Nga Robert Desnos
Përktheu: Edon Qesari
Kaq shumë të kam ëndërruar
sa ti ke humbur qenësinë tënde.
A ka më kohë që të arrij ta prek këtë trup plot jetë
e të puth mbi ato buzë lindjen
e zërit që kam përzemër?
Kaq shumë të kam ëndërruar
sa krahët e mi të mësuar të rrokin hijen tënde
tek kryqëzohen në gjoksin tim nuk spërdridhen
harqeve të shtatit tënd mbase.
Dhe se, ballë dukjes së qenësishme të asaj që më përndjek
dhe më udhëheq prej ditësh e vitesh,
Unë do të shndërrohem afërmendsh në hije,
O mirëpeshim ndjenjash.
Kaq shumë të kam ëndërruar sa pa dyshim s’ka më kohë afërmendsh
të çel sytë. Fle në këmbë me shtat shpalosur
ndaj gjithë dukjeve të jetës dhe të dashurisë dhe ty, e vetmja që merr vëmendjen time,
mund të prek më pak ballin tënd dhe buzët e tua.
se të parat buzë dhe të parin ballë që ndesh.
Kaq shumë të kam ëndërruar
ecur shumë, folur, fjetur me vegimin tënd sa s’më
mbetet mbase gjë tjetër, e kësisoj, të jem
vegim përmbi vegimet, njëqind herë më hijë
se hija që shëtit dhe do të shëtisë
lumturisht mbi orën diellore të jetës tënde.
Nga përmbledhja “Coprs et biens” (1930) / KultPlus.com