Franca do të ofrojë asistencë për ligjin e kinematografisë, trajnim për kineastët, marrëveshje për bashkëprodhimin

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, njoftoi nënshkrimin e një marrëveshjeje bashkëpunimi me presidentin e Qendrës Kombëtare të Kinematografisë franceze CNC – Centre national du cinéma et de l’image animée, Dominique Bouttonat. Margariti e vlerësoi këtë si një hap të ri për kinemanë shqiptare. Në këtë mënyrë do të mund të merret asistenca më e mirë në hartimin e ligjit për kinematografinë, do të ketë trajnime për kineastët e rinj si dhe do të shtrohet rruga për lidhjen e një marrëveshjeje bashkëprodhimi në vitin 2024.

Në takimin që ministrja Elva Margariti pati me ministren e Kulturës të Republikës së Francës, Rima Abul-Malak, kinematografia ishte një nga temat e diskutimit. Kjo ishte edhe objekt i marrëveshjes së nënshkruar mes Ministrisë së Kulturës dhe Qendrës Kombëtare të Kinematografisë Franceze.

E krijuar në vitin 1946, Qendra Kombëtare e Kinemasë dhe Imazhet e Animuar (CNC) është nën autoritetin e Ministrisë së Kulturës në Francë. Misionet kryesore të (CNC) janë të lidhura me rregullimin, mbështetjen e prodhimit dhe shpërndarjes së veprave audiovizuale, si dhe me ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore./atsh/KultPlus.com