“Përkrahësit e Retko Mlladiqit të shpallen “persona non grata”, është kërkesa e Qendrës Gjenocidi në Kosovë Plagë e Hapur. Këtë kërkesë për përkrahësit e ish-shefit ushtarak serb, Ratko Mlladiq të cilit iu konfirmua dënimi me burg të përjetshëm për gjenocidin e kryer në Srebrenicë dhe mizoritë gjatë luftës së Bosnjës më 1992-1995, ata e kanë drejtuar tek Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) dhe Bashkimi Evropian (BE), përcjellë KultPlus.
“Aleksandar Vuçiq, Ivica Daçiq, Aleksandar Vulin, Millorad Dodik, Ana Bërnabiq dhe shumë përfaqësues të institucioneve shtetërore dhe politike serbe dhe të atyre në Republikën Serbska në Bosnje, janë mentorët dhe pasuesit ideologjik të Ratko Mlladiqit”, thuhet në komunikatë.
Tutje, nga kjo qendër thuhet se dënimi me burg të përjetshëm i Mlladiqit është i vonuar por megjithatë simbolizon mesazh të qartë se gjenocidi është krim që nuk vjetërsohet.
“Megjithëse i vonuar, dënimi me burg të përjetshëm i Ratko Mlladiqit simbolizon mesazh të qartë se gjenocidi është krim që nuk vjetërsohet. Mirëpo dënimet e kësaj natyre kanë për funksion edhe parandalimin e përsëritjes së krimeve të tilla.
Fatkeqësisht reagimet e bartësve të institucioneve në Serbi dhe në Republikën Serbska, që ishte produkt i këtij gjenocidi, dëshmojnë të kundërtën. Aleksandar Vuçiq, Ivica Daçiq, Aleksandar Vulin, Millorad Dodik, Ana Bërnabiq dhe shumë përfaqësues të institucioneve shtetërore dhe politike serbe vazhdojnë të mohojnë gjenocidin dhe të madhërojnë kriminelin Ratko Mlladiq.”
Krejt në fund, ata thonë se tashmë është moment tejet i rëndësishëm që SHBA dhe BE të shpall “persona non grata” të gjithë mohuesit e gjenocidit.
“Është moment tejet i rëndësishëm që SHBA-të dhe BE-ja të shpallë “persona non grata” të gjithë mentorët, pasuesit ideologjik dhe mohuesit e gjenocidit, sepse heshtja e vendeve demokratike përballë kësaj arrogance që del në përkrahje të krimeve të kryera mund t’i inkurajojë që të përsërisin krimet”, thuhet në komunikatë. / KultPlus.com
Ka qenë qershori i vitit 2000 kur Umberto Eco erdhi i ftuar për një kurs leksionesh mbi semiotikën, në Institutin e Kulturave Europiane të Moskës, ku studioja edhe unë asokohe – i vetmi student shqiptar aty.
Në fund të javës qenë vënë afishet në të gjitha ambientet e Universitetit të Shkencave Humanitare se të shtunën, mjeshtri i madh, shkencëtari i famshëm dhe prozatori lavdishëm i postmodernizmit do të jepte një konferencë shtypi.
Në mbarë botën letrare, universitare e shkencore të Moskës ky ishte një “peshk i madh” për kureshtjen e elitës, duke pasë parasysh dhe faktin që Umberto Eco ishte gjerësisht i njohur dhe i lexuar në Rusi.
E shtuna e shumëpritur erdhi. Në orën 11.30, salla e madhe e konferencave të Universitetit qe mbushur cit dhe rrëketë e njerëzisë që mësynin dyert e sallës u mpiksën aq keq, sa mbetën të ngrira e të palëvizshme, pa asnjë mundësi tjetër për qenë të pranishëm brenda, andaj u sajua një lidhje me qendër zëri, që ta ndiqnin bisedën nga ambientet e jashtme, pa e prekur, ajme, me sy, aurën e gjallë të idhullit të tyre.
Dikur, me vështirësi të mëdha, i rrethuar nga një gardh profesorësh rusë dhe amazonkash që ngjanin më shumë me gardianë, ia behu edhe Eco. Për një kohë të gjatë i buzëqeshi vesh me vesh sallës në delir dhe ovacione, mandej zuri vend në qendër të një tavoline të gjatë, të mbushur me një radhë mikrofonash dhe vazo të mëdha lulesh. Ishte një zagushi e madhe, djersë e ufëm, por edhe qafa të tendosura që zgjateshin të shihnin fytyrën më të zgjuar mjekëroshe të planetit, që thuajse kishte humbur pas shkurreve të lulëzuara në tavolinë. Dukej e zhdukej vetëm vizllimi i reflekseve prej syzeve të tij tek shpërndanin mendjemprehtësi dhe inteligjencë spekulative, çka u sillte adhuruesve mahni, respekt e përulje.
Dikur edhe Eco u këshillua me dy përkthyeset amazona, të cilat nxituan të zhdavarisnin retë e dendura të luleve. Kësodore u shpalua i qartë torsi simpatik i njeriut të madh. Dhe mjeshtri foli. Në sallë ra heshtja përdëllyese. Isha në radhët e para dhe e ndiqja pa vështirësi ligjërimin e tij gjithë batuta të kripura mbi formalizmin rus, strukturalizmin dhe semiotikën, ndërsa në ije ndjeja herë pas here goditjen e lehtë me bërryl të poetit Danjilla Davidov, krejt të përpirë nga adhurimi (një ditë më pas ai më dha dhe një poezi të shkruar posaçëm me atë rast).
Por nuk dua të ndalem në aftësitë oratorike të mjeshtrit të madh. Ai i hipnotizoi dëgjuesit me erudicion, gjetje origjinale plot xixëllima mençurie e sidomos humor të zgjuar paradoksal. Më intereson të kujtoj pjesën e nxehtë të përgjigjeve të tij për pyetjet e panumërta që i bëheshin nga salla. Ja, në njërën prej pyetjeve do të ndalem dhe për faktin se atë pyetje e formuloi miku im poet, Danjilla Davidovi, që siç e kemi thënë, e kisha përbri:Mjeshtër, siç është gjerësisht e njohur, ju jeni një ndër personalitetet më ndikuese të inteligjencies europiane që, personalisht, i përmbaheni pikëpamjeve politike të majta. A ju ka ndodhur mjeshtër, që pikërisht për shkak të këtyre bindjeve ose frymës së këtyre bindjeve, të jeni ndjerë i padëshirueshëm në ndonjë ambient, lëvizje intelektuale në Itali, apo kund tjetër gjetkë? Pasoi një heshtje gjersa njëra prej amazonave përkthyese ia përcolli pyetjen të plotë rrëzë veshit, ndërkaq që Eco, me kokë të anuar, nuk ia ndante sytë atij që kishte bërë pyetjen, teksa tundte ritmikisht kokën e anuar. Mori drejtqendrimin dhe shpalli:
Faleminderit për këtë pyetje kaq interesante… a e dini çfarë, zotëri simpatik? Jo… jo, më falni më parë t’ju pyes: ju vetë, çfarë pikëpamjesh ndani?… nëse, sigurisht, nuk përbën ndonjë sekret…
Politike? – kërkoi të sqarohej miku im.
O, sigurisht… për atë po flasim…
E qartë. Ju siguroj, i nderuar mjeshtër, asnjë sekret s’ka dhe, nëse më lejoni, bindjet e mia të deritashme janë të djathta, e… në pastë gjë tjetër të rëndësishme, është fakti se këto pikëpamje, po të shprehemi figurativisht, i kam farkëtuar vetë në kudhrën e realitetit tonë.
Ju kuptova dhe, as që e vë në dyshim përgjegjësinë e kërkimit tuaj intelektual, që ju ka sjellë, me ndërgjegje të lirë, në pikëpamjet tuaja të djathta. Por që të mos i shmangemi pyetjes suaj në fillim, po ju rrëfej një rast të dhunshëm arrogance politike që më ka ngjarë në Shqipëri. Përveç habisë sime, ndjeva edhe bërrylin e fortë të Davidovit në ije.
Ka ngjarë kështu, – vazhdoi rrëfimin Umberto Eco. – Në pranverën e vitit 1993, përkthyesja ime dhe një grup intelektualësh shqiptarë më ftuan në Tiranë me rastin e promovimit të romanit tim “Emri i trëndafilit”. Por sa zbrita në Durrës, pushteti i atëhershëm i djathtë, i Partisë Demokratike shqiptare, më ndaloi dhe më ktheu mbrapsht si “persona non grata” për shkak të bindjeve të mia të majta, pa arritur të kontaktoj dot me grupin e intelektualëve shqiptarë që, sipas fjalës, kishin dalë të më prisnin. Ndërsa kishte ndërhyrë pyetja tjetër, ashtu i turbulluar nga ky informacion negativ, u rreka të kthjellohem në disa mospërputhje dhe, sapo mbaroi përgjigjen, unë tashmë e kisha ngritur dorën, derisa m’u dha fjala.
I nderuar mjeshtër, a jeni i sigurtë se ky incident i papëlqyeshëm me Shqipërinë ju ka ndodhur në pranverën e vitit 1993?
Po, po, për këtë ju siguroj… është një fakt i veçantë që nuk mund ta ngatërroj lehtë.
Atëherë, mjeshtër, kam përshtypjen se logjika juaj ka një plasaritje të fortë dhe nuk përputhet me faktet…
Continua a raccontare, prego…
Sepse, mjeshtër, në vitin 1993, me sa di unë, ju keni botuar në Shqipëri vetëm një ese me titull “Tregtarët e apokalipsit”, në gazetën “Zëri i Rinisë”. Umberto Eco ngriti të dyja duart lart në shenjë të thellë habie dhe, më shumë se mua, iu drejtua publikut:
Si duket, po përballemi me një rekord të skrupulozitetit bibliografik! – tha dhe shtriu dorën me xhentilesë drejt meje, për të më lënë të vazhdoja.
Jo, i nderuar mjeshtër, është një nder që s’e kam merituar ndonjëherë… thjesht këtu jam një student shqiptar dhe, asokohe, në vjeshtë 1993 kur është botuar eseja juaj, kam qenë redaktor i kësaj gazete. Ndërsa promovimi i romanit tuaj, për të cilin thatë se ju ftuan më 1993, nuk mund të ndodhte para se të përkthehej. Dhe siç e dimë mirë të dy, “Emri i trëndafilit” është botuar më 1998; atëherë pra, kishte vend t’ju ftonin në promovimin e tij, nëse një ftesë e tillë ju është bërë… Mirëpo, edhe sikur t’jua kishin bërë një ftesë të tillë në Shqipëri (dhe kjo do të kishte vend vetëm në vitin 1998, jo më parë), prapë na del një mospërputhje e madhe, tashmë e një natyre thelbësore: atëherë në pushtet nuk ka qenë e djathta, që t’ju kthente mbrapsht si “persona non grata”, për shkak të bindjeve tuaja të majta. Përkundrazi, që nga viti 1997 e deri tani që po flasim, Shqipërinë e qeveris pushteti i së majtës. Ata duhet t’ju kishin dëbuar për shkaqe bindjesh të majta. Po përse ta bënin këtë? Për shkak të bindjeve tuaja të majta? Ky do të ishte një oksimoron! Prandaj ju thashë se logjika juaj bart një plasaritje të thellë, trashësia e së cilës shkon plot pesë vjet distancë. Me çfarë logjike ta mbushim këtë thellomë, i dashur mjeshtër? Gjatë gjithë asaj kohe kishte zotëruar një bunacë heshtjeje, por me të mbaruar pyetjen, salla u përmbyt nga mërmërima të sikletshme pakënaqësie, që për mua kishin një domethënie të padyshimtë: “Ja tani dhe ky shqiptar mistrec vjen e na prish festën!”.
Epo, si duket, të nderuar kolegë, – iu drejtua Eco, tashmë sallës, jo me mua, – qenka dashur të udhëtoj gjer në Moskë për të dyshuar në besnikërinë e kujtesës sime… eh… njëherë tjetër do t’i jap një përgjigje më të përpiktë kolegut tuaj shqiptar… pa harruar ta falendoroj për një të dhënë me interes të madh për mua, si botimin tim të parë në Shqipëri të esesë “Tregtarët e apokalipsit”… – deshi ta mbyllte situatën diskomforte, por ndërkohë ishte ngritur në këmbë Danjilla Davidovi:
Mos ndoshta mjeshtri i madh e ngatërron përvojën nga Shqipëria me ndonjë vend tjetër?
Ndoshta, ndoshta… nuk e përjashtoj edhe këtë mundësi…
Ju lutem shumë, – gjëmoi pizgë një zë nervoz prej femre, – ju vajzave moderatore! Mos e drejtoni diskursin në qorrsokaqe të tilla dhe… më falni… në çështje pa pikë interesi për ne… Sepse, më falni, mjeshtrin nuk e kemi ftuar t’i japë hesap kujt! Pas apelit të saj, salla u shkund dhe dialogu me Eco-n rinisi, i ngrohtë, i gjallë, hokatar, me pyetje të rafinuara për çështje të mëdha e, natyrisht, me përgjigje të zgjuara që i shkojnë për shtat klasit të tij.
(Nga “Thembra e Akcilit”, MB, 2014) / KultPlus.com