Diskutim në 700 vjetorin e vdekjes së Dante Alighieri, Spahija: Jam joshur e dashuruar shumë herë me Danten

Era Berisha

Viti 2021 është shpallur si ‘’Viti i Dantes’’ nga Ministria e Artit dhe Kulturës në Itali, me ç’rast sot në 700 vjetorin e vdekjes dhe 765 vjetorin e lindjes së Dante Alighierit, u diskutua për poemën ‘’Komedia hyjnore’’ nga përkthyesi Meritan Spahija në katedralen ‘Shën Nënë Tereza’, shkruan KultPlus.

Diskutimi rreth poemës epike nisi me disa informacione rreth veprës dhe përkthimeve në gjithsej 58 gjuhë të botës. Janë bërë të ditura faktet si: Në vitin 2016, në Komunën e Ravenna ku edhe gjendet varri i Dantes, janë gjendur përkthimet e plota të veprave të Dante Alighierit. Kurse, shqiptarët për herë të parë janë njoftuar me Danten në vitin 1895 ku një ish nxënës i Jeronim De Radës, përkthen disa këngë nga pjesa e ‘Ferri’ në gjuhën arbëreshe. Pesë vite më vonë në vitin 1900, një shqiptar i Shqipërisë i cili sipas Ernest Koliqit, është djali i bajraktarit të Sokol Bacit, ka përkthyer disa këngë të tjera të Dantes në dialektin gegë.

Ndërsa, në vitin 1937 është shfaqur përkthimi i parë në dialektin toskë nga Kristo Floqi, i cili e solli këngën XXXIII, në shqip tek revista kulturore Leka, të Ugolinit. Pastaj, që nga viti 1937 e deri në vitin 1960 shfaqet një heshtje totale ku Dante nuk përmendet dhe nuk studiohet në shkolla, derisa dy shkodran në mënyrë paralele por të pa vetëdijshme për procesin e tyre, sjellin përkthimin e plotë të poemës nga Pashko Gjeçi dhe Mark Ndoja. Të dy këta ngërthejnë në vete një histori të mrekullueshme, një përpjekje për të përkthyer një autor jashtëzakonisht të talentuar dhe mirënjohur.

Botimi i parë zyrtar i plotë i ‘Komedisë hyjnore’ vjen nga Pashko Gjeçi dhe pastaj është botuar një variant integral i Mark Ndojës. Botimi tjetër vjen edhe nga një figurë interesante si Hektor Shënepremte, i cili përkthen fjalë për fjalë poemën duke mos e respektuar metrikën sepse ai ka menduar që së pari të përkthehet vetëm kuptimi. Kurse, përkthimi i para fundit është bërë nga Çezar Kurti, një përkthyes profesionist i letërsisë angleze dhe nga momenti që ai migron nga Shqipëria në Amerikë, ai merret me ‘Ferrin’ dhe përfundon një botim integral.

Po ashtu, poeti shkodran, Meritan Spahija, ka përfunduar përkthimin e tij të ‘Ferrit’ në vitin 2016 dhe sot ai shpalosi rrugëtimin e tij dhe arsyen se pse ai botoi një përkthim të tillë.

“Bota ka ndryshuar shumë, Italia ka ndryshuar shumë, distanca është evokale dhe personalet që Dante ka futur, nuk janë vetëm mitologjike por janë edhe historike, bashkëkohore dhe në qoftë se nuk kemi një informacion të rëndësishëm, ne nuk mund ta kuptojmë dhe shijojmë ‘Komedinë hyjnore’ dhe vargun e mrekullueshëm të Dantes”, thotë ai.

Sipas tij, sa më shumë të kuptohet poema, aq më shumë do të vlerësohet ajo. Ky përkthim konsiderohet ‘ferri’ i tij për të gjetur një kuptim dhe arsye sepse ai fut komente dhe ilustrime sa më të detajuara në mënyrë që lexuesi ta kuptojë dhe shijojë plotësisht.

“Ajo që më ka shtyrë është dashuria e madhe për këtë lloj të poezisë dhe unë jam joshur e dashuruar shumë herë me Dante Alighierin dhe poezinë e tij. Por asnjëherë nuk e kam menduar që do të vijë një ditë e tillë. Prandaj, jam i lumtur që jam këtu dhe po diskutojmë një përkthim tjetër shqip”, thotë Spahija.

Për Spahijen, sjellja e një komenti të ri në një gjuhë nuk do të thotë domosdoshmërisht përmirësim por do të thotë që gjuha për 60 vjet, nga momenti i parë që jemi ndeshur me përkthimin e plotë në 1960, gjuha shqipe ka ndryshuar duke u pasuruar dhe zhvilluar. Leximi sot është më i lehtë dhe komunikimi është më i imët dhe ardhja me një gjuhë të freskuar ka shumë gjasa që të vijë më afër lexuesit të sotëm.

Gjithashtu, ai ka shpalosur disa nga motivet e tij që e kanë shtyrë ta botojë një përkthim të tillë.

“Motivi tjetër është se kur një poet apo një shkrimtar vjen në një gjuhë tjetër, ai nuk vjen vetëm por i shoqëruar me përkthyesin. Pra, pa Danten, është e pamundur të vijë në shqip një përkthim i tillë. Prandaj, sa më shumë përkthime të ekzistojnë, aq më shumë vizion të qartë do të kemi për poezinë e tij”, tregon Spahija.

Ai tutje ka folur edhe për 162 përkthimet e tjera që vijnë në gjuhën gjermane ku ai e ka cilësuar popullin gjerman si një popull të lumtur me Danten sepse ai sot shihet nga 162 këndvështrime të ndryshme kurse shqiptarët sot mund ta shohin vetëm në 5 këndvështrime.

“Ia vlen të investosh në një poet i cili është njëri ndër poetët që i ka hapur rrugë rinisë evropiane dhe jo vetëm italiane”, potencon ai.

Spahija bëri të ditur edhe arsyen se pse ai ka zgjedhur që ta përkthejë veprën në dialektin gegë ku kjo zgjedhje konsiderohet vetëm si një zgjedhje teknike dhe jo preferenciale.

“Jemi përpara një poezie epike, ka nevojë për shumë fjalë për të treguar ngjarjet dhe fatmirësisht kemi dy dialekte, por karakteristikë e toskërishtes është numri i shumtë i rrokjeve. Kurse, për të njëjtën fjalë në gegnisht është më e shkurtër. Unë nuk them se gegnishtja apo toskërishtja kanë avantazhe, por në poezinë epike, gegnishtja ka avantazhe sepse në 11 rrokje ke mundësi të futësh më shumë fjalë duke e bërë tregimin më përfshirës”, thotë ai.

Tutje ai ka folur rreth arsyes se pse nuk duhet që përkthimet të shihen si gabime në momentin kur ato bazohen vetëm në zhvillime apo diçkaje të re sepse Spahija mendon se është e mjaftueshme këndvështrimi i përkthyesit i cili duhet të jetë njohës i poezisë dhe kohës.

Kështu krejt në fund, shkrimtari Ag Apolloni la një mesazh mjaft interesant që formoi edhe një moment humoristik në atmosferën dominuese të seriozitetit.

“Është interesant sepse shumica e studiuesve e vlerësojnë më së shumti ‘Ferrin’, kurse vetëm autori si Humberto me sa e di unë, thotë që më e mirë është ‘Parajsa’, ku sipas autorit, më mirë është që të lexohet Parajsa sesa të merrni një ekstazi”, përfundon Apolloni.

Pas këtyre diskutimeve, të pranishmit patën rastin të formulojnë pyetje rreth jetës, veprës dhe krijimtarisë së Dante Aligierit dhe njëkohësisht edhe përkthyesit të veprës së tij, Meritan Spahija. / KultPlus.com

Përkthime të panjohura nga Zef Zorba

Pas një darke miqësore me Visar Zhitin, para disa javësh kur ai ishte i ftuar në Katedralen e Shkodrës për të dhënë dëshminë e tij rreth figurës së Nanës Terezë, mendova shumë për ato që krijuan art nën diktaturë dhe nuk mundën ta paraqisnin, të frikësuar ndoshta nga mundësia që fati tyre të ishte i njëjtë me atë të Visarit.

Mes tyre duket sikur një vend të rëndësishëm zë edhe poeti Zef Zorba i cili u burgos kur ishte i ri dhe më pas, jetoi dhe krijoi në fshehtësi e modesti të pashoqe. Në vijim janë disa poezi që Zorba përktheu ndër vite, si ngushëllimi i vetëm për gjendjen e rëndë në të cilën po jetonte.

Sikurse shihet, disa janë të përkthyera më pranë standardit se të tjera që janë në gegnisht, ndoshta ngaqë vetë Zorba mendonte se ndonjë ditë, do të mundësohej botimi i tyre dhe dëshironte që ato të ishin sa më të kuptueshme nga të gjithë. Përkthimet më janë dhënë në dorëshkrim nga Elena dhe Luçia Zorba, vajzat e Zefit eksluzivisht për t’u botuar për të parën herë në gazetën “ExLibris”.

Shpresoj që këto përkthime të jenë si një kambanë për kulturën e re shqiptare.
Andreas Dushi Shkodër, më 25. 09. 2019

Tingëllim

Sa fort të dashuroj? M’len me ta thanë,
Kaq t’due: tej thellësis’, hapsinës e naltimit,
Që shpirti im mrrin, ku lypi tej shikimit,
caqet e qenjes e t’hirit me xanë.

T’due sa a nevoja n’çdo ditë e n’çdo natë,
prej diellit a prej qirit e ndriçimit., e lirisht,
si lufta për t’drejta t’njerzimit,
e thjeshtë, të due, si njerzit Zotit pranë.

T’due me besimin tim të fëminisë,
T’due me flak’t’ime t’rinisë ndër mjerime,
T’due me dashni qi tash a molisë, Si m’jan ter shejtnet!

-T’due me psherëtimë gaze e lotë t’jetës s’ime! -e k’shtu si jam nisë,
Dhashtë Zoti, e ma do t’due mbas vdekjes sime.

P.S: Elizabeth Barret Browing ishte një poete angleze, përfaqësuese e denjë e romantizmit anglez të periudhës viktoriane. E lindur më 6 mars të vitit 1806, me vargjet e saj ia doli të krijonte një shkollë poetike të re.

Shkroi një sërë vëllimesh me poezi, duke filluar me “Një Esse në mendje, me të tjera poezi” kur ishte vetëm 20 vjeçe. Vëllimet e tjera ishin një lloj kryengritjeje karshi shoqërisë së asaj periudhe, pasi ajo besonte në vlerat morale dhe shpirtërore të njeriut. Prandaj, shkroi poezi kundër skllavërisë, kundër pabarazisë dhe pro dashurisë. Vdiq më 29 qershor të 1861 dhe la pas një sërë veprash të pabotuara të cilat do t’i paraqiteshin publikut vite më vonë, edhe një shekull pas vdekjes së saj.

POEZI NGA ALFRED TENNYSON

Djali

E ja sollën trimin e vrarë në shtëpi,
Por ajo as s’u avilinos as s‘lëshoj britma,
Të tëra gratë duke u çuditur, thanë,
“ajo ose duhet të qajë ose do të vdesë”.

Pastaj vajtuan trimin mbarë e mbarë,
E quajtën burrë vërtet për t’u dashuruar,
mik i pakrahasueshëm, armik që të nderon,
Por ajo ende s’foli as s’lëvizi.

Doli një grua prej vendit të vet,
Pranë luftëtarit shkoi e u ndal,
Prej fëtyrës ja hoqi shaminë,
Por ajo prap as s’lëvizi as s’qau.

U ngrejt një dado nëntëdhjetë vjeçe,
E ia vuni çunin në prehër,
Si stuhi vere shpërthyen lotët e saja,
“Djali im i dashur, un do jetoj për ty.”

P.S: Alfred Tennyson gëzonte titullin Lord në Angli dhe ishte “Zot i Tennysonëve”. Ai lindi më 6 gusht 1809 dhe vdiq më 6 tetor 1892. Gjatë jetës së tij, për më tepër se 40 vjet punoi për Mbretëreshën Viktoria duke u emëruar në 1883 edhe Baron i Sussex, vend që sot drejtohet nga princi Harry dhe e shoqja Megan.

Poezia e tij lidhet me epokën viktoriane të krijimtarisë angleze. Ishte “Poeti i Mbretërisë” dhe këtë pozitë e mbajti deri sa vdiq. / KultPlus.com

“Zoti është dashuri, thoshin dikur”

Përktheu Engjëllushe Shqarri

Rashë në dashuri, thoshim. Më ka rënë në kokë për të. Ishim gra që binim. Që besonim në rënie, në këtë lëvizje tatëposhtë: sa e këndshme ishte, sikur fluturoje, por në të njëjtën kohë, sa e frikshme, sa ekstreme, sa e pamundur. Zoti është dashuri, thoshin dikur. Por ne e kthenim mbrapsht, kështu që dashuria, si Parajsa, ishte aty, mjaftonte të zgjasnim pak dorën. Sa më të vështirë ta kishim për ta dashur njeriun pranë nesh, aq më shumë besonim tek Dashuria, abstrakte dhe e plotë. Ishim gjithnjë në pritje për mishërimin e saj. Për atë fjalë të shndërruar në gjë të gjallë.
/ Margaret Atwood – Rrëfenja e shërbëtores /