Vjollca Duraku
Foto: Arben Llapashtica
Kori i Filharmonisë së Kosovës mbrëmë në Atelienë e Pallatit të Rinisë është prezantuar me koncertin përmbyllës për vitin 2024, e i cili koncert ka qenë një pararendës i atij që pas katër ditësh do të prezantohet në Ljublanë të Sllovenisë, në kuadër të javës kulturore të Republikës së Kosovës, shkruan KultPlus.
Programi i këtij koncerti ka përmbledhur perla të Korit të Filharmonisë për të kulmuar në këtë koncert përmbyllës, si dhe për t’i prezantuar ato në vendin amë të Filharmonisë Botërore (1701), në ndërtesën ikonike të Filharmonisë së Ljublanës. Filharmonia e Ljublanës është një nga institucionet muzikore më të vjetra në Evropë, e cila ka luajtur një rol qendror në zhvillimin e kulturës muzikore.
Me një renditje unike, në formë rrethore Kori i Filharmonisë filloi interpretimin e veprës së Mendi Mengjiqit- ” Music in the circle”, në sallën e cila ishte e stërmbushur me publik. Zërat e grupit të grave në njërën anë dhe të burrave në anën tjetër përputheshin në qendër të rrethit, në të cilin qëndronte edhe dirigjenti Baki Jashari.
Programi pati edhe vepra premierë. Ndër veprat të cilat u pëlqyen dhe u dalluan më shumë ishte edhe vepra “Pakëz në ëndërr, pakëz në zhgjëndërr” e dirigjentit Baki Jashari, e cila çdo herë jep një emocion të jashtëzakonshëm. As vepra e Hajrullah Sylës “O Magnum Misterium” nuk bën përjashtim.
Ndërkaq, vepra e kompozitorit Rafet Rudi- “IN A” ishte e veçantë edhe në aspektin fizik të interpretimit, duke nxjerrë ndjenja të fuqishme nga koristët dhe dirigjenti Jashari në veqanti. Vepra e Laura Jekabsone- “Kuulin Äänen” erdh e ndërthurur me interpretim koral dhe vegël goditëse muzikore si një prezantim krejtësisht unik.
Veprat tjera të cilat u interpretuan ishin: Vytautas Miškinis- “Cantate Domino, Ambrož Čopi- “O solitaris Hostia”, Lorenc Antoni- “Çorapet e burrit”, Vasil S.Tole- “Çu mbush mali”, Eric Whitacre- Cloudburst, Jake Rundestad- “Nyon, nyon” dhe Këngë Polifonike Labe- “Janinës ç’i panë sytë”.
Në fund të koncertit në një prononcim për media dirigjenti Baki Jashari ka thënë që prenzatimi i Korit me koncert në Ljublanë është një rast shumë i mirë, por njëkohësisht edhe një përgjegjësi jashtëzakonisht e madhe institucionale, e shtetërore që atje të ketë një prezantim dinjitoz.
“Kemi vendosur t’i zgjedhim perlat me të cilat prezantohet Kosova në mënyrën më të mirë të mundshme. Për ne është një moment tejet i rëndësishëm, pasi përmes programit publikut slloven t’i ofrojmë informacion të bollshëm se edhe në Kosovë ka kor profesional- vokal, që kemi traditë. Programi ka qenë i konceptuar që të tregojmë nga pak të gjitha stilet që ne i zotërojmë, dhe te ata të krijojmë një përshtypje të jashtëzakonshme, ashtu si kudo që paraqitet kori, duke i thyer paragjykimet për Kosovën si vend i ri”, ka thënë Jashari me shumë emocion pasi pas 25 vitesh do të rikthehet në Slloveni, në vendin ku kishte qenë aktiv për 20 vite me radhë.
“Të prezantohet muzikë korale në Slloveni është shumë vështirë sepse në kohën kur unë kam qëndruar atje kanë qenë mbi 1.000 kore të regjistruara. Në Kosovë ne nuk i kemi dy, edhe pse nga popullsia jemi të ngjajshëm. Është shumë e vështirë që në një vend të tillë ku kanë mundësi të shumëta të dëgjojnë kore të ndryshme të krijojmë përshtypje. Andaj, jemi munduar të përzgjedhim stile të ndryshme të tregojmë se çka zotërojmë edhe ne këtu në Kosovë”, ka thënë dirigjenti.
Drigjenti Jashari në këtë koncert përmbyllës të vitit 2024 për Korin e Filarmonisë ka veçuar edhe prezantimin më të veçantë për këtë vit artistik.
“Që nga fillimi i vitit kemi pasur lëvizje në rajon, duke përfshirë Shqipërinë, Maqedoninë, Italinë, Romën, Greqinë. Do të veçoja fillimin e sezonit në shtator, kur Filharmonia për herë të parë në historinë e saj realizon veprën madhështore të kompozitorit Gustav Mahler “Simfonia 1” e cila ka qenë ëndërr për institucionin tonë. Kjo vepër kërkon një dyfishim të numrit të orkestrantëve, por mbi të gjitha një muzikë tejet tërheqëse por edhe jashtëzakonisht komplekse për realizim nga ana e muzicientëve. Ky do të ishte një kulminacion në aspektin tekniko-artistik të Filharmonisë së Kosovës përgjatë vitit 2024”, ka thënë dirigjenti Jashari.
Kurse, Drejtori i Filharmonisë, Dardan Selimaj ka thënë se është privilegj për Filharmoninë e Kosovës që programi i këtij koncerti do të prezantohet edhe në Ljublanë, në vendin e themelimit të një institucioni të muzikantëve, siç është Filharmonia.
“Koncerti i sotëm është pararendës i një prezantimi që do të mbahet në Ljublanë të Sllovenisë. Është privilegj për Korin e Filharmonisë që të prezantohet në sallën “Marjan Kozina”, në ndërtesën e Filharmonisë së Sllovenisë. Nuk jemi prezantuar më parë në Slloveni, ndonëse dy dirigjent slloven e kanë udhëhequr këtë kor në disa raste. Është privilegj dhe nderë që të performojmë në një sallë që i takon institucionit të Filharmonisë së Sllovenisë, e cila është Filharmonia më e vjetër në botë. Ajo është evoluar në vitin 1701. Dhe për ne është nderë të përfshihemi në programin e atij institucioni”, ka thënë Drejtori Selimaj.
Ndërsa, violonçelisti Antonio Gashi i cili u prezantua me veprën e kompozitorit Hajrullah Syla “O Magnum Misterium” tha se ky bashkëpunim me korin ka qenë i këndshëm.
“Kori i Filharmonisë është i mrekullueshëm, unë gjithmonë emocionohem kur e dëgjoj sepse gjithmonë paraqitet me vepra të reja, me freski të re. Gjithmonë është kënaqësi të bashkëpunosh me korin. Për veprën e Hajrullah Sylës jam jashtëzakonisht I kënaqur që po vjen një gjeneratë e re e kompozitorëve të cilët shkruajnë këtë lloj të veprave, që për çelistin dhe për korin është një bashkëpunim shumë i këndshëm. Është një prej veprave që me shumë qejf luaj”, ka përfunduar violonçelisti Gashi.
Filharmonia e Kosovës më 21 dhjetor do ta përmbyllë vitin 2024 me Gala Koncertin e Vitit të Ri, i cili është Gala Koncert tradicional./ KultPlus.com