Përmet – 25% rritje të numrit të turistëve, në muajin janar

Përmeti, një qytet i njohur për atraksionet e tij të shumta, vijon të jetë një destinacion turistik mjaft i frekuentuar, nga vizitorët vendas dhe të huaj edhe gjatë sezonit të dimrit.

Specialistët e Turizmit pranë bashkisë Përmet bëjnë me dije se në janar të këtij viti, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ka një rritje me rreth 25%, të numri të turistëve që kanë vizituar Përmetin.

Turistët janë kryesisht nga Spanja, Austria, Çekia e të tjerë, ndërkohë numër të lartë shënojnë edhe vizitorët vendas, fluksi i të cilëve rritet ndjeshëm gjatë fundjavave.

Edjon Maliqi, Specialist turizmi pranë bashkisë thekson se, numri i turistëve të shënoi rritje edhe gjatë muajve shkurt dhe mars, ndërsa kanë nisur edhe rezervimet e para për sezonin veror 2025.

Sipas tij, interes të lartë kanë vizitat në pikat kryesore turistike të Përmetit por edhe lugina e Vjosës, që është një atraksion i çmuar dhe ka rritur vlerën për ekonominë e zonës.

Përmeti ofron alternative të turizmit rural, atij ujorë , gastronomikë ç’ka po i tërheq vendasit dhe të huajt gjithnjë e më tepër./Rtsh/ KultPlus.com

Kisha e Shën e Premtes në Përmet, dëshmi e rëndësishme e trashëgimisë kulturore dhe arkitektonike

Kisha e Shën e Premtes (ndërtuar më 1776) është shpallur Monument Kulture i Kategorisë së parë në vitin 1963 dhe ndodhet në Zonën e Mbrojtur të Qendrës Historike të qytetit të Përmetit.

Kisha është e tipit bazilikë me përmasa 22 metra e gjatë, 16 metra e gjerë dhe 8 metra e lartë.

Mbishkrimi i gdhendur mbi një pllakë guri, tregon për ndërtimin e kishës më 1776, nga kryemjeshtri Ilia Kristo.

Afresku me skena nga shkrimet e shenjta është realizuar më 1808 nga piktori Terpo Zografi. Ikonostasi dhe gdhendjet në dru, janë punuar artistikisht nën drejtimin e Dhimitrit, mjeshtrit shqiptar nga Konica.

Në vitin 1964, Kisha e Shën e Premtes është përmbytur prej përroit që kalon aty pranë. Uji i përzier me baltë shpërtheu derën jug-perëndimore të narteksit dhe mbushi naosin deri në lartësinë 3 metra, duke shkaktuar dëme të mëdha në pikturën murale të kishës.

Punimet për kullimin e ujërave filluan në vitin 1967. Më pas u restaurua narteksi dhe naosi. Gjithashtu muralet e kishës janë restauruar edhe në vitet 1981-1982./atsh/ KultPlus.com

‘Dita Naimiane’ në Përmet, përkujtohet 178 vjetori i lindjes së poetit kombëtar

Në fundjavë me rastin e 178-vjetorit të lindjes së Rilindasit të madh dhe Poetit tonë Kombëtar, Naim Frashëri, shoqata Atdhetare Kulturore Mbarëkombëtare “Vëllezërit Frashëri” në bashkëpunim me Bashkinë Përmet organizuan një program të pasur aktivitetesh në kujtim të jetës dhe krijimtarisë letrare të poetit.

Ditën e premte, 24 maj, u organizua në qytetin e Përmetit konferenca me pjesëmarrje nga gjithë trevat shqiptare kushtuar Naim Frashërit

Vizita në vendlindjen e vëllezërve Frashëri, në Frashër të Përmetit ishte aktiviteti i ditës së shtunë për të vijuar në mbrëmje me takimin poetik nga Klubi i Shkrimtarëve “Naim Frashëri”./TemA// KultPlus.com

Festivali i “Nonave” në Përmet, Rama: Dedikuar gjysheve nga e gjithë Shqipëria

Kryeministri Edi Rama përmes një postimi në rrjetet sociale, u bënë ftesë të gjithëve që të jenë pjesë e festës së “Nonave”.

Ky event zhvillohet për të katërtin vit radhazi në Përmet dhe mbahet në datat 11, 12 dhe 13 gusht.

Kryeministri Rama, shkruan se kjo festë e veçantë u dedikohet gjysheve shqiptare.

“Mirëmëngjesi dhe me festën e veçantë “Nona” dedikuar gjithë gjysheve shqiptare që do të mbledhë edhe këtë vit në Përmet të mirat, të urtat, të dhembshurat me duar të florinjta që na kanë ëmbëlsuar jetën e zbukuruar kujtimet me glikotë, centrot, kulaçkat e rrëfenjat e tyre, ju uroj fundjavë të bukur”, deklaron Rama.

Festivali i “Nonave” në Përmet pritet të mbledh gjyshet nga e gjithë Shqipëria.

Kultura artizane dhe gatimet tradicionale nga duart e gjysheve, do të jetë fokusi i “Festivali i Nonave” në qytetin e vogël të luleve në Përmet.

Në festival pritet të ketë dhe panair të kulinarisë, muzikë me DJ në mbrëmje në sheshin kryesor të qytetit./atsh/KultPlus.com