në kuadër të projektit kulturor “Edukimi letrar dhe procesi krijues i talenteve të reja”, të martën , më 27 shkurt, PEN Qendra e Kosovës, zhvillon aktivitetin e vet letrar, të tetin dhe të fundit paraparë me këtë projekt.   

Takimi zhvillohet në Fakultetin Filozofik në Prishtinë dhe fillon në orën 10:00.

Në këtë takim do të trajtohen dy tema:  “Kultura e  komunikimit letrar” për të cilën do të flasë Ibrahim Berisha dhe “Prezantimi i librit në mediet elektronike” për të cilën do të flasë Artan Krasniqi.

Takimin e moderon Gëzim Aliu.

Projekti  kulturor i PEN Qendrës së Kosovës “Edukimi letrar dhe procesi krijues i talenteve të reja” është përkrahur nga Ministria e Arsimit, Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës./KultPlus.com

Në Bibliotekën e kryeqytetit PEN Qendra e Kosovës trajtoi dy tema letrare 

Sot, PEN Qendra e Kosovës, në kuadër të projektit kulturor “Edukimi letrar dhe procesi krijues i talenteve të reja”, në Bibliotekën Komunale të Prishtinës “Hivzi Sulejmani”, mbajti takimin e radhës me ç’rast u debatua për dy tema.

Tema e parë ishte “ Vlerësimi kritik i veprës letrare” dhe rreth saj foli profesori universitar, Anton Berishaj, ndërsa në temën e dytë ”Si shkruhet romani”, mendimet e veta i paraqiti shkrimtari, Gëzim Aliu.

Takimin, në të cilin morën pjesë studentë të Degës së Letërsisë Shqipe dhe dashamirë të fjalës së shkruar, e moderoi profesor Milazim Krasniqi, i cili theksoi rëndësinë që ka kritika në promovimin dhe në jetëgjatësinë e romanit e përgjithësisht të librit dhe për romanin si ushqyes të kritikës. Lidhur me këtë ai mori disa shembuj nga letërsia botërore dhe nga letërsia shqipe. 

Duke folur rreth vlerësimit kritik të letërsisë, profesori Anton Berishaj, ndër të tjera, tha:  

“Që nga fillet e mendimit sistematik për letërsinë është shtruar çështja e vlerës dhe e vlerësimit të saj (Platoni, Aristoteli…). Në shekullin XX, me konstituimin e dijes letrare sistematike dhe “autonome” – formalizmi, strukturalizmi, semiotika… – vlera estetike/letrare është parë si e domosdoshme dhe dominante, pra si vlerë intrinsike që e definon letërsinë si të tillë (forma, struktura, stili, narracioni, letrarësia…), edhe pse (posaçërisht te strukturalizmi kjo është vënë shpesh nën thjerëzat e dyshimit teorik). Në anë tjetër, ndërkaq, posaçërisht te qasjet semiotike (Jan Mukarzhovski, Lotmani etj.) janë evidentuar edhe të ashtuquajturat vlera jashtestetike: vlerat e ekzistencës, vlerat intelektuale/kognitive, etike, sociale, religjioze, politike, ideologjike…, të cilat shpesh si elemente strukturale të vetë veprave letrare janë parë të pashkëputshme nga vlera e tyre estetike/letrare, duke e theksuar vazhdimisht se në dimensionin e funksionit të tyre ato shpesh kanë qenë kusht i domosdoshëm që veprat e artit dhe të letërsisë të konsiderohen si të tilla”. 

Më tutje, Berishaj theksoi se “ ky dualizëm i vazhdueshëm epistemologjik, i cili projektohet edhe te dimensioni ontologjik i artit/letërsisë, është aktualizuar edhe në estetikën normativiste. P.sh. Gordon Graham konstaton se shpjegimi i vlerës së artit në këtë kontekst do duhej të kishte përparësi në relacion me përkufizimin se çfarë është arti (relacioni i artit me kënaqësinë, emocionet, njohjen…)”, duke marrë disa shembuj karakterizues nga vepra të ndryshme letrare”.

Ndërsa rreth temës “Si e shkruaj romanin”, shkrimtari Gëzim Aliu ndër të tjera theksoi: 

“Të shkruarit letrar, artistik, nuk është sikur të prodhuarit e një makine shërbyese, këtë besoj e di çdokush. Çfarë i shtynte njerëzit parahistorikë të vizatonin në shpella, të vendosnin shuplakat e tyre në shkëmb e të hidhnin ngjyrë?! Është dëshira, therja e brendshme për ta treguar praninë në jetë, therja e dëshira për të komunikuar me të tjerët edhe kur nuk i njeh. Por, nuk është vetëm kjo therje, kjo dëshirë, është edhe përpjekja për ta ndërtuar veten, për ta zgjatur veten, për të qenë emri dhe mbiemri që mbase do të lexohet edhe në të ardhmen. Pyetja ‘Pse shkruaj’ nuk ka përgjigje të saktë, po ashtu siç nuk ka përgjigje të saktë pyetja ‘Pse është jeta’. Do të mund të mos ishte e kurrë nuk do ta kishim marrë vesh.

Si shkruaj? Për këtë mund të flas shumë më saktë”.

Në vazhdim të diskutimit të tij, Aliu përmendi edhe shumë aspekte me interes që ndërlidhen me procesin e të shkruarit të romanit, duke shtuar se: “Për të nisur diçka më të madhe, është shumë e rëndësishme ideja. Ideja e ka një zanafillë, që do ta quaja shkëndijë. Nuk dua të mistifikoj këtu, por shkëndija krijimtare, që e quajnë edhe frymëzim, shpesh nuk dihet nga vjen, nga mendja, si nga qielli i kthjellët, nga dhembja që ndien për diçka, nga të dëgjuarit e një ngjarjeje, nga një ngjarje që sheh, nga leximi i diçkaje interesante, nga emocionet që shkakton diçka, nga qëllimet e vetëdijshme e nganjëherë të pavetëdijshme, nga bindjet, nga luhatjet e bindjeve, nga ndryshueshmëria e vazhdueshme njerëzore, që e quajmë përvojë, nga meditimi, nga të menduarit. Gjithçka mund të ndezë një shkëndijë dhe kjo shkëndijë mund të ndriçojë një ide, dhe këtë ide e shkruaj, gjithsesi duhet ta shkruaj, sepse mund të zhduket në errësirën e asgjësë shumë shpejt. Pas një kohë e shoh idenë e shkruar, që nganjëherë bëhet edhe skicë, shoqëruar ndonjëherë edhe me ndonjë vizatim. Idenë e mbjell në imagjinatë dhe nëse e shoh që ka kapacitet për t’u shndërruar në diçka më të madhe, tregim ose roman, vazhdoj të punoj”.

Gjithashtu, i dalloi edhe rëndësinë e imagjinatës dhe të ideve, për të arritur te konstatimet se: “Potenca e idesë për t’u shndërruar në krijim letrar, pasi të mbillet në imagjinatë, është shenjë se duhet punuar intensivisht. Ideja rritet, e ushqen njeriun kryesor të krijimit letrar, personazhin, i cili apo e cila, posa të ndihet gjallë, fillon të veprojë, veprimi dhe ndërveprimi i tij me personazhe të tjerë shkakton ngjarje e ngjarjet shkaktojnë storie e storiet bëhen roman”.

Studenti i Degës së Letërësisë Shqipe, Albin Shala, u interesua për fokusin e kritikës letrare dhe për fenomenin si zhvillohet imagjinata, për të cilat mori përgjigje nga panelistët. 

Në fund të aktivitetit u dhuruan libra për të gjithë pjesëmarrësit.

Projekti kulturor “Edukimi letrar dhe procesi krijues i talenteve të reja” është përkrahur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit./KultPlus.com

Me rrëfime mbi fejtonët, reportazhet dhe recensionet Pen Qendra e Kosovës fillon projektin ‘Edukimi letrar dhe procesi krijues i talenteve të reja’

Vjollca Duraku

Përmes një debati me shkrimtarët Ibrahim Kadriu dhe Blerina Rogova- Gaxha, PEN Qendra e Kosovës sot ka filluar projektin më të ri kulturor “Edukimi letrar dhe procesi krijues i talenteve të reja”,  në ambientet e KultPlus Caffe Gallery.

Përmes këtij projekti i cili do të shtrihet në tërë Kosovën, PEN Qendra e Kosovës synon të ndikojë në ngritjen e ndjeshmërisë dhe frymëzimin e gjeneratave të reja për të stimuluar krijimtarinë letrare, për të ndërgjegjësuar mbi rolin dhe rëndësinë që ka libri e për kulturën e leximit në përgjithësi, shkruan KultPlus.

Në mesin e studentëve, shkrimtarëve, analistëve dhe profesorëve, këtë debat e shpalli të hapur Ibrahim Berisha, i cili tha se ndihej i lumtur që ishte në mesin e tyre dhe duke treguar që projekti i cili filloi në KultPlus Caffe Gallery do të vazhdojë tutje në shkolla, fakultete dhe biblioteka në disa qytete të Kosovës.

“Ky projekt nisi sot këtu, por do të zhvillohet tutje në shkolla, fakultete dhe biblioteka. Ligjërues dhe bashkëbisedues në këto debate do të jenë shkrimtarë, studiues dhe profesorë të njohur të fushës së letërsisë dhe të komunikimit” ka thënë Berisha i cili i njoftoi studentët e pranishëm që Pen Qendra e Kosovës nga numri i ardhshëm do të krijojë një rubrikë të veçantë për studentët në të cilën mund të botohen  studime, letërsi, prozë e përkthime.

Berisha, më tutje i la radhë kryetarit të Pen Qendrës së Kosovës, Binak Kelmendit, i cili po ashtu u shpreh entuziast për këtë nismë të re.

“Faleminderit që jeni prezent sot në këtë aktivitet në të cilin edhe ju të pranishëm mund të na ndihmoni që gjithçka të shkojë mbarë e mirë. Projekti do të vazhdojë edhe në qendra dhe institucione të tjera, andaj uroj të takohemi përsëri në aktivitetet e ardhshme”, ka thënë Binak Kelmendi.

Ndërsa profesori Sali Bashota ishte ai i cili ndau detaje lidhur më këtë projekt i cili synon të nxjerr talentë të rinjë, të cilët pritet të ndikojnë në të ardhmen e letërsisë dhe të krijimtarisë letrare duke e zhvilluar si aktivitet në qendrat më të mëdha të Kosovës.

“Kam kënaqësinë që së bashku me miqtë e mi këtu të fillojmë një projekt shumë të rëndësishëm, i cili për herë të parë vjen në Kosovë, siç është “Edukimi letrar dhe procesi krijues i talenteve të reja” që do të përfshijë disa qendra. Një ekip prej 16 anëtarëve të Pen Qendrës së Kosovës në fazën e parë dhe planifikojmë që të jetë edhe në fazën e dytë ku do të diskutohet si shkruhet poezia, romani, eseja, si bëhet përkthimi, si bëhet komunikimi letrar, si bëhet komunikimi në mediat online me veprat letrare etj. Do të jetë me një karakter garues për shkak se në fund, në përmbyllje të projektit do t’i ftojmë të gjithë ata që do të botojnë shkrime në revistën Pen Kosova. Ky është një projekt shumë i rëndësishëm, me karakter edukativ letrar që ka të bëj me procesin krijues”, ka thënë Bashota duke falënderuar drejtoreshën e mediumit KultPlus, Ardianë Pajazitin për hapësirën e dhënë vazhdimisht për nisma të tilla letrare.

Pastaj fjala iu kalua gazetarit Ibrahim Kadriu i cili gjatë karrierës së tij është marrë me zhanre specifike siç janë fejtoni dhe reportazhi e që bëjnë pjesë në zhanrin e publicistikës.

Me këtë rast, Kadriu para të pranishmëve foli edhe për fejtonin e parë që kishte shkruar e që kishte bërë bujë në atë kohë pasi u botua në gazetën Rilindja, vend ku Kadriu punonte në atë kohë. Fejtoni për Tefta Tashkon, u botua në 12 vazhdime dhe u mirëprit jashtëzakonisht mirë sipas Kadriut.

“Fejtoni që e kam shkruar më me qejf ka qenë fejtoni për Tefta Tashkon, për të cilin ka pasur pyetje se përse nuk bëhet libër. Ajo ka qenë një këngëtare operistike e njohur, një yll i shkolluar në Paris, që gjatë luftës 1944- 45 ka pasur koncerte me këngë simfonike të cilat i ka mbajtur edhe në Beograd” ka thënë gazetari Kadriu duke treguar më tej edhe mënyrën se si kishte rënë në kontakt me të dhënat e nevojshme me të cilat e shkroi fejtonin aq shumë të lexuar në atë kohë.

“Në vitin 1972 kam qenë në Kongresin e Drejtshkrimit në Tiranë dhe atje kam rënë në shënime për të. Ajo ka vdekur në vitin 1947 nga sëmundja e tuberkulozit, dhe atje më treguan se ajo ka një djalë, e që qëlloi të ishte i  moshës time. Eno Koqo, që sot është një ndër dirigjentët më të mirë shqiptarë, i cili dirigjon edhe në Londër. Jam takuar në atë kohë me të. Ai ishte një imponim për mua që të hyj më në thellësi për biografinë e saj, ndonëse ai më tha që pak di për nënën, meqë kishte qenë shumë i vogël kur i kishte vdekur nëna”, ka thënë Kadriu duke shpjeguar më tutje arsyen pse nuk e kishte botuar si libër, për shkak se do të duhej të punonte ende me të, me një  shkrim më të veçantë sepse fejtoni nuk posedon të gjitha elementet e librit.

Ai, më tutje shpjegoi edhe për një tjetër fejton i cili kishte bërë jehonë në audiencë atë kohë. Ishte fejtoni për figurën e Hasan Alisë, personalitet ky që gjatë jetës së tij kishte luftuar kundër regjimit të Jugosllavisë, që gjithashtu ishte lexuar shumë në kohë kur ai ushtronte profesionin e gazetarit.

“Një prej fejtoneve tjerë që ka pasur jehonë ka qenë një figurë e anatemuar në kohën e monizmit, i cili edhe është vrarë. Ai është Hasan Alia i cili ka qenë një kaqak, që deri në vitin 1952 ka jetuar në mal, e i cili ka krijuar një frikë në anën e Anamoravës. Në vitin 1992 e kam realizuar fejtonin sepse më herët ishte e ndaluar të shkruhej për të. Ai fejton u popullarizua aq shumë sepse fiugra e tij ishte diçka e pakrahasuar me figrat tjera, për nga trimëria dhe nami” ka thënë më tej Kadriu duke bërë të ditur që infromacionet e nevojshme për t’i përfshsirë në tekstin gazetar i kishte mbledhur nga djali i tij dhe nga persona të cilët kanë pasur rastin ta njohin këtë figurë të rrallë.

Ndërsa autorja Blerina Rugova- Gaxha u  ndalua tek recensioni letrar artistik duke shpalosur përvoja nga libri ‘Memorie dhe Traumë’, të cilin autorja e kishte publikuar së fundmi, i cili trajton temën e luftës me elemente letrare.

“Letërsia që trajton luftën si ndodhi, si pasojë apo mënyrën se si letërsia e paraqet të kaluarën, duke e ditur se çka kemi kaluar ne në luftë, me represionin politik të viteve të 90-ta dhe duke përfshirë ndryshimin e arsimit, represionin në luftë, pasojat e luftës, lirinë, tranzicionin. Të gjitha këto janë situata historike që e ri formësonë letërsinë që i nxisin autorët të trajtojnë një të kaluar të afërt në mënyrë që ta dëshmojnë atë që ka ndodhur”, ka thënë autorja Rugova- Gaxha.

Ajo më tej përmendi edhe disa elemente të cilat janë të domosdoshme për të ndërlidhur e paraqitur para audiencës një të vërtetë faktike me elemente letrare.

“Mendimi kritik mbi veprat letrare të luftës përpos një analize të veprës puriste letrare, përfshin edhe një qasje inter-disiplinare ndaj veprës. Nuk mjafton vetëm analiza e veprës pa pasur një ndërthurje në mes të anës historike dhe njohjes së kontekstit e situatës” ka thënë Rugova- Gaxha më tej duke theksuar rolin  dhe rëndësinë e shënimeve mbi përjetimet të cilat populli shqiptar i ka përjetuar sidomos në luftën e fundit, në mënyrë që këto  ngjarje të dokumentohen e më pas edhe të shërbejnë si fakte historike.

Si lloj zhanror në këtë diskutim u përmend edhe reportazhi, si forma më e vështirë e tekstit për tu shkruar. Krejt në fund autorët e pranishëm për të gjithë pjesëmarrësit dhuruan libra, të cilët i kishin shkruar ndër vite./KultPlus.com

PEN Qendra e Kosovës së shpejti me projektin e ri kulturor

PEN Qendra e Kosovës, krahas botimit të revistës letrare PEN Kosova dhe botimit të librave origjinalë, të përkthyer dhe veprave komplete, është duke realizuar edhe një varg aktivitetesh letrare-krijuese përmes projekteve në gjithë Kosovën.

Kësaj radhe PEN Qendra e Kosovës vjen me  projektin më të ri  kulturor “Edukimi letrar dhe procesi krijues i talenteve të reja”.

Së fundmi, në projektin “Edukimi letrar dhe procesi krijues i talenteve të reja”, që do të mbahet gjatë këtij muaji dhe në shkurt, PEN Qendra e Kosovës ka angazhuar shkrimtarë, profesorë, studiues të letërsisë, të cilët do të mbajnë ligjërata dhe trajnime të veçanta me nxënës dhe studentë në Prishtinë, Ferizaj, Gjakovë etj.

Përmes këtij projekti PEN Qendra e Kosovës synon të ndikojë në ngritjen e ndjeshmërisë dhe frymëzimin e gjeneratave të reja për krijimin letrar, rolin dhe rëndësinë që ka libri, për kulturën e leximit, por edhe për motivimin dhe përkrahjen e talenteve të reja për t’u marrë me krijimtari letrare: poezi, prozë, ese etj.

Gjithashtu, ky projekt do të përqendrohet në kultivimin e një ambienti të këndshëm promovues kulturor, në të cilin do të theksohen vlerat e letërsisë shqipe, si dhe të debatohet për përvojat krijuese të veçanta, të krijuesve letrarë.

Temat kryesore që do të trajtohen janë: kultura e komunikimit letrar, prezantimi i librit në mediet elektronike, si shkruhet eseja, si shkruhet poezia, si shkruhet drama, procesi i të shkruarit të romanit, veçoritë e përkthimit letrar, të shkruarit e fejtoneve dhe reportazheve letrare, procesi i leximit dhe procesi i vlerësimit kritik, përkthimi dhe prezantimi i letërsisë shqipe në gjuhë të ndryshme të botës, promovimi i veprës letrare etj.

Më këtë rast, nga shkrimtarët do të dhurohen edhe libra për të rinjtë e talentuar.

Në fazën e parë të këtij projekti, ligjëratat e tyre do t’i paraqesin anëtarët e PEN Qendrës së Kosovës: Ibrahim Kadriu, Avni Spahiu, Ibrahim Berisha, Milazim Krasniqi, Binak Kelmendi, Dije Demiri-Frangu, Sali Bashota, Osman Gashi, Lulzim Tafa, Anton Berishaj, Gëzim Aliu, Naim Kryeziu, Naime Beqiraj, Blerina Rogova, Engjëll I. Berisha, Artan Krasniqi etj.

Projekti “Edukimi letrar dhe procesi krijues i talenteve të reja”, do të fillojë më 24 janar 2024 në KultPlus Caffe Galery dhe do të përfundojë më 27 shkurt 2024 në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Projekti është përkrahur nga Ministria e Rinisë, Kulturës dhe Sportit./KultPlus.com

PEN Qendra e Kosovës promovon kompletin e veprave të Basri Çapriqit

PEN Qendra e Kosovës më 12 janar do të bëj promovimin e kompletit të veprave të botuara të poetit Basri Çapriqi, në ambientet e KultPlus Caffe Gallery.

Botimi i veprës komplete të Basri Çapriqit me katër vëllime përfshin poezinë, studimin letrar, esenë dhe publicistikën.

PEN Qendra e Kosovës ka njoftuar se veprat do të botohen pa ndryshime, pra ashtu siç i ka shkruar autori.

Gjithashtu, është bërë e ditur se në këtë botim janë përfshirë shumica e shkrimeve të Çapriqit, të cilat janë paraqitur në konferenca të ndryshme shkencore apo janë botuar në gazeta dhe revista brenda dhe jashtë vendit.

Për veprën e Basri Çapriqit do të flasin studiues e njohës të veprimtarisë së poetit, studiuesit e profesorit i cili ka vdekur para gjashtë vjetësh.

Botimin e këtij kompleti e ka mbështetur Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

PEN Qendra e Kosovës i fton të gjithë dashamirët e librit që të marrin pjesë në këtë promovim i cili do të mbahet më 12 janar, në orën 14:00./KultPlus.com

Botohet numri më i ri i revistës letrare PEN – Qendra e Kosovës

Këto ditë doli nga shtypi numri më i ri revistës letrare të PEN Qendrës së Kosovës PEN Kosova numër nëntë, shkruan KultPlus.

Revista hapet me poezitë e të ndjerit Basri Çapriqi dhe vazhdon me poezitë e Ibrahim Kadriut, Alisa Velajt dhe Fahredin Shehut.

Në revistë gjeni edhe krijime të poetëve të botës si Çarls Bukovski, Luis Glyk, Toni Morrison, Xheims Merrill (përkthyer nga Avni Spahiu) pastaj Jon Deaconescu, Victoria Milescu, Dorina Brândusa Landén (përkthyer nga Baki Ymeri si të Jozefina Dautbegoviq (përkthyer nga Ibrahim Berisha).

Në vazhdim revista përmban edhe punimet në prozë nga shkrimtarët Ibrahim Berisha, Binak Kelmendi dhe Bajram Kosumi si dhe prozë të huaj shkruar nga Abdulhamid Ben Haduka dhe Mahmud Tejmur.

Në pjesën kritikë letrare të revistës janë punimet e Dije Demiri-Frangut, Fazli Hajrizit dhe të Flamur Malokut.

Në këtë numër po ashtu mund të lexoni edhe intetrvistën me Tsipi Sharoor, ndërsa me publicistikë paraqitet Muhamet Mjeku.

Nga nobelistët e letërsisë është shkëputur një shkrim i Orhan Pambukut.

Botimi i revistës “PEN Kosova” nr. 9 është përkrahur nga Ministria e Kulturës e Republikës së Kosovës. /KultPlus.com

PEN Qendra e Kosovës dënon sulmin ndaj shkrimtarit Salman Rushdie 

PEN Qendra e Kosovës është e shokuar me sulmin brutal që të premten u bë ndaj shkrimtarit hindu-britanik Salman Rushdie. 

PEN Qendra e Kosovës e dënon këtë akt barbar, i cili është sulm ndaj fjalës dhe mendimit të lirë. 

Salman Rushdie ishte dhe është përkrahës i madh i pavarësisë së Kosovës. Ai shqetësohej shumë për fatin e shqiptarëve të Kosovës të shtypyr nga regjimi i Beogradit dhe kërkonte që NATO të intensifikonte sulmet ndaj caqeve ushtarake të Serbisë. 

PEN Qendra e Kosovës lutet për shëndetin e shkrimtarit dhe dënon çdo sulm ndaj fjalës së lirë, viktimë e të cilit sot është Rushdie e nesër mund te jetë një tjetër. /KultPlus.com

PEN Qendra e Kosovës sot debaton për letërsinë dhe teknologjinë

Sonte, e martë, 15 shkurt, 2022, në ambientet e KultPlus Caffe Gallery në Prishtinë, PEN Qendra e Kosovës vazhdon aktivitetet e veta kulturore e letrare paraparë me projektin “Debati për lulturën dhe letërsinë në kohë pandemie”.

Temë shqyrtimi sonte është letërsia dhe teknologjia, derisa për këtë temë referojnë Lindita Tahiri dhe Ag Apolloni. 

Takimin e udhëheq Binak Kelmendi    

Ftoheni të merrni pjesë.  

Projektin “Debati për Kulturën dhe Letërsinë në kohë pandemie” e ka përkrahur Ministria e Kulturës, Rinisë dhe e Sportit e Republikës së Kosovës. /KultPlus.com

PEN Qendra e Kosovës sot debaton për krijimtarinë letrare në periudhën e pandemisë  

Sonte, 1 shkurt 2022, në ambientet e KultPlus Caffee Gallery në Prishtinë, PEN Qendra e Kosovës vazhdon aktivitetet e saja kulturore e letrare paraparë me projektin “Debati për Kulturën dhe Letërsinë në kohë pandemie”.  

Temë shqyrtimi sonte do të jetë Krijimtaria letrare në periudhën e pandemisë. 

Për këtë temë do të flasin Nerimane Kamberi dhe Haqif Mulliqi.  

Debatin do ta udhëheqë Sali Bashota. 

Ftoheni të merrni pjesë.   Projektin “Debati për Kulturën dhe Letërsinë në kohë pandemie” e ka përkrahur Ministria e Kulturës, Rinisë dhe e Sportit e Republikës së Kosovës. /KultPlus.com

Aktiviteti i PEN Qendrës së Shqipërisë dhe PEN Qendrës së Kosovës  në Lezhë

Qendra PEN e Shqipërisë dhe Qendra PEN e Kosovës, në kuadër të 100 – vjetorit të PEN International , (Organizata Ndëkombëtare e Poetëve, Eseistëve dhe Prozatorëve), me seli në Londër, zhvilluan agjendën e veprimtarive të përbashkëta në Bibliotekën Publike “Gjergj Fishta” të qytetit të Lezhës.

Z. Pjerin Ndreu , Kryetar i Bashkisë Lezhë, në fjalën e mirëseardhjes për shkrimtarët e Kosovës dhe Shqipërisë, falënderoi Qendrat PEN të dy shteteve, për praninë e tyre në Lezhë,  duke theksuar  rëndësinë e këtij rajoni dhe qyteti si një qendër përfaqësuese identitare, për trashëgiminë historike dhe kulturore të shqiptarëve.

Presidenti  i PEN për Kosovën, z. Binak Kelmendi, në fjalën e tij përshëndetëse falënderoi autoritetet vendore për mikpritjen e veprimtarisë së PEN-eve, si edhe për vizionin e tyre për zhvillimin e qytetit dhe rajonit në fushën e turizimit, kulturës, dhe trashëgimisë kulturore për shqiptarët dhe më gjerë.

Znj. Entela Kasi, Presidente e PEN-it në Shqipëri, në fjalën e saj solli në vëmendjen e shkrimtarëve rëndësinë e PEN International në arenën ndërkombëtare, dhe theksoi parimet mbi të cilat është themeluar kjo Organizatë në Londër, në vitin 1921, prej autoriteteve të letërsisë botërore dhe intelektualëve të kohës. Çështjet e lirisë dhe të dinjitetit njerëzor, janë dhe mbeten shtylla të njerëzimit në të gjitha kohët. Letërsia dhe punët e artit janë pasuri për njerëzimin, pavarësisht kufijve, gjuhëve, racave dhe etnive.

Poeti dhe publicisti i njohur nga Afganistani, tashmë rezident në Shëngjin, Mujib Mehrdad, anëtar i Bordit të PEN Afganistanit, fitues i disa çmimeve prestigjioze për letërsi në botë, në fjalën e tij publike për mediet dhe të pranishmit duke bërë një përmbledhje të kohëve më të vështira që po përjeton aktualisht populli dhe vendi i tij,  falënderoi shqiptarët, autoritetet shtetërore dhe vendore për faktin që në Shqipëri ndjehen jo vetëm të shpëtuar, por edhe të integruar. Qendrat PEN të Shqipërisë dhe Kosovës, nderuan Kryetarin e Bashkisë së Lezhës, z. Pjerin Ndreu, me Certifikatën e Mirënjohjes PEN, për kontribute të çmuara për promovimin e gjuhës, letërsisë dhe trashëgimisë kulturore të shqiptarëve në botë. Motivacioni i këtij vlerësimi u lexua nga Flamur Shala. Përgjatë ditës të sotme u përkujtuan përkujtuan poetët, Fatos Arapi dhe Basri Çapriqi, për të cilët referuan Milazim Krasniqi , Ibrahim Berisha, Ben Andoni dhe Entela Kasi. Në kuadër të bashkëpunimit për vitin 2022, midis dy Qendrave PEN, folën Sali Bashota dhe Ben Andoni.

Në  përmbylljen e aktiviteteve dy ditore të Qendrave PEN, shkrimtarët Ibrahim Kadriu, Binak Kelmendi, Ibrahim Berisha, Ahmet Prençi, Milazim Krasniqi, Sali Bashota, Mujib Mehrdad, Arben Çejku, Osman Gashi, Flamur Shala etj.,  lexuan nga krijimtaria e tyre në poezi dhe prozë. Moderimi i të gjitha aktiviteteve të mbajtura në Tiranë dhe Lezhë nga Qendrat PEN, u realizua nga shkrimtari Liridon Mulaj./KultPlus.com

PEN Qendra e Kosovës me aktivitete kulturore në kujtim shkrimtarëve të ndjerë

PEN Qendra e Kosovës, gjatë muajit tetor e nëntor të këtij viti, do të zhvillojë një sërë  aktivitetesh kulturore me qëllim përkujtimi të disa emrave që kanë lënë gjurmë jo vetëm në letrat shqipe në Kosovë.

Në kuadër të projektit të vet “Ora e Shkrimtarit”, PEN Qendra e Kosovës përmes kumtesave, punimeve studimore e të debateve, do të përkujtojë veprimtarinë letrare dhe veprimtaritë tjera të shkrimtarëve të ndjerë: Esat Mekuli, Adem Demaçi, Ibrahim Rugova, Anton Pashku, Hasan Mekuli, Jusuf Gërvalla, Xhemail Mustafa, Rifat Kukaj,Mensur Raifi dhe Mirko Gashi.

Për veprën letrare të këtyre autorëve të ndjerë do të flasin: Milazim Krasniqi, Ibrahim Berisha, Avni Spahiu, Sali Bashota, Anton Berishaj, Osman Gashi, Naime Beqiraj, Rrahman Paçarrizi, Ibrahim Kadriu, Agron Gashi, Gëzim Aliu, Adil Olluri, Flamur Maloku, Qibrije Demiri, Lindita Tahiri, Haqif Mulliqi dhe Binak Kelmendi.

Të gjitha aktivtetet kulturore do zhvillohen në Caffe Galeri KultPlus dhe ato fillojnë në orën 17.00. 

Aktiviteti i parë kulturor i kushtohet poetit Esat Mekuli dhe ai mbahet më 13 tetor.

Projektin “Ora e shkrimtarit” e ka përkrahur Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Pas përfundimit të aktiviteteve, PEN Qendra do të botojë librin përmbledhës me kumtesat e autorëve dhe me punime letrare të shkrimtarëve të përkujtuar në këtë aktivitet kulturor./ KultPlus.com

Binak Kelmendi zgjidhet kryetar i PEN-it kosovar

Në mbledhjen e sotme të Kuvendit të PEN Qendrës së Kosovës, kryetar u zgjodh Binak Kelmendi.Në këtë mbledhje zgjedhore mori pjesë Entela Kasi,kryetare e PEN Qendrës së Shqipërisë dhe anëtare e Bordin Insearch Committe të PEN International, në Londër.

Binak Kelmendi është prozator, përkthyes dhe publicist. Ishte redaktor përgjegjës i “Rilindjes”, që u botua në Perëndim, Zvicër. Në vitin 1998 u zgjodh kryeredaktor i gazetës “Bujku”, e cila, pasi iu rikthye emri “Rilindja”.

Botoi këto vepra: “Rozafa” (tregime, Rilindja 1990, Prishtinë ), “Vezët e Vdekjes”, (roman, Dukagjini, 2001, Pejë), “Ofelia e Dukagjinit” (tregime, Rozafa, 2004, Prishtinë), “Guri i Vashës”, (roman,Koha, Prishtinë, 2012), “Portat e Pejës” (roman, Koha, 2015). Ky roman në vitin 2014 mori Çmimin Rexhai Surroi për romanin më të mirë shqiptar në vitin 2014, Në vitin 2018, botoi romanin “Rruga 66 (PEN Qendra)

Ka përkthyer nga frëngjishtja: “Mirëdita Pikëllim”, Françoise Sagan, “Dashnori”, Marguerite Duras, “Ilirja”, Flora Dosan, “Hajni dhe qentë”, Nagib Mahfuz, “Kosova-rrëfime për ndërtimin një shteti”, grup autorësh francezë, etj.

Ka bashkëpërkthyer: “Akrobatët”, Kostas Valetas, “Figurat”, Gérard Genette.

Në vitin 1999 në Strasbourg është përfshirë si krijues nga Kosova në revistën letrare Mieteleuropa me tregimin “Formula alkimike”. / KultPlus.com