Ishte një mbrëmje e suksesshme për Dua Lipën, e cila triumfoi në një prej gjashtë kategorive ku ishte nominuar për çmim “Grammy”.
Këngëtarja me prejardhje nga Kosova, e quajti fitoren e çmimit “Albumi më i mirë pop”, një çmenduri e vërtetë.
Këngëtarja 25-vjeçare me ta pranuar shpërblimin e saj në skenë, foli për atë se sa e rëndësishme është lumturia si dhe e pranoi se albumi i saj i dytë muzikor, “Future Nostalgia”, e ka ndihmuar atë të ndihet e ringjallur.
“Zot i madh. Wow, faleminderit shumë. Kjo është një çmenduri e vërtetë. Albumi ‘Future Nostalgia’ është shumë i rëndësishëm për mua dhe ma ka ndryshuar jetën në shumë mënyra. Por një gjë të cilën e kam kuptuar gjatë realizimit të tij, është se sa e rëndësishme është ndjenja e lumturisë për të gjithë ne. Në fund të albumit tim të parë mendoja se duhet bërë muzikë të trishtë për të ndier se ajo ka rëndësi, prandaj jam mirënjohëse dhe e nderuar për këtë çmim pasi që lumturia është diçka që të gjithë e meritojmë”, deklaroi Lipa përmes fjalimit të saj emocional në skenë.
Ylli i hitit “Physical” gjithashtu nuk harroi t’i falënderojë fansat e saj për përkrahjen, menaxherin e saj, studion incizuese dhe gjithë ekipin prapa realizimit të albumit “Future Nostalgia”.
“Ky çmim do të thotë shumë për mua. Falënderojë familjen dhe miqtë e mi që po na shikojnë nga shtëpia. Ju dua shumë të gjithëve, faleminderit”.
Me fitoren e saj në kategorinë “Albumi më i mirë pop”, Dua Lipa i mundi yjet e njohur dhe të suksesshëm të muzikës, si Justin Bieber me albumin “Changes”, Lady Gaga me “Chromatica”, Harry Styles me “Fine Line” dhe Taylor Sëift me albumin “Folklore”.
Gjatë mbrëmjes Lipa shkëlqeu edhe me performancën e saj. Ajo u shfaq me një fustan glamuroz ngjyrë rozë të markës “Versace”, para se të shoqërohej në skenë nga reperi DaBaby për interpretimin e hitit “Levitating”. Më pas ajo u rishfaq në skenë me një xhaketë po ashtu ngjyrë rozë dhe plot shkëlqim, para se ta largonte edhe xhaketën për interpretimin energjik të hitit, “Don’t Start Noë”, e shoqëruar nga disa valltare.
Vëmendje të madhe me dukjen e saj, Dua Lipa mori edhe me fustanin e koleksionit të fundit të shtëpisë së modës “Versace”, të cilin e kishte zgjedhur për parakalimin e saj mbi qilim të kuq. /Koha.net / KultPlus.com