Ekonomia e Përmetit e lidhur me turizmin, pothuajse çdo fshat shëndrrohet në shtëpi pritëse për vizitorët

“Qyteti i trëndafilave” gjithmonë e më tepër po merr profilin e një destinacioni turistik tërheqës për vizitorët vendas dhe të huaj

Kryetarja e bashkisë së Përmetit, Alma Hoxha tha për ATSH-në se “investimet e kryera vitet e fundit në qytetin tonë kanë sjellë një rritje të ndjeshme të numrit të vizitorëve si nga qytete të ndryshme të vendit, por edhe nga Evropa dhe vendet e tjera të botës. Vitin 2024 e mbyllëm me një shifër të lartë të turistëve që vizituan Përmetin dhe rrethinat e tij, duke shënuar 155 mijë”.

Sipas saj, 70% e turistëve janë të huaj dhe 30% turistë vendas.

Në Përmet vitet e fundit është rritur numri i hoteleve dhe bujtinave, për të pritur turistët.

“Në qytet, por edhe në fshatra po i rikthejnë shtëpitë e tyre në bujtina, pasi ekonomia e Përmetit është gjithmonë e lidhur me turizmin. Pothuajse në çdo fshat ka nga një shtëpi pritëse”, tha Hoxha.

Kryebashkiakja Hoxha bëri të ditur se këtë vit synohet një numër më i lartë vizitorësh dhe më shumë të ardhura nga turizmi.

“Falë investimeve që janë bërë dhe atyre që janë duke përfunduar presim që numri i turistëve të shënojë më shumë rritje  këtë verë, në territorin e Përmetit, si në Shtëpinë Muze të vëllezërve Frashëri, Muzeu i Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, apo edhe në atraksionet turistike që ndodhen në Përmet, do të ketë shtim të numrit të turistëve”, tha Hoxha.

Atraksionet më të vizituara të sezonit turistik që lamë pas ishin: Lugina e Lumit Vjosa, Ujërat Termale Banjat e Bënjës. Cirkuiti i Malit të Nemërçkës, Ujëvara e Sopotit, Lagjja Historike e Qytetit, Kisha e Shën Marisë në fshatin Leusë, fshati Frashër etj.

Për promovimin e qytetit, bashkia e Përmetit vijon organizimin e një sërë aktivitetesh.

Kryebashkiakja Hoxha tha se “Dita e Verës, Vjosa në Fest, Festa e Gjysheve janë disa prej aktiviteteve të zhvilluara në Përmet, të cilat kanë tërhequr një numër të lartë vizitorësh”.

Zona e Përmetit përfshin resurse të veçanta natyrore, historike dhe të trashëgimisë kulturore në shërbim të zhvillimit të turizmit të qëndrueshëm.

Në Përmet ashtu siç vendasit thonë “Përveç detit mund të gjesh çdo gjë tjetër”, nga ujërat termale të Bënjës, lugina e Vjosës dhe objektet e kultit që në këtë qytet janë të shumta e të veçantë.

Një vend të veçantë zënë kishat si ajo Shën Kollit, Kisha e Shën Premtes, Kisha e Shën Mërisë në Bënjë, Kisha e Shën Mërisë në fshatin Kosinë, Kisha e Shën Mërisë në fshatin Leusë. Në Përmet ndodhet edhe Teqeja e Alipostivanit, e ngritur mbi një kodër të bukur mbi fshatin Alipostivan.

Një tjetër monument kulti dhe historik shumë i famshëm në Shqipëri është edhe Teqeja e Frashërit, e ndërtuar më 1781 nga Sulejman Beu i Frashërit.

Në pjesën lindore të tij ndodhen Ujërat Termale të Bënjës, të njohura për vlerat kurative si dhe për kanionet shkëmbore të Langaricës me Shpellën e Pëllumbave./atsh/ KultPlus.com

Festivali ‘Nona’, nis festa e gjysheve shqiptare në Përmet

Në Përmet u çel festivali “Nona”, festa e gjysheve shqiptare.

Atmosfera e krijuar në qytet ishte mbresëlënëse. Pjesëmarrëse në këtë festën, që po kthehet në një traditë tanimë, janë gjyshe nga e gjithë Shqipëria dhe jo vetëm Përmeti.

Përmes rrjeteve sociale, bashkia e Përmetit ka publikuar foto nga momentet festive ku fëmijë, të rinjtë e të rejat, por edhe të moshuar, shijuan atmosferën e krijuar.

“Nën një atmosferë të magjishme plot muzikë argëtim, surpriza, gatime tradicionale, produkte lokale. Përmeti dhe gjyshet përmetare mirëpritën çdo vizitor dhe qytetar. Atmosfera festive vazhdoi deri në mesnatë duke sjellë argëtim për Përmetin që këto ditë vere është plot”, shkruan bashkia në postim në rrjetet sociale.

Bashkia e Përmetit fton qytetarët nga qytete të ndryshme të marrin pjesë në mbrëmjen e 2-të, e cila premton edhe më shumë argëtim.

Ky është edicioni i pestë i festivalit “Nona”, ku janë planifikuar tre netë festive, Nata e parë u zhvilua të premten , sot është nata e dytë dhe të dielën nata e fundit.

BE financon ndërtimin e Qendrës Rinore në Përmet

Të rinjtë në bashkinë Përmet do të kenë qendrën e tyre rinore, e cila do të mbështetë kreativitetin, talentin dhe të gjithë potencialin e tyre.

Rikonstruksioni i godinës publike (ish-Pallati i Kulturës) për krijimin e një Qendër Rinore të qytetit, me kushte moderne e standarde evropiane, financohet nga Bashkimi Evropian dhe bashkia Përmet.

Ky projekt vjen si një nga prioritetet kryesore të bashkisë, për hapjen e një qendre rinore publike, kushtuar promovimit të përfshirjes artistike, kulturore dhe sociale të të rinjve.

Projekti ka për qëllim të promovojë përfshirjen sociale të mbi 100 rinjve të zonës dhe mbështetjen e pjesëmarrjes së tyre aktive në zhvillimin social të bashkisë Përmet, duke ju lehtësuar aksesin në shërbime të tilla si: edukimi formal dhe joformal, sipërmarrje, kulturë, informacioni dhe ICT, pavarësisht nga gjinia, etnia, kultura, aftësitë e veçanta, besimi, etj./ atsh / KultPlus.com

Zbulimet arkeologjike në Përmet, ekzemplarët më tipikë të kulturës arbërore

Zbulimet e deritanishme në varrezën mesjetës në Përmet kanë dhënë rezultate mbresëlënëse, pasi objektet e zbuluara si pjesë e inventarit të varreve të gërmuara, përfaqësojnë ekzemplarët më tipikë të kulturës arbërore të vendit tonë.

Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore bën të ditur se “prej muajit gusht, në varrezën e mesjetës së hershme në qytetin e Përmetit, janë duke u zhvilluar gërmime arkeologjike, të drejtuara nga specialistët e Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore.

Pjesë e gërmimeve janë bënë gjithashtu edhe studentë të kursit të arkeologjisë nga Fakulteti i Histori-Filologjisë”.

Sipas IKTK, stolitë e zbuluara janë kryesisht prej bronzi dhe ruhen në gjendje shumë të mirë dhe kanë vlera për ekspozim në muze.Nga studimi paraprak i objekteve të zbuluara, si dhe tipologjisë së varreve, ato mund të datohen në shek. VII – VIII pas erës sonë.

Përfundimi i gërmimit arkeologjik në Përmet si dhe studimi i thelluar i tyre, do të sjellë rezultate më të sakta dhe një informacion shkencor për studiuesit e fushës si dhe qytetarët e interesuar.

Thesaret e zbuluara të kulturës arbërore, tashmë janë një vlerë e shtuar dhe potenciale për trashëgiminë kulturore të Shqipërisë. /atsh/ KultPlus.com

Vloggeri i njohur ndan eksperiencën e tij në Banjat e Bënjës, Përmet

Vloggeri i njohur Dany ka udhëtuar së fundmi drejt Shqipërisë ndërsa eksperiencën e tij më vendin tonë e ka ndarë në kanalin e tij në Youtube.

Pas mbërritjes në Rinas cifti i vloggerëve kanë marrë një makinë me qera dhe pas një ndalese në Durrës destinacioni i Dany dhe bashkëshoqerueses së tij, ka qenë qyteti i Përmetit, ku janë ndalur tek Banjat e Bënjës.

“Erdha në Përmet për të parë këtë vend dhe qenka shumë më bukur se sa mendoja. Pamja është e mbrekullueshme. Uji nuk është shumë i nxehtë, sepse jemi në janar, por sërish mund të lahesh dhe të shijosh këtë pamje të mrekullueshme”, shprehet ndër të tjera ai, ndërsa shijojnë ujin kurativ të llixhave.

Nuk është hera e parë që vloggeri i njohur viziton dhe promovon Shqipërinë, sepse ai ka udhëtuar edhe më parë në Shqipëri. Në videot e postuara e promovon Shqipërinë si një destinacion i bukur ku mund të kalohen pushime të bukura me pak shpenzime. / KultPlus.com

“Guri i qytetit”, simboli i identitetit të Përmetit

Një ndër destinacionet më tërheqëse të qytetit të Përmetit është edhe “Guri i qytetit”, një masiv shkëmbor anës lumit Vjosë, 42 metra i lartë dhe 650 metra katrorë.

Sipas gjeologëve “Guri i qytetit” është shkëputur nga mali i Dhëmbelit pas një tërmeti, kurse legjenda tregon ndryshe.

Sipas legjendës Kryezoti i krahinës Premti, që i dha emrin qytetit, kishte ndërtuar mbi Gurin e qytetit një kala. Sot kalaja është rrafshuar. Kanë mbetur muret, dëshmi e legjendës. Ishte fundi i shekullit XIV kur ushtria e Sulltan Mehmetit pushtoi Janinën. Pas Janinës i erdhi radha Përmetit. Premti kishte vdekur dhe kryezot i qytetit ishte nipi i tij, Gjergji, i cili kishte një vajzë, Diestrën me foshnjë në gji.

Një natë turqit mbërritën në qytet. Kryezoti ishte jashtë tij. Në kështjellë ishte vetëm vajza. Turqit kërkuan çelësat e fortesës dhe dorëzimin e vajzës. Diestra mori në dorë djepin me djalin dhe u hodh nga maja e shkëmbit. Në rrëzë të “Gurit të qytetit”, gjendet një gur i lëmuar ku u përplas Diestra. Mbi gur ka disa shenja: Dora e foshnjës ose vijat e djepit.

“Qyteti i trëndafilave”, siç njihet ndryshe qyteti i Përmetit, vitet e fundit vijon të jetë në qendër të udhëtimeve të turistëve të shumtë vendas e të huaj, të cilët kanë mundur të shijojnë dhe përjetojnë bukuritë e tij, si në turizmin kulturor, shëndetësor dhe atë ekologjik. /atsh / KultPlus.com

Pas 30 vitesh mungesë, krijohet Muzeu i Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare në Përmet

Pas restaurimit të pjesshëm të sallës së Kongresit të Përmetit nga Ministria e Kulturës në mjediset e brendshme të saj, bashkia e Përmetit krijoi Muzeun e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, që i ka munguar prej 30 vitesh historisë së Përmetit.

“Lufta antifashiste është pjesë e rëndësishme e historisë së shqiptarëve.  Me këtë luftë shqiptarët u bënë pjesë e aleancës së madhe antifashiste, prandaj vlen të respektohet e t’i jepet vendi që i takon”, thekson bashkia.

Bashkia e Përmetit bën të ditur se “jemi munduar të grumbullojmë e të ekspozojmë gjithçka nga lufta partizane si: foto , dosje ,armë dhe sende të përdorura gjatë luftës. Dosjet e dëshmorëve ekspozohen pas shume vitesh harrese. Ato do të pasurohen në vijimësi me informacione te reja”.

“Besojmë se me këtë muze modest i shtojmë një vlerë turistike Përmetit si dhe një kujtesë historike brezave. Vazhdojmë me Muzeumin Etnografik dhe Arkeologjik si dhe me dhomën e “Artizanëve përmetarë”, tha bashkia./ ATSH/ KultPlus.com