Numri më i ri, i dhjeti më radhë, i revistës letrare dhe kulturore “PEN Kosova” këto ditë doli nga shtypi. Revista përmban punime të llojeve dhe zhanreve të ndryshme.
Revista hapet me intervistën e zhvilluar me veteranin e gazetarisë, Nehat Islami. Përmes një dialogu të përbashkët, shkrimtari Ibrahim Kadriu dhe gazetari Nehat Islami, përmes kësaj interviste i kanë trajtuar gjurmët e gazetarisë nëpër dekada si dëshmi të realitetit kulturor, shoqëror dhe historik në Kosovë e më gjerë.
Në vazhdim të revistës prezantohen tri shkrime eseistike të kritikut letrar, publicistit dhe veprimtarit, Xhemail Mustafa, pastaj shkrimi i Avni Spahiut me titullin “Arbëreshët e Nju-Orleansit” dhe shkrimi kritik i Naim Kryeziut për shkrimtarin Herman Hese, bashkë me përkthimin e poezisë “Mjegulla” nga gjuha gjermane në shqip.
Në rubrikën e eseve të përkthyera, prezantohen shkrimet e autorëve: George Steiner (Shkrim-këndimi i ri), përkthyer nga Gëzim Aliu, Charles Harper Webb (Vlerat konkurruese në poezinë bashkëkohore), përkthyer nga Demë Topalli, Erich Auerbach (Viko dhe historizmi estetik), përkthyer nga Ilir Breca dhe Charlotte A. Graham (Orë e fundit të Konicës), përkthyer nga Greta Avdyli.
Në këtë numër të revistës me prozë paraqiten Ibrahim Berisha, Rifat Ismaili dhe Aziz Mustafa, ndërsa me poezi, Dije Demiri Frangu, Bujar Tafa, Engjëll I. Berisha dhe Dea Basha. Gjithashtu, me një cikël poezish të përkthyera nga gjuha kroate në shqip nga Bekim Shala, është prezantuar poeti kroat Nedjeljko Shpilek.
Botimi i kompletit të veprave të Basri Çapriqit në katër vëllime (poezi, studime, ese, publicistikë), zë një vend të veçantë në këtë numër të revistës, përmes shkrimeve të Milazim Krasniqit, Osmani Gashit, Sali Bashotës dhe Ibrahim Berishës, ndërsa ligjërata e nobelistit të letërsisë për vitin 2017, Kazuo Ishiguro, përkthyer nga Avni Spahiu është shkrimi i fundit i botuar në revistë.
Botimi i revistës letrare dhe kulturore “PEN Kosova” është përkrahur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës./KultPlus.com