‘At’ vjeshtë piva tinzash cingaren e parë…’

Poezi nga Rozafa Shpuza

Përvjetor mkatesh

Asht vjeshtë e nji vjeti t’thinjun…
Gjyshi pin cingare Tarabosh
e mirazhi i syve dridhulatet përhanshëm në misterin e shtëllungave
që ju përgjasin luleborave rranxë murit.
Çakmaku shkrepë veç nadje heret,
mandej cingaret përshkohen vargevi
tue u lidhë ny në gacën e mbrame,
t’strukun mes dy gishtave bojsepie.
At’ vjeshtë piva tinzash cingaren e parë…
E pimë në grup tanë fmitë e lagjes
tue e thithë me rradhë si mkatin ma naiv.
Gjyshi s’e mori vesh se i mungonte ajo cingare,
kurse na e lamë fajin me stërpikat e makinës kabahe
që lagte ngeshem pervlimin e asfaltit.
Vjeshtën e atij vjeti
hyna shkujdesun në botën e mkatarve,
kukllat e pecave i msheha nen minder
e shpinden e kerrusa paksa
prejse i druhesha kryeneçsisë së cicave.

Anipse gjyshi ka kohë që asht ba nji me shtëllungat,
ka net kur ma ka anda me pi cingare Tarabosh,
si me dashtë me festue pervjetorin e mkatit tem të parë… / KultPlus.com