Revista e famshme amerikane, Time, ka vendosur që aktivisten e re nga Suedia, Greta Thunberg, ta zgjedhë si “Personin e Vitit 2019”.
“Ajo i simbolizon agoninë, frustrimin, dëshpërimin, zemërimin dhe, deri diku, shpresën e shumë të rinjve, të cilët ende nuk do ta kenë arritur moshën për të pasur të drejtë vote kur e ardhmja e tyre të jetë shkatërruar”, shkruan kjo revistë.
Momenti i saj vjen në kohën kur realiteti urgjent shkencor përplaset me paqartësitë politike globale. Secilin vit, ne hedhim më shumë karbon në atmosferë, planeti ynë i afrohet pikës pa kthim, kur jeta në tokë do të ndërrojë një herë e përgjithmonë.
Shkencërisht, planeti nuk mund ta përballojë një hap tjetër prapa. Politikisht, kjo mund të jetë mundësia jonë më e mirë për ta bërë ndryshimin e madh para se të jetë shumë vonë.
Greta ndoshta është 1.5 metra e gjatë dhe mund të duket edhe më e vogël kur e vesh xhaketën e madhe kundër shiut. Fundi i nëntorit nuk është koha më e mirë për ta kaluar Oqeanin Atlantik. Uji është i trazuar, erërat janë të forta dhe ajo e ka një barkë të vogël.
Megjithatë, Greta, në mënyrën e saj të qetë, ishte e patrembur. Ajo i kaloi shumicën e pasditeve të gjata brenda kabinës.
Ajo u është qasur problemeve të botës me peshën e një personi të rritur, por ende është fëmijë. Asaj i pëlqejnë kuajt dhe i mungojnë dy qentë që i ka lënë në Suedi, Moses dhe Roxy.
Në gusht të vitit 2018, ajo filloi të dilte para kuvendit suedez për të protestuar. Në ditën e parë ishte e vetme. Në ditën e dytë iu bashkua një person i panjohur. “Ky ishte një hap i madh, nga një në dy”, thotë ajo.
Në shtator të këtij viti, protestat për mbrojtjen e klimës u përhapën përtej kufijve të vendit të saj. Në Nju Jork protestuan 250 mijë persona, në Londër 100 mijë, ndërsa në tërë Gjermaninë rreth 1.4 milion, shkruan “Time”, transmeton Gazeta Express. / KultPlus.com