Malaj në ambasadën shqiptare pranon ngushëllime për Kadarenë: E ka bërë të njohur zërin shqiptar në mbarë botën

Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, ka thënë se vepra e Ismail Kadaresë ka ndriçuar kulturën dhe identitetin kombëtar, duke e bërë të njohur zërin shqiptar në mbarë botën, shkruan KultPlus.

Sot në Ambasadën e Shqipërisë në Kosovë, ambasadori Malaj ka pritur personalitete të shumta të cilët u nënshkruan në librin e ngushëllimeve, në shenjë nderimi dhe mirënjohjeje për veprën e shkrimtarit të njohur Ismail Kadare.

“Në nderim dhe mirënjohje për veprën madhështore të shkrimtarit Ismail Kadare, sot pritëm në ambientet e ambasadës në Prishtinë për të shprehur ngushëllimet e tyre në librin e ngushëllimeve shumë përfaqësues nga institucionet shtetërore të Kosovës, trupi diplomatik i akredituar në Kosovë, bashkëkombas shqiptar nga Kosova e trevat e tjera mbarëshqiptare.

Faleminderit miq e ju bashkëkombas!

Vepra e Ismail Kadarese ka ndriçuar kulturën dhe identitetin tonë kombëtar, duke e bërë të njohur zërin shqiptar në mbarë botën”, thuhet në shkrimin e ambasadorit Petrit Malaj në facebook.

“CNN” me kontribut për personalitetet që vdiqën nga koronavirusi

Në një artikull të fundit, “CNN” ka vendosur t’i nderojë disa prej personaliteteve publike, që kanë vdekur si pasojë e COVID-19.

Përmes një artikulli të postuar në uebfaqen e tyre zyrtare, “CNN” e ka nderuar jetën dhe karrierën e tyre, duke ia kujtuar fansave trashëgiminë që ata e kanë lënë pas.

Në listën e personaliteteve të cilët vdiqën gjatë këtij viti nga koronavirusi janë përfshirë: aktori Mark Blum, i cili vdiq në moshën 69-vjeçare, shefi i njohur i kuzhinës Floyd Cardoz, i cili ishte vetëm 59-vjeçar, dramaturgu Terrence McNally, që ishte 81-vjeçar, autorja 86-vjeçare, Patricia Bosworth, producenti muzikor Hal Willner, i cili vdiq në moshën 64-vjeçare, aktori Lee Fierro, 91-vjeçar, aktori Jay Benedict, i cili vdiq në moshën 68-vjeçare nga komplikimet e shkaktuara nga koronavirusi, ylli i muzikës jazz, Manu Dibango, vdiq në moshën 86-vjeçare, aktori dhe trajneri i dialektit 76-vjeçar, Andrew Jack dhe muzikantët, Ellis Marsalis, i cili vdiq në moshën 85-vjeçare, Adam Schlesinger, 52-vjeçar dhe John Prine, që ishte 73-vjeçar.