Sot është mbajtur seanca e dytë e konferencës për letërsinë nga PEN Qendra së Kosovës në KultPlus Caffe Gallery. Gjatë konferencës që të pranishëm ishin shkrimtarë nga Kosova, Shqipëria dhe Mali i Zi, janë lexuar kumtesa, janë zhvilluar diskutime dhe janë promovuar libra.
Drejtues të kësaj seance ishin Dije Demiri Frangu dhe Ismet Kallaba. Pas një fjale përshëndetëse nga drejtuesit, seanca filloi me kumtesën e Nerimane Kamberit, e cila foli për “Aktivitetet promovuese për shkrimtarin”.
“Sot e gjithmonë promovimi është një element thelbësor për shkrimtarët që dëshirojnë ta rrisin numrin e lexuesve të tyre, të krijojnë një lidhje të ngushtë me ta dhe ta ruajnë besnikërinë e lexuesve. Derisa mënyrat tradicionale të të promovuarit mbesin shumë aktuale, siç janë orët letrare në vende të ndryshme si biblioteka, fakultete, shkolla apo takimet me shkrimtarët në libraritë apo në kafe-galeritë, e jo vetëm në kryeqytet, me zhvillimin e teknologjisë dhe zgjerimin e platformave sociale, shkrimtarët kanë më shumë mundësi për të arritur audiencën e tyre dhe për të ndarë krijimtarinë në mënyra të reja e për ta prekur lexuesin e gjeneratëve të reja, përdorues i madh i rrjeteve sociale”, u shpreh Kamberi.
Pastaj, konferenca vazhdoi me kumtesën e kryetarit të PEN Qendrës së Kosovës, Binak Kelmendi, i cili foli për temën “Të gjitha të drejtat e shkrimtarit ose e drejta e veçantë e autorit”.
“Para se të flas për të drejtën e autorit, do të përpiqem të them se çfarë është dhe çka është në të vërtetë autori i cili na shfaqet pothuaj kudo dhe kurdo në jetën tonë të përditshme. Autori, është personi i gjendur ose dhe është personi i stisur në krijimin e një zanafille a të një gjëje të re, i një diçkaje që nuk ka qenë e bërë më parë. Me një fjalë, autori është krijuesi dhe ngjizësi i asaj krijese, i asaj të reje, nismëtar, shpikës, pra, autor i një zbulimi, ndërsa në rastin tonë, të shkrimtarit, është krijuesi, bërësi dhe sajuesi i një libri a i një vepre tjetër artistike. Kështu, të paktën, e përcaktojnë autorin ose shkrimtarin, fjalorë të ndryshëm të gjuhëve botërore. “Autori është, pa dyshim, ai të cilit mund t’i atribuohet ajo që është thënë ose ajo që është shkruar. Por atribuiimi, madje edhe kur bëhet fjalë për një autor të njohur, është rezultat i operacioneve kritike komplekse rrallëherë të justifikuara”, thotë paksa me kundërshti jo të vogël ndaj përkufizimit paraprak filozofi Michel Foucault. Dhe, meqë supozohet të jetë kështu, si në rastin e parë te fjalorët, ashtu edhe në rastin e dytë te filozofi, autori ka të drejtat e veta, të cilat mbrohen ose të paktën duhet të mbrohen me ligj. Dhe këto mbrojtje kanë filluar herët. T’i shohim ato të drejta sipas periudhave të zhvillimit njerëzor, ashtu siç i kam gjetur e klasifikuar nga qëmtimet qw bwra: E drejta e autorit është tërësia e të drejtave që një autor ose përfituesit e tij ose të saj (trashëgimtarët, kompanitë e prodhimit, etj,) kanë mbi veprat e tyre origjinale. Ajo përcakton në mënyrë të veçantë rregullat dhe kushtet e përdorimit dhe ripërdorimit të një vepre, qoftë ajo një vepër letrare apo muzikore ose dhe ndonjë vepër tjetër”, tha Kelmendi në kumtesën e tij.
Ndërsa, shkrimtarja dhe njëkohësisht drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Blerina Rogova, gjatë konferencës foli për temën “Liria e shprehjes dhe sfidat krijuese”.
“Letërsia mund të bëjë shumë. Ajo është e aftë të na nxjerrë nga terri e agonia e të na shtrijë dorën atëherë kur asnjë dorë tjetër nuk na prekë, dhe kështu si jemi, arrinë të na drejtojë kah qeniet tjera rreth nesh, të na pajtojë e të na shtyjë të kuptojmë më mirë botën, terrin e retë, dramën, pasionin e shpirtin e dyshimit… Një lojë e aventurë që nis si emocion dhe rritet e rron si pasion, për të zënë vendin esencial në shpirt e në mendje. Dijetarët thonë se shkrimi është shqisë e veçantë humane dhe estetike e përceptimit të botës. Por, atëherë kur nis e zbulon shqisën tënde në të kuptuarit tjetër të botës, pyetja e përhershme që e shoqëron, shton shpirtin e dyshimit. A ekziston diçka që është me të vërtetë pjesë e imja e të cilën do të mund ta shfaqja? Për fat të poezisë e për fat tonin, mjeshtëria e jetës është shumë më e hollë se e Jona. Dhe jeta jonë është më dinake se vetë ne. Letërsia i jep jetë këtyre përvoja të veçanta, na kujton bullgari i kulturës frënge Todorov: ajo e ruan pasurinë dhe llojllojshmërinë e të jetuarit. Iluzionet e patriotizmit. -Gjyshja ime, ndjesë pastë, sa herë më pyeste se çfarë dua të bëhem kur të rritem, i jam përgjigjur: shkrimtare. Ishte rrobaqepëse dhe narratore e zonja e përrallave, e sa herë qeshte me përkëdheli tek më thoshte se shkrimtarët rrojnë vetëm nëpër libra”, tha ndër të tjera ajo.
Në vijim, shkrimtari Flamur Maloku foli për temën “Diskursi kulturor në Kosovë: Tradita dhe Bashkëkohësia”.
“Diskursi kulturor është një term i gjerë, i larmishëm në vende dhe kultura të ndryshme, me ndikime të mëdha dhe të vogla në kultura të mëdha, të vogla dhe shumetnike. Meqë qëllimi ynë në këtë trajtesë dhe në këtë pjesëmarrje nuk është hartografia e tij, as domethënia dhe ndikimi i tij në gjithë botën, e kemi kufizuar hartën e tij vetëm në Kosovë, në një shtet shumetnik. Megjithatë, si kudo tjetër në botë, fillimisht është e rëndësishme ta kujtojmë origjinën e tij dhe domethënien e tij dhe të japim disa sqarime të shkurtra për të. Diskurs është fjalë me prejardhje latine, discursus. Ka domethënien e shkëmbimit, të lëvizjes. Prandaj, përkrah togut Diskursi kulturor në Kosovë, duke marrë parasysh domethënien e shkëmbimit dhe të lëvizjes të tij, titullit i kemi shtuar edhe dy fjalë dhe një lidhëz, tradita dhe bashkëkohësia, për ta parë diskursin ndër vite dhe ndër medie dhe mediume në Kosovë. Përcaktime, për domethënien e tij, gjithashtu edhe për rëndësinë e tij, kanë dhënë teoricienë në gjithë botën, madje që nga lashtësia”, tha Maloku.
Ai foli për domethënien e diskursit në konceptin bashkëkohor diskursi kulturor në Kosovë dhe kujtesën dhe traumat bashkëkohore.
Ndërkaq, përkthyesi dhe profesori Naim Kryeziu në kumtesën e tij foli për temën “Hajnrih Hajne (1797 – 1856) në mbrojtje të pronës intelektuale”
“Hajnrih Hajne ka qenë një nga poetët, gazetarët dhe shkrimtarët më të rëndësishëm gjermanë të kohës së vet. Ky poeti i famshëm gjerman pati një ndikim të rëndësishëm në gjuhën gjermane, e bëri gjuhën e jetës së përditshme të aftë për poezi dhe zhvilloi xhevahire artistike nga udhë-përshkrimet e tij, nga artikujt e gazetave dhe nga poezitë e tij, nga të cilat shumë e bën edhe këngë të njohur gjermane, siç është “kënga e Lorlejës”, u shpreh ai.
Tutje ai tha se Veprimtaria letrare e Hajnes s’mund të shkëputet nga kushtet materiale në të cilat është zhvilluar. Por ndërkaq këto kushte nuk mjaftojnë për të shpjeguar realitetin e punës së tij si shkrimtar. Në një letër dërguar mikut të vet Farnhagen në korrik të vitit 1833, Hajne i ankohej duke thënë: “Jeta ime është bërë tregti e mirëfilltë, një tregti e zymtë prej bakalli.” Mirëpo ky ndërgjegjësim nuk u shndërrua aspak në nënshtrim pasiv përballë aspektit të rëndësishëm tregtar të jetës së tij. Përkundrazi, një gjë e tillë u bë burim energjish të reja, duke e shtyrë të kërkonte pareshtur zgjidhje optimale dhe t’i pranonte tërësisht aspektet e ndryshme të profesionit të tij. Shkrimtarit iu deshën vite të tëra për ta kthjelluar konceptin e aspektit profesional të veprimtarisë së vet letrare.
“Dyvlerësia e këtij koncepti të shkrimtarit pasqyron nga ana e vet kontradiktën e brendshme që ekziston në konceptin borgjez të pronës, mbi të cilin ajo bazohej dhe njëherazi e kritikonte. Prona përligjte aspiratën e borgjezisë për të marrë pjesë në administrimin e punëve të shtetit. E drejta për të grumbulluar lirisht pasuri qe një prej kërkesave themelore të partisë franceze që nuk bënte pjesë as në radhët e aristokracisë e as në radhët e klerit. Këtu bëhej fjalë për një parim demokratik përderisa kjo kërkesë u kundërvihej privilegjeve të aristokracisë dhe që teorikisht e quante të mundur për secilin të vinte pasuri. Megjithatë, përderisa nënkuptonte de facto ekzistencën e të varfërve dhe të mjeranëve, prona bëhej një privilegj që kishte në thelbin e vet përjashtimin e atyre njerëzve, në shfrytëzimin e të cilëve ajo mbështetej”, shtoi ai në kumtesën e tij.
Tutje, shkrimtarja Dije Demiri – Frangu, zgjodhi të fliste për temën “Diskursi kulturor në Kosovë, me theks të veçantë në fushën e letërsisë”.
“Kultura është gjithçka që krijon njeriu dhe jo natyra. Është ky një definicion i thjeshtë për të. A krijojmë dhe ç ‘krijojmë d.mth a bëjmë kulturë? Bëjmë. Por a flasim për kulturën dhe si flasim, realishtsa flasin ata që e krijojnë dhe a flasin ata që e konsumojnë? Si i qasemi na që jetojmë brenda saj dhe a merret kush tjetër me tepos nesh? Si e realizojmë atë, çka kuptojmë me kulturë dhe me manifestimin që i bëjmë asaj? Çfarë qëndrimi kanë institucionet shtetërore, organizatat civile të kulturës si dhe individët, qoftë si krijues apo qoftë konsumues të saj? A mendon sot dikush për artin, a persiat për rrjedhat e tij? A është ligështuar arti, dobësuar në kuptimin estetik, mos masivizimi tij ka krijuar nje refuzim estetik? A po e humb arti fuqinë derisa më nuk është vetëm i elitave? A po e humb lexuesin? Janë këto disa nga pyetjet që vine si meditim për kulturën-letërsinë ndër ne. Kultura, pos që është e atyre që e krijojnë është edhe pronë e institucioneve, realisht është pjesë e identitetit të shtetit. Pikërisht pse është një shenjë e shtetit, duhet të merremi me të, me shëndetin estetik të saj, i cili shpesh na zhgënjen. Pra, cili është diskursi jonë mbi kulturën, posaçërisht mbi letërsinë? Dikush shumë shpejt do t’i kishte numëruar: Konkurset letrare jo të rregullta, juritë jo adekuate, korrupcioni i bartur nga politika, festivalizimi i saj, depërtimi vlerave të ulta, masivizimi i saj pa kriter e ndonjë të dhënë tjetër. Sadoqë diskutohet për devijimet në këto forma të paraqitjes së kulturës, diskursi i diskutimi formal mbi kulturën nuk manifeston realitetin në masën e duhur, nuk merret me esencën e artit sa me emrat- autorët, që shpesh nga padija ose nga interesat-favorizohen. Po e zëmë në fushën e letërsisë, në mungesën gati totale të kritikës letrare, një numër i madh i veprave botohen nga grupe tëndryshme në formën shkel e shko, deri më edhe pa lekturë, pa redactor e pa recenzent. Pastaj, ajo vërshon mediat sociale dhe reklamohet si një prodhim i suksesshëm fabrike. Kjo gjë tanimë është bërë dukuri dhe ka marr përmasa shqetësuese. Realisht, kjo tregon sa jemi etik në raport me artin, e thënë drejtën del që më shpesh jemi nëpërkëmbës e injorues. Këtë e dëshmon heshtja “paqësore” ndaj këtij hiperproduksioni letrar dhe përfaqësimit aspak dinjitoz të letërsisë, qoftë edhe jashtë Kosovës. Është demokraci, do të thonë të gjithë”, tha Demiri – Frangu.
Ndërkaq, shkrimtari Haxhi Shabani, foli për temën “(S’) Kemi letërsi të përbashkët shqipe”.
“Në fillm të viteve të nëntëdhjeta të shekullit të kaluar në diskursin kulturor, sidomos te shqiptarët që kishin jetuar pa dëshirën e tyre në kuadër të kufijve politikë të ish-Jugosllavisë, flitej e shkruhej shumë për nevojën e krijimit të hapësirës së përbashkët, sidomos kulturore, arsimore e mediatike shqiptare. Nëse deri më atëherë ekzistonin pengesa e ndarje me kufij midis shqiptarëve që e pamundësonin krijimin dhe funksionimin e hapësirave të përbashkëta përkatëse, sot pas rreth 35-vjetëve, nuk është krijuar as hapësira e përbashkët kulturore, as mediatike; pra nuk është krijuar as territori i përbashkët letrar shqiptar. Ai i ri, apo ajo e re që arrinte të botonte librin e parë letrar në shtëpinë botuese “Rilindja” të Prishtinës konsiderohej që kishte vlera letrare e estetike, sepse këtë e garantonin, ndër të tjera, redaktorët e saj siç ishin: Ali Podrimja, Anton Pashku, Sabri Hamiti etj. Edhe ata që botonin në kuadër të shtëpisë botuese Naim Frashëri në Tiranë, ndonëse ajo botonte edhe libra të shumtë të pavlerë për shkak të zbatimit të metodës së realizimit socialist, një pjesë e botimeve të kësaj shtëpie botuese përuronte vlera. Honoraret që jepeshin për librat nga Rilindja ishin dinjitoze, madje thuhet, mund të jetë edhe legjendë urbane, se kishte autor që me honorarin e një libri botuar në këtë ent botues, kishte shkuar dhe kishte blerë një veturë të tipit golf që dikur prodhohej në Sarajevë, sot kryeqyteti i Bosnje Hercegovinës. Të lindësh në Ulqin, Preshevë, Gostivar apo Sarandë dhe të duash të jetosh në këto qytete, të kesh dëshirë dhe talent të merresh me letërsi, apo ndonjë art tjetër dhe të krijosh letërsi të mirë, është fatkeqësi sepse ende nga qendrat krijuese në Tiranë apo Prishtinë, nga autorët që jetojnë në këto të fundit, në shumicën e rasteve shikohesh me dyshim”, u shpreh Haxhi Shabani.
Kurse, për temën “Liria e shprehjes dhe kufijtë e krijimtarisë letrare”, foli shkrimtari Osman Gashi.
“Liria e shprehjes është një nga të drejtat themelore të shoqërisë bashkëkohore, jo vetëm si një koncept i mbrojtjes juridike, por edhe si një ideal kulturor e intelektual. Mirëpo kur liria e shprehjes ndeshet me fushën e letërsisë, në kontekstin më të gjerë happen çështje të ndërlikuara për faktin se ku duhet tërhequar kufijtë midis lirisë artistike dhe pëçrgjegjësisë shoqërore. Kjo temë nuk është vetëm akademike; ka implikime të thela në mënyrën se si letërsia kuptohet dhe vlerësohet në kontekstin e gjerë shoqëror. Për shembull, a duhet të jenë të kufizuara veprat letrare, të cilat trajtojnë tema të ndjeshme, për shkak të ndikimit potencial negative tek publiku? Apo, në të kundërtën, a duhet të mbetet letërsia e lirë, pavarësisht faktit se sa përmbajtjet e saj nxisin shqetësime e kundërshtime?”, u shpreh ai.
“Për dukurinë për të cilën po diskutojmë sot një domen shumë I rëndësishëm është trajtimi i tij në kontekstin e letërsisë shqipe. Do të mund të trajtohej veçanërisht konteksti I pçeriudhës së regjimit komunist në Shqipëri si dhe pozita e shqiptarëve dhe e letërsisë shqipe në ish Jugosllavi.
Mbase shembujt më të rëndësishëm janë Ismail Kadare dhe marrëdhënia e tij komplekse me regjimin e Enver Hoxhës, pastaj Martin Camaj, një nga modernistët e parë shqiptarë, I cili krijoi në ekzil, Fatos Lubonja (siç e kanë quajtur – armik i brendshëm I regjimit) e shumë të tjerë”, tha ai për letërsinë shqipe.
Ndërsa, poetja Naime Beqiraj, foli për aktivitetet promovuese për shkrimtarin.
“Cila është rëndësia e përurimeve? – Promovimi i librave është i rëndësishëm për autorët, po ashtu edhe për shtëpitë botuese por sa janë kreative promovimet dhe sa e afrojnë librin me lexuesin është diskutim tjetër. Promovimet në botë sot konsiderohen marketing e marketingu është shkencë e pak edhe kulturë e art. Jemi dëshmitarë që në botë bashkë me botimin e librit është ekip i tërë të cilët e realizojnë shpërfaqjen e veprës deri te lexuesi. Botuesit, menagjerët, gazetarët, asociacionet, miqtë, bibliotekat, faqet online në internet, gazetat e revistat. Nëse flasim për Kosovë, konsideroj që mungesa e një qendre për promovimin e librit ka lënë e po lë hapsirë për promovime të librave mesatarë duke e futur në huti lexuesin se cilin libër ta zgjedh, cilin autorë. Shtrohet dilema: a e shkurton promovimi distancën në mes të lexuesit dhe librit, në këtë pikëpamje; libri a shfaqet më i rafinuar para publikut dhe lexuesit, apo thjesht në tregun librar dominojnë librat që kanë më shumë recensine, herë herë të porositura apo nga interesa meskine Cila do të ishte natyra e promovimeve për ta quajtur tezë e pranuar që lexuesi të zgjedh librin e mirë? -Nga vëzhgimet që mund të bëhen në një periudhë kohore, vërehet që në promovime mungojne diskutimet, debatet, ndërsa të shumtën e herave mungon edhe publiku. Në dy mediet online që kemi në Prishtinë, ngjarjet e mirëdillta letrare edhe paralajmërohen, edhe përcillen mirë nga gazetarët e KultPlus dhe Observer. Mediet elektronike janë pothuajse indiferente me përjashtim të RTK ku edhe aty hetohen lëshime (dikujt i ndërrohet emri e dikujt mbiemri). A janë promovimet zona në të cilat libri bën hapin e parë drejt lexuesit dhe a ka nevojë libri për përurim; a është përurimi ceremoni apo edhe reklamë? -Promovimi është si të thuash prerja e shiritit të kuq, ndrsa sa i përket pyetjs, mendoj se libri ka nevojë për të dyjat. Nëse për të parën ka nevojë autori, i dyti i takon botuesit. Unë si autorë nuk kam bërë asnjëherë promovim, kujtoj që për librin e parë një përurim e pat organizuar Bekim Lumi n nj organizim të pranverës poetike studentore në vitin 1990 e mua më njoftoi një ditë para organizimit dhe një organizim pas disa javësh u bë nga një forum i krijuesve të artit në ambientet e korit Colegium Cantorum – sot Opera e Kosovës, kjo nuk do të thotë që nuk do të jem pjesë e organizimit të promovimit të librit bashkë me botuesin, ndoshta jo thjeshtë promovim uniform sa një orë artistike me miqtë dhe lexuesit”, u shpreh Beqiraj.
Ndërkohë, kryetari i Shoqatës së Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club” në Ulqin, Ismet Kallaba, u shpreh se fakti qē sot shkrimtari nē hapēsirēn shqiptare nuk mund tē jetojē nga puna e vet ēshtē treguesi mē i mirē i pozitēs sē tij sociale, por edhe i shoqērisē sonē.
“Nē vendet e rajonit ekzistojnē modele tē mbēshtetjes sē shkrimtarit nga institucionet shtetērore pērgjegjēse, modele qē mund tē aplikohen edhe nē hapēsirēn shqiptare. Subvencionimi i botimeve tē krijuesve nga ministritē e kulturēs nē shumicēn e vendeve ēshtē njē ndihmē modeste, por kērkohet njē zgjidhje e qēndrueshme pēr shkrimtarēt mē tē mirē tē vendit”, tha ai ndër të tjera.
Shkrimtari dhe njëkohësisht drejtuesi i kësaj konference, Sali Bashota, foli për temën “Shkrimtari, vepra, botuesi, lexuesi”.
“Ekziston një legjendë ku thuhet se Virgjili e shkroi Eneidën për 10 vjet, jo më shumë se tri vargje për çdo ditë. Trajtimi i temës në relacionin shkrimtari- vepra – botuesi – lexuesi, në kuptimin letrar dhe kritik, shenjon dimensione të rëndësishme përbrenda hapësirës kulturore në Kosovë, duke iu referuar periudhave të ndryshme letrare, që nga vitet 50 të shekullit të kaluar e deri më sot. Shteti ynë ka nevojë të ketë sa më shumë shkrimtarë të mirë dhe të rëndësishëm që do ta përfaqësonin letërsinë shqipe brenda dhe jashtë vendit. Ndikimi i tyre do të ishte i rëndësishëm, në radhë të parë, në afirmimin e vlerave të letërsisë shqipe, kur ende nuk kemi kemi një përfaqësim dinjitoz të letërsisë shqipe as përbrenda dy shteteve, të mos flasim në plan ndërkombëtar. Konceptet përshkruese në çdo rast do ta favorizonin shkrimtarin, por ndodh e kundërta. A jeton një shkrimtar nga vepra e vet, kur e shkruan, e boton apo e vë në treg veprën e tij? A jeton një përkthyes nga veprat që e përkthen? Shkrimtari në Kosovë funksion primar e ka botimin. Të ketë mbështetje institucionale për botim apo të investojë vetë, në mënyrë që vepra të botohet. Vepra e shkrimtarit në Kosovë sot nuk njihet nga lexuesit e gjeneratave të reja, mos të flasim për veprat e shkrimtarëve nga Shqipëria. Ende nuk kemi komunikim normal në këtë drejtim. Në këtë rast, po i marrim vetëm dy shembuj: Poeti Frederik Reshpja pak njihet në Kosovë, por edhe shkrimtari Teki Dërvishi pak njihet në Shqipëri. Çështja më mirë qëndron në fushën e botimeve. Botuesit e Shqipërisë botojnë vepra të autorëve nga Kosova, por edhe botuesit e Kosovës botojnë vepra të shkrimtarëve të Shqipërisë, por libri ende ka taksa, si nga shteti i Kosovës, si nga shteti i Shqipërisë. Diskursi për pozitën sociale të shkrimtarit dhe diskursi për shitësit dhe blerësit e librit, sigurisht do të kërkonin një vëmendje më të madhe në qarqet tona kulturore”, u shpreh ai.
Pas kumtesave të pjesëmarrësve dhe pas një diskutimi të shkurtër mes tyre, u promovuan edhe disa libra nga disa shkrimtarë, të cilët poashtu ishin pjesë e konferencës.
Ibrahim Berisha promovoi dy libra, atë të Xhemajl Mustafës që është një libër me ese që ai kishte folur për libra e për autorë. Ndërsa libri tjetër është një libër me ese, “E drejta e thënies”, Ndërsa, shkrimtari Binak Kelmendi, promovoi librin e tij “Jeta ime”.
Ndërsa, Qazim Muja promovoi librin e tij më të ri, i cili titullohet “Baladat komite”. Pas tij, libri i radhës që u promovua, ishte ai i Avni Spahiut, me titull “Faqe miqësie”.
Kurse, shkrimtari dhe profesori Milazim Krasniqi, promovoi librin e tij “Maratona e leximit”. Dhe në fund, shkrimtari Naim Kryeziu, promovoi librin e tij më të ri, i cili është i përkthyer “Aforizma dhe citate”/KultPlus.com