Kori i Grave “Okarina”, organizuar nga Ojq Progresiva dhe nën udhëheqjen e solokëngëtares, Elikonë Hysaj Shala, në përmbyllje të muajit tetor, që shënon luftën kundër kancerit të gjirit, do të prezantojë performancë artistike të titulluar “Ti je arsyeja e dikujt për të buzëqeshur”, përcjellë KultPlus.
Kjo mbrëmje artistike i dedikohet grave e vajzave të prekura nga kanceri i gjirit e po ashtu familjeve, të të afërmeve dhe shoqërisë të cilët në mënyrë indirekte por që thellësisht janë ndikuar nga kjo sëmundje.
Performanca Artistike “Ti je arsyeja e dikujt për të buzëqeshur” me mysafiret speciale të kësaj mbrëmje, duke përfshirë këngë korale përcjellë me poezi, mëton të ofrojë dashuri e solidaritet por edhe thirrje për vetëdijesim për zbulimin e hershëm dhe parandalimin e kancerit të gjirit.
E ftuara speciale e mbrëmjes, nga Vjena, do të jetë Rina Kaçinari, violonçeliste, artiste virtuoze e muzikës klasike, që i ka thyer kufijtë e muzikës duke gërshetuar rryma të ndryshme me atë të klasikes, për të gjetur zërin e saj unik artistik.
Gjithashtu, me performimin e saj të veçantë të poezive, do të nderojë këtë mbrëmje edhe Meli Qena, artistja e jonë e mirënjohur. Mbrëmjen do ta pasurojë edhe pjesëmarrja e Korit të Grave nga Peja “Canta Peja” si dhe vajzat e talentuara si trumpetiste dhe pianiste.
Kjo mbrëmje artistike mbahet nesër, më datë 29 tetor, në ora 20:00, Atelien e Pallatit të Rinisë në Prishtinë.
Aktiviteti organizohet në kuadër të Fondi për Art Feminist i Artpolis përkrahur nga programi i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF ) ‘EJA Kosovë’, bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), Suedia dhe Qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgut. / KultPlus.com