Nagavci e shqetësuar për rastet e plagjiaturës nga ana e personelit akademik të UP-së

Ministrja e Arsimi, Shkencës dhe Teknologjisë, Arbëria Nagavci ka shprehur sot shqetësimin e saj pasi ka pranuar njoftime për verifikim të rasteve të plagjiaturës nga ana e personelit akademik të Universitetit të Prishtinës, shkruan KultPlus.

Sipas Nagavcit, plagjiatura konsiderohet si forma më e rëndë e shkeljes së etikës akademike dhe se trajtimi i denoncimeve për plagjiaturë nga organet përkatëse të institucioneve akademike është sfidues, andaj ka kërkuar që këto raste të merren në shqyrtim nga Këshilli i Etikës së UP-së.

Ky është reagimi i plotë i Nagavcit:

Ndonëse plagjiatura konsiderohet si forma më e rëndë e shkeljes së etikës akademike, jam e vetëdijshme se trajtimi i denoncimeve për plagjiaturë nga organet përkatëse të institucioneve akademike është sfidues.

Mirëpres shqyrtimin e rasteve nga Këshilli i Etikës të UP, por konsideroj se masat e shqiptuara të pezullimit nga mentorimi i punimeve të diplomës nuk janë adekuate, sepse nuk shpërfaqin gjykimin shoqëror në raport me praktikat e tilla brenda komunitetit akademik dhe nuk i dekurajojnë ato.

Andaj pres nga organet përgjegjëse të Universitetit që t’i rishikojnë masat e shqiptuara nga Këshilli i Etikës, duke siguruar respektimin e standardeve të ndershmërisë akademike brenda institucionit.

Si Ministre e Arsimit do t’i drejtohem Këshillit Drejtues të UP-së me kërkesë që të gjitha organet e universitetit t’i trajtojnë me seriozitet këto dhe rastet e ngjajshme.

Me Projektligjin e ri për arsimin e lartë, i cili së shpejti do të jetë në diskutim publik kemi paraparë masa të veçanta për parandalimin e të gjitha formave të cenimit të integritetit akademik, përmes formimit të Komitetit Etik në nivelin qendror, si dhe obligimit që të gjitha institucionet e arsimit të lartë të kenë këshilla të etikës.

Po ashtu, Projektligji parasheh një afat të arsyeshëm brenda të cilit i gjithë personeli akademik duhet të jetë në gjendje t’i arsyetojë thirrjet akademike, në pajtim me standardet e përcaktuara me ligj.

Gjendjen në Universitetin e Prishtinës nuk e kemi të mirë dhe kjo është evidentuar së fundmi edhe në ranglistën prestigjioze “Webometrics”, sipas të cilës vazhdon rënia e UP-së në rangim. Kjo është e papranueshme dhe s’mund të vazhdojë. Urgjentisht duhet të bëjmë ndryshime që të përmirësojmë këtë gjendje.

Stafi akademik duhet të jenë persona me integritet e kredibilitet të lartë profesional e personal. Andaj dhe angazhimi ynë për të përmirësuar këtë gjendje do të jetë këmbëngulës e pa hezitim./ KultPlus.com