Performanca artistike “MuSiNe”, homazh për zërat e mbytur prej diktaturës

“Ditët e Kujtesës ’24” erdhën me një performancë artistike në Muzeun Kombëtar të Përgjimeve “Shtëpia me gjethe”, frymëzuar nga jeta dhe vepra e qëndrestarëve të diktaturës, si Musine Kokalari, At Zef Pllumi, Sabiha Kasimati, Genc Leka, Vilson Blloshmi, Uran Kostreci, etj.

Performanca e titulluar “MuSiNe”, u realizua nga studentët e Klubit të Dramës, departamenti i Letërsisë (UT), me kuratore Erestina Gjergji Halilin dhe me mbështetjen e Ambasadës së Zvicrës në Shqipëri.

Shfaqja ishte një homazh në përkujtim të atyre që patën guximin dhe kurajon të kundërshtonin regjimin diktatorial në Shqipëri.

Performanca artistike frymëzuese në Muzeun Kombëtar të Përgjimeve “Shtëpia me gjethe” solli me gjallëri zërat dikur të mbytur, duke demonstruar fuqinë e artit dhe këmbënguljen për të kapërcyer vështirësitë.

Muzeu “Shtëpia me gjethe” e konsideroi këtë performancë më shumë se një shfaqje, një udhëtim të thellë nëpër histori, duke u bërë homazh atyre që luftuan me guxim për lirinë dhe të vërtetën.

Performancë artistike. Fotot nga Agim Dobi. / atsh / KultPlus.com

Performanca artistike “Nasty Beauty”, nesër premierë në Kino Armata

Performanca artistike, “Nasty Beauty” vjen nesër premierë në Kino Armata.

Me autore Uresa Ahmeti dhe regji nga Agnes Nokshiqi dhe Arlinda Morina – Liki, kjo performancë artistike është e bazuar në librin me poezi ‘Qysh me Abortu Dreqin’ të autores së re, Uresa Ahmeti. Një udhëtim emocional të transformimit dhe tranzicionit nga fëmijëria në moshë të rritur që vjen nën koreografinë e Agnes Nokshiqit.

E inspiruar nga natyra konfesionale/rrëfyese e poezive, kjo performancë do të kombinojë tekstin, lëvizjet dhe muzikën që të shpërfaqë para publikut një udhëtim të brendshëm të një njeriu modern që jeton në kohë të vështira shoqërore.

Kjo performancë paraqet narrativën e brendshme të subjektit nëpër disa faza të ndryshme jetësore. Poashtu shpërfaqë sfidat/ tensionet e brendshme, dhe si pasojë konfliktin me botën e jashtme të një subjekti modern.

Në këtë shfaqje luajnë: Agnes Nokshiqi, Arlinda Morina, Uresa Ahmeti, Oda Haliti dhe Rina Nikqi.

Muzikë në këtë performacë artistike vjen nën mjeshtërinë e Oda Halitit, ndërsa dritat nën përkujdesjen e Skender Latifit.

Premiera vjen ditën e mërkurë, datë 13 dhjetor, ora 20:00 në Kino Armata. Ndërsa repriza, ditën e enjte, 14 dhjetor, në ora 20:00. / KultPlus.com

Artpolis organizon marshin “Stop Femicidit! #BollMa” dhe performancën artistike “Hope Bubble”

Vrasja e grave e dhuna sistematike e patriarkatit duhet të marrë fund! Femicidi, mizogjenia e maskuliniteti toksik vazhdojnë të na terrorizojnë përditshëm. Jeta e grave cenohet çdo ditë, në shtëpi, në rrugë, në punë, në hapësira publike e private.

Femicidi është urgjencë kombëtare. Është momenti i fundit që institucionet tona dhe shoqëria ta trajtojë me seriozitetin më të lartë vrasjen e grave e dhunën ndaj tyre, dhe të dënojë maksimalisht kriminelët përkitazi me ligjin.

Ndaj, më 7 dhjetor 2023 nga ora 12:00 marshohet nga sheshi “Zahir Pajaziti” për të kundërshtuar shtypjen e vrasjen e grave nën moton “Stop Femicidit! #BollMa”, së cilës i paraprin performanca artistike “Hope Bubble” udhëhequr nga Donikë Ahmeti. 

Vrasja e Liridona Ademajt ka shpërfaqur fytyrën e vërtetë të sistemit patriarkal. Nëse ndokush deri më tash ka pasur dyshime se femicidi nuk ekziston në Kosovë, vrasja e Liridona Ademajt është rast puro femicid: planifikim, organizim, ekzekutim.

Është momenti i fundit t’i japim fund femicidit.

Është momenti i fundit të sjellim drejtësi, e barazi gjinore.

Është momenti i fundit t’i japim fund patriarkatit, e bashkë me të edhe shtypjes.

Që të mos ketë Liridona të tjera, viktima të femicidit. / KultPlus.com