Së shpejti hapet ekspozita “Përtej” në Galerinë 17, përcjell KultPlus.
“Edhe aty që mbleth e shin flori
Edhe ay q’e heth, e derth si shi,
Kur vdesin nukë bëhen ar e mjaltë:
Po kalben, myken nënë Dhe të zi.
Duke u munduar të imagjinojmë ditën e inaugurimit të ekspozitës Përtej në Beograd në një vit si 1997, do të mundemi që nga jashtë në oborr fillimisht të shquajmë muzikën eksperimentale që depërton nëpër ambientet e Qendrës për Dekontaminim Kulturor, me tingujt surrealë si vetë koha të cilën po e thërrasim në mendje. Atëherë këto vargje nga Rubairat e Omar Khajanit në mënyrë obsesive dhe njëkohësisht të padeshifrueshme mbijnë aty këtu në peizazhin akustik të punuar nga Ilir Bajri e bëhen, si shprehet ai vetë, “një metaforë e viteve të nëntëdhjeta në Kosovë ku ne, përditë vdisnim nga pak”.
Në të vërtetë veprat e katër artistëve jo vetëm përfaqësojnë kohën dhe gjendjen historike të Kosovës në kohë reale dhe madje duke e paraprirë atë, por shënojnë edhe një pikë ndarëse ku tejkalohen edhe format tradicionale të artit të deri atëhershëm.
Veprat në ekspozitë përbëhen nga parandjenja dhe ankthi i një dekade që materializohet përmes mediumeve bashkëkohore artistike. E ato vegime të turbullta do të plotësohen vetëm disa muaj mbas hapjes së ekspozitës me shpërthimin e luftës dhe sulmet kundër civilëve”, thuhet në njoftim.
Ekspozita do të hapet me 22 korrik, duke filluar nga ora 10:00.
Kontribuuesit/et në realizim të ekspozitës:
Kuratore: Blerta Hoçia, Fitore Isufi – Shukriu
Teknik: Skender Xhukolli
Video dhe montazha: Leart Rama
Prodhuar nga: Shtatëmbëdhjetë
Shënim:
PËRTEJ- Archiving Transition është ekspozitë dokumentuese një pjesë e së cilës është instaluar në Galerinë 17 dhe pjesa tjetër në Hotel Grand.
Materialet e ekspozitës:
Fotografitë nga konferenca e ekspozitës “Përtej“, në CZKD, Beograd (1997): Vesna Pavloviv
Fotografitë nga hapja e “Përtej/Beyond/Preko 20 years” (2017), organizuar nga CZKD dhe Kosovo 2.0: Srdjan Veljović
Materialet arkivore janë siguruar nga Arkivat publike në Prishtinë dhe Beograd. Po ashtu, nga arkivat personale të pjesëmarrësve në PËRTEJ – archiving transition.
Kjo ekspozitë është pjesë e programit të Manifesta 14 në Prishtinë.
Ky projekt implementohet nga Shtatëmbëdhjetë (17) si pjesë e “Strengthening Inclusive Victims’ Voices” që implementohet nga Integra, NSI, PAX dhe mbështetet nga BE-ja. Po ashtu mbështetet nga Swiss Cooperation Office në Kosovë. / KultPlus.com