Lumenj balte dhe makina nën ujë, qindra persona bllokohen nga përmbytjet në Kanada

Qindra persona mbetën të bllokuar në makinat e tyre dhe pritën për orë të tëra ndërhyrjen e ekipeve të emergjencës si pasojë e përmbytjeve që përfshinë disa zona të Kanadasë.

Autoritetet iu bënë thirrje banorëve në Merrit dhe British Columbia të tregojnë kujdes dhe të qëndronin larg lumenjve, disa prej të cilëve kanë dalë nga shtrati.

Deri tani, raportohet të jenë shpëtuar 275 persona në rrezik, 50 prej të cilëve në rrezik të cilët ishin bllokuar nga rrëshqitjet e dheut në një autostradë në Coquihalla.

Të paktën 9 persona, janë dërguar në spital me plagë të lehta dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën. / KultPlus.com

Dy katastrofa natyrore godasin Meksikën

Dy katastrofa natyrore goditën Meksikën gjatë 24-orëve të fundit, një përmbytje në rajonet qendrore dhe një tërmet i magnitudës 7.1 Rihter në brigjet jugperëndimore.

Bilancin më të rëndë deri më tani e shkaktuan përmbytjet me 17 të vdekur.

Përmbytjet goditën qytetin e Tulës në shtetin federal të Higalgos. Shumica e viktimave janë pacientë  në gjendje të rëndë, të cilët e patën të pamundur të largoheshin në kohë nga një spital që u përmbyt menjëherë nga ujërat e furishëm.

Ndërsa rreth orës 4 të mëngjesit të kësaj të Mërkure, tërmeti i fuqishëm i magnitudës 7.1 Rihter goditi qytetin e Akapulkos dhe u ndje deri në kryeqytetin Meksiko, duke shkaktuar të paktën 1 viktimë.

Banorët braktisën ndërtesat të terrorizuar dhe dolën rrugëve, ndërsa dëmet materiale janë të shumta, ku mes rrënojave mund të ketë edhe viktima të tjera. / KultPlus.com

Qytetarët dalin të ‘peshkojnë’ në sheshin e Prishtinës pas përmbytjeve

Qytetarët kanë shfrytëzuar rastin që të ironizojë pas përmbytjeve të krijuara si pasojë e reshjeve të shiut në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë të dielën.

Ata, në pamjet e siguruara nga vendi i ngjarjes, shihen duke “peshkuar” në pellgun e krijuar në sheshin “Zahir Pajaziti”.

Erërat e forta dhe reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar probleme edhe nëpër qytete të tjera.

Në Gjilan, disa familje janë obliguar të evakuojnë shtëpitë e tyre si pasojë e përmbytjeve. /gazetaexpress/ KultPlus.com

Përmbytja e rrugëve në Venecia përmes fotografive

Venecia është përmbytur nga një valë e lartë e cila ka lënë tre të katërtën e qytetit nën ujë. Turistët dhe banorët kanë qarkulluar me çizme të mëdha pasi që erërat e forta kishin rritur nivelin e ujit nga 156 cm në më shumë se 5 metra përpara se të tërhiqeshin.

‘Acqua alta’ krijoi kaos në Venedik, pasi shkollat dhe spitalet u mbyllën dhe qytetarët u këshilluan që të mos largoheshin nga shtëpitë e tyre, shkruan The Guardian.

Por përmbytja nuk trazoi romancën e një qifti i cili shijoi romancën e qytetit edhe gjatë përmbytjeve. Më poshtë mund të shini disa fotografi të publikuara nga The Guardian./KultPlus.com

Kati i parë i Bibliotekës Kombëtare në Tiranë, përmbytet nga shiu

Institucioni shpalli gjendjen e emergjencës për trajtimin e materialeve bibliotekare të lagura ose pjesërisht të lagura me qëllim tharjen dhe restaurimin e tyre të plotë.

Biblioteka Kombëtare thekson se nuk janë prekur mjediset ku ruhet fondi i vlerave të rralla dhe Arkivi i librit e i periodikut shqip.

Nga të dhënat paraprake, numri i njësive bibliotekare me gjurmë lagështire rezultoi rreth 12 mijë. Gjatë punës së deritanishme janë tharë plotësisht rreth 70% e tyre. Vijon puna intensive për tharjen e plotë të pjesës së mbetur.

Mbizotërojnë tekstet mësimore dhe botime të 15 viteve të fundit, të cilat për shkak të mungesës së theksuar të hapësirave depozituese nuk kanë mundur të ruhen sipas standardeve tekniko-profesionale. Në funksion të kësaj emergjence institucioni njofton se do të qëndrojë i mbyllur nga data 25 deri 30 qershor./ KultPlus.com

Monumentet e Trashëgimisë Kulturore në Shqipëri të rrezikuara nga përmbytjet

Në kushtet e emergjencës civile për shkak të përmbytjeve që kanë prekur vendin, monumentet e trashëgimisë kulturore nuk mbeten jashtë hartës së dëmtimeve.

Ministria e Kulturës dhe Instituti i Monumenteve kanë publikuar një listë të monumenteve të cilat po monitorohen me kujdes ku më të rrezikuarat janë: Ura e Golikut në Korçë si dhe Kisha e Shën Gjon Pagëzorit në Derven të Krujës, një monument kulture e cila është në zonë të përmbytur.

Forumi Bizantin (Macellum Forum), në Durrës për shkak të reshjeve ka rrëshqitje të dherave dhe disa gurëve të mbushjes së trotuarit. Janë marrë masat e menjëhershme për sistemimin dhe përforcimin e skarpatës.

Raportimet nga Butrinti dhe Parku Arkeologjik i Bylisit nuk lënë vend për alarm pasi nuk përbën rrezik dhe nuk ka dëmtime. Ndërsa nga drejtoria Rajonale në Vlorë raportohet se inspektimet në Manastirin, Parqet Arkeologjike (Orikum, Amantia, Finiq), gjendja e deritanishme është normale.

Ashtu si gjithë harta e përmbytjeve, qarku i Fierit ka disa problematika: – Kisha e Shën Kollit në Vanaj, Kisha e Shën Gjergjit në Libofshë, Kisha e Shën Marisën e Bishtqethëm, Kisha e Shën Gjergjit në Suk, Strum, paraqesin probleme në çatinë e tyre, nga shirat e tepërt.

Në Vithkuq tek Kisha e Shën Mehillit ka pasur lëvizjet e rasave në pjesën e hajatit ku po merren masa për t’i sistemuar, në Vithkuq probleme paraqet Kisha e Shën Gjergjit të cilën e kanë izoluar me mjete provizore. Ndërsa gjendja është në kushte normale në Parkun Arkeologjik në Apolloni, në Muzeu e Pavarësisë në Vlorë reshjet e dendura të shiut kishin përmbytur oborrin.

Si rezultat i bashkëpunimit me Bashkinë Vlorë gjendja tani është normalizuar./ KultPlus.com