Alberina Haxhijaj
Në Katedralen e Prishtinës e cila mbanë emrin e Nënë Terezës, ka dy ditë që po organizohen aktivitete të ndryshme për ta kujtuar atë, shkruan KultPlus.
Për tri ditë rresht më 2, 3 dhe 4 shtator në mënyrë të veçantë po kujtohet 1-vjetori i shugurimit të Katedrales dhe 90-vjetori i nisjes së Gonxhe Bojaxhiut për misionin e saj në Kalkuta të Indisë.
“Këtë javë Kisha Katolike ka vendosur që t’ia dedikojë, 90 vjetorit të udhëtimit të Nënë Terezës në Kalukta por edhe 550 vjetorit të Skënderbeut”, tregoi për KultPlus, Arijeta Ajeti.
Pjesë e këtyre organizimeve janë bërë edhe fëmijët. Fëmijët e famullisë dhe disa fëmijë me sindromin down, dje janë bashkuar për të pikturuar në oborrin e Katedralës.
“Dje të gjithë fëmijët kanë punuar në pëlhurë ndaras dhe pastaj punimet e tyre janë bashkuar duke krijuar kështu një thënie të Nënës Terezë”, tregoi Ajeti e cila po punon vullnetarisht me fëmijët gjatë këtyre ditëve.
Kështu thënia: “E djeshmja iku, e nesërmja nuk ka ardhur, e kemi vetëm të sotmen. Le të fillojmë”, e realizuar nga fëmijët do të qëndrojë e ekspozuar në Katedrale deri më 10 shtator. Një thënie kjo e Nënës Terezë e cila nxit njerëzit që të mos mendoj për të shkuarën dhe as për të ardhmen mirëpo që të fokusohen në të sotmen dhe të japim maksimumin e tyre.
Edhe sot fëmijët janë bërë së bashku për të punuar punime por kësaj radhë ata po realizojnë përkrenaren e Skënderbeut pasi që sot po përkujtohet ai. Kështu, fëmijët e pranishëm janë duke krijuar me letra dhe material të tjera të ndryshme përkrenaren e heroi kombëtar. Çdo njëri prej fëmijëve të pranishëm po nxjerr detaje dhe po e rregullon përkrenaren sipas idesë së tyre, duke e bërë dizajnin vet.
“Qëllimi është që t’i mbledhim fëmijët së bashku me e përkujtua këto dy figura shumë të mëdha për shqiptarët si dhe duke mësuar më shumë për to”, u shpreh Ajeti.
Edhe nesër do të vazhdojnë aktivitetet duke filluar me Ligjëratën mbi Katedralen: historiku, stili arkitektonik, veprat artistike në ora 17:00 dhe aktivitete të tjera me radhë./ KultPlus.com