OKB: Duhet të hetohen akuzat për përdhunim dhe dhunë seksuale në Ukrainë

Rastet e raportuara të dhunës seksuale në Ukrainë po rriten, i tha Këshillit të Sigurimit të OKB-së jordanezja Sima Bahous, drejtoresha ekzekutive e agjencisë së Kombeve të Bashkuara për gratë (UN Women).

“Kjo luftë duhet të përfundojë. Ne po dëgjojmë gjithnjë e më shumë për përdhunimin dhe dhunën seksuale. Këto janë akuza që duhet të hetohen në mënyrë të pavarur për të garantuar drejtësinë”, tha Bahous.

“Ne po shohim një sërë shenjash paralajmëruese për shkak të kombinimit të zhvendosjeve masive të refugjatëve të brendshëm dhe një prani të madhe të rekrutëve dhe mercenarëve, shoqëruar me brutalitetin kundër civilëve ukrainas,” shtoi ajo.

“Rreziku i trafikimit të qenieve njerëzore po rritet ndërsa situata po bëhet edhe më  e vështirë, “ theksoi Bahous.

Deklaratat e saj erdhën pas një vizitë në Moldavi, për të cilën ajo tha se kishte mirëpritur rreth 95,000 refugjatë ukrainas. Ajo vuri në dukje se ata që mbërritën ishin kryesisht gra, fëmijë dhe të moshuar.

Bahous bëri thirrje për shtimin e forcave policore në kufirin midis Moldavisë dhe Ukrainës “në mënyrë që ato të mund të sigurojnë mbështetje për viktimat e dhunës dhe trafikimit me bazë gjinore. /Abcnews / KultPlus.com

Depardieu akuzohet për përdhunim dhe keqtrajtim seksual

Aktori francez, Gerard Depardieu, është akuzuar për përdhunim dhe keqtrajtim seksual – kanë bërë të ditur burime të gjykatës për AFP.

Mbi 72-vjeçarin rëndon akuza se në vitin 2018 ka abuzuar seksualisht dhe e ka përdhunuar një aktore me moshë rreth të njëzetave.

Hetimet fillestare lidhur me këtë rast ishin hedhur poshtë për shkak të mungesës së fakteve.

Mirëpo, në verën e kaluar, kanë nisur sërish dhe janë grumbulluar fakte të mjaftueshme, ashtu që në dhjetor është ngritur padia gjyqësore.

Aktorja (deri më tani e paidentifikuar) e akuzon Depardieu se e ka përdhunuar dhe keqtrajtuar seksualisht dy herë në shtëpinë e tij në Paris në gusht të vitit 2018.

Avokati i aktorit ka thënë për AFP se ylli botëror i ekranit është i lirë, por me mbikëqyrje dhe se i hedh poshtë të gjitha akuzat.

Për më shumë, burimet thonë se ai është mik i familjes së aktores që e akuzon, avokatja e të cilës kërkon që të respektohet sfera private e klientes së saj. /Telegrafi / KultPlus.com