Përparim Rama pas vdekjes së komandantit Mike Jackson: Do të mbetet gjatë në kujtesën tonë për rolin e tij si komandant i KFOR-it gjatë vitit 1999

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar pas vdekjes së komandantit të parë të KFOR-it, gjeneralit Sir Mike Jackson.

Në rrjete sociale, Rama ka shkruar se Jackson do të mbetet gjatë në kujtesën tonë kolektive për rolin e tij si komandanti i parë i KFOR-it.

“Gjenerali Sir Mike Jackson do të mbetet gjatë në kujtesën tonë kolektive për rolin e tij si komandanti i parë i KFOR-it, i cili më 1999 kishte drejtuar forcat ndërkombëtare në Kosovë, të kryesuara nga NATO”, ka shkruar ai.

Tutje, Rama u shpreh se gjenerali Jackson luajti rol vendimtar në fushatën për ndalimin e spastrimit etnik të shqiptarëve të Kosovës. Udhëheqja e tij ishte thelbësore në vendosjen e suksesshme të trupave të KFOR-it, duke siguruar tërheqjen e forcave serbe dhe kthimin e sigurt të popullsisë së zhvendosur.

“Sot ai paska ndërruar jetë por trashëgimia e tij do të vazhdojë të frymëzojë brezat e ardhshëm, veçanërisht në Kosovë, ku kontributet e tij për paqen dhe lirinë janë thellësisht të çmuara”, ka shkruar tutje Rama.

Përurohet Qendra për Trajtimin e Qenve Endacakë, kryetari Rama: Problemi i qenve endacakë në kryeqytet po zgjidhet

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se sot kanë përuruar Qendrën për Trajtimin e Qenve Endacakë.

Rama ka njoftuar se kjo qendër do të ketë një rol të rëndësishëm në sigurinë e qytetarëve.

“Sot përuruam Qendrën për Trajtimin e Qenve Endacakë. Kjo Qendër do të ketë një rol të rëndësishëm në sigurinë e qytetarëve tanë duke reduktuar numrin e qenve në rrugë dhe duke u kujdesur për mirëqenien e tyre. Qendra është furnizuar me pajisje moderne dhe ka të punësuar veterinarin, dy teknikë veteriner si dhe stafin tjetër mbështetës”, ka njoftuar Rama.

Tutje, Rama ka njoftuar se bartja e qenve endacakë nga rrugët e kryeqytetit në këtë qendër, do të fillojë shumë shpejt.

“Qentë do të mbahen në pjesën e strehimit deri në adoptimin e tyre. Siç është në dijeni opinioni, qentë të cilët adoptohen do të trajtohen falas në këtë Qendër për tërë jetëgjatësinë e tyre, si dhe pronarët do të marrin nga 50 euro në muaj për secilin qen të adoptuar nga Kryeqyteti”, ka shkruar kryetari Rama.

Në njoftim, i pari i kryeqytetit i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të bëj prioritet trajtimin e problemit të qenve endacakë në nivel të Kosovës, duke mbështetur komunat me resurse financiare dhe të tjera./KultPlus.com

Kryetari Përparim Rama tregon se si do të duket sheshi “Xhorxh Bush”

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, përmes një njoftimi në Facebook, ka ndarë pamje se si do të duket sheshi “Xhorxh Bush”.

“Kështu do të duket Sheshi Xhorxh Bush. Thirrja për operatorët ekonomik tanimë është hapur. Projekti i reviduar përfshin edhe transformimin e Sheshit Zahir Pajaziti dhe të hapësirave përreth”, ka shkruar Rama.

Tutje, ai u shpreh se vizioni i tyre për Prishtinën me qytetarin prioritet, po vazhdon./KultPlus.com

Rama pas përfundimit të “Sunny Hill”: Asnjë incident i vetëm, rinia jonë impresionoi edhe njëherë

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka reaguar në rrjete sociale pas përfundimit të festivalit “Sunny Hill” , duke lavdëruar rininë e Kosovës e institucionet e sigurisë për mbarëvajtjen e festivalit.

“Për katër netë Prishtina jonë ishte ndryshe. Emocion e kënaqësi me artistë të nivelit botëror. Rinia jonë më impresionoi edhe njëherë, me kulturën e pjekurinë e treguar. Dhjetëra mijëra pjesëmarrës e asnjë incident i vetëm. Një rini e shoqëri shembull për gjithë botën.

Për organizimin e jashtëzakonshëm ai ka falënderuar menaxhmentin e Sunny Hill Festival dhe Dua Lipën për praninë dhe përkrahjen./KultPlus.com

Hapet instalacioni artistik nga Alketa Xhafa-Mripa në Hagë me veshje nga të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, përmes rrjeteve sociale ka njoftuar se rrobat e të mbijetuarave të dhunës seksuale, janë ekspozuar në Hagë të Holandës nga artistja Alketa Xhafa-Mripa.

“Rrobat e të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, si dhe nga 19 shtete të tjera, u ekspozuan në qytetin e Hagës në Holandë, të organizuar në bashkëpunim me Mukwege Foundation, Ambasada e Kosovës në Holandë dhe Komuna e Hagës”, ka shkruar ai.

Rama u shpreh se instalacioni artistik i Alketa Xhafa Mripa, i quajtur “Thinking of you”, shpreh kujtimin dhe solidaritetin për të gjitha të mbijetuarat e dhunës seksuale në konflikte.

Të pranishme gjatë ekspozimit të tyre ishin edhe Vasfije Krasniqi dhe Shyhrete Tahiri, që janë dy prej të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.

“Prezenca e tyre u bë zëri i shumë viktimave që kërkojnë drejtësi pa pushim për krimet e kryera ndaj tyre nga shteti serb. Vasfije dhe Shyhrete, me historitë dhe përvojat e tyre të trishta, na kujtojnë se drejtësia dhe njohja e këtyre krimeve është detyrë e përhershme e njerëzimit”, ka shkruar Rama.

Në fund, Rama tha se ky event në Hagë, që është Qyteti Ndërkombëtar i Paqes dhe Drejtësisë, është një thirrje e fuqishme për drejtësi dhe një përpjekje për të mos lejuar që zërat e të mbijetuarave të heshten./KultPlus.com

Përparim Rama njofton se nga viti i ardhshëm do të shtohen linjat dhe autobusët e Trafikut Urban në Prishtinë

Kryetari i Prishtinës Përparim Rama, ka njoftuar se që nga data 1 janar 2025 do të ketë linja të reja dhe autobusë të rinj të Trafikut Urban në Prishtinë.

Ai ka bërë të ditur se sot kanë filluar me reformimin e sistemit të transportit publik, reformë kjo që do të sjellë flotë të re të autobusëve, më shumë linja të autobusëve, mbulim i më shumë rrugëve me transport publik, një biletë për të gjitha linjat në kryeqytet dhe sisteme digjitale të pagesës së biletave.

“Çdo hap i kësaj reforme është bërë në bashkëpunim të ngushtë dhe në konsultim me operatorët privat të linjave të autobusëve, Bankën Evropiane për Zhvillim dhe Rindërtim, përfaqësuesit e bankave në Kosovë dhe të tjerë”, ka njoftuar Rama.

Gjithashtu, kjo reformë do të përfshijë garantimin e kredive për blerjen e autobusëve privat, dhe rrjedhimisht dhënien e linjave të reja për këta operatorë privat.

Kryetari i Prishtinës Përparim Rama pret në takim arkitektin e njohur botëror Marco Casamonti, diskutuan për investime në Prishtinë

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, përmes rrjeteve sociale ka njoftuar se sot është takuar me arkitektin e mirënjohur botëror, Marco Casamonti, ku kanë diskutuar për investimet në kryeqytet.

Ai ka bërë të ditur se në takim kanë qenë edhe përfaqësuesit e Lika Group AG, një kompani e suksesshme që operon në Zvicër, themeluar dhe menaxhuar nga z. Esat Likaj.

“Pas organizimit të Konferencës së Investitorëve në janar të këtij viti, shumë investitorë kanë shprehur gatishmëri të investojnë dhe të bëjnë projekte zhvillimore në Kryeqytet. Në këtë kontekst, me Marcon dhe përfaqësuesit e Lika Group AG diskutuam mundësitë e investimit dhe zhvillimit të projekteve në Kryeqytet”, ka shkruar Rama.

Tutje, ai është shprehur se iniciativat sikur kjo, synojnë avancimin e bashkëpunimit me diasporën dhe krijimit të kushteve për investim të kapitalit të diasporës në Kosovë./KultPlus

“Vizioni Urban për Manifesta 14 Prishtina” fiton Çmimin e Artë në Gjermani

“Vizioni Urban për Manifesta 14 Prishtina”, është shpërblyer me Çmimin e Artë në Çmimet Gjermane për Dizajn 2024, shkruan KultPlus.

Këtë e njoftoi kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, i cili tha se përmes këtij çmimi tregohet edhe potenciali i madh i kryqytetit.

Postimi i plotë:

SUPER LAJM! 🤩

“Vizioni Urban për Manifesta 14 Prishtina”, është shpërblyer me Çmimin e Artë në Çmimet Gjermane për Dizajn 2024 🥇

Ky sukses tregon potencialin e madh të Prishtinës për të shkëlqyer në botë duke qenë nikoqire e Festivaleve të tilla 💙

Nëpërmjet përdorimit të metodave të “akupunkturës urbane”, ne përmes këtij festivali, kemi arritur të transformojmë hapësirat publike duke i kthyer gjallërinë dhe inkurajuar qytetarët të marrin pjesë e të ri-përvetësojnë ambientet urbane.

Faleminderit ekipit të Manifesta Biennale dhe CRA-Carlo Ratti Associati për punën e mrekullueshme në këtë edicion 🙏🏻“, shkruan Rama.

Manifesta është një ndër ngjarjet më të mëdha të artit në Evropë, derisa gjatë vitit 2022 është zhvilluar në Prishtinë. /KultPlus.com

Kryetari Rama pret ambasadorin e ri shqiptar: Dera e Kryeqytetit do të jetë gjithmonë e hapur

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama sot ka mirëpritur ambasadorin e ri të Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, shkruan KultPlus.

Në këtë takim është biseduar me entuziazëm, siç u shpreh kryetari Rama, për përafrimin edhe më të madh të qytetarëve dhe Kosovës dhe Shqipërisë.

“I lumtur që si kryetar i Kryeqytetit po mirëpres edhe një vëlla e mik tjetër të Prishtinës dhe Republikës së Kosovës.

Biseduam me entuziazëm për afrimin edhe më të madh të qyetarëve tanë dhe për lidhjen midis vendeve tona të cilat janë më të forta se ndonjëherë.

E sigurova Ambasadorin Malaj se dera e Kryeqytetit do të jetë gjithmonë e hapur”, u shpreh Rama në Facebook./KultPlus.com

Rama takohet me deputeten britanike Kearns: Dëshmoi përkrahjen e pakursyer për Kosovën

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, e ka takuar deputeten e Parlamentit Britanik, zonjën Alicia Kearns, shkruan KultPlus.

I pari i Prishtinës, thotë se virtytet që e lartësojnë njeriun më së shumti, në kohë të vështira, janë guximi dhe besnikëria ndaj së vërtetës.

“Në kohë të vështira, janë guximi dhe besnikëria ndaj së vërtetës virtytet që e lartësojnë njeriun. Zonja Kearns i dëshmoi këto me përkrahjen e pakursyer për të vërtetën e Kosovës”, ka shkruar Rama në Facebook.

Kryetarja e Komitetit për Çështjet e Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve të Britanisë së Madhe, Alicia Kearns, e ka mbrojtur Kosovën nëpër shumë prej statuseve dhe paraqitjeve të saj që ka pasur së fundmi. /KultPlus.com

Rama: 10 mijë udhëtarë më shumë po përdorin Trafikun Urban pas vendimit për biletat ditore

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka dhënë sot një super lajm, duke bërë të ditur se 10.000 udhëtarë më shumë po përdorin autobusët e “Trafiku Urban”, si rezultat i vendimit të marrë në muajin janar të këtij viti për përdorimin e biletës ditore.

Kryetari Rama gjithashtu ka njoftuar se shumë shpejt flotës së Trafikut Urban do t’i shtohen edhe 30 autobusë të rinj, 6 prej të cilëve do të jenë elektrik dhe sipas tij kjo do të përmirësojë tutje shërbimet e ofruara për qytetarët. / KultPlus.com

Pesë shkolla të reja pritet t’i shtohen kryeqytetit

Komuna e Prishtinës, së bashku me IFC – International Finance Corporation nënshkruam marrëveshjen për nisjen e ndërtimit të pesë shkollave të reja për fëmijët tanë drejt një arsimi më cilësor.

Këto 5 shkolla të reja do të ndërtohen në: Arbëri, Mati 1, Veternik, Kalabri, Qendër

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama është shprehur gjithashtu se brenda periudhës 2 vjeçare bashkë me IFC do të ndërtojnë gjithsej tetë shkolla duke përfshirë arsim cilësor, kushte më të mira për arsimtarë dhe nxënës, më pak trafik dhe më shumë punësim.

Shkollat e reja pritet të jenë model sa i përket cilësisë dhe standardeve të ndërtimit. / KultPlus.com

Përparim Rama e nderon Dritan Abazoviç me “Çelësin e Kryeqytetit”

“Mirësevjen në Kryeqytet, Kryeministër”, shprehet kryetari i Prishtinës, Përparim Rama përderisa ka pritur sot në Komunën e Prishtinës, kryeministrin e Malit të Zi, Dritan Abazoviç.

Në këtë takim të ngrohtë, i pari i kryeqytetit e ka nderuar edhe me “Çelësin e Kryeqytetit” kryeministrin malazez.

Rama gjatë kësaj pritje është shprehur se Abazoviç është në shtëpinë e tij dhe është i mirëseardhur kurdo.

“Kjo është shtëpia juaj, jeni të mirëseardhur kurdo herë, shpresoj se ky çelës tash të ndërlidhë shtetet tona edhe më shumë Kosovës së bashku me Malin e Zi dhe personalisht për juve që ta ndieni vetën në shtëpinë e juaj në Prishtinë, në Kosovë”.

Ndërsa, kryeministri Abazoviç është shprehur se me këtë pritje dhe nderim që u bë, patjetër që ndihet si në shtëpinë e tij.

“Gëzohem personalisht që në një mënyrë simbolike bëhem qytetar i Prishtinës. Me të vërtetë e ndiej veten si në shtëpinë time dhe që në një mënyrë simbolike tashmë jam qytetar i Prishtinës”, tha ai. / KultPlus.com

Rikthimi magjepsës i Anila Aliut, premiera “Simfoni Epike” dhe ekselenca e Orkestrës Filarmonike të Kosovës në harmoni të përsosur mes veti

Uranik Emini

Në përkufizimin e saj, Orkestra përfaqëson një grup interpretuesish në instrumente të ndryshme muzikore, duke përfshirë veçanërisht instrumentet me tela të klasës së violës, klarinetat dhe flautat, kornetat dhe trombonat, daullet dhe cembalet, për të luajtur muzikë, si simfonitë, operat, muzika popullore ose kompozime të tjera. E veçanta e Orkestrës Filarmonike të Kosovës është pjesa ku ata veprojnë dhe luajnë sikur të jenë një. Aftësia më e madhe që tregon edhe madhështinë që ata posedojnë, përfshin kapacitetin e tyre për të tingëlluar si një entitet koheziv, që të gjithë luajnë të njëjtin stil për të prodhuar tinguj unikë dhe kësisoj shtojnë edhe më shumë entuziazmin e publikut, shkruan KultPlus.

Mbrëmja e së dielës për shumë qytetarë ishte e rezervuar për Orkestrën e Filarmonisë së Kosovës, e cila koncertin e saj e filloi nga ora 20:00, në Sallën e Kuqe të Pallatit Rinisë. Nën drejtimin e maestro Gridi Kraja, koncerti u hap me uverturën “Coriolan” të Ludwig van Beethoven për të vazhduar me “Koncertin në G major” të Maurice Ravel të interpretuar nga pianistja e re por e shquar kosovare Anila Aliu e cila u rikthye në një koncert me Filarmonia e Kosovës pas 10 vitesh. Ajo debutoi me Filarmoninë kur ishte vetëm 12 vjeçe, si fituese e çmimit “Pianistja e re”.

Pjesa e dytë e koncertit ishte e rezervuar për premierën botërore të “Simfoni Epike” nga Fatos Qerimaj me tekst të Robert Wilton dhe me soliste mexosopranon Diellza Sylejmani.

Në një intervistë për KultPlus, Anila Aliu është shprehur e lumtur për rikthimin e saj në Filarmoninë e Kosovës.

“Sonte ka qenë një koncert i mrekullueshëm, kam pasur nderin dhe kënaqësin që të performoj me Orkestrën e Filharmonisë së Kosovës pas 10 viteve. Gjithmonë është një nder i veçantë që të performosh në skenën kosovare përpara një publiku kaq entuziast, para shumë profesorëve të mi, para familjarëve dhe dashamirëve të artit”.

Kushtet e krijuara nga vështirësitë nuk e “thyejnë” Filarmoninë e Kosovës

Anila Aliu ka marrë pjesë në festivale të ndryshme nëpër botë, duke udhëtuar kështu në vende të ndryshme. Ajo beson se përkundër faktit se Kosova dhe kushtet e saj në këtë fushë nuk janë aspak në të njëjtin nivel me shtetet e tjera, megjithatë punohet shumë për të arritur rezultate.

“Këtë koncert do ta mbaj në mend gjithmonë, edhe pse kushtet të cilat i kemi këtu nuk janë aspak në nivel me ato të koncerteve ndërkombëtare. Përkundër kësaj, vlen të përmendet fakti që edhe pse në kushte të vështira, muzicientët këtu punojnë shumë edhe jemi munduar që të japim maksimumin dhe të shijojmë këtë mbrëmje, po besoj që edhe për publikun ka qenë një koncert fantastik në bazë të duartrokitjeve dhe entuziazmin që shfaqën. Të performosh para publikut tënd është një përgjegjësi më e madhe, më sfiduese sigurisht, mirëpo natyrisht që performimi përpara njerëzve të tu është diçka që nuk përshkruhet me fjalë”, përfundon ajo.

Nga ana tjetër, Fatos Qerimaj shpjegon për KultPlus se si erdhi te momenti për të shkruar veprën që pati premierën botërore këtë natë, “Simfonia Epike”, me tekst të Robert Wilton.

“Unë shkëputa një fragment nga Edit Dura që thotë The Land of The Living Past, e kjo më bëri që të shkruaj këtë simfoni në kohën e pandemisë, duke përfshirë konceptin epik dhe lirik të natyrës shqiptare, konkretisht atë të veriut. Kjo ishte edhe arsyeja që vendosa ta realizoj këtë vepër premierë në Prishtinë, duke pasur parasysh epizmin dhe lirikën e trevës përkatëse”.

Energji e pashtershme për të prodhuar magji pranë publikut

“Ajo që unë mora sot nga orkestra e Filharmonisë së Kosovës ishte një energji teper pozitive, e cila shpalosi me të vërtet një krenari orkestrale që është brenda veprës, për të treguar trashëgiminë dhe të ardhmen”, shpjegon kompozitori Qerimaj.

Dirigjenti Gridi Kraja pohon se bashkëpunimet me Filarmoninë e Kosovës janë të shpeshta, ndërsa e vlerëson shumë performancën nga kjo këta të fundit dhe veçanërisht nga pianistja Anila Aliu.

“Ky ishte një koncert i veçantë do të thosha, sepse në këtë koncert luhej një vepër krejtësisht premierë. “Simfonia Alpine” e Fatos Qerimaj, e bazuar në motive veriore të Shqipërisë. Simfoni shumë e veçantë e fuqishme dhe me mesazh e të gjitha. Një performancë shumë, shumë e mirë edhe nga Anila Aliu. Një koncert që është shumë sfidues për orkestrën, por mund të themi se u arrit shumë mirë. Solistja bëri një lojë shumë të mirë dhe gjithashtu edhe uvertura e njohur “Coriolan” nga L. V. Beethoven. Jam shumë i kënaqur me koncertin, gjithmonë mbetem i kënaqur me orkestrën, me të cilët kemi një bashkëpunim gjithmonë, janë kolegët e miqtë e mi”, shprehet Kraja.

Edhe solistja mekso-soprano, Diellza Sylejmani, tregon për KultPlus se përkundër vështirësive të shumta në mungesë të kushteve, sidomos mungesës së sallës adekuate, në Kosovë ka artistë të jashtëzakonshëm.

“Për mua ishte një nder së pari dhe sigurisht edhe një kënaqësi të isha pjesë e veprës premierë të Fatos Qerimajt. Kjo vepër është shkruar nga kompozitori në periudhën e pandemisë dhe për të e ka pasur një domethënie të veçantë. Pjesa ku unë këndoj fillon e këndohet për tokën, për malet, për shqiponjat, të cilat e karakterizojnë Shqipërinë. Paraqitja mund ta keni parë edhe vetë që ishim shumë afër me publikun, saqë e kisha ndjenjën që po i këndoj te veshi i dikujt. Në Kosovë ka artista, këngëtarë e instrumentista shumë të mirë që nuk po mund ta shprehin veten e tyre më së miri si shkak i mungesës së një salle adekuate”, thotë Sylejmani.

Ndërkaq, kryetari i Prishtinës, në një prononcim për KultPlus, bën të ditur se janë duke u planifikuar disa hapësira të mirëfillta për Filarmoninë e Kosovës.

“Orkestra e Filharmonisë së Kosovë janë të mrekullueshëm, jam pothuajse në çdo koncert të tyre. Jemi duke punuar shumë që të krijojmë hapësira të mirëfillta për ta. Në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës jemi duke punuar për të transformuar hapësira që të krijojmë mundësi të performancës së Filharmonisë së Kosovës. Edhe Salla e Kuqe është e vjetërsuar, por edhe tani e kemi një projekt për të rigjeneruar këtë hapësirë, por përkundër kësaj orkestra ishte e mrekullueshme, sigurisht edhe pianistja Anila Aliu”, thotë Rama.

Ai shton gjithashtu se ndërtesa e Operës dhe Baletit do të duhen 2 ose 3 vjet që të jetë gati, ndërsa deri atëherë plani është që godina e Gërmisë të shndërrohet në Galeri dhe Sallë Koncertesh.

“Fillimisht është dalë konkursi ndërkombëtar, që do të aplikojnë për të dizajnuar objektin e Operas dhe Baletit, pasi kjo të përfundojë pastaj vazhdohet me dizajnimin e kësaj ndërtese, e më pas sigurisht edhe ndërtimi i saj. Mesiguri do të kalojnë 2 ose 3 vite që kjo ndërtesë të përfundojë. Mirëpo, përkundër kësaj po them se kemi paralelisht edhe iniciativa tjera, ku ndërtesa e Gërmisë do të transformohet në Galerinë e Qytetit si dhe një Sallë Koncertale, së bashku me Bashkimin Evropian. Proceset byrokratike sigurisht që janë me shpejtësi më të vogël sesa ne kemi dëshirë, por jemi duke punuar që t’i shtyjmë përpara sa më shpejt”, përfundon Rama.

Filharmonia e Kosovës aktivitetin e muajit nëntor do ta përmbyll me koncertin “Dua më shumë Shqipërinë” duke iu bashkuar Orkestrës dhe Korit të Teatrit Kombëtar të Operës në Tiranë më 26 nëntor në sheshin “Skënderbej” në koncerti i cili organizohet në shënim të 110 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. /KultPlus.com

Rama fton qytetarët që të pastrojnë liqenin e Badovcit

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka ftuar qytetarët që në mënyrë vullnetare të bashkohen më 16 shtator në pastrimin e liqenit të Badovcit, shkruan KultPlus.

Përmes një postimi në “Facebook”, Rama ka thënë se transporti, ushqimi, qeset e mbeturinave, dorezat, bluzat dhe të gjitha gjërat e nevojshme do të ofrohen nga organizatorët.

Postimi i plotë:

“Bashkë për liqene më të pastërta! 🍀 Ftohen vullnetarët që me 16 shtator, t’i bashkohen aktivitetit për pastrimin e liqenit të Badovcit. Transporti, ushqimi, qeset e mbeturinave, dorezat, bluzat dhe të gjitha gjërat e nevojshme do të ofrohen nga organizatorët. ⏰Afati për regjistrim është deri më 7 shtator. Faleminderit GIZ Kosovo, Zyra e BE-së në Kosovë dhe Association for Environmental Protection and Clean-up of Kosova – Pamkospër këtë iniciativë shumë të qëlluar 🙏🏼”, thuhet në postimin e tij. /KultPlus.com

Rama: Nuk u abuzua vetëm një fëmijë, u turpëruam të gjithë ne si shoqëri

Edhe Kryetari i Prishtinës, Përparim, ka reaguar për rastin e 5 personave, të cilët dyshohet se morën pjesë në dhunimin e një 11 vjeçareje në Prishtinë, ngjarje e cila ndodhi sot, shkruan KultPlus.

Rama thotë se ky rast i ka tronditur të gjithë, duke ftuar organet e rendit që të jenë sa më prezent në hapësirat publike dhe më vigjilent ndaj rasteve të tilla.

Postimi i plotë:

“Rasti i dhunimit të 11 vjeçares në Prishtinë, na ka tronditur të gjithëve.

Jam thellësisht i prekur nga kjo ngjarje dhe ftoj organet e rendit që të jenë sa më prezent në hapësirat publike dhe më vigjilent ndaj rasteve të tilla.

Ne duhet të bëjmë shumë më tepër për t’i dhënë fund këtyre abuzimeve të tmerrshme dhe mosndëshkimit që lejon që këto akte makabre të vazhdojnë të ndodhin.

Është koha që ne të gjithë: gra, burra, vajza, djem, dhe sidomos ne si përfaqësues kryesorë të institucioneve publike, të bashkëpunojmë që raste të tilla të mos ndodhin më.

Nuk u abuzua vetëm një fëmijë, u turpëruam të gjithë ne si shoqëri!

Prandaj, si Kryetar i Kryeqytetit, zotohem se do të punojmë për ndërtimin e mekanizmave që rrisin bashkëpunimin mes komunitetit dhe organeve të rendit, në mënyrë që bashkë t’i parandalojmë rastet e tilla dhe të ofrojmë mbështetje për të gjithë viktimat”, shkruan ai në “Facebook”. /KultPlus.com

“Më shumë se 5 yje”, Rama ndan median austriake dhe vlerësimin e saj për Manifesta Biennial

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama ka shpërndarë sot përmes rrjetit social “Facebook”, shkrimin e një gazete austriake rreth festivalit Manifesta Biennial që po mbahet në Prishtinë, shkruan KultPlus.

Në atë shkrim thuhej :

“Bienalja e 14-të Nomade Evropiane është Documenta më e mirë. Kjo, jo vetëm që bashkon artin e ri e më emocionues në rajon, por gjithashtu ju shpije nëpër një qytet dhe histori të panjohur per shumë kë. Kurse në vitin 2028 këtë tentojnë ta mbajnë në Kiev.

Yjet shkëlqejnë sërish në çatinë e Hotelit Grand në Prishtinë. Por, ka më shumë se pesë yje klasik që shkëlqenin mbi emrin e ndërtesës simpatike komuniste, të veshur me mermer që shëndritën deri në vitin 2010. Në duplifikimin e tyre kërcimtar, yjet tani tregojnë për një histori të trazuar.

Po aq të trazuar sa historia e këtij vendi të vogël, që përgjithësisht është parë si rajon konflikti – dhe që këtë vit është mikpritës i ngrohtë i Bienales nomade evropiane Manifesta.

Me edicionin e saj të 14-të, kjo e bën kryeqytetin kosovar më bashkëkohorë, e të qasshëm për turizmin kulturor se sa të egër. Edicioni na merr për dore me një plan të qartë.

Konceptualisht dhe artistikisht, Manifesta është bërë dukshëm “Documenta” më e mirë, ndaj nëse keni zgjedhje mes Kaselit dhe Prishtinës, ne ju rekomandojmë këtë të fundit.

Si t’i vësh veshin zemrave të kukullave gjigante shumëngjyrëshe të shtrira në qoshet e katit të fundit të Grand Hotelit. Në qilima mes krahëve dhe këmbëve të kukullave të mbushura e të hapura, si “Kokoschkam” me kukullën e tij Alma, por këto janë më pak të lehta për t’u klasifikuar këtu:

Dardan Zhegrova, i lindur në Prishtinë në 1991, jep poezi për takime, pabesi apo dëshirë romantike. Murmuritje nga brenda, ku pamja nga dritarja e shkretë e fotografive rrëshqet mbi një qytet që nuk e njeh ende më mirë, mbi një rrëmujë ndërtesash të zyreve gjysmë të larta, me tabela reklamuese Coca Cola, arkitekturë fantazie brutaliste por konkrete – si Biblioteka Kombëtare me kupolat e saj me çati të bardhë si balonat e çamçakëzit – dhe vilat me llaç e veranda prej druri.

Observatoriumi astronomik i Prishtinës i hapur për të gjithë qytetarët

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se observatoriumi astronomik për vrojtime qiellore po i rikthehet Prishtinës, shkruan KultPlus.

Përmes një postimi në llogarinë zyrtare në “Facebook”, Rama ka thënë se nga sot, në Pallatin e Rinisë, Observatoriumi astronomik i Prishtinës do të jetë i hapur për të gjithë qytetarët.

Postimi i plotë:

“Observatoriumi astronomik për vrojtime qiellore ,🔭 po i rikthehet Prishtinës. 😍🍀

Prej sot, në ❤️ të kryeqytetit, në Pallatin e Rinisë, Observatoriumi astronomik i Prishtinës do të jetë i hapur për gjithë qytetarët!

Astronomy Club of Kosova e sigurova se në rrugëtimin për ta rikthy këtë qendër në një hapësirë të këndshme për gjithë komunitetin, neve do të na ketë përkrah!”, thuhet në njoftim. /KultPlus.com

Anthony Robinson vjen në Prishtinë, Përparim Rama e shpall ‘Ambasador Kulturor’

Aktori, shkrimtari, prezantuesi dhe aktivisti politik, Anthony Robinson po qëndron këto ditë në Prishtinë.

Robinson u prit sot nga i pari i Prishtinës, Përparim Rama, i cili ia dhuroi atij figurën e Hyjneshës në Fron dhe e shpalli ‘Ambasador Kulturor’ të Prishtinës.

Në vijim gjeni postimin e plotë të tij:

Sir Anthony Robinson: një aktor, shkrimtar, prezentues e edhe aktivist politik! Patëm nderin ta kemi sot në Odën e Kryeqytetit.

Sir Robinson ka përzgjedhë Prishtinën tonë për projektin filmik të rradhës, e në shenjë mirënjohjeje, përveç se i dhuruam figurinën e Hyjneshës në Fron, e cila është simbol i qytetit tonë, Sir Robinsonin e shpallëm ‘Ambasador Kulturor’ të Kryeqytetit. ./ KultPlus.com

Kryetari Rama: Vitet e pasluftës po shtohen, sivjet u bënë 23, e nga 1641 të pagjeturit ende nuk ka asnjë gjurmë

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama në Ditën Kombëtare të të Pagjeturve, e cila përkon me datën e Masakrës së Mejës ka theksuar se vitet e pasluftës po shtohen e nga 1641 të pagjeturit ende nuk ka asnjë gjurmë.

“Më 27 prill 1999 forcat sërbe kryen në fshatin Mejë njërën nga masakrat më të tmerrshme ndaj civilëve shqiptarë. Në nderim të viktimave të kësaj ploje dhe të gjitha të tjerave të luftës, Kosova shpalli 27 prillin si Ditën e të Pagjeturve.

Vitet e pasluftës po shtohen, sivjet u bënë 23, e nga 1641 të pagjeturit ende nuk ka asnjë gjurmë.
Bashkëndjejmë me familjarët e me gjithë popullin, me shpresën se drejtësia do të vihet në vend për viktimat dhe gjithë të pagjeturit e Luftës në Kosovë”, ka shkruar Rama në rrjetet sociale. / KultPlus.com

Rama rrugëve me biçikletë: Prishtina po frymon

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama së bashku me stafin e komunës së Prishtinës dhe Marakli të Biçikletave, të dielën kanë dalë për të vozitur me biçikleta nëpër rrugët e kryeqytetit, shkruan KultPlus.

Këtë gjë e ka bërë të ditur vetë Rama përmes një postimi në llogarinë zyrtare në “Facebook”.

Ai shkroi se janë duke punuar për lirimin e trafikut në kryeqytet.

“Merre biçikletën e dil!’ E shijuam tej mase xhiron e sotme bashkë me Marakli t’Biçiklave rreth e qark Unazës. Jemi duke punuar fort për lirimin e trafikut në Kryeqytet, andaj i inkurajoj qytetarët të fillojnë të përdorin transportin alternativ  për të mirën e ambientit dhe shëndetit të të gjithëve. Prishtina po frymon!”, kishte shkruar Rama.

Ndryshe Komuna e Prishtinës mori vendim që të shtunën ta testojë shndërrimin e gjithë unazës qendrore të kryeqytetit në qarkore njëkahëshe për automjetet, madje kjo gjë vazhdoi edhe gjatë ditës së diele. /KultPlus.com

Kryetari Rama: Kemi filluar procedurat për ndërtimin e strehimores për qentë

Sot gjatë ditës janë publikuar pamje kur disa qenë në kryeqytet kanë sulmuar një grua e cila është rrëzuar derisa ka tentuar të mbrohet. Derisa nuk dihen pasojat, nëse gruaja është kafshuar nga qentë, ka reaguar kryetari i Komunës së Prishtinës Përparim Rama.

Kryetari Rama ka thënë se me shqetësim i ka para pamjet duke e quajtur problemin e qenëve kompleks.

“Me shqetësim pashë sot pamjet, ku një qytetare e Prishtinës sulmohet nga qentë endacakë! Ne jemi të vetëdijshëm për problemin shumë kompleks që kemi para vetes dhe në këtë drejtim kemi ndërmarrë disa veprime, si trajtimi i qenve endacakë përmes procesit KSVL (Kap, Sterilizo, Vaksino, Lësho) dhe hapjes së 18 pikave të reja ushqyese” ka thënë ai.

Ai ka folur edhe për veprime tjera që janë ndërmarrë.

“Gjithashtu, po punojmë dhe kemi filluar procedurat për ndërtimin e strehimores për qentë. Por, kjo nuk mjafton për të eliminuar në tërësi këtë​ problem” ka thënë i pari i Prishtinës.

Rama ka kërkuar edhe bashkëpunimin e Komunave tjera dhe Qeverisë.

“Ky problem kompleks nuk mund të zgjidhet vetëm nga Komuna e Prishtinës, andaj kërkojmë bashkëpunim dhe bashkërendim të veprimeve edhe me Qeverinë e Kosovës dhe Komunat e tjera”. / KultPlus.com

Historia e veçantë e gazetarit britanik, Rama i dhuron simbolin e Prishtinës, së shpejti do të shpallet edhe qytetar nderi

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i ka dhënë figurën e Hyneshës në Fron, gazetarit Vaughan Smith, në shenjë falënderimi për raportimin e këtij të fundit gjatë luftës në Prekaz, shkruan KultPlus.

Falënderimi erdhi në rastin kur shënohet Epopeja e UÇK-së, derisa Rama njoftoi se me rastin e 11 qershorit për ditën e çlirimit të qytetit, Smith do të shpallet Qytetar Nderi i Prishtinës.

“Vaughan vetë u vu në sprovë prej vdekjes. Snajperisti sërb e shënjestroi, dhe plumbi e goditi Vaughan-in. Por, në zallamahinë e përgjithshme dhe në përqendrimin për t’u tërheqë i sigurt drejt veturës së ndodhur me kilometra larg, Vaughan as nuk e kuptoi se ishte goditë. E mori vesh veç kur u kthye në veturë dhe nxori nga çanta e lidhur rreth brezit shaminë ku kish mbështjellë pakon e cigareve, një tufë prej 3 mijë markash gjermane dhe telefonin mobil me të cilin donte me i telefonu gruas. Telefoni ishte kthy në një deng copash metali, e plumbi kish mbetë i ngulitur në baterinë e tij. Markat gjermane e kishin të gjitha nga një vrimë të rrumbullakët mespërmes. Kur Vaughan çoi këmishën, pa një mavijosje të madhe në bark, por asgjë më shumë. Të mos e kishte çantën rreth brezit, plumbin do ta kishte në bark.”, shkroi Rama.

I pari i Prishtinës përgëzoi Smithin për punën gjatë luftës, ku tha se asnjë kameraman tjetër, nuk ia doli të vijë aq afër sa bëri britaniku autoblindave të Serbisë gjatë aktiti të rrënimit të shtëpive.

“Si videogazetar i pavarur, Vaughan ka fitu – individualisht dhe si pjesëtar i ekipeve – 28 çmime lajmesh. Shumicën e këtyre i ka për filmin “Lugina”, në të cilin portreton luftën në Kosovë, e i cili mbetet njëri nga dokumentarët më të vlerësuar që të jetë shfaqë në televizionet britanike. Në vitin 2010, kur unë po punoja në projekt-propozimin për konservimin e shtëpive-muze të familjes Jashari, Vaughan më dha shumë bujarisht të drejta të plota me i përdorë filmimet e tij”, u tha mes tjerash në postimin e Ramës.

Më 11 qershor, Smith do ta vizitojë Kosovën përsëri, me ç ‘ rast do të shpallet edhe qytetar nderi. /KultPlus.com

Rama pret Lahajn në Komunë: Ishte një takim fantastik

Takimet mes kryetarëve të komunave dhe komunitetit artistik janë bërë diçka e zakonshme në Kosovë, shkruan KultPlus.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka pritur sot në komunë në një takim artistin Ramë Lahaj.

Rama ndau edhe detaje nga ky takim fantastik siç e quajti ai, duke treguar dakordimin që arritën.

“U dakorduam për rëndësinë e krijimit të infrastrukturës mëse të nevojshme për komunitetin artistik”, shkroi i pari i Prishtinës në “Facebook”.

Tenori Ramë Lahaj mbajti një koncert të madh në sheshin “Skënderbeu” gjatë vitit të kaluar në Prishtinë. /KultPlus.com