Bujar Meholli
Puna intensive me gjeneratat e reja nëpër vendet perëndimore është prioritet, sepse duke zhvilluar aftësitë mendore dhe duke i nxitur të rinjtë që t’i shohin gjërat nga prizmi kritik, ata i kontribuojnë komunitetit dhe shtetit, shkruan KultPlus.
Në shoqërinë kosovare puna me të rinjtë, gjegjësisht aktivitetet e ndryshme të tyre jashtë sistemit shkollor sikur kanë stagnuar, andaj organizata të ndryshme po bëjnë përpjekje ta ndryshojnë këtë gjendje duke mbajtur punëtori e aktivitete tjera për t’i stimuluar të rinjtë që të jenë vendimmarrës dhe të kenë ndikim në shoqëri.
Një hap të tillë e bëri edhe organizata joqeveritare “ProPlus”, me mbështetjen e Ambasadës Amerikane duke organizuar punëtorinë treditore “Pen For Culture” në kuadër të së cilës morën pjesë dhjetë të rinj të moshës nga 13 deri në 18 vjeç duke shkruar ese.
Profesoresha universitare Vjosa Sadriu-Hamiti e cila ishte mbikëqyrëse e kësaj punëtorie tha për KultPlus se fokusi i shtetit dhe i institucioneve duhet të jetë tek mosha e re, për t’i fuqizuar dhe socializuar ata në punën ekipore.
“Ky projekt është shumë i qëlluar, sidomos që janë përzgjedhur të rinjtë e kësaj moshe sepse në shkollat tona mendimi kritik dhe hulumtimi nuk jepen si bazë në sistemin tonë arsimor dhe do të ishte mirë që inciativa tjera të ketë më shumë”, tha fillimisht ajo.
“Rinia jonë është fenomenale. Në momentin kur jua jep hapësirën befasohesh për të mirë me interesimin e tyre. Edhe këto ese që i kanë shkruar këta të rinj më kanë dhënë mesazh të qartë se brezi i ri mund të ndryshoj shumë gjëra për të mirë”.
“Të gjitha njësitë akadamike vijnë në përfundim se studentët nuk dinë të shkruajë për shkak se mungon mendimi kritik, prandaj atyre duhet t’ju ofrohen projekte të tilla qysh në ciklin e ultë dhe të mesëm shkollor në mënyrë që të përgatiten për universitet”, potencoi Sadriu-Hamiti.
Organizatorja e kësaj punëtorie Ardianë Pajaziti, tha se është e lumtur me jetësimin e këtij projekti. Pajaziti kërkon që institucionet të bëjnë më shumë për organizime të tilla për të rinjtë, derisa ju bën thirrje medieve që të krijojnë hapësirë më shumë për ta.
“Ne si organizatorë kemi vlerësuar që të rinjtë nuk jemi duke i parë aq sa duhet në vendet adekuate dhe talentin e tyre në forma të ndryshme nuk po kanë ku ta shprehin, andaj kemi menduar që vetëm arti mund t’i bashkojë komunitetet, ky ka qenë qëllimi”, u shpreh ajo.
“Këta të rinj kanë paraqitur një vullnet që nuk po mund ta shfaqin në institucionet shtetërore, pra, në shkolla. Për të rinjtë është interesant me u paraqit në aktivitete të tilla, në grupe të ndryshme dhe në medie, sepse mund ta nisin nga një projekt e t’ju bëhet profesion i së ardhmes, nga takime të tilla dikujt mund t’i lind shkëndija për t’u profesionalizuar edhe në fusha të ndryshme të artit, qoftë në pikturë, qoftë ese”, potencoi Pajaziti.
Tutje ajo tha se “KultPlus” në bashkëpunim me organizata tjera do të mbajëedhe aktivitete tjera të kësaj natyre në të ardhmen.
“Kishim me i falenderu ambasadën amerikane që e ka parë si projekt të rëndësishëm, e gjithashtu edhe të rinjtë që kanë pasur vullnet dhe i kanë dërguar këto ese të cilat i kemi përzgjedh për këtë punëtori”, përfundoi Pajaziti.
Leksionet për esenë dhe nxitja për ta kuptuar dhe përvetësuar atë si dhe organizimi në përgjithësi, i kanë lënë mbresa të paharruara pjesëmarrëses Lume Selmani, e cila thotë se ka mësuar gjëra të reja të cilat do t’i ndihmojnë tutje. Ajo bën thirrje që organizime të tilla për të rinjtë të ketë sa më shumë.
“Kam qenë e entuziazmuar kur e kam parë konkursin, më pëlqen shumë eseu dhe kam dashur t’i thelloj njohuritë e mia, më ka pëlqyer organizimi dhe profesoresha e cila na ka bërë të ndihemi shumë mirë, na është dukur si një shoqe. I kam mësuar disa gjëra që nuk i kam ditur më parë, metodat për ta bërë një ese e gjëra tjera të ngjashme, e poashtu kam krijuar edhe një shoqëri të re për çka jam shumë e lumtur”, shprehet ajo.
Edhe Lorik Spahiu, pjesëmarrës në këtë punëtori u shpreh i entuziazmuar për mundësinë. Ai thotë se kjo është eksperienca e tij më interesante, gjatë së cilës përveç leksioneve për esenë, letërsinë dhe zhvillimin e mendimit kritik, ka fituar edhe një shoqëri të re.
“Si pjesëmarrës në këtë trajnim kam mësuar shumë, ka qenë socializmi që më ka bërë përshtypje si dhe takimi me pedagogen Vjosa e cila në mësoi se si duhet ta formojmë karakterin tonë si dhe na shpjegoi për esenë dhe ndërtimin e saj. Ajo u përpoq vazhdimisht të na nxis që ta zhvillojmë mendimin kritik dhe të jemi të vendosur në veprimet që do t’i marrim në të ardhmen”.
Përmbyllja e kësaj punëtorie do të bëhet nesër me leximin e eseve nga pjesëmarrësit si dhe me një mbrëmje muzikore në ambientet e “KultPlus Caffe Gallery”.
Të gjitha esetë do të publikohen në vijim. /KultPlus.com