Përgjatë gërmimeve të shpëtimit në qytetin ilir, në Amantia të Vlorës janë gjetur dy varre.
Gjatë punës për një varr monumental që ndodhet brenda parkut, janë zbuluar dy varre, për të cilat kreu i Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Orges Feimi tha se vlerësohet se varri i parë është me muraturë tulle dhe i përket shek. III-II para lindjes së Krishtit, ndërsa brenda tij janë gjetur edhe disa objekte.
Ndërsa varri i dytë i zbuluar mbi portën me hark në qytetin ilir të Amantias vlerësohet se i përket periudhës otomane.
“Këto zbulime konfirmojnë një datim të parkut arkeologjik të Amantias. Do të veçoja dhe zbulimin në gërmimin e shpëtimit që u krye në varrin tjetër, pjesë e akropolit i cili ndodhej mbi portën me hark të qytetit ilir të Amantias ku nga vlerësimet paraprake ne mendojmë se ky varr i përket periudhës otomane pasi përveç enëve qeramike të gjetura, u gjendën edhe disa monedha të ndryshme brenda varreve antike. Ne kemi evidentuar 4 apo 5 pika të tjera brenda këtij parku, të cilat ne presim të nisim gërmimet që ti shtohen edhe disa monumente të tjera pjesë e këtij parku për t’u shtuar. Objektet e gjetura do të ruhen, ndodhet në zyrat e Drejtorisë Rajonale, do të studiohen restaurohen dhe më pas do të gjendet vendi ku do të ekspozohen”, tha Feimi.
Këto varre janë një vlerë e shtuar për parkun arkeologjik dhe sipas drejtorit Feimi, ato do të ndryshojnë të ardhmen e kësaj zone historike. Krahas pasurimit të parkut arkeologjik me monumente të reja për t’u vizituar dhe të dhëna me rëndësi për historinë e qendrës antike, nga gërmimet e këtij viti u rikuperuan objekte të një rëndësie të veçantë që do të pasurojnë stendat e muzeve lokalë dhe kombëtarë. /zhurnal/ KultPlus.com