“Përkrahësit e Retko Mlladiqit të shpallen “persona non grata”, është kërkesa e Qendrës Gjenocidi në Kosovë Plagë e Hapur. Këtë kërkesë për përkrahësit e ish-shefit ushtarak serb, Ratko Mlladiq të cilit iu konfirmua dënimi me burg të përjetshëm për gjenocidin e kryer në Srebrenicë dhe mizoritë gjatë luftës së Bosnjës më 1992-1995, ata e kanë drejtuar tek Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) dhe Bashkimi Evropian (BE), përcjellë KultPlus.
“Aleksandar Vuçiq, Ivica Daçiq, Aleksandar Vulin, Millorad Dodik, Ana Bërnabiq dhe shumë përfaqësues të institucioneve shtetërore dhe politike serbe dhe të atyre në Republikën Serbska në Bosnje, janë mentorët dhe pasuesit ideologjik të Ratko Mlladiqit”, thuhet në komunikatë.
Tutje, nga kjo qendër thuhet se dënimi me burg të përjetshëm i Mlladiqit është i vonuar por megjithatë simbolizon mesazh të qartë se gjenocidi është krim që nuk vjetërsohet.
“Megjithëse i vonuar, dënimi me burg të përjetshëm i Ratko Mlladiqit simbolizon mesazh të qartë se gjenocidi është krim që nuk vjetërsohet. Mirëpo dënimet e kësaj natyre kanë për funksion edhe parandalimin e përsëritjes së krimeve të tilla.
Fatkeqësisht reagimet e bartësve të institucioneve në Serbi dhe në Republikën Serbska, që ishte produkt i këtij gjenocidi, dëshmojnë të kundërtën. Aleksandar Vuçiq, Ivica Daçiq, Aleksandar Vulin, Millorad Dodik, Ana Bërnabiq dhe shumë përfaqësues të institucioneve shtetërore dhe politike serbe vazhdojnë të mohojnë gjenocidin dhe të madhërojnë kriminelin Ratko Mlladiq.”
Krejt në fund, ata thonë se tashmë është moment tejet i rëndësishëm që SHBA dhe BE të shpall “persona non grata” të gjithë mohuesit e gjenocidit.
“Është moment tejet i rëndësishëm që SHBA-të dhe BE-ja të shpallë “persona non grata” të gjithë mentorët, pasuesit ideologjik dhe mohuesit e gjenocidit, sepse heshtja e vendeve demokratike përballë kësaj arrogance që del në përkrahje të krimeve të kryera mund t’i inkurajojë që të përsërisin krimet”, thuhet në komunikatë. / KultPlus.com