Poezia “Pengu i lirisë” e Alketë Spahiut shpallet fituese e çmimit ‘Pena e Flakës 2022’

Poezia e Alketë Spahiut, me titull “Pengu i lirisë” është shpallur fituese e çmimit kryesor në “Ora e madhe letrare” të shtyllës “Pena e Flakës” në kuadër të Manifestimit “Flaka e Janarit 2022”.

Pasi janë lexuar e deklamuar poezitë pjesëmarrëse në “Ora e madhe letrare”, janë publikuar edhe rezultatet e konkursit anonim letrar në prozë e poezi.

Juria e përbërë nga Ramadan Mehmeti, Sabile Keçmezi – Basha dhe Sinan Sadiku, ka qenë unanime në vlerësimin final për shpalljen e fituesit të poezisë më të mirë të lexuar në “Ora e madhe letrare”.

Në emër të jurisë, Dr. Sabile Keçmezi – Basha, ka prezantuar vendimin, duke potencuar se disa nga poezitë konkurruese pjesëmarrëse kanë qenë të botuara paraprakisht, ndaj si të tilla janë eliminuar me automatizëm nga konkurrenca, ndërsa poezia më e mirë e lexuar në “Ora e madhe letrare” është shpallur “Pengu i lirisë” i autores Alketë Spahiu.

Në emër të jurisë vlerësuese, Sabile Keçmezi – Basha vuri në dukje se cilësia e prurjeve të këtij edicioni ka qenë në nivel të kënaqshëm, sikurse edhe konkurrenca, për të cilën tha se ka qenë jashtëzakonisht e fortë dhe në numër të madh.

“Duke i analizuar poezitë, në të gjitha vërejtëm tonin medidativ ku me të madhe gjejmë shqetësime krijuese që gërshetohen në filozofinë poetike të këtyre poetëve, të cilët sjellin një imazh që në vete bart realitetin e kohës dhe me një simbolikë metaforike gjuhësore përjetohet si refleks komunikimi duke bartur natyrshëm një mesazh të qartë tek lexuesit”, nënvizoi ajo, ndërsa pjesëmarrjen masive të poetëve e cilësoi “festë në vete” për poezinë shqipe.

Në kuadër të pjesës letrare të manifestimit, Juria e konkursit anonim letrar, në përbërje Prend Buzhala, Emin Azemi e Albina Idrizi, ka ndarë çmimet në prozë e poezi për krijimet më të mira, me sa vijon:

Çmimin e parë e fitoi poezia “Legjendë tingujsh” me shifër “Itaka”, vendin e dytë e fitoi poezia “Fjalët për një këpucë të humbur” me shifër “këpuca e gjetur”, kurse vendi i tretë i ka takuar poezisë me shifrën “Flokë të arta” e me titull “N’ikje”.

Ndërsa në prozë, tregimi “Dritëhije e Prishtinës” me shifrën “Janari” zuri vendin e parë. Vendi i dytë i takoi tregimit me titull “Tundimet e Shën Arturit” me shifrën “Dora d’ Istria”, ndërsa ai me shifrën “Intuita” e me titull “Makthi cullak” zuri vendin e tretë.

Siç është bërë e ditur edhe ky edicion i “Pena e Flakës” do të përgatitet dhe botohet në një botim të veçantë në revistën letrare “Agmia”, në të cilën, përveç krijimeve fituese nga konkursi anonim dhe nga “Ora e madhe letrare” do të botohen edhe një numër syresh, të cilat janë vlerësuar nga komisioni si punime të denja e me nivel të kënaqshëm letrar/artistik: “Më thuaj shpesh”, shifra “Perla”; poezia me titull “Për një ditë marsi” me shifrën “Janari”; pastaj poezia “Nata” me shifrën “24 pjesët e natës”; poezia “Mjekrës së thinjur të kohës” me shifrën “15012017”; poezia “Blegërima e harresës” me shifër “Harrestar në Horoskop”; poezia e radhës me titull “Jetëshkrim manekinësh” me shifrën “Manekini”, si dhe poezia “Kurrë lumë” me shifrën “1980”. / KultPlus.com

Anulohen dy çmime letrare në manifestimin ‘Flaka e Janarit 2021’

Janë anuluar dy çmime të manifestimit letrar “Flaka e Janarit 2021”, shkruan KultPlus.

Ky aktivitet i cili organizohet nga Ars Clubi “Beqir Musliu”, ka dy gara të ndryshme, njëri në kuadër të orës së madhe letrare për çmimin “Pena e Flakës” dhe konkursi anonim letrar për poezi dhe prozë.

Grupi punues i këtij manifestimi në përbërje nga Sabit Rrustemi, Albina Idrizi e Nexhat Rexha, ka bërë verifikimin e krijimeve të shpërblyera letrare nga ana e Jurisë profesionale ( Adem Gashi, Linditë Ramushi Dushku e Mehmetali Rexhepi ) dhe i konstaton këto gjetje:

Poezia e shpërblyer me Çmimin e dytë nga ana e Jurisë, e titulluar “BALADË”, me shifër “Vetëm 5 minuta” autore e së cilës doli të jetë Rozafë Shpuza nga Shkodra dhe tregimi i shpërblyer me Çmimin e tretë nga ana e Jurisë letrare, i titulluar “PALLATI I SORRAVE”, pa shifër, që doli të jetë më pas i Bajramali Selimit nga Gostivari kanë qenë të publikuara më parë në medie.

Nisur nga këto dy të dhëna,  shihet qartë se publikimi paraprak i këtyre dy krijimeve e zhvlerëson anonimitetin e tyre dhe bie ndesh me kriteret  e Konkursit anonim letrar, të bëra publike që nga 9 dhjetori i vitit 2020 e deri më 9 janar 2021.

Meqë këto kritere të mos publikimit të krijimtarisë në medie paraprakisht kanë qenë në fuqi tash e tridhjetë vjet, dy çmime, anulohen vetvetiu. / KultPlus.com

Valixhja e andrrave

Poezia fituese e Çmimit PENA E FLAKËS 2019 ( e zgjedhur me votat e poetëve konkurues )

Rozafa SHPUZA

Ditën kur kuptova se dashnitë virtuale janë të virgjëna,
u nguta me i palue në valixhen mbi raftin me dru
arret
që erdh n’pajë ndër shpatlla hamejsh.

– Merre karrigen me mbërritë,
m’porosit’ kujtesa e cfilitun, teksa nën karrige
zbardhin datat e nji dasme
ku nusërova mes turmës së dashnive të pamujtuna.
Druej mos hepohem
anipse ritmi i valles më ngujon si sinor legjendash.
Bam – bum… bam – bum…
hedhin valle andrrat që më përcollen në altarin e agsholeve të përgjumuna.

– Ma parë ban palë krahët,
s’pranë tue m’porositë kujtesa
që saora merr trajtën e mëkateve t’shkrrame
diku te shtroja e kambëve në pragderë.
Dashnitë krahthyeme stivohen shkujdesun
e naftalina i përshkon përdhuni si vargje duhanit.

Nuk di sa zgjati ky ritual
veçse tash jam ulë mbi valixhe
e pres sirenën e nisjes a
tje në stacionin ma skajnor.

Këta janë poetët që do të sfidohen në Pena e Flakës 2019


Tre poetë, Agron Tufa, Ibrahim Kadriu e Xhevat Latifi, do të lexojnë jashtë konkurencës, nga fakti se kanë qenë fitues të mëhershëm të këtij Çmimi.

Komisioni përzgjedhës i pjesës letrare të Manifestimit Kombëtar të Kulturës, “Flaka e Janarit” 2019, në përbërje: Nexhat Rexha, Fatushe Haliti e Xhevat Latiifi, përzgjodhi për lexim në Orën e madhe letrare “PENA E FLAKËS” 2019, poezitë e këtyre poetëve konkurues:

1. Adem XHELADINI – Kërçovë
2. Agron TUFA – Shqipëri ( Jashtë konkurencës )
3. Afrim DEMIRI – Ferizaj
4. Alketë SPAHIU – Gjilan 
5. Anton Nikë BERISHA – Prishtinë
6. Arian LEKA – Shqipëri 
7. Arsim HALILI – Kosovë Lindore 
8. Donart REXHBOGAJ – Pejë
9. Flutura AÇKA – Shqipëri
10. Ibrahim KADRIU – Prishtinë ( Jashtë konkurencës )
11. Linditë DODA – Shqipëri
12. Medina PASOMA – Vushtri
13. Menduh LEKA – Ferizaj
14. Mirela Papuçiu – Shqipëri 
15. Mujë BUÇPAPAJ – Shqipëri 
16. Nikolla SPATHARI – Shqipëri
17. Nuhi SADIKU – Shtime
18. Prend BUZHALA – Klinë
19. Rakela YZEIRI – ZOGA – Greqi
20. Ramadan MEHMETI-Prishtinë ( Jashtë konkurencës )
21. Ramë ORACA – Podujevë
22. Rozafa SHPUZA – Shqipëri
23. Selvete ABDULLAHU – Gjilan
24. Vjollca DIBRA- Prishtinë
25. Xhevat LATIFI – Gjilan ( Jashtë konkurencës )
Njëzetenjë poetë nga kjo listë, do të garojnë për Çmimin kryesor të kësaj pjese të Manifestimit – PENA E FLAKËS 2019, e cila do të zgjedhet përmes votave të vetë poetëve.
Tre poetë, Agron Tufa, Ibrahim Kadriu e Xhevat Latifi, do të lexojnë jashtë konkurencës, nga fakti se kanë qenë fitues të mëhershëm të këtij Çmimi.

Ndërsa dhënien e këtij Çmimi, sipas një tradite tashmë të krijuar, do ta bëj fituesja e vitit të kaluar, shkrimtarja nga Tirana, Entela Kasi. 
“Pena e Flakës” 2019, mbahet në përmbyllje të këtij Manifestimi, më 31 janar 2019, ora 16:00, në Bibliotekën e Re të Qytetit, në Gjilan.