Robert Shvarc: Kur përktheja Remarkun

Romani i Erih Maria Remarkut “Tre shokë” u botua për herë të parë në shqip në vjeshtë të vitit 1961. Ishte koha kur shoku im i rinisë, Drago Siliqi, drejtor i N.Sh. Botimeve “Naim Frashëri”, me guximin e tij prej intelektuali, u hapi lexuesve shqiptarë një dritare të madhe për të njohur letërsinë botërore. Kur iu futa punës për të përkthyer romanin “Tre shokë”, isha 27 vjeç dhe nga ky autor kisha lexuar vetëm librin e tij të parë “Asgjë e re nga fronti i Perëndimit” i cili më pat lënë një përshtypje të thellë. Pra, nuk dija shumë gjëra as për Remarkun, as për librat e tij. Kisha lexuar vetëm se nazistët ia patën hequr nënshtetësinë gjermane dhe ia kishin djegur veprat publikisht më 1933. E kisha fjalën, pra, si e përktheva romanin “Tre shokë”.

E mora librin dhe lexova 2-3 faqet e para. Fillonte me një ditëlindje, me atë të heroit kryesor, që i rrëfente ngjarjet në vetën e parë. Edhe kësaj radhe më mahniti stili tepër i ngjeshur dhe tej mase i kursyer i këtij shkrimtari, që komunikonte kaq bukur dhe kaq natyrshëm me lexuesin. I përpiva ato 2-3 faqet deri në fund dhe sakaq mora një vendim: nuk do ta lexoja librin deri në fund, por do t’i futesha punës menjëherë dhe do ta përjetoja gjithë romanin rresht për rresht, ashtu siç e kishte përjetuar autori në procesin e tij të krijimit. Ishte një vendim paksa i çuditshëm, por mua më ndihmoi jashtëzakonisht shumë pa ditur as vetë, u futa në shpirtin e autorit, hyra si të thuash nën lëkurën e tij, i provova të gjitha ndjesitë, emocionet, problemet, gëzimet dhe tronditjen e tij dhe them se arrita t’ia përçoj besnikërisht lexuesve mesazhin e tij. Të paktën nuk e dëgjova asnjëherë akuzën aq të njohur, që përkthyesi qenkej tradhtar i autorit…

Me romanin “Tre shokë” më lidhin kujtimet më të bukura të punës sime si rikrijues; por më lidhin edhe disa nga ato rastësitë e çuditshme që ndodhin në jetën e njeriut. Autori e kish botuar këtë vepër në vitin 1938, në emigracion, si refugjat dhe si shkrimtar që, megjithëse mjaft i famshëm në të gjithë botën ishte pa identitet, i përzënë nga atdheu. Dhe pikërisht, atë vit, më 1938, unë, ende fëmijë, erdha nga vendlindja ime, Sarajeva, në atdheun e nënës sime, në Shqipëri, ku gjithashtu gjeta mbrojtje dhe shpëtova kokën nga murtaja naziste. Isha pra, një çun i vogël, që në atë kohë nuk dinte asnjë fjalë shqip dhe asnjë fjalë gjermanisht. Dhe kush mund ta parashikonte atëherë që plot 23 vjet më vonë, do t’i jepja lexuesit tonë një libër të tillë në gjuhën time amtare!…

Përkthimi dhe suksesi që pati “Tre shokët “pas botimit në shqip, më dhanë shtysën që të vazhdoja të merresha me përkthime letrare. Edhe sot e kësaj dite takoj shokë e miq të brezit tim, të cilët këtë libër të Remarkut e mbajnë dhe e ruajnë si Bibël, sepse jo vetëm që mbahet si himn kushtuar miqësisë së sinqertë, fisnike e pa asnjë lloj interesi midis shokësh, por konsiderohet edhe një nga historitë më të bukura e më mallëngjyese të dashurisë. Romani i dytë që përktheva ishte “Shkëndija e jetës”. Edhe kjo vepër më ngjiti menjëherë, jo vetëm për faktin se lidhej edhe me diçka personale, por më tepër nga forca e penës së këtij shkrimtari, i cili, pa qenë kurrë në një kamp përqendrimi nazist, arriti, vetëm përmes shfrytëzimit të një dokumentacioni, sa të pasur aq edhe ngjethës, të na japë një dëshmi të tillë të një vërtetësie të mahnitshme historike, duke ia kaluar plot e plot shkrimtarëve të tjerë që e trajtuan këtë temë. I treti roman i këtij autori ishte “Asgjë e re nga fronti i Perëndimit”.

Ky roman, i cili qe botuar edhe një herë tjetër në shqip në vitin 1936, më vuri përpara një përgjegjësie të madhe. Ai ishte një roman kujtimesh autentike dhe tronditëse, i njohur në të gjithë botën, ishte, siç shkruan Kadare në hyrjen e tij – një libër i qetë e modest, por edhe një kambanë alarmi kundër histerisë së luftërave; brenda një kohe të shkurtër ai u bë thesar i tërë njerëzimit…Por pikërisht thjeshtësia e këtij libri ishte aq e vështirë për t’u ridhënë. Dhe përsëri u futa në lëkurën e atij maturanti 18-vjeçar, e atij ish-ushtari të frontit të Luftës së Parë Botërore, që e rrëfente aq prekshëm historinë e vet dhe moshatarëve të tij, historinë e rinisë së vrarë nëpër llogoret e një lufte të çmendur e të kotë. Romani i katërt i Remarkut, “Harku i Triumfit, që doli në qarkullim në prill të vitit 1988, mbahet nga kritika si kryevepra e tij e dytë. Ai, natyrisht, më hapi më shumë punë dhe telashe; e kam mbajtur pothuajse 7 vjet ndër duar, duke i vënë vetes si detyrë që ta përktheja vetëm në ato periudha kohe ku mund t’i kushtohesha plotësisht atij. Dhe meqë censura e bekuar nuk ma lejonte botimin e këtij libri aq human e aq të shtrenjtë për mua, m’u desh ta mbaja për 20 vjet rresht në sirtar.

Këto ishin pak a shumë kujtimet e mia për këtë shkrimtar kaq njerëzor dhe të dashur për lexuesin, i cili me atë gjerdan vezullues të librave që shkroi u la një dëshmi të trishtueshme, por jashtëzakonisht bindëse dhe tronditëse të dukurive më të egra të shekullit tonë. /KultPlus.com

20 vjet pa Robert Shvarc, përkthyesi që e dashuronte dhe lëvronte në mënyrë të përsosur gjuhën shqipe

Robert Shvarci lindi në Sarajevë, më 10 dhjetor, 1932 nga një baba hebre nga Austria dhe një nënë nga Elbasani, por ai dashuronte dhe lëvronte në mënyrë të përsosur gjuhën shqipe, që nisi ta mësonte në moshën gjashtëvjeçare.

Shvarci përktheu disa nga veprat më të mëdha botërore në shqip, ndër të cilat mund të përmenden romanet e Remarkut, Gëtes, Fojtvangerit, Apicit, Travenit dhe Markezit. Robert Shvarc u nda nga jeta para kohe, më 25 prill 2003, pas një sëmundjeje të gjatë zemre.

Robert Shvarcit i është dhënë nga Presidenti i Republikës titulli Mjeshtër i Madh. Përkthyesi i njohur Robert Shvarc e mori këtë titull pak kohë pas marrjes së një tjetër titulli, atij të Qytetarit të Nderit të Tiranës. Ky titull iu dha atij me rastin 70-vjetorit të lindjes.

Emri i Robert Shvarcit prej vitesh është shndërruar në simbol të gjuhës gjermane në Shqipëri. Një domethënie për këtë ka qenë pikërisht viti 1995, kur përkthyesi i njohur u nderua nga ambasada gjermane në Tiranë me çmimin “Kryqi i meritave gjermane”. Duhet kujtuar këtu se Shvarci ishte i pari njeri i kulturës shqiptare, që arriti ta merrte këtë titull pikërisht në fushën e përkthimit. Gjithashtu ky titull është dhe i pari që presidenti gjerman i asaj kohe akordoi për një figurë të shquar të vendeve të Lindjes. Pas titullit që mori nga presidenti Alfred Moisiu dhe titujve të lartpërmendur, qëndrojnë një varg i gjatë librash të përkthyer nga gjuha gjermane në shqip dhe anasjelltas. Mjafton që të hapësh kopertinat e një serie të gjatë librash për të lexuar emrin e përkthyesit të tyre, Robert Shvarc.

Mes këtyre librave, që janë ndër më mjeshtërorët, vlen të përmenden: Tre shokë, Harku i Triumfit, Asgjë e re nga fronti i Perëndimit, Shkëndija e jetës apo Obelisku i zi nga Erih Maria Remark; Çifutja e Toledos, Françesko Goja nga Lion Fojtvanger; dhe drama të Bertolt Brehtit, Nëna Kurajë dhe fëmijët e saj, Kënga e një nëne gjermane, Ditët e Komunës, Arturo Ui, Pushkët e nënës Karrar, Opera për tre grosh, Baali; nga Heinrich Heine: Gjermania, përrallë dimri; nga Gëte dhe Shileri: Poezi dhe balada. Ndërsa mes autorëve shqiptarë që ai ka përkthyer në gjuhën gjermane janë: Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Gaqo Bushaka, Xhevahir Spahiu, Hatibi, Ahmeti, Beqiri, Qosja etj./ KultPlus.com

Vdes përkthyesi i njohur Aristidh Ristani

Ka vdekur në moshën 84-vjeçare përkthyesi Aristidh Ristani, një prej emrave më të shquar të përkthimit, përcjellë KultPlus.

Ristani ka përkthyer vepra kryesisht nga gjuha gjermane dhe ajo franceze, me një kontribut për sjelljen në gjuhën shqipe të autorëve të mëdhenj gjermanë si Gëte, Elias Canetti, Hermann Hesse, Christa Wolf, Stefan Cvajg, Erik Maria Remark, Gottfried Keller, Joseph Roth, si dhe shkrimtarët francezë Gi dë Mopassan, Gustav Flober, Honore de Balzak, Prosper Merime, Anatole France etj.

Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit ka shprehur ngushëllime të thella për familjarët e të ndjerit. / KultPlus.com

Përkujtohet përkthyesi Vedat Kokona

Më 8 gusht 1913 lindte përkthyesi, leksikografi, shkrimtari, poeti pedagogu e avokati Vedat Kokona.

Profesor Kokona lindi në Izmir të Turqisë nga një familje Gjirokastrite. Familja u rikthye sërish në atdhe dhe i riu Kokona u shkollua në vend deri në përfundimin e Liceut të Korçës. I shtyrë edhe nga profesioni i të atit, si avokat, ndoqi studimet e larta në Francë në fushën e drejtësisë.

Vitet e pushtimit do ta rikthejnë Vedat Kokonën në atdhe ku edhe rifilloi punë në arsim aty nga ku ishte shkëputur, nga bankat e Liceut në Korçë duke dhënë mësim gjuhën frënge. Krahas pedagogjisë e cila po krijonte trysninë e saj për shkak të politikave arsimore fashiste ai i rikthehet pasionit të vjetër letërsisë duke u renditur në zërat më të dashur për rininë e kohës së bashku me plejadën e ndritur si Kuteli, Spasse, Hakiu pjesë e redaksisë së revistës letrare.

Krahas letërsisë ai vazhdonte tashmë te punonte si avokat nga ku e stopon këtë profesion pas lufte. Rifilloi profesionin e mësuesit dhe përkthyesit pranë Shtëpisë Botuese Shtetërore “Naim Frashëri”. Me hapjen e Universitetit të Tiranës vite më pas ju besua edhe puna e profesorit në këtë universitet si lektor i gjuhës frënge. Ai është autor i disa fjalorëve në gjuhën frënge. Pas viteve ’90 ai u nderua me një sërë çmimesh për punën e pa lodhur në fushën e artit dhe të letërsisë. /atsh / KultPlus.com

Noli, simbol i përkthimit shqiptar

Noli është ndër ato figura jo të shumta të historisë sonë, të cilat kanë spikatur me vlerat e veprimtarisë së tyre në të gjitha fushat, ku janë përfshirë. Ka qenë – po të përsërisim në njëfarë mënyre fjalët e Ofelisë, kur cilëson Hamletin – publicisti, politikani e burri i shtetit, poeti, kleriku dhe kritiku i letërsisë, historiani, muzikanti dhe përkthyesi.

Po i lëmë këtu mënjanë meritat e tij të padiskutueshme në fushat e tjera dhe po ndalemi te veprimtaria e tij në fushën e përkthimit. E para gjë që tërheq vëmendjen janë disa pyetje, që lindin në mënyrë logjike: Pse u mor Noli me përkthime? Ç’vepra përktheu ai? Si e kreu procesin konkret të përkthimit?

Përgjigjet për këto pyetje do të shërbejnë në mënyrë po aq logjike për t’i dhënë përgjigje edhe pyetjes: Si shpjegohet që Noli zë në historinë e përkthimit shqiptar një vend aq qendror, sa është e drejtë të thuhet që ai është kthyer në mënyrë gjithnjë e më të qartë e më të sigurt në simbolin e përkthimit shqiptar?

Në kohën kur Noli u mor me përkthime, domethënë në kohën kur ai jetoi praktikisht periudhën më aktive të jetës së tij shoqërore, ecuria e kulturës shqiptare ishte në një nivel që, pavarësisht punës së paçmuar të rilindësve, nuk u përgjigjej më as në vëllim e as në cilësi detyrave që historia shtronte përpara saj. Në thelbin e tyre këto detyra ishin: pavarësimi i vendit dhe ndërtimi i shtetit. Nëqoftëse do të hetohen objektivisht shkaqet e dobësive tona në të dyja këto drejtime themelore, do të dalë se rrënjët e gjithçkaje ishin te mungesa e një shtrese udhëheqëse me të vërtetë popullore.

Merita e Nolit – meritë e madhe kjo – është se ai e kuptoi si rrallëkush tjetër pikërisht këtë gjë. Dhe pikërisht ky kuptim i drejtë i nevojave historike të popullit tonë, domethënë edhe i detyrave që historia shtronte përpara veprimtarëve të politikës dhe të kulturës sonë, përcaktoi zgjedhjet e tij në fushën e publicistikës, të politikës, të fesë, të letërsisë, të përkthimit.

Në rastin konkret të përkthimit, të gjitha veprat e përkthyera nga Noli sillnin mesazhet e nevojës së çlirimit të popullit nga robëria dhe padituria, nevojës së çlirimit të tij nga shtresa kundërpopullore e parisë, së çlirimit të tij nga marrëdhëniet shumëshekullore patriarkale, feudale e filistino-borgjeze, sillnin mesazhet e nevojës së vendosjes së marrëdhënieve shoqërore të mbështetura në pushtetin e popullit. Le të citojmë disa analiza të vetë Nolit për veprat e përkthyera prej tij:

“Për fat të keq aristokracia norvegjiane ishte e shtypur dhe populli s’kishte udhëheqës. Pjesa më e madhe e parësisë ishin lidhur me danezët; pjesa tjetër ishin të përçarë a të vdekur…” (nga “Introdukta” për dramën “Zonja Ingra e Ostrotit”).

“Henrik Ibseni…ridikulizoi dhe diskreditoi idealet dhe institucionet e botës moderne plutokratike, pseudodemokratike dhe pseudokristianike…Qyteti, ku vepron doktor Stokmani, nuk është veç një pikturë e vogël e shoqërisë njerëzore kapitaliste borgjeze, e cila lulëzon me tregtinë e helmit dhe të kallpazanërisë…për shoqërinë borgjeze s’ka shpëtim… Kjo shoqëri duhet përmbysur me gjithsej… Kryemotivi i doktorit…është brezi i pastajmë, shoqëria e re e pritme… s’duhet harruar që njerëzit modernë e kanë humbur individualitetin aq sa janë bërë me të vërtetë kukulla… Teatri i përbotshëm, i vjetër a modern, s’ka një dramë tjetër, e cila të tallet aq bukur e aq thellë sa kjo me idealet borgjeze faqe me nder demokratike. Liria e fjalës? Po kjo nuk ekziston, posa u ngitet interesi kapitalistëve. Sundimi i shumicës me anë të votës? Po kjo shumicë është e verbër dhe e marrë, s’di ç’voton, hiqet për hunde prej kapitalistëve dhe kryqëzon mirëbërësit e saj. Parlamentet? Po këto s’janë veç komedira, ku bisedohen vetëm gjëra që u japin dorë kapitalistëve dhe për të tjerat s’bëhet fjalë fare, se nuk jep leje shumica e disiplinuar. Feja e krishterë dhe shkolla moderne? Po edhe këto përdoren si vegla për të shtrembëruar dhe për të robëruar mendjen e popullit në favor të kapitalistëve. Opinioni publik? Po këtë e kthejnë kapitalistët si mulli të erës nga të duan me anën e gazetarëve të blerë. ‘Jo, zotërinj! – konkludon me fjalë të tjera Ibseni. – Bota borgjeze s’ka veçse një ideal, të cilin e adhuron si perëndi, dhe ky është Plaçkitja me Çfarëdo Çmim’…” (nga “Introdukta” për dramën “Armiku i popullit”).

“Në Shqipëri kjo vepër (‘Don Kishoti’) do të kuptohet më mirë se kudo gjetkë. Se atje tipat e bejlurçinës dhe të laros i gjejmë në çdo çap. Pothuaj të gjithë aristokratët tanë, me ca përjashtime të paka, janë të deklasuar…dhe kanë rënë në klasën e bejlurçinave, që kur u shkëput Shqipëria prej Turqisë. Që atëherë aristokratët tanë, që i shërbenin Turqisë si kondotierë dhe shefë bashibozukësh, kanë mbetur pa punë. Gjithashtu kanë mbetur pa punë dhe pa bukë fshatarët dhe malësorët e varfër, që shkonin në kohët e vjetra me bejlerët si bashibozukë dhe hajdutë për të plaçkitur Evropën, Azinë dhe Afrikën. Këto dy elementë përpiqen tani të përjetësojnë në Shqipëri një gjendje feudale, mediavale, prapanike dhe reaksionare si atë të Turqisë së vjetër…se kështu ua do interesi i klasës, se ashtu gjejnë punë dhe bukë” (nga “Introdukta” për romanin “Don Kishoti”).

Dhe ja një shembull domethënës nga vetë veprat e përkthyera prej tij, që lejon të kuptohen kriteret përzgjedhëse të Nolit si përkthyes:

“Armiku më i rrezikshëm i së vërtetës dhe i lirisë është shumica kompakte, e mallkuara shumicë kompakte liberale.” (Doktor Stokmani, “Armiku i popullit”).

Në mënyrë fare të përmbledhur mendimet e sipërpërmendura të Nolit na tregojnë qartë se përse ai u mor me përkthime: përkthimet për Nolin ishin një mision shoqëror dhe jo vetjak, ishin, për më tepër, një mision shoqëror përparimtar – sepse në shërbim të së vërtetës – dhe jo reaksionar. Me anë të tyre ai synoi të sillte në vëmendje të shqiptarëve ide e pikëpamje shoqërore, të cilat pjesa më e madhe e njerëzve tanë të kulturës për arsye të ndryshme nuk i formulonte e nuk i jepte.

Le të shikojmë tani edhe ç’vepra konkretisht përktheu Noli: “Hamletin”, “Makbethin”, “Jul Cezarin”, “Otellon”, “Zonjën Ingra të Ostrotit”, “Armikun e Popullit”, “Don Kishotin”, “Rubaitë”, “Prometeun e lidhur” etj. Vepra, ndër më të njohurat – jo ndër më fitimprurëset! – e letërsisë botërore, vepra të fuqishme nga idetë dhe të larta për nga ana artistike, vepra të kuptueshme dhe jo abstraksione të padeshifrueshme. Cili ishte qëllimi i tij? E qartë dhe e thjeshtë: pasurimi i kulturës shqiptare me krijimet më të qëndrueshme – domethënë, më të mira – të popujve të tjerë. Pra, sërish një mision shoqëror dhe jo vetjak, një mision shoqëror përparimtar dhe jo reaksionar.

Fakti që Noli i kushtoi kaq rëndësi kulturore veprimtarisë përkthimore, fakti që zgjodhi vepra me mesazhe të mëdha shoqërore dhe me vlera të spikatura, të shquara artistike, nënkupton që ai nuk mund të mos i kushtonte rëndësi të veçantë edhe vetë anës profesionale të përkthimit. Leximi i të gjitha përkthimeve të Nolit na bind se ai është përkthyesi i parë në kulturën tonë, i cili e zhvilloi përkthimin sipas parimeve dhe kritereve të mjeshtërisë profesionale.

Mjeshtëria përkthimore e Nolit është sendërtim i dy parimeve të mëdha.

Parimi i parë: përkthimi është shqipërim, domethënë kthim i një vepre nga një gjuhë e huaj në një shqipe letrare gjerësisht të kuptueshme. Këtij parimi iu përmbajtën edhe përkthyesit më të njohur të periudhës pas Nolit. Ai mbetet parim i patundur edhe sot për kryerjen e një përkthimi të pastër, sikurse mbetet kriter themelor për vlerësimin e një përkthimi, që të mos flasim për veprat origjinale. Dhe është një parim, i cili nuk pranon eksperimentime mendjelehta gjuhësore, pasi këto janë në kundërshtim të hapur me vetë frymën e shqipërimit, domethënë me frymën e të shprehurit shqip, qartë, kuptueshëm. Për fat të keq sot ka shumë përkthime që nuk janë shqipërime, domethënë nuk janë kthime tekstesh të huaja në gjuhën letrare shqipe.

Parimi i dytë: përkthimi është kulturë. Noli ishte njeri me kulturë të mirëfilltë, domethënë njeri i pajisur jo thjesht me kulturë informacionesh, të dhënash, por edhe e sidomos me kulturën e të menduarit, të arsyetuarit, të logjikuarit. Këtij parimi i janë përmbajur përkthimet më të shëndosha të periudhës pas Nolit. Ai mbetet i patundshëm edhe sot si parim pune dhe si kriter  vlerësimi për përkthimet. Ndërkaq shumë përkthime – madje edhe shumë shkrime origjinale – të ditëve tona vuajnë nga mungesa e kulturës së nevojshme.

Parë konkretisht përkthimet e Nolit nuk shquhen thjesht për gjetje të caktuara në fushën e fjalësit a të strukturës sintaksore, për forcën emocionale të shprehjes a mjeshtërinë e vargëzimit. Ato para së gjithash shquhen për qartësinë e tyre kuptimore, për faktin se edhe sot – pas pothuaj njëqind vjetësh, periudhë gjatë së cilës shqipja e shkruar, shqipja letrare, ka kryer përparime të jashtëzakonshme, epokale, që përbëjnë nder e krenari për shkencën tonë gjuhësore dhe për letërsinë tonë më të mirë artistike e shkencore – shqipja letrare e Nolit mbetet për lexuesin thelbësisht e kuptueshme, e qartë, estetikisht e këndshme.

Pikërisht për këto arsye madhore, pikërisht për faktin se parimet dhe – kryesorja! – frytet e veprimtarisë përkthimore të Nolit u përqafuan e u morën si shembull nga mjeshtrat më të mirë të përkthimit shqiptar, nga Dhimitër Paskoja e deri tek Afrim Koçi, tanimë në kulturën tonë është përforcuar pikëpamja që e sheh Fan Nolin si simbol të përkthimit shqiptar, domethënë si atë pikë zanafillore, në të vërtetë si atë përvojë madhore, që e ka kthyer përfundimisht përkthimin shqiptar – krijimet e tij më të mira, më të shëndosha, më të vyera – në pjesë përbërëse serioze, të domosdoshme dhe të pandashme të kulturës sonë.

Ne i detyrohemi aq shumë Nolit si publicist, si politikan e burrë shteti, si klerik, si historian, si poet e muzikolog. Ne i detyrohemi aq shumë atij si përkthyes. Ndaj dhe e kemi për detyrë ta nderojmë duke ecur më tej në rrugën, që ai hapi me aq mendje e me aq guxim qytetar (Milosao).

Nga: Shpëtim Çuçka, përkthyes dhe publicist
Tiranë, 19 nëntor 2015 /KultPlus.com

Më 24 mars të vitit 1923, lindi Gjon Shllaku, përkthyes i shquar i klasikëve helenë, latinë, francezë

Gjon Shllaku (Shkodër, 24 mars 1923 – 16 gusht 2003) ka qenë seminarist dhe më tej u shqua si përkthyes i klasikëve helenë, latinë, francezë.

Jeta

Leu djali i dytë i Prelë Shllakut dhe Pinës së Hilë Temalit, mes Lecit dhe Luigjit. Gjyshi i tij kishte rënë nga fundi i shek. XIX prej Logut të Gegajve të Shllakut në Shkodër, i ati kishte qenë blegtor në toka të marruna me qira. I ati i vdes qysh kur Gjoni ishte 1 vjeç, si rrjedhim duke mos e njohur të atin. Rritet jetim tek daja Ndoc Hilë Temali.

Tri klasët e para të fillores i kreu në kolegjën françeskane, ndërsa klasën e katërt dhe të pestë në shkollën shtetërore tek “Dugajtë e reja”. Nga 24 shtatori 1935 deri 9 dhjetor 1945 studioi në Seminarin Papnuer të Jezuitve duke bërë edhe vitet e larta të teologjisë dhe filozofisë[1]?, studjoi për pesë vjet greqishten e lashtë, dhe për tetë vjet latinishten. Filozofia dhe teologjia jepeshin në latinishte, si gjuha e klerit që ishte. Nuk jepej gjuhë tjetër ndërkohë. Si student lexoi klasikët e antikitetit helen Sofokliun, Eskilin dhe Euripidin[2]. Filloi të shkruante me pseudonimin Lyricus.

Më 9 dhjetor 1946 ra në burg, ishte në 23 vjeç. U dënua me burgim të përjetshëm (101 vjet) fillimisht si antar i grupit të “Bashkimit shqiptar”, si përfundim bëri 12 vjet në burgun e Burrelit dhe në batat e Myzeqesë. Në burg u njoh me Peshkop Visarion Xhuvani, me të cilin thelloi njohuritë në greqishten e vjetër[1] , prej të cilës përktheu pjesë nga Bibla – Apostujt dhe Shenjtorët. Pati hasur edhe në një antologji të veprës së Homerit, të cilën e përktheu. Në burg nxuri greqishten e re, spanjishten dhe anglishten[2]. Pas daljes nga burgu më 1957[3] ka punuar te ndërmarrja Zukth-Kashta në Shkodër si llogaritar-normist deri në pensionim[4]. Pas rënjes së regjimit gëzoi njohjen e duhur të mundit, dhe vdes pak muaj mbasi mbushi të tetëdhjetat.
Përkthime dhe leksikografi[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Një ndër mjeshtrat e këtij zanati, përktheu pjesë nga “De rerum natura” e Lukrecit dhe nga “Eneida” e Virgjilit kur ishte ende në Seminar. Në moshën 16 vjeçare përktheu të plotë “Gjeorgjikat” e Virgjilit.[1] 17 vjeç përkthen Ben Hur-in e Lju Uallasit[5]. Përktheu tekste biblike nga greqishtja e vjetër, “Punët e Apostujve” dhe “Apokalipsi”[6]. Në vitin 1965 shqipëron “Iliadën” në standardin e atëhershëm, më pas u ribotua më 1979 në standardin e paskongresit 1972. Më 1995 boton shqipërimin e shtatë tragjedive të Sofokliut – përkthim që në kohë të regjimit nuk iu pranua nga Akademia, me “Kangët e Rolandit” (bot. më 2003) dhe “Le Cid” të Kornejit. Dy muaj përpara vdekjes mbaroi hartimin e “Fjalorit latinisht-shqip” të nisur prej shumë vitesh me afërsisht 65.000 fjalë. Ka lënë të pa përfunduar “Fjalorin greqisht-shqip” me rreth 18.000 fjalë. Bëri të flasë shqip Ovidin, Horacin, Shekspirin, Hygoin, Rasinin, De Musenë, Lamartenë, Shatobriandin deri tek Papa Gjon Pali i Dytë. Çmonte Nolin, Dakajn, Alkajn, Lacajn, Çomorën[7].

Veprat

Ka shkruar po ashtu edhe vepra të vetat, si dramat “Dy Lekët”, “Judita dhe Holoferni” dhe “Skënderi e Zulejka”. Gjatë qëndrimit në burgun e Burrelit, nis më 1950 shkrimin e dramës “Skënderi dhe Zulejka”, që e përfundoi në aeroportin e Urës Vajgurore, Berat. Me anën e dy shkodranëve të rinj, teknikë të jashtëm në pistën e Beratit, u realizua dalja e veprës së vetme të shpëtuara. Pas 47 vitesh i vëllai, regjizori Lec Shllaku, ia dorëzoi dorëshkrimin. Ky është i pari daktilografim që përfundoi në orën 20 dt. 20 nëntor 1999[8].

Mirënjohje

Më 25 dhjetor të 1995 i jepet titulli “Profesor” nga komisioni i kualifikimit shkencor, muaj kur dekorohet po ashtu me Urdhrin Naim Frashëri i Artë nga presidenti Sali Berisha. Në prill të 2003 i akordohet nga Pres.residenti i Republikës Alfred Moisiu urdhri “Mjeshtër i Madh”[9] dhe nga Këshilli bashkiak i Shkodrës “Qytetar nderi i Shkodrës”[1]. Po ashtu dekorohet me Urdhrin Naim Frashëri i Artë nga presidenti, fitues i “Penës së Artë” të dhënë nga MTKRS për përkthimin e “Gjeorgjikave” të Virgjilit më 2001. Fitues i ”Diskut e Argjendtë” nga qeveria greke me anë të ambasadës së saj në Tiranë[10].

Çështje diskutimi

Në një intervistë Gj. Shllaku përcjell se qe 16 vjeç kur hyri në Seminar[2], ka gjasë që data e lindjes në këtë artikull të bashkëndajë të njëjtin tipar josaktësie me raste të tjera në ato kohëra si p.sh. rasti i datëlindjes së Zef Pllumit. /KultPlus.com

Përkthyesi i “Lahutës së Malcisë”: U përpoqa të ruaj metrikën dhe rimën e vargjeve, por qe e pamundur

Abidin Krasniqi, përkthyesi i “Lahutës së Malcisë” të Gjergj Fishtës në gjuhën frënge, flet për motivet që e kanë shtyrë të bëjë këtë punë kapitale për letërsinë dhe kulturën shqiptare.

I lindur në vitin 1986 në Francë, nga nëna franceze dhe babai shqiptar i Kosovës (Sefo Beta Krasniqi, një regjisor dhe aktor i njohur i viteve `70 në Kosovë). Ka studiuar fillimisht Juridikun, por pas vetëm një viti e ka braktisur. Pastaj ka punuar dy vjet në fabrikë, ka udhëtuar rreth dy vjet si backpacker në Amerikë të Jugut, në Afrikë, në Indi, në Nepal, në Azi Qendrore… Më vonë, në Paris, ka studiuar sociologjinë, duke e kurorëzuar me master. Kjo është me pak fjalë CV-ja e Abidin Krasniqit. A ngjan kjo CV në biografinë e dikujt që do të sjellë “Lahutën e Malcis” në gjuhën e Molierit dhe Hygosë? Sigurisht që jo. Dhe pikërisht duke qenë i këtillë, atipik nga shumë aspekte, Krasniqi është më interesant për publikun dashamirës të letërsisë.

Albinfo.ch ka zhvilluar një intervistë me përkthyesin e talentuar, ku ai flet për shumëçka dhe sidomos për motivin që e ka shtyrë të përkthejë Fishtën në gjuhën frënge.

Albinfo.ch: Keni lindur në Francë, në një vend që konsiderohet qendra e kulturës botërore, ku kryqëzohen përvoja të ndryshme kulturore dhe ku lindin e vdesin “përdit” shkolla letrare. Dhe, në këtë qendër kozmopolite, ju keni zgjedhur të përktheni “Lahutën e Malcisë”. Çfarë ju shtyu?

Abidin Krasniqi: Jam rritur i rrethuar nga librat. Babai im ishte i interesuar kryesisht për histori, por edhe për antropologji, etnologji dhe histori të feve. Ai ishte në gjendje të fliste disa gjuhë të gjalla dhe të lexonte disa të vdekura (mes tyre, greqishten e vjetër dhe latinishten). Nga të gjithë këta libra, disa ishin në gjuhën shqipe ose mbi shqiptarët. Mbaj mend disa vëllime me këngë kreshnike, “Albanesische Studien” të Johann von Hahn-it, ose “Studi speciali albanesi” nga Antonio Baldacci, etj. Midis këtyre librave në gjuhën shqipe ose mbi shqiptarët, ishte “Lahuta e Malcis” e Fishtës. E lexova ndërsa isha ende fëmijë. Nuk kuptova gjithçka, natyrisht, por historia më mahniti. Pothuajse njëzet vjet më vonë, ndërsa kërkoja diçka tjetër, hasa përsëri “Lahutën…” në bibliotekën universitare INALCO në Paris. E lexova përsëri. Këtë herë, e kuptova më mirë se herën e parë. Dhe ajo më magjepsi si kurrë më parë! Ndërsa bëra disa hulumtime, pashë që Lahuta ishte përkthyer në italisht, gjermanisht dhe anglisht, por jo në gjuhën e Molière-it. E gjithë kjo po ndodhte në fillim të vitit 2017. Një sëmundje e gjatë më kishte tronditur. Unë po mendoja se çfarë do të bëja në jetë pas një viti e gjysmë pa aktivitet. Përgjigja erdhi natyrshëm: Më duhet ta përktheja Lahutën! Unë isha një nga njerëzit e vetëm që mund ta bëja këtë punë pasi që e njihja edhe shqipen (për më tepër gegnishten) edhe frengjishten. Lexuesi francez duhej të njihte letërsinë tonë, kulturën tonë, civilizimin tonë.

Cili është formimi juaj artistik, letrar? Jeni marrë në përgjithësi me letërsinë si më i ri apo edhe më vonë?

Përgjigjja ime do t’ju befasojë: jo, nuk jam marrë me letërsi. Në moshën 18-vjeçare u revoltova, nuk pajtohesha me shumë gjëra në shoqërinë franceze, fillova të punoja në fabrikë! Pas disa vitesh punë dhe udhëtime të shumta (në Amerikë të jugut, Indi, Nepal, Turqi, Egjipt…), u ktheva në universitet. Studiova sociologjinë, një disiplinë që ishte në kryqëzimin në mes të historisë, antropologjisë dhe shkencës politike (tri disiplina që në të vërtetë me interesonin). Sigurisht, kam lexuar klasikët e letërsisë franceze: Molière, Zola, Balzac, Céline, Camus dhe të tjerë, por unë qartësisht nuk isha (dhe nuk jam sot e kësaj dite) specialist i letërsisë. Një përjashtim megjithatë: kam qenë gjithmonë i interesuar për poezinë epike: kam lexuar herët Homerin, por edhe Shahnamen, Mahabharatën (në rezyme sepse ka më shumë se 200 000 vargje) dhe Ramayanën e hindusve, apo epopenë e Gesar-it (të tibetanëve). Këto tekste kanë diçka të mrekullueshme dhe e lidhin imagjinatën me historinë, kohërat mitologjike me kohërat aktuale. Këto epope e tregojnë më mirë shpirtin e një populli se çdo libër historik.

Para se ta përkthenit “Lahutën…”, a keni pasur ndonjë përvojë tjetër përkthimi në gjuhën frënge nga shqipja ose anasjelltas?

Jo, nuk kam përkthyer asgjë. Por kam lexuar përkthimin anglisht të Lahutës nga Robert Elsie si dhe disa romane të Ismail Kadaresë, të përkthyer në frëngjisht.

A keni pasur që nga fëmijëria – le të themi, nga babai ose ndonjë familjar tjetër – edukim me letërsinë popullore, me legjendat, epikën e veriut?

Po, qartë. Çuditërisht, babai im nuk ishte nostalgjik për jetën në Prishtinë apo Prizren (jetë që ai si aktor dhe regjisor e kishte pasur shumë interesante), por për jetën fshatare. Shpeshherë fliste për mbrëmjet e dimrit në fshatin e tij të lindjes, dhe ato që burrat ende i përjetonin në vitet `60 në Drenicë apo Rugovë. Ai shpesh evokonte mençurinë e pleqve ose talentin e shahirëve duke kënduar këngë historike ose legjendare. Ai më tregonte për këto institucione tradicionale ose virtyte që janë besa, ndorja, kanuni, besnikëria… Dhe në të njëjtën kohë, ai e njihte në mënyrë të përsosur historinë e Greqisë antike ose të Persisë së vjetër. Ishte në të vërtetë e çuditshme. Ai më bëri të lexoja këngët kreshnike sepse sipas tij në këto tekste kishte elemente antikë të cilat datojnë mijëra vjet… Nga ana tjetër, ai më foli pak për Lahutën e Fishtës. I vlerësoi disa pjesë të tekstit (këngët e Oso Kukës ose Marash Ucit), por disa të tjera, jo. Për të, Gjergj Fishta, me gjithë bukurinë e teksteve të tij, ishte dikush që nuk i kishte rezistuar Italisë fashiste, dhe ky fakt, sipas tij, ishte i pafalshëm dhe “ja nxinte fytyrën” për gjithmonë…

“Lahuta e malcisë” ashtu si dhe e gjithë vepra e Fishtës është së pari e vështirë për t’u kuptuar nga një lexues i sotëm me gjuhë amtare shqipen. Pastaj edhe më e vështirë, për t`u përkthyer në gjuhë të huaja. Dhe kulmi është kur ajo përkthehet nga një i ri i socializuar në kulturën franceze e jo në atë shqiptare! Sa ka qenë e vështirë që ta përktheni Fishtën dhe ku i keni hasur vështirësitë më të mëdha? Çfarë literature keni përdorur për të kapur më mirë nuancat kuptimore të “Lahutës së Malcis?`”

Kjo është një pyetje që kërkon një përgjigje të plotë. Nuk e pata problem ta kuptoja Lahutën, kjo është e sigurt (natyrisht, kisha vështirësi me disa vargje, këtu e atje, por kjo është e pashmangshme në një epikë prej më shumë se 15 000 vargjesh). Kam pasur më shumë vështirësi ta përktheja : nëse do të ishte shkruar në prozë, do të kishte qenë më lehtë, natyrisht ! Por kam dashur me çdo kusht të ruaj ritmin, frymën poetike të vargut fishtian… pa u larguar nga kuptimi, dhe duke e përkthyer varg pas vargu, as një më pak, as më tepër. Teknikisht, sa u përket fjalëve, jam mbështetur më së pari në shpjegimet (shkruar nga Danjel Gjeçaj) që përmban vet botimi i 1958-ës. Se dyti, kam përdorur shumë fjalorë (atë të Tahir Kolgjinit, Shpalime rreth Lahutës, fjalorin e Gazullit, atë të Mehmet Elezit dhe Fjalorin e Gjuhës së Sotme Shqipe, Fjalorin e orientalizmave të Tahir Dizdarit dhe të tjerë). Së treti, krahasimi me përkthimin shum serioz anglisht të të ndjerit Robert Elsie më ka ndihmuar shumë. Disa studime tjera mbi Lahutën më frymëzuan dhe më ndihmuan të shkruaj shënimet shpjeguese. Prej atyre duhet të përmendën : Tonin Çobani, “Lahuta e Malcis. Ngjizja mitologjike dhe Fjalori i figurave mitologjike” ; Xhavit Beqiri – “Lahuta e Fishtës : gjuhë dhe stil” si dhe vëllimi mbledhur nga At Benedikt Dema, me titull “Gjergj Fishta O.F.M. (1871-1940)”. Në fund, kam lexuar shumë libra e artikuj për të shkruar fusnotat dhe për të vendosur çdo ngjarje të përmendur në Lahutë, në kontekstin e saj historik (bëhet fjalë për librat e mirënjohur të autorëve Mary Durham, Hyacinthe Hecquard, Auguste Degrand, Margaret Hasluck, por edhe për atë të George Gawrych, Nathalie Clayer, Jean-René Trochet, Robert Elsie…).

Sa ka qenë e vështirë të ruhet edhe metrika e vargut shqip në gjuhën frënge?

Në fillim, unë u përpoqa të ruaj metrikën dhe rimën e vargjeve të Lahutës. Por shumë shpejt, kuptova se ishte e pamundur të ruheshin të dyja pa u larguar nga kuptimi. Kështu që vendosa të ruaj atë që më dukej më thelbësore: metrikën. Tetërrokshin e kam përkthyer në një nëntërrokësh, sepse, sipas meje, është mënyra më e mirë të transmetohet frëngjisht ritmi i Lahutës. Duhet të them gjithashtu se në fillim jam munduar të përkthej në vargje dhjetërrokësh (i cili është ndoshta edhe më i bukur frëngjisht), por nuk kam arritur sukses, pa lëvizur shumë larg nga teksti. Sidoqoftë, nëntërrokëshin e kam ruajtur prej fillimit deri në fund.

Poezia fishtjane ka brenda saj shumë referime historike e kulturore thellësisht (dhe madje edhe “ngushtësisht”) shqiptare. Si ja keni dalë me kthimin e tyre në frëngjishte? A mund të arrihet që Fishta të përjetohet nga lexuesi francez?

Poezia fishtjane është e vështirë të përjetohet plotësisht edhe nga lexuesi shqiptar, atëherë çka mund të thuhet për të huajin! Një shprehje thotë: traduttore, tradittore ! (të përkthesh është të tradhtosh!). Këtë fenomen e kam gjithmonë parasysh dhe mendoj se duhet të nënkuptohet, kur flasim për përkthim. Duke thënë këtë, jam i bindur që një lexim i kujdesshëm, një lexim kurioz, do t’i mundësojë lexuesit frankofon që të kuptojë thellësisht Lahutën. Përjetimi i saj nuk mund të jetë kurrë i njëjti : në Francë, qytetari dhe fshatari, i riu dhe plaku, akademiku dhe punëtori, francezi dhe i huaji, nuk e përjetojnë njësoj Të mjerët e Hugo-s ose një vepër madhore të letërsisë franceze. Por jam i sigurt që secili lexues do të gjejë diçka që do ta prekë, do ta interesojë, do ta intrigojë.

Çfarë kategorish të lexuesve prisni që ta lexojnë “Lahutën e Malcis`” në gjuhën frënge. Ose: në bazë të përvojës së deritashme të shitjes-leximit të librit, a keni një ide ku shitet-lexohet më shumë ky libër?

Tregu i librit është në një situatë të vështirë ekonomike në Francë. Disa faktorë shpjegojnë këtë gjendje. Së pari, koha mesatare e kaluar për të lexuar nga secili person zvogëlohet: ne të gjithë kalojmë çdo ditë më shumë kohë përpara kompjuterit, tabletit ose smartphone-it tonë. Pastaj, shumë zhanre letrare zëvendësojnë gjithnjë e më shumë poezinë: të rinjtë lexojnë më shumë romane, thriller, manga, komike, etj. E gjithë kjo bën që poezia të ketë gjithnjë e më të vështirë për t’u shitur në Francë. Pothuajse asnjë nga botuesit kryesorë nuk pranon të botojë poezi sot! Më në fund, letërsia e huaj ka zënë gjithmonë një vend margjinal në Francë. Edhe autorët e njohur në Francë si Kafka, Borges, Solzhenitsyn, Mishima, Garcia-Marquez, Kundera ose Kadare lexohen pak nga publiku i gjerë. Megjithatë, disa biblioteka e kanë porositur librin, shumë miq e kanë blerë gjithashtu, është shpërndarë mirë në platforma online si amazon.com… Duhet të them që pres edhe më shumë nga ana e diasporës shqiptare: Shqiptarët në mërgim mund dhe duhet ta promovojnë librin. Unë kam udhëtuar tashmë në Bruksel, Gjermani, Shqipëri dhe Kosovë për të folur për librin dhe për ta shpërndarë atë. Mjetet e mia janë të kufizuara. Kështu që, në emër të gjithë kulturës sonë, në emër të vetë Gjergj Fishtës, i thërras të gjithë ata që duan të shohin shkëlqimin e emrit të kombit tonë, le ta promovojnë Lahutën e Malcis !

A keni në duar ndonjë përkthim të radhës?

Po, jam duke përgatitur librin tjetër, një antologji të epikës sonë popullore. Pavarësisht nëse dikush beson se këto këngë datojnë që nga lashtësia, apo se ato datojnë vetëm nga shekujt XVI-XVIII, nuk ka rëndësi. Dhe nuk dua të hyj në këtë debat, i cili mendoj se nuk është i domosdoshëm. Këngët kreshnike janë vjersha epike të shquara, si për stilin e tyre, për estetikën dhe faktet që ato raportojnë. Nuk është për shkak se serbët ose boshnjakët gjithashtu kanë këngë epike, ndonjëherë edhe më të gjata se tonat, që vlera e tyre të zvogëlohet. Kur merret parasysh konteksti në të cilin këto këngë janë transmetuar për breza, nga rapsodë kryesisht analfabetë, tek një audiencë, gjithashtu pothuajse gjithmonë analfabetë, atëherë njeriu kupton se sa e pabesueshme është vetëm ekzistenca e tyre. Një përkthim i nivelit akademik në gjuhën frënge, i plotësuar me shënime të shumta, me indeks, harta dhe ilustrime është i rëndësishëm dhe duhet të bëhet.

Cila është shkalla e njohjes së letërsisë shqiptare në Francë?

Literatura shqiptare është e njohur për publikun e gjerë në Francë vetëm nga një autor: Ismail Kadare. Të apasionuarit pas letërsisë ndoshta i njohin Migjenin, Rexhep Qosjen, Dritëro Agollin apo Ali Podrimën, të gjithë këta kanë të paktën një vepër të përkthyer në frëngjisht. Një vepër aq e rëndësishme sa historia e Zef Pllumit, Rrno vetem për me tregue, e cila është përkthyer frëngjisht, njeh vetëm një shpërndarje konfidenciale./KultPlus.com

Shuhet përkthyesi i Toman Mannit në shqip

Përkthyesi i mirënjohur i gjuhës gjermane Afrim Koçi u nda nga jeta në moshën 79- vjeçare duke lënë pas një kontribut të jashtëzakonshëm në fushën e përkthimit. Përkthyes dhe redaktor, Afrim Koçi, për rreth 45 vjet ka sjellë mjeshtërisht në gjuhën shqipe emrat më në zë të kulturës dhe letërsisë botërore.

Bir i një babai librofil, Afrim Koçi e ka nisur karrierën e përkthimit në shtëpinë botuese “Naim Frashëri” në vitet ‘60-të. Në fondet e BKSh ruhen mbi 90 tituj, përkthime e redaktime nga gjermanishtja, rusishtja, italishtja, anglishtja nga disiplina të ndryshme si letërsi, shkenca humane dhe sociale, histori, albanologji, filozofi duke nisur nga sprovat e tij të para “Novela amerikane te shekullit XIX” (1973); “Kthimi” (1976) i Jan Myrdal; “Kufiri i hijes” (1976) i Joseph Conrad; “Drama” (1978) i Henrik Ibsen. Për të vijuar më tej me “Farefisi” (1980) i Zhigmond Moric; “Nën rrotë” (1980) i Herman Hesse; “Drama” (1981) i Maksim Gorkij; “Reportazhet e Topgungaçit” (1984) i Robert Escarpit; “Kronikë e kohës së Karlit IX” (1989) i Prosper Merimee; “Ora e gjermanishtes” (1989) i Siegfried Lenz; “Jashtë derës” (1989) i Woflgang Borchert.

Pas viteve ’90 në gjuhën shqipe do të vijnë mjeshtërisht shkrimtarë nobelistë dhe të rëndësishëm të filozofisë dhe letërsisë botërore si “Iluminacione” (1998) të Walter Benjamin; “Abrahami nuk ka faj” (1998) të Ephraim Kishon; “Anestezi Lokale” (2000) të Gunter Grass; “Legjenda e pianistit : një monolog” (2003) i shkrimtarit italian Alessandro Baricco; “Qëndresë dhe bashkëpunim në Shqipëri : 1939-1944” (2006) i Hubert Neuwirth; antologjinë “Tregimtarë të gjuhës gjermane pas viteve ’45” (2007); “Epshi” ( 2007) i nobelistes Elfriede Jelinek; “Macja dhe miu” (2008) i Guntter Grass; “Mali magjik” (2009) i Thomas Mann; “Kasandra” (2012) i Christa Wolf; “Koha e ngrirë” (2014) i autores Anna Kim; “Portret grupi me një zonjë” (2015) i Heinrich Böll; “Haxhi Murati” (2016) i Lev N. Tolstoj; “Në gjurmët e një përralle” (2016) i Jan-Philipp Sendker etj. Krahas tyre qëndrojnë edhe vepra dhe studimet më të rëndësishme në fushën albanologjisë dhe historisë si “Studime shqiptare” të Johann Georg von Hahn; “Shqiptarët nga Mesjeta deri në ditët tona” (2008) i Peter Bartl; “Mehmet pushtuesi : botësulmuesi në kapërcyell kohe” (2005) i Franz Babinger, etj. Për herë të parë në Koçi solli në gjuhën shqipe veprat monumentale të Eqerem Vlorës, “Kujtime” (2001), “Ndihmesë për historinë e sundimit turk në Shqipëri : skicë historike” (2010) si dhe “Nga Berati në Tomorr dhe kthim: ditar” (2003), përkthyer nga origjinali në gjuhën gjermane.
Një vëmendjen e veçantë përkthyesi Koçi i ka kushtuar edhe përkthimit të letërsisë për fëmijë si “Veti dhe Babsi” (2000) i Christine Nöstlinger, “Beni do Sarën, Sara do Timin” (2004) i shkrimtareve Carola Holland dhe Edith Schreiber-Wicke, “Beni dhe Ana” (2016) i Peter Hartling; “Aventurat e bletës Maja” (2010) i Valdemar Bonsels, etj. Afrim Koçi i është shpallur Fitues i Çmimit Kombëtar të Letërsisë “Fan Noli”, akorduar nga Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sporteve në vitin 2010 për përkthimin e “Malit magjik” të Thomas Mann, i Shtëpisë Botuese “55”. Ndërsa Bashkia e Tiranës i akordoi titullin “Personaliteti i Tiranës për vitin 2007”, si “një përfaqësues i denjë i plejadës së përkthyesve, të cilët me punën e tyre, që prej vitit 1945, i kanë dhënë letërsisë shqiptare vepra të çmuara të shkrimtarëve të njohur në mbarë botën”.
Ikja e tij është një humbje për botën e letrave në vend. I njohur së fundmi si përkthyesi I nobelistitTomas Man në gjuhën shqipe, emrin e Koçit si shqipërues e mbajnë një sërë autorë të rëndësishëm të letërsisë botërore duke filluar nga klasikët deri tek ata bashkëkohorët. I heshtur dhe tepër I pasionuar pas përkthimit, me një profil modest Koci la pas një trashëgimi të çmuar veprash, që e kanë pasuruar gjuhën shqipe. Në nderim të figurës së tij, po botojmë më poshtë parathënien që ai i bëri botimit të kryeveprës së Man “Malit magjik” nga botimet “55”.

Dy fjalë në vend të pasthënies

Afrim Koçi

Kur u nisa të them nja dy fjalë për Tomas Manin dhe kryeveprën e tij “Mali magjik”, krejt nën pushtetin e mbresave të përftuara, më erdhi vetiu në mend një tregim i rusit Paustovski. Në breg të Vollgës autori bëhet dëshmitar i kësaj skene: një fëmijë që qan dhe pranë tij një peshkatar fytyrërreshkur që lexon një libër. Pyetjes së tij se përse qan, fëmija i përgjigjet se burri i ka marrë librin dhe nuk po ia kthen. Ndërsa kur pyetet se çfarë po lexon, peshkatari përgjigjet: “XhekLondonin, një shkrimtar që ngjitet si dylli!”

Pra një shkrimtar që ngjiten si dylli! E ky cilësim i shkon më së miri për shtat edhe Tomas Manit.

Tomas Mani, shkrimtari më i shquar gjerman i shekullit që kaloi dhe përgjithësisht ndër më të shquarit e letërsisë gjermane , ndër më të shquarit edhe në letërsinë evropiane dhe botërore të të gjitha kohëve, nuk është i panjohur për lexuesin shqiptar. Të përkthyera në shqip, tashmë janë botuar “Budenbrokët, “Vdekje në Venecie”, “TonioKrëger”, “Mario dhe magjistari” “Ligji” “Zotëria i vogël Frideman” dhe tregime të shumta.
Por krijimet e tij më të rëndësishme (hiq Budenbrokët dhe Vdekjen në Venecie ) nuk njihen ende. Përkthimi dhe botimi i “Malit magjik”, veprës së tij më të njohur, ka qenë një dëshirë e kahershme e imja. Dikur nuk botohej për arsye që dihen, sot këtë shestim e pengonin vështirësitë financiare të lidhura me te. Por ja që zoti i ndihmon punët e mira, botuesi Balliu u tregua i gatshëm ta financojë projektin dhe ky çast erdhi.

Dhe kështu iu futa një pune sizifi dhe ia nisa një maratone të mundimshme. Që kërkonte kohë dhe shpirt. Që e vinte përkthyesin para përballimit të frikshëm me nivelin intelektual, artistik dhe ndjenjësor të këtij shkrimtari, me stilin e tij simbolik dhe ironik, me thellësinë e tij psikologjike dhe kritike. Po edhe me vëllimin material prej 1.000 faqesh.
Ajo që arrita të bëj është tani para syve të lexuesit. Le të më gjykojë ai, për atë që bëra dhe për atë që nuk bëra. Unë u mundova t´i mbetem maksimalisht besnik mendimit dhe stilit të shkrimtarit, por njëherësh u përpoqa të mos i bëj dhunë gjuhës shqipe, aq të bukur dhe aq të aftë për të derdhur në kallëpin e saj cilëndo vepër letrare a shkencore të cilësdo kulturë të botës, asaj gjuhe që sot mjerisht, përpara syve tanë, dita-ditës dhe me ritme frikësuese, “po prishet e po bastardohet”.

Paul Tomas Mani u lind më 6 qershor të vitit 1875 në Lybek të Gjermanisë dhe mbylli sytë më 12 gusht të vitit 1955 në Cyrih të Zvicrës. Në moshën 80 vjeçare.

Ishte djali i dytë i Tomas JohanHajnrih Manit (senator i qytetit dhe tregtar drithërash), dhe i Silva Bruhns (braziliane nga stërgjyshër gjermanë e që kishte ardhur në Gjermani në moshën shtatë vjeçare). E ëma ishte e besimit katolik, por atë vetë i ati e kishte pagëzuar në kishën luteriane. I ati vdiq në vitin 1891 dhe firma e tij u likuidua. Familja shpërngulet në Mynih. Fillimisht mësoi në gjimnazin e Lybekut, pastaj ndoqi studimet në Universitetin LudvigMaksimilian të Munihut dhe në Universitetin Teknik të po këtij qyteti, në të cilat, duke u përgatitur për një karrierë gazetari, studioi histori, ekonomi, histori arti dhe letërsi. Jetoi në Mynih nga viti 1891 deri në vitin 1933, përjashto një vit që e kaloi në Palestrina të Italisë, së bashku më të vëllain me të madh, Hajnrihun, edhe ai romancier. Në vitet 1894-1895 punoi për Kompaninë gjermanojugore të sigurimeve nga zjarri. Karrierën letrare e filloi duke bashkëpunuar në revistën “Simplicissimus”. Novelën e tij të parë, Zotëria i vogël Frideman ( Derkleine Herr Friedemann) e botoi në vitin 1898.
Në vitin 1905 martohet me KatiaPrings´hajmin, bijë e një familjeje të njohur laike intelektualësh hebrenj dhe pati me të gjashtë fëmijë, Erikën, Klausin, AngelusGotfridTomasin “Golo”, Monikën, Elizabetën dhe Mihaelin.
Në vitin 1933, pas ardhjes në pushtet të Hitlerit, Mani emigroi në Kyznaht të Zvicrës, në vitin 1946 merr nënshtetësinë dhe një pasaportë çekosllovake, në vitin 1939 emigron në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku jep mësim në Universitetin e Princetonit. Në vitin 1942 familja e Manëve vendoset në PacifikPalisades, në perëndim të LosAnxhelesit, Kaliforni, ku qëndroi deri në përfundim të Luftës së Dytë Botërore. Por që nga 23 qershori i vitit 1944 ai ishte natyralizuar dhe bërë qytetar i Shteteve të Bashkuara. Në vitin 1952 kthehet në Europë për të jetuar në Kilhberg, afër Cyrihut, Zvicër.
Ai nuk u kthye me kurrë për të jetuar në Gjermani, edhe pse shkonte rregullisht atje. Udhëtimi më i rëndësishëm atje ka qenë në vitin 1949, me rastin e kremtimeve të 200 vjetorit të lindjes së Gëtes, në Frankfurt mbi Majn dhe Vajmar, si përfaqësuesi më i shquar i kulturës gjermane jashtë kufijve të rinj politikë..
Vdes nga arteroskleroza në vitin 1955 në një spital të Cyrihut dhe trupi i tij digjet në krematoriumin e Kilhbergut.
Gjatë Luftës së Parë Botërore Mani përkrahu konservatorizmin e kajzerit Vilhelm II dhe sulmoi liberalizmin. Por që në 13 tetor të vitit 1922, në leximet që bëri në sallën Bet´hoven të Berlinit, ai ngrihet në mbrojtje të republikës. Andej e tutje pikëpamjet e tij politike zhvendosen dalëngadalë drejt ideve liberale dhe parimeve demokratike.
Në vitin 1930 boton një shkrim të titulluar “Thirrje arsyes” ku dënon rreptë nacional-socializmin dhe nxit qëndresën kundër tij. Vijojnë pastaj ese dhe lexime publike të shumta ku ai sulmon nazizmin dhe shpreh simpatinë ndaj ideve socialiste. Ardhja e nazistëve në pushtet në vitin 1933, e gjeti Manin së bashku më të shoqen me pushime në Zvicër. Duke pasur parasysh kundërshtimin e tij të rreptë ndaj politikës naziste, i biri, Klausi, e këshillon të mos kthehet në atdhe. Mirëpo librat e tij, në dallim me ato të të vëllait, Hajnrihut dhe të të birit, Klaus, nuk ishin ndërmjet librave që me urdhër të Hitlerit, u dogjën me bujë në një shesh të Berlinit në maj të vitit 1933, mbase për arsye se ai ishte nderuar me Çmimin Nobel për letërsinë të vitit 1929. Sidoqoftë në vitin 1936 qeveria gjermane ia heq atij zyrtarisht nënshtetësinë gjermane.
Në rrjedhë të luftës Mani zhvilloi në Amerikë një seri bisedash radiofonike kundër nazizmit, të titulluara “ Gjermanë, dëgjoni!”, që, të dërguara në Britaninë e Madhe, transmetoheshin nga BBC, me shpresë të arrinin dëgjuesit gjermanë.
Çmimi Nobel për letërsinë iu dha atij në vitit 1929, kryesisht si vlerësim të krijimtarisë së tij të deriatëhershme: Budenbrokët, Mali magjik, Vdekje ne Venecia etj. paçka se nën ndikimin e një anëtari me peshë të Komitetit, profesorit Böök, “mbretbërësi” i Akademisë Suedeze, i cili personalisht nuk e honepste “Malin magjik” dhe e quante atë një libër nihilist, dekadent dhe të dëmshëm, në deklaratën zyrtare përmendet vetëm Budenbrokët, një libër i botuar tridhjetë vjet para kësaj date. Pa mohuar vlerat e atij romani, kudo në botë emri dhe fama e Tomas Manit lidhen kryesisht e para së gjithash me “Malin magjik”.

Puna mbi Malin magjik u nis në vitin 1912, fillimisht i menduar, si një kundërti parodike e “Vdekjes në Venecie”. Por angazhimet e shumta të shkrimtarit, udhëtimet e tij andej këndej nëpër Europë, puna në vepra të tjera dhe tek e fundit dhe më e rëndësishmja, Lufta e Parë Botërore, që sollën ndryshime në mendësi dhe përvoja të reja për shkrimtarin, u bënë shkak që vepra, e konceptuar siç e thamë si parodizim i novelës Vdekje në Venecie, vetëm si një broshurë me diku 100-150 faqe, të rritet e të fryhet deri në 1200 faqe (botimi i parë origjinal, dhe ku sipas fjalëve Manit: do të gjejë strehë një botë e tërë idesh,) dhe të përfundojë vetëm në vitin 1924, edhe atëherë nën trysninë e fortë të botuesit. Që prej asaj kohe, pas suksesit të bujshëm në Gjermani, përkthehet në gjuhë dhe vende të ndryshme të botës, me sa dimë në 27 të tillë, dhe me botimin në shqip themi bëhet 28.

Ja si e përshkruan vetë autori idenë që e udhëheq në shkrimin e këtij romani: “… një roman ku do të gjejë strehë një botë e tërë idesh…” më tej : “… një histori me themeli pedagogjiko-politike, ku një djaloshi i duhet të përballet me fuqinë më joshëse që ekziston, me vdekjen dhe që në një mënyrë sa komike aq edhe të frikshme përshkon kalvarin e kundërtive shpirtërore midis humanizmit dhe romantikës, përparimit dhe reaksionit, shëndetit dhe sëmundjes, por më tepër për tu orientuar dhe për interes shkencor, se sa për t´i parë ato si vendimtare..”

Ç´kërkon të thotë ky libër? Ja si shprehet vetë Tomas Mani për veprën në një kohë tjetër: “ Kjo punë ka qëllime të shumëfishta: Idetë dhe meditimet e larmishme përmbi problemin e njeriut, problemin human në përgjithësi i lidhur ky edhe me politikën, të gjithë këto mendime që zgjuan brenda meje përjetimet e luftës, erdhën e u kristalizuan edhe në planin e vjetër, Rrëfimi u tregua shumë bujar për pranimin e tyre, si një sfungjer që thith gjithçka dhe gjatë kësaj punë shumëvjeçare nga novela groteske që pata pasur në mend, lindi një tablo kohore prej dy vëllimesh, me të gjitha referencat e saj filozofike dhe madje edhe mistike”.

Duhet thënë se Mali magjik ka një rrymë të nëndheshme qartësisht autobiografike. Zhvillimi i konceptit të romanit pasqyron në një pjesë të madhe edhe zhvillimin e pikëpamjeve të vetë Tomas Manit për botën dhe njerëzimin gjatë dhjetë vjetëve që iu deshën për shkrimin e tij.

Në vitin 1927 ai shprehet për Malin magjik :” ky është libri më i mirë, apo së paku më i kompletuari, ai që shpreh thelbin tim në mënyrën më të përkryer”
Libri shikohet si roman edukimi, roman zhvillimi, roman arsimimi. Model “VilhelmMajsteri” i Gëtes.
Studentëve të tij amerikanë Toman Mani u këshillonte se po ta pyesnin si duhet lexuar libri, ai do tu thotë se ai duhet lexuar dy herë.
Ai është, gjithmonë sipas Manit, si një simfoni, një vepër e kontrapunktit, “një ind tematik ku idetë luajnë rolin e motiveve muzikore. Kësaj lexuesi duhet t´i kushtojë vëmendje të madhe në leximin e këtij libri që mund të quhet “roman idesh”
Nga të gjithë librat e tij është Mali magjik që ka më së shumti “karakterin e një partiture” dhe dialektika e tij është ajo muzikore.
Që Mali është një rrëfim i konceptuar në mënyrë dialektike duket ashiqare. Kundërvënie, antagonizma, çifte kundërtore, në pamjen e karakterit apo të mendimit, përbëjnë në çdo hap tendosjen e këtij konstruksioni: Kastorpi dhe Cimseni, civili dhe ushtaraku, Setembrini dhe Nafta, liberalizmi dhe totalitarizmi, rënia dhe ngritja, sëmundja dhe shëndeti, shpirti dhe natyra, romantika e vdekjes dhe pohimi i jetës, për të përmendur kontrapunktet më të dukshëm. Por nën ta gjenden edhe të tjerë, për hetimin e të cilave, në të vërtetë lipset një lexim i dytë.
Si në një laborator pikëpamjesh aty parashtrohen dhe analizohen të gjithë aftësitë e mendjes dhe të përfytyrimit.
Ka vende, pasazhe në roman ku njeriu dyshon në është vërtet HansKastorpi heroi, personazhi kryesor, apo të tilla janë idetë e trupëzuara si njerëz, gjë që do të përligjte edhe emërtimin e tij si “roman idesh”
Në shumë drejtime Mali magjik është një parodi e romanit vetëformues. Sikundër protagonistët e tyre edhe HansKastorpi largohet nga shtëpia dhe ndeshet në sanatorium me artin, politikën dhe dashurinë. Sidomos gjatë bisedave me mentorët e tij Setembrinin dhe Naftën, ai njihet me një sërë ideologjish. Por ndryshe nga romani klasik i formimit, “edukimi” në malin magjik nuk çon në shndërrimin e HansKastorpit në një anëtar të aftë dhe të vetëdijshëm të shoqërisë borgjeze, përkundrazi procesi i tij personal i edukimit përfundon në boshësi, në furtunën e çeliktë dhe që shkatërron çdo individualitet të Luftës së Parë Botërore.

Lidhja e romanit me titullin e tij është shumëplanëshe. Vegimi i “Malit magjik” si vend joshjeje, është i njohur në letërsinë gjermane, Ndjellësi i minjve të Hamelit, tregimi “Tabloja e mermertë” e Ajhendorfit, ku që në krye bëhet paralajmërimi për “malin magjik” ku “rinia” joshet dhe prej nga “nuk është kthyer më askush”
Arena e veprimit në romanin e Manit është sanatoriumi Berghof, i cili jo vetëm gjeografikisht gjendet në male, por që, sikundër Mali magjik në veprat e vjetra, përfaqëson një botë të mbyllur hermetikisht. Izolimi i tij krijon kushte për një përqendrim karakteresh përfaqësues, veprimtaria e të cilëve pasqyron konfliktet shoqërore, politike dhe shpirtërore të Europës përpara Luftës së Parë Botërore. Përveç kësaj malësia paraqet edhe një kundërti me vendlindjen e Kastorpit, “rrafshinën” e esëllt, të ethshme dhe (për Joahimin) edhe vrastare. Vetëm këtu në këto male të larta, ai arrin të ngrihet shpirtërisht përmbi botën borgjeze të origjinës dhe së fundi, në “stuhinë e dëborës”, të mposhtë dhe të kapërcejë edhe mallin për vdekje.
Në një Bloksberg, ku në pjesën e parë të Faustit shtrigat dhe magjistricat mblidhen në një festë të shthurur dhe mekatare, shndërrohet edhe Berghofi në skenën groteske të karnavaleve, të përshkruara në kreun “Nata e valpurgeve”, gjatë së cilës HansKastorpi i shfaq dashurinë madamëShoshas. Këtu, do të thotë në mes të veprës, përmendet për herë të parë edhe titulli i veprës, pikërisht në citatin e Gëtes, të shqiptuar nga Setembrini:
“Dhe sa çudi! Sot mali po bën magji,
Një dritë u del përpara, kërkon tu prijë,
Mos i besoni! E rreme është, shtrigë dhe shtisë!
(Nata e valpurgeve, Fausti I)
Më tej sanatoriumi të kujton Venusbergun, një toponim të përhapur shumë në letërsinë gjermane, më së tepërmi nga opera Tanhojzer e Vagnerit, një farë “parajse ferri”, vend i epshit dhe i shthurjes. Atje koha kalon ndryshe: vizitori beson se ka kaluar vetëm disa orë në Venusberg, por kur ndodhet jashtë tij del se kishin kaluar shtatë vjet. Sikundër edhe tri javët e planifikuara nga HansKastorpi për të qëndruar në Berghof, së fundi u bënë shtatë vjet.
Por aluzionet për përralla dhe mitologji janë edhe më tej të pranishme: Setembrini e krahason kryemjekun Berens me Radamantin, gjyqtarin e ferrit dhe sanatoriumin Berghof më Mbretërinë e hijeve, ku HansKastorpi është mysafir sikundër Odiseu. Për më tepër në botën e nëndheshme HansKastorpi merr përsipër rolin e Orfeut. Berghofi me “pozicionin horizontal” të trupave dhe me temperaturat e ftohta, ku ashtu si Radamanti, mbretëron kryemjeku Berens me “faqe mavi”, i shëmbëllen Hadesit. Në kreun “Plotësia e mirëtingëllimit” është pikërisht një regjistrim kankani nga “Orfeu në botën e nëndheshme” të Ofenbahut, që riprodhohet së pari nga gramafoni i ri, ndërsa duke vënë pllakën e një arie nga “Margareta” e Gunoit gjatë seancës spirituale më doktor Krokovskin, HansKastorpi arrin të thërrasë shpirtin e Joahimit dhe ta shkëpusë atë nga bota e të vdekurve, ashtu si Orfeu që me këngën e tij arrin të nxjerrë lejen për ta marrë me vete Euridiken nga bota të vdekurve. Me ëndrrën mes dëborës në kreun “Dëbora” Tomas Mani aludon për mitin e Nekias, të udhëtimit nëpër Hades. Pas kthimit të tij nga HadesiHansKastorpi është në gjendje të marrë vendime të rëndësishme. Më tej këshilltari i krahason kushërinjtë me Kastorin dhe Poluksin, Setembrini e krahason veten me Prometeun. Po edhe tepër xhahilja, zonja Shtër, sjell herë pas herë në bisedë Sizifin dhe Tantalin.

Vaktet e bollshme të të ngrënit mund të krahasohen me motivin “sofër shtrohu” të përrallës së vëllezërve Grim. Kastorpi jo vetëm e ka emrin ashtu si personazhi i përrallës “Hansi i lumtur”, por ka edhe karakterin e tij prej naivi babaxhan. Në përfundim ai e humbet pagën për të shtatë vitet e punës dhe ka të ngjarë ta përmbyllë procesin shumëplanësh të pjekurisë me një vdekje të pakuptimtë në fushën e betejës. Së fundi kemi edhe motivin e të fjeturit shumëvjeçar kur në faqet e fundit të veprës përmendet vetëm një herë titulli i romanit: një gjëmim historik rrufeje, për tu shprehur me respekt të përkorë, që tronditi themelet e kësaj bote, ndërsa për ne ky gjëmim hodhi në erë Malin magjik dhe e flaku vrazhdësisht jashtë dyerve të Berghofit të fjeturin tonë shumëvjeçar.
Gjer edhe vetë shitja e termometrit nga kryeinfermierja tingëllon si hyrje në rit, si shenjë që HansKastorpi pranohet përfundimisht në shoqërinë e të përbetuarve të banorëve të Berghofit. Po kështu edhe emri i kryeinfermieres, AdriatikafonMylendonk, duket si i marrë nga një botë tjetër: “ Zotëri i dashur, këtu mban erë Mesjetë!” i thotë Setembrini.
Numri simbolik përrallor “shtatë” shfaqet si lajtmotiv në situata dhe marrëdhënie të shumta të romanit shtatë pjesësh. Shtatë vjet kalon HansKastorpi në Berghof, pas shtatë muajsh mbahet festa groteske e Karnavaleve, një nga kulmet e romanit. Shtatë shkronja ka mbiemri ( në gjermanisht) i të kushëririt, shtatë është numri i tryezave në sallën e ngrënies së sanatoriumit, nga shtatë persona rrinë në secilën prej tyre. Po kaq është edhe shuma e numrit të dhomës së Kastorpit (34) dhe asaj të Peperkorni (43), numrin shtatë shpreh në italisht edhe emri Setembrini, JoahimCimseni vdes në orën shtatë dhe shtatë persona ishin të pranishëm kur mijnherPeperkorni, në një ceremoni patetike, merr vendimin të vetëhelmohet.

Motive të tjerë të gjithëpranishme dhe themelorë në roman janë edhe sëmundja dhe vdekja. Pothuajse të gjithë personazhet kryesore vuajnë në shkallë të ndryshme nga tuberkulozi që sundon rendin e ditës, bisedat, mendimet. (Shoqata “Gjysmëmushkëria”). Pacientë vdesin vazhdimisht, si fjala vjen BarbaraHujus, skena e zymtë e Viatikumit të së cilës do te mbetet përjetësisht në mendjen e lexuesit, apo e kushëririt Joahim që ndahet nga jeta “heroikisht” si heronjtë e Lashtësisë. Në bisedat midis Setembrinit dhe Naftës tema e vdekjes diskutohet kryesisht në rrafshin metafizik. Krahas rasteve të vdekjeve për shkak të sëmundjes, ndodhin edhe shumë vetëvrasje (Peperkorni, Nafta), përpara se romani të mbarojë përfundimisht në një luftë vrastare, në një “gosti të përbotshme të vdekjes”
Lidhur me vdekjen dhe sëmundjen në romanin e tij Tomas Mani komenton: “Ai (është fjala për Kastorpin) arrin të kuptojë se shëndeti më i lartë duhet të kalojë patjetër nëpër përvojat e thella të sëmundjes dhe vdekjes….) Jeta, i thotë një ditë HansKastorpi zonjës Shosha, ka dy rrugë për tu jetuar: njëra është rruga e zakonshme, e drejtpërdrejtë dhe e mbarë, tjetra është e keqe, ajo kalon përmes vdekjes dhe kjo është rruga gjeniale. Ky konceptim i sëmundjes dhe i vdekjes , si një kalim i domosdoshëm drejt dijes, shëndetit dhe jetës, e bën Malin magjik një roman “shugurimi”. Në kreun “Dëbora”, me kapërcimin e joshjes për t íu dorëzuar vdekjes, Kastorpi bën një hap të madh, vendimtar, në zhvillimin e tij shpirtëror.
Me tematikën jetë-vdekje lidhet edhe nocioni i kohës, një motiv tjetër qendror i Malit magjik. Edhe pse i ndërtuar në mënyrë kronologjike, veprimi nuk rrjedh me shpejtësi të njëtrajtshme, por me një përshpejtim të pabarabartë. Pesë kapitujt e parë, pothuajse gjysma e tekstit, përshkruajnë në mënyrë të zgjatur dhe me shumë hollësi, vitin e parë të shtatë viteve të qëndrimit të HansKastorpit në malin magjik, që i sjellin çdo ditë protagonistit gjëra të reja dhe interesante.
Ndërsa dy kapitujt e fundit, përfshijnë dhe ngjeshin një periudhë prej gjashtë vitesh, të karakterizuara nga rutina dhe monotonia. Trajtohet kështu, duke e cituar, një temë e marrë nga Shopenhauri, i admiruar prej shkrimtarit, “e tanishmja e pakohshme”, latinisht nuncstans.
Asimetria në strukturën e romanit, në rrafshin rrëfimtar i përgjigjet një konceptimi të shtrembëruar të kohës nga vetë personazhi kryesor.
Së fundi dukuria e kohës diskutohet vazhdimisht në roman edhe në rrafshin teorik. Çështja fjala vjen, se “gjer në ç´masë natyra interesante dhe risore e përmbajtjes e shtyn përpara kohën, do të thotë e shkurton, ndërsa monotonia dhe zbrazëtia e rëndojnë dhe e frenojnë lëvizjen e saj. (përkohësisht). Diskutohet edhe problemi i “rrëfimshmërisë” së kohës, lidhja midis zgjatshmërisë së një rrëfimi dhe gjatësisë së periudhës kohore së cilës ai i referohet.
Protagonisti HansKastorp shfaq orientimin biseksual të vetë autorit. Kështu ai dashuron me zjarr rusen Klavdia Shosha, ndërsa nuk fsheh as prirjet e tij homoerotike ndaj shokut të rinisë PshibisllavHipes, es edhe mahnitjen që shkakton tek ai personaliteti shumë sugjestionues dhe universal, Peperkorni. Të dyja këto pamje të seksualitetit të tij lidhen nëpërmjet simbolit të lapsit. Ai u kërkon hua një laps, një “crayon”, qoftë Pshibisllavit, qoftë Klavdias. Nëse i kësaj të fundit ishte “ i hollë dhe i brishtë”, ai i shokut të shkollës, me përmasat dhe formën e tij, i duket si një relikte e çmuar dhe i zgjon pubertetit të zgjuar të HansKastorpit bashkëshoqërimet e një falusi.
Në rrjedhë të romanit kjo tematikë përthyhet disa herë në mënyrë ironike: gjatë përbetimeve për dashuri të HansKastorpit natën e karnavaleve, aspak të çliruara nga një farë komizmi, në pamjet e rëntgenit që kryemjeku i tregon për “qëllime studimore” HansKastorpit: “një krah femre”, më së fundi në marrëdhëniet e çuditshme të trekëndëshit që Kastorpi dhe Klavdia krijojnë me të adhuruarin e tyre të përbashkët, Peperkornin.
Nuk duhet lënë pa përmendur edhe marrëdhënia homoerotike midis Kastorpit dhe Setembrinit. Po kështu edhe interesi homoerotik i zonjushës Engelhart kundrejt zonjës Shosha.
Sikundër shpesh në veprat e Manit –tek Budenbrokët, ta zëmë, por sidomos tek Doktor Fausti,- edhe tek Mali magjik, muzika luan një rol vendimtar. Muzika cilësohet këtu si “simpati ndaj vdekjes” mendësi e kapërcyer tek e fundit nga HansKastorpi, formulim ky i kompozitorit HansPfitcner dhe i përdorur shpesh nga Tomas Mani). Në kreun “Plotësia e mirëtingëllimit” Mani përmend pesë pjesë muzikore: Aidën e XhuzepeVerdit, Prèlude à l´après-midid´un faune, të KlodeDebysisw, Karmenin e ZhorzhBizesë, Faustin e SharlGunosë dhe AmBrunnenvor dem Tore të FrancShubertit. Sidomos kënga e fundit konceptohet nga Tomas Mani si personifikimi i joshjes së vdekjes, kapërcimi, mposhtja e së cilës, përbën, tek e fundit, temën kryesore të Malit magjik. Jo më kot në skenën përmbyllëse të librit, në fushën e kasaphanës të Luftës së Parë Botërore, HansKastorpi fillon të mërmërojë Këngën e Blirit. Kjo përbën njëherësh edhe një parodizim të fortë të kultit romantik të vdekjes, sikundër e gjejmë fjala vjen në operën Tristani dhe Izolda të Vagnerit, të cilën Mani e vlerësonte shumë. Gjithsesi shumëkush është i mendimit se për romanin e Manit mund të flitet si për një “muzikë nëpërmjet fjalësh”
Romani ka një karakter të hapur alegorik. Mani i shfrytëzon karakteret kryesore të romanit për të mishëruar ide dhe ideologji të kohës, për t´i paraqitur ata si titullarë, përfaqësues dhe kasnecë idesh, parimesh dhe botës intelektuale.
HansKastorpi, sipas pohimit të vetë autorit një “kërkues Grali” në traditën e Parsifalit, një “naiv i pastër”, mbetet një personazh i zbehtë dhe jo shumë i thelluar. Ai kërkon të përfaqësojë borgjezinë gjermane e cila, ndonëse e luhatur midis ndikimeve kundërtore, ka qenë e aftë të ngrihej deri në arritjet më të larta humaniste, por njëherësh ka rënë edhe në batakun e një qëndrimi armiqësor, të topitur dhe filistin ndaj kulturës, por edhe të ideologjive radikale. Siç ndodh shpesh tek Tomas Mani zgjedhja e emrit ka qëllim të caktuar. “Hans” është një emër përgjithësues dhe karakteristik i gjithë gjermanëve, shumë personazhe përrallash mbajnë këtë emër, për të shtuar më së fundi se ai ka edhe një lidhje biblike: Hans si shkurtim i emrit të Shën Gjonit, dishepullit të dashur të Jezusit. Kastorpi vjen nga një figurë e njohur historike e vendlindjes së Manit, qytetit Lybek, HinrihKastorp. Mbaresa “torp”, danisht, është familjare në brigjet veriore të Gjermanisë.
Më një farë mënyre personazhi i HansKastorpit mund të shihet edhe si personifikim i Republikës së Vajmarit, që sikundër temperatura e Kastorpit, gjithmonë 37.6 ° , tregon një gjendje as të sëmurë dhe as të shëndoshë, pra asnjëherë normale.
Setembrini përfaqëson iluminizmin dhe optimizmin jetësor intelektual, demokracinë, tolerancën dhe të drejtat njerëzore. Veprimtaria është një vlerë etike për të. Duke marrë përsipër rolin e mentorit dhe të edukatorit të HansKastorpit ai i bën të ditur atij absurditetin e magjepsjes përpara sëmundjes dhe vdekjes, si edhe e paralajmëron të mos bjerë pre e joshjes karakterit të plogësht dhe moskokëçarës të ruses madamë Shosha.
Në një skenë Tomas Mani nxjerr në pah në mënyrë më të dukshëm rolin iluminist (“ndriçues”) të Setembrinit kur ai duke u futur në dhomën e pa ndriçuar të HansKastorpit, përpara se të fillojë bisedën ndez dritën. Idhulli i Setembrinit, Karduçi, i thur himn një dritësjellësi tjetër të frikshëm, Luciferit, duke e quajtur “la forzavindicedellaragione”. Veten Setembrini e krahason me Prometeun, që u solli njerëzve zjarrin si mjet përparimi.
Në përfundim vetë autori është skeptik ndaj qëndrimeve skajore të të dy antagonistëve, por e bën të qartë se figura iluministe-liberale e intelektualit Setembrinit është më e afër për të se sa ajo doktrinare e terroristit Nafta. Për pamjen e jashtme të Setembrinit autori ka pasur parasysh kompozitorin italian RuxheroLeonkavallo.
Nafta mishëron fuqitë shkatërruese, radikalizmin dhe ekstremizmin. Botëkuptimi i tij për një sistem totalitar përmban elementë komunistë, anarkistë dhe fashistoidë. Religjioziteti i tij më tepër se kristian është panteist. Nga ana tjetër, sado e çuditshme të duket, Nafta është edhe një revolucionar, por në kahen e kundërt me Setembrinin, ai mund të cilësohet si një revolucionar i konservatorizmit, si ithtar i “revolucionit konservativ”. Nafta na përshkruhet si një mishërim i gjallë kundërtish: një jezuit ish hebre, një kundërshtar i kapitalizmit, i modernizmit, i lirisë, i individit dhe i paqes, një anarkist dhe teokrat. Është interesante të theksohet mendimi i kritikës se si prototip për këtë figura Tomas Manit i kanë shërbyer një sërë personalitetesh radikalë të epokës, si fjala vjen LevTrotcki dhe GeorgLlukashi. Nuk duhet lënë pa përmendur edhe fakti se si përfaqësues të mendësisë parafashiste, kundërnjerëzore dhe prokomuniste Tomas Mani nxjerr pikërisht një hebre.
Klavdia Shosha personifikon në roman joshjen erotike, epshin dhe dashurinë, edhe pse të degraduar në formën e saj morboze dhe të “plogështisë aziatike”. Është kryesisht dashuria për të që mban HansKastorpin shtatë vjet atje lart, afshi i ndjenjave që paralizon dëshirën e burrit për veprim. Bie në sy simbolika e maces që del shpesh e lidhur me ketë përmendet edhe poezia e njohur e Bodlerit “Lulet e së keqes”. Rusja me sy “kirgizë” “tatarë” “mongolë”ka një mbiemër që të kujton fjalët frëngjisht chaudchat – mace e nxehtë,- po edhe emri i saj ka asociacione me fjalën anglisht claws- kthetra. (emri i saj mund te ketë mbase, lidhje edhe me mitralozin shosha, armë e prodhimit francez e përdorur nga ushtarët francezë dhe amerikanë në Luftën e Parë Botërore) dhe më së fundi shqiptimi në frëngjisht i kësaj fjale është identik me shqiptimin në portugisht të fjalës xoxota, slengu popullor për “vaginë”.
Figura e mijnherPeperkornit që shfaqet relativisht vonë, si dashnor i zonjës Shosha, përbën njërin nga personazhet më të gdhendur të romanit, te përafërt me shumë personazhe të tjerë të Manit që me vitalitetin e tyre naiv zgjojnë mahnitje, zili dhe neveri njëherësh. Ndonëse vitaliteti i tij i pagdhendur përmban edhe tipare groteske dhe karikatureske. Si prototip të kësaj figure autorit i ka shërbyer shkrimtari tjetër i shquar bashkëkohës gjerman, GerhardHauptman.
Së fundi ndër figurat kryesore vjen edhe JoahimCimseni, i paraqitur si përfaqësues i ushtarit besnik ndaj detyrës. Ai përfaqëson njeriun që i kundërvihet sfidave të jetës dhe ka për moto veprimtarinë aktive. Figura e “Joahimit mbarë” të sjell ndërmend motivin e Shën Sebastianit, të trajtuar mjaft në veprat e Tomas Manit.
Figura e kryemjekut, këshilltarit mjekësor Berens, e portretizuar me tipare karikatureske dhe pak tërheqëse ka pasur për prototip mjekun e vërtetë të këtij institucioni, që mjekoi gruan e autorit, doktor Jesenin.
Po kështu edhe doktor Krokovski ka për shëmbëlltyre psikanalistinGeorgGrodek, themeluesin e psikosomatikës, me idetë e tij të parashtruara në librin “Nasamecu” (naturasanat – medicuscurat; natyra shëron, mjeku kuron), por edhe ZigmuntFrojdi apo të tjerë.
Shkak për të shkruar këtë roman shërbeu vizita prej tri javësh që Tomas Mani i bëri në vitin 1912 në së shoqes, Katias, në Davos.
Kur së fundi, pas dymbëdhjetë vjetësh, romani pa dritën e botimit, ai pati një pritje me të vërtetë të paparë dhe në pjesën më të madhe pozitive. Vlerësimet më larta erdhën nga ArturShnitceli dhe GeorgLlukashi, AndreZhidi dhe Ernst Robert Kurtisi. Qëndrim kritik mbajtën KarlShternhajmi, AlfredDöblini dhe sidomos BertoldBrehti.
Nacional-socialistët e damkosën Malin magjik si “himn të dekadencës” dhe shpifje ndaj “heroizmit soldatesk” të propaganduar prej tyre. E megjithatë vepra nuk figuronte në listën e zezë të Ministrisë së Gëbelsit dhe ka mendime të ndryshme nëse ishin apo jo edhe veprat e Manit në turrën e librave që u dogjën publikisht në 10 maj të vitit 1933.
Pas vdekjes së tij vepra e Tomas Manit, si “shkrimtar borgjez” dhe sidomos kryevepra e tij, “Mali magjik”, u gjend nën zjarrin e kritikës së rretheve të majta letrare, prirje që, nën ndikimin e lëvizjeve të vitit 1968, arriti kulmin në vitin 1975. Por pas kësaj kohe vihet re një rilindje e Manit. Madje kritiku më i shquar gjerman i letërsisë, Marcel Rajh-Ranicki, në një intervistë, pohon se ai nuk njeh romane gjermanë më të mirë se “Farefisnitë zgjedhore” të Gëtes dhe “Malin magjik” të Manit.
Sipas motiveve të romanit, që për një kohë të gjatë është mbajtur si “ i pafilmueshëm”, në vitin 1981 producenti FrancZajc nga Mynheni dhe regjisori Hans V. Gajsendërfer guxuan t´i futeshin kësaj pune.
Në vitin 2002, në Çur të Zvicrës vihet në skenë opera “Mali magjik, me kompozitor Robert Grosmanin dhe libretist RolfGerlahun. (gazeta-Shqip.com) / KultPlus.com